Eja, Më Ndiq
12–18 Gusht: “Qëndrojmë të Vendosur në Besimin e Krishtit”. Alma 43–52


“12–18 Gusht: ‘Qëndrojmë të Vendosur në Besimin e Krishtit’. Alma 43–52”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“12–18 Gusht. Alma 43–52”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Moroni dhe titulli i lirisë

For the Blessings of Liberty [Për Bekimet e Lirisë], nga Scott M. Snow

12–18 Gusht: “Qëndrojmë të Vendosur në Besimin e Krishtit”

Alma 43–52

Kur i lexojmë këto fjalë në fillim të kapitullit tek Alma 43: “Dhe tani, po kthehem në një rrëfim të luftërave mes Nefitëve dhe Lamanitëve” – është e natyrshme të pyesim veten përse Mormoni i përfshiu këto histori luftërash kur ai pati hapësirë të kufizuar te fletët (shihni te Fjalët e Mormonit 1:5). Është e vërtetë që ne kemi pjesën tonë të luftërave në ditët e mëvonshme, por në fjalët e tij gjendet vlerë përtej përshkrimeve të strategjisë dhe tragjedisë së luftës. Fjalët e tij gjithashtu na përgatitin për luftën në të cilën “që të gjith’ thirremi” (Himne, nr. 159), luftën që po bëjmë çdo ditë kundër forcave të ligësisë. Kjo luftë është reale dhe rezultati ndikon te jeta jonë e përjetshme. Ashtu si nefitët, ne jemi frymëzuar nga një qëllim i shenjtë, ai i “Perëndisë tonë, fesë sonë, lirisë sonë dhe … paqes sonë, [i] bashkëshorteve tona dhe [i] fëmijëve tanë” që Moroni e quajti “çështja e të Krishterëve” (Alma 46:12, 16).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Alma 43–52

Jezu Krishti mund të më ndihmojë në betejat e mia shpirtërore.

Ndërsa i lexoni kapitujt tek Alma 43–52, vini re se çfarë bënë nefitët që i bëri ata të suksesshëm (ose të pasuksesshëm). Më pas përsiatni mënyrën se si mund ta përdorni atë që mësoni, për t’ju ndihmuar që t’i fitoni betejat tuaja shpirtërore. Shënojini mendimet tuaja më poshtë:

Gjithashtu, shihni se çfarë mund të mësoni nga përpjekjet e armiqve të nefitëve. Përsiatni se si Satani mund t’ju sulmojë në mënyra të ngjashme:

  • Alma 43:8: Zerahemna u përpoq t’i zemëronte njerëzit e tij që ai të mund të kishte pushtet mbi ta. (Satani mund të më tundojë që të veproj me zemërim.)

  • Alma 43:29:

  • Alma 46:10:

  • Alma 47:10–19:

Shihni edhe Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 73–76; “Kështjell’ e Fort’ Per’ndia Yn’”, Himne, nr. 36.

nefitët duke luftuar me lamanitët

Minerva Teichert (1888–1976), Defense of a Nephite City [Mbrojtja e një Qyteti Nefit], 1949–1951, vaj në dru të presuar, 91 x 122 centimetra. Muzeu i Artit i Universitetit “Brigam Jang”, 1969.

Alma 46:11–28; 48:7–17

ikona e seminarit
“Qëndrojmë të vendosur në besimin e Krishtit.”

A dëshironi ta pakësoni fuqinë e kundërshtarit në jetën tuaj? Një mënyrë është të ndiqni këshillën tek Alma 48:17 për t’u bërë “sikurse Moroni”. Merreni parasysh të bëni një listë fjalësh që përshkruajnë Moronin teksa lexoni vargjet tek Alma 46:11–28; 48:7–17. Çfarë mësoni nga Moroni rreth “qëndr[imit] të vendosur në besimin e Krishtit”? (Alma 46:27.)

Mund të studioni edhe se si Moroni i frymëzoi të tjerët në “çëshj[en] e të Krishterëve” (Alma 46:11–22). Si do ta përshkruanit atë çështje? Çfarë mund të bëni për të marrë pjesë në të? Si mund t’i frymëzoni të tjerët që të marrin pjesë gjithashtu?

Një gjë që bëri Moroni për t’i frymëzuar të tjerët, ishte të krijonte titullin e lirisë, i cili theksoi parimet që duhej t’i frymëzonin nefitët (shihni vargun 12). Çfarë parimesh po theksojnë udhëheqësit tanë të Kishës në kohën tonë? Mund t’i shikoni ato te materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (broshurë, 2022), te “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, tek tema e Të Rejave dhe tema e Kuorumit të Priftërisë Aarone ose te mesazhet në konferencën më të fundit të përgjithshme. Mund ta përmblidhni atë që po japin mësim, në disa pohime të thjeshta për të krijuar titullin tuaj vetjak të lirisë, diçka që t’ju kujtojë të jeni të vërtetë ndaj Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij.

Alma 47

Satani tundon dhe mashtron pak e nga pak.

Satani e di se nuk jeni të gatshëm të kryeni mëkate të mëdha ose të besoni gënjeshtra që dallohen qartazi. Si rrjedhim, ai përdor gënjeshtra dinake dhe tundime të vogla, aq sa ai mendon se do t’i pranoni, për t’ju çuar në udhë të gabuar nga siguria e të jetuarit me drejtësi.

Kërkojeni këtë model tek Alma 47 dhe përsiatni mënyrën se si Satani mund të jetë duke u përpjekur që t’ju mashtrojë. Merrini parasysh këto pikëpamje nga Plaku Robert D. Hejls:

“Amalikia tradhtar e nxiti Lehontin të ‘zbriste poshtë’ dhe e takoi atë në luginë. Por kur Lehonti i la lartësitë, atij iu dha helm ‘pak nga pak’ gjersa vdiq dhe ushtria e tij ra në duart e Amalikias (shih[ni tek] Alma 47). Me argumente dhe akuza, disa njerëz na [joshin] që të lemë lartësinë. Lartësia është aty ku është drita. … Është toka e sigurisë” (“Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Liahona, nëntor 2008, f. 74).

Çfarë mësoni nga materiali filmik “Temptation Fades as We Seek Christ in Every Thought” [“Tundimi Zbehet Nëse e Kërkojmë Krishtin në Çdo Mendim”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] që mund t’ju ndihmojë t’i bëni ballë tundimit?

Shihni edhe te Nehemia 6:3; 2 Nefi 26:22; 28:21–22.

Alma 50–51

Uniteti sjell siguri.

Pavarësisht nga armatimi dhe fortifikimet e nefitëve, lamanitët shpejt pushtuan shumë nga qytetet e tyre (shihni tek Alma 51:26–27). Si ndodhi kjo? Kërkoni përgjigje ndërsa i lexoni këta kapituj (shihni veçanërisht vargjet tek Alma 51:1–12). Përsiatni se çfarë paralajmërimesh mund të ketë ky rrëfim për ju dhe familjen tuaj.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Alma 43:17–21; 48:7–8; 49:1–5; 50:1–6

Unë mund të gjej mbrojtje shpirtërore tek ungjilli i Jezu Krishtit.

  • Merreni parasysh të përdorni mësimin “Kapitulli 31: Kapiten Moroni Mund Zerahemnën” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 85–88) për t’iu treguar fëmijëve tuaj rreth luftës midis nefitëve dhe lamanitëve. Ndërsa lexoni rreth armatimit të nefitëve tek Alma 43:19, mund ta krahasoni armatimin që na mbron trupin, me gjërat që Perëndia na ka dhënë për të mbrojtur shpirtin. Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund të bëni një vizatim të një fëmije dhe t’i shtoni një pjesë armatimi vizatimit për gjithçka që mund të emërtojnë fëmijët tuaj që na mbron shpirtërisht.

  • Këto vargje përshkruajnë fortifikimet që ndërtuan nefitët: Alma 48:7–9; 49:1–9; 50:1–6. Pasi t’i lexoni këto vargje së bashku, fëmijëve tuaj mund t’u pëlqejë të ndërtojë një fortesë me sende si karrige dhe batanije. Materiali filmik “Elder Stevenson on Fortifying Families” [“Plaku Stivenson lidhur me Forcimin e Familjeve”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] mund t’ju ndihmojë të diskutoni se si ta fortifikoni shpirtërisht shtëpinë tuaj.

Alma 46:11–16; 48:11–13, 16–17

Unë mund të jem “[i/e] vendosur në besimin e Krishtit” si kapiten Moroni.

  • Fëmijët tuaj mund të vështrojnë figurat në këtë përvijim për të thënë tregimin e titullit të lirisë (shihni tek Alma 46:11–16; “Kapitulli 32: Kapiten Moroni dhe Titulli i Lirisë”, Tregime të Librit të Mormonit, f. 89–90). Çfarë dëshironte Moroni që të kujtonte populli? (Shihni vargun 12.) Përse dëshiron Ati Qiellor që ne të kujtojmë? Mbase fëmijët tuaj mund të krijojnë vetë “titu[jt e tyre të] lirisë” me fraza ose figura që do t’i ndihmojnë t’i kujtojnë këto gjëra.

  • Për t’u dhënë mësim fëmijëve tuaj rreth të qenit “[të] vendosur në besimin e Krishtit” si Moroni (shihni tek Alma 48:13), mund t’i ndihmoni ata të gjejnë dhe të prekin diçka të vendosur fort diku. Çfarë do të thotë që besimi të jetë i “vendosur”? Lexoni së bashku tek Alma 48:11–12 për të zbuluar atë që e bëri të vendosur Moronin në besimin e tij te Krishti. Ju gjithashtu mund të këndoni së bashku një këngë si “Do të Jem Guximtar”, (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 85). Çfarë mund të bëjmë që të jemi “[të] vendosur në besimin e Krishtit”?

Alma 47:4–19

Satani tundon dhe mashtron pak e nga pak.

Lexojini së bashku vargjet e përzgjedhura nga Alma 47:4–19. Çfarë do të kishte ndodhur nëse Amalikia do t’i kishte thënë Lehontit atë që planifikonte të bënte që prej fillimit? Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si Satani përpiqet të na mashtrojë?

Ndihmojini fëmijët tuaj të krijojnë vetëbesim. Disa fëmijë mund të mos ndihen të aftë që ta mësojnë vetë ungjillin. Një mënyrë për ta krijuar vetëbesimin e tyre është që t’i lavdëroni kur marrin pjesë tek të mësuarit. Ku mund ta zbatoni këtë sugjerim me veprimtaritë në këtë përvijim?

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Moroni duke mbajtur titullin e lirisë

Title of Liberty [Titulli i Lirisë], nga Larry Conrad Winborg.

© 2018 nga Larry Conrad Winborg