“5–11 Maj: ‘Premtimet … do të Përmbushen’: Doktrina e Besëlidhje 45’, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 45”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
5–11 Maj: “Premtimet … do të Përmbushen”
Doktrina e Besëlidhje 45
Zbulesa te seksioni 45 u mor, sipas kreut të seksionit, “për gëzimin e [s]henjtorëve”. Dhe ka shumë arsye për të qenë plot gëzim në këtë zbulesë. Në të Shpëtimtari bën premtimin e Tij të dhembshur që të na mbrojë përpara Atit (shihni vargjet 3–5). Ai tregon për besëlidhjen e Tij të përjetshme që përhapet anembanë botës, si “një lajmëtar … për të përgatitur udhën përpara [Tij]” (vargu 9). Dhe Ai profetizon për Ardhjen e Tij të lavdishme të Dytë. Shpëtimtari e bën të gjithë këtë ndërkohë që pranon se këto janë kohë të trazuara (shihni vargun 34), pjesërisht për shkak të rreziqeve që do të ndodhin përpara ardhjes së Tij. Por ai rrezik, ajo errësirë nuk është aq e fortë sa ta shuajë dritën e shpresës. “Sepse në të vërtetë ju them”, – deklaroi Zoti, – “se unë jam … një dritë që shkëlqen në errësirë” (vargu 7). Vetëm kjo është arsyeja për ta marrë këtë zbulesë, me çfarëdo këshille dhe paralajmërimesh dhe të vërtete që Ai dëshiron të japë, me gëzim.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Jezu Krishti është Avokati im me Atin.
Kur ndihemi të papërshtatshëm ose të padenjë përpara Perëndisë, mund të gjejmë siguri në fjalët e Shpëtimtarit te Doktrina e Besëlidhje 45:1–5. Ndërsa i hetoni këto vargje, merrni parasysh pyetje si këto:
-
Cilat fjalë ose fraza në këto vargje ju duken veçanërisht kuptimplota?
-
Një avokat është dikush që e përkrah ose rekomandon publikisht një person ose një çështje. Sipas këtyre vargjeve, si e bën Jezu Krishti këtë për ju? Çfarë e kualifikon Atë që ta bëjë këtë?
-
Çfarë ju bën përshtypje nga fjalët e Shpëtimtarit drejtuar Atit? (Vargjet 4– 5.)
Mund edhe të studioni atë që dha mësim Plaku Dejll G. Renland rreth Jezu Krishtit, Avokatit tonë, te “Zgjidhni Sot” (Liahona, nëntor 2018, f. 104–105). Sipas Plakut Renland, si krahasohet qëllimi i Shpëtimtarit me atë të Luciferit?
Fragmentet vijuese mund ta shtojnë kuptueshmërinë tuaj për rolin e Shpëtimtarit si Avokat. Teksa i studioni ato, merreni parasysh të shkruani fraza ose të vërteta që mund t’ua tregoni të tjerëve: 2 Nefi 2:8–9; Mosia 15:7–9; Moroni 7:27–28; Doktrina e Besëlidhje 29:5; 62:1. Përse këto fraza janë kuptimplota për ju?
Shihni edhe himnin “Qëndroj Plot Habi”, Himne, nr. 113; Tema dhe Pyetje, “Atonement of Jesus Christ” [“Shlyerja e Jezu Krishtit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “The Mediator” [“Ndërmjetësi”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ungjilli është një flamur për kombet.
Në lashtësi, flamuri [standardi] ishte një banderolë që sillej në betejë, i cili përdorej për t’i mbledhur dhe bashkuar trupat. Një standard është gjithashtu një shembull ose rregull kundrejt të cilit mund të maten gjërat e tjera. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 45:9–10, përsiatni se si kanë qenë besëlidhjet tuaja me Zotin një standard për ju.
Doktrina e Besëlidhje 45:11–75
Jezu Krishti do të kthehet me lavdi.
Ardhja e Dytë e Zotit është përshkruar edhe si “e madhe” edhe si “e llahtarshme” (Malakia 4:5). Te Doktrina e Besëlidhje 45, të dyja përshkrimet duket se janë me vend. Kjo zbulesë përfshin si paralajmërime kthjelluese edhe premtime shpresëdhënëse rreth ardhjes së Zotit. Teksa i studioni vargjet 11–75, përsiatni se si mund të përgatiteni për Ardhjen e Dytë me besim te Krishti në vend që të frikësoheni. Shënojeni atë që gjeni, në një tabelë si kjo:
Profecia ose premtimi |
Çfarë mund të bëj |
---|---|
Profecia ose premtimi Një dritë (ungjilli) do të vijë tek ata që dergjen në errësirë (vargu 28) | Çfarë mund të bëj Pranojeni dritën dhe shpërndajeni atë (vargu 29) |
Profecia ose premtimi | Çfarë mund të bëj |
Profecia ose premtimi | Çfarë mund të bëj |
Profecia ose premtimi | Çfarë mund të bëj |
Në materialin filmik “Men’s Hearts Shall Fail Them” [“Zemrat e Njerëzve do të Mpaken”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit], çfarë këshille jep Presidenti Rasëll M. Nelson për të na ndihmuar t’i përballim situatat frikësuese me paqe?
Doktrina e Besëlidhje 45:31–32, 56–57
Unë mund “të qëndroj në vende të shenjta” dhe të mos lëviz.
Çfarë mësoni te Doktrina e Besëlidhje 45:31–32, 56–57 rreth përgatitjes për ardhjen e Zotit? Cilat janë “vende[t tuaja] të shenjta”? Çfarë do të thotë të “[mos] lëviz[im]”? Si mund ta bëni vendin ku jeni më të shenjtë?
Vini re se Zoti iu referua shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave, duke e krahasuar vajin në shëmbëlltyrë me të vërtetën dhe Shpirtin e Shenjtë. Merreni parasysh të lexoni shëmbëlltyrën te Mateu 25:1–13 duke pasur atë në mendje. Çfarë njohurish fitoni?
Shihni edhe te Dejvid A. Bednar, “Po Të Më Kishit Njohur”, Liahona, nëntor 2016, f. 102–105.
Doktrina e Besëlidhje 45:11–15, 66–71
Sioni është një vend i sigurt për shenjtorët e Perëndisë.
Shenjtorët në kohën e Jozef Smithit ishin të zellshëm për ta ndërtuar Sionin, Jerusalemin e Ri (shihni tek Ethëri 13:2–9; Moisiu 7:18, 62–64). Çfarë mësoni rreth Sionit – si për qytetin e lashtë në kohën e Enokut dhe qytetin e ditëve të mëvonshme – nga Doktrina e Besëlidhje 45:11–15, 66–71? Sot urdhri për të themeluar Sionin i referohet themelimit të mbretërisë së Perëndisë kudo që jetojmë. Çfarë mund të bëni për të ndihmuar në ndërtimin e Sionit atje ku jetoni?
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Jezu Krishti është Avokati im me Atin.
-
Nëse doni, mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të kuptojnë se një avokat është dikush që përkrah një person tjetër. Më pas mund të flisni rreth shembujve të të qenit avokat, të cilët ata mund t’i dinë (si t’i dalin për zot një miku ose mikeje). Ndërsa lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 45:3–5, ndihmojini fëmijët tuaj të zbulojnë se kush është Avokati ynë dhe si na ndihmon Ai.
Unë mund të “qëndroj në vende të shenjta”.
-
Mund të jetë zbavitëse të vendosni fotografi të një shtëpie, një ndërtese të Kishës dhe një tempulli nëpër dhomë. Më pas mund t’u jepni fëmijëve tuaj të dhëna ndihmëse që i përshkruajnë këto vende, dhe t’i ftoni ata të qëndrojnë pranë fotografisë që po përshkruani. Kërkojuni atyre të qëndrojnë pa lëvizur ndërkohë që lexoni rreshtin e parë nga Doktrina e Besëlidhje 45:32. Cilat janë disa vende të shenjta që na jep Perëndia? Ndihmojini fëmijët tuaj të kuptojnë se të “qëndrojnë në vende të shenjta dhe … të [mos] lëvizen” do të thotë të zgjedhin të drejtën gjatë gjithë kohës, pavarësisht se çfarë po ndodh. Si mund ta bëjmë shtëpinë tonë një vend më të shenjtë?
Ungjilli i Jezu Krishtit është një flamur [standard] për botën.
-
Ju mund t’u shpjegoni fëmijëve tuaj se në kohët e lashta, një flamur [standard] ishte një banderolë që merrej në betejë. Ai i ndihmonte ushtarët të dinin se ku të shkonin dhe çfarë të bënin. Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 45:9 dhe diskutoni mënyrat se si ngjason ungjilli me një standard. Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të bëjnë standardin ose flamurin e tyre vetjak, përfshirë figura ose fjalë që shprehin ndjenjat e tyre për Shpëtimtarin.
Doktrina e Besëlidhje 45:44–45
Jezu Krishti do të vijë përsëri.
-
Shkatërrimi që do të ndodhë përpara Ardhjes së Dytë, mund t’i frikësojë fëmijët. Nëse i drejtoni ata te Jezu Krishti, kjo mund t’i ndihmojë të shohin përpara me besim. Merreni parasysh t’i ftoni ata të mendojnë rreth mënyrës se si do të ndihen kur një njeri i veçantë do të vijë për vizitë, si një gjysh/e ose mik/e. Si përgatiten për vizitën? Më pas mund t’u tregoni një figurë të Shpëtimtarit dhe të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 45:44–45. Tregojini njëri‑tjetrit se si ndiheni rreth ardhjes së Shpëtimtarit.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të ndihen entuziastë për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit, mund të shkruani në shirita letre disa nga premtimet shpresëdhënëse nga seksioni 45 (shihni, për shembull vargjet 44–45, 51–52, 55, 58–59, 66–71). Jepuani fëmijëve tuaj letrat dhe kërkojuni të ngrenë dorën kur të përmendet premtimi që po mbajnë në dorë, ndërsa i lexoni vargjet. Diskutojeni atë që nënkuptojnë këto premtime. Ju gjithashtu mund të këndoni me fëmijët tuaj një këngë rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, të tillë si “Kur Ai të Vij’ Përs’ri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47).