“12–18 Maj: ‘Kërkoni me Zell Dhuratat Më të Mira’: Doktrina e Besëlidhje 46– 48”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 46–48”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
12–18 Maj: “Kërkoni me Zell Dhuratat Më të Mira”
Doktrina e Besëlidhje 46–48
Ndërsa Parli P. Prati, Oliver Kaudëri, Ziba Pitërsoni dhe Piter Uitmer i Riu u larguan nga Kirtlandi dhe vazhduan të predikonin ungjillin, ata lanë mbi 100 anëtarë të rinj të Kishës që kishin shumë zell, por pak përvojë ose udhëheqje. Ata nuk kishin asnjë manual udhëzues, nuk kishin mbledhje trajnuese të udhëheqjes, as transmetime të konferencës së përgjithshme – në fakt, nuk kishin as kopje të mjaftueshme të Librit të Mormonit që t’i shpërndanin. Shumë nga këta besimtarë të rinj ishin tërhequr drejt ungjillit të rivendosur nëpërmjet premtimit për shfaqje të mrekullueshme të Shpirtit, veçanërisht ato shfaqje që përshkruhen në Dhiatën e Re (shihni, për shembull, te 1 Korintasve 12:1–11). Por shumë njerëz e kishin të vështirë t’i përcaktonin shfaqjet e vërteta të Shpirtit. Duke parë pështjellimin, Jozef Smithi u lut për ndihmë. Përgjigjja e Zotit është e vlefshme sot, kur njerëzit shpesh i mohojnë ose i shpërfillin gjërat e Shpirtit. Ai e ripohoi që shfaqjet shpirtërore janë reale. Ai gjithashtu sqaroi se çfarë janë ato: dhurata nga një Atë i dashur Qiellor, që “jepen për përfitimin e atyre që [e] duan e që i zbatojnë të gjitha urdhërimet e [Tij], dhe të atij që kërkon të bëjë kështu” (Doktrina e Besëlidhje 46:9).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Shpëtimtari i mirëpret të gjithë ata që duan të adhurojnë në Kishën e Tij.
A ndieni se miqtë dhe njerëzit në mëhallën tuaj ndihen të mirëpritur në shërbesat e adhurimit të lagjes suaj në Kishë? Çfarë po bëni për t’i bërë mbledhjet tuaja në Kishë vende ku njerëzit të duan të rikthehen? Përsiatni se si mund ta zbatoni këshillën e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 46:1–7 (shihni edhe te 2 Nefi 26:24–28; 3 Nefi 18:22–23).
Mund edhe të mendoni për një rast kur i frekuentuat shërbesat në Kishë, ose një mbledhje të një grupi tjetër, për herë të parë. Çfarë bënë njerëzit për t’ju ndihmuar të ndiheshit i/e mirëpritur?
Shihni edhe te Moroni 6:5–9; “’Tis Sweet to Sing the Matchless Love”, Hymns, nr. 177; “Welcome” [“Mirë se Vini”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ati Qiellor më jep dhurata shpirtërore për t’i bekuar të tjerët.
Shenjtorët e hershëm besonin te dhuratat shpirtërore, por u nevojitej ca ndihmë për t’i dalluar ato dhe për ta kuptuar qëllimin e tyre. Ndërsa studioni për dhuratat e Shpirtit te Doktrina e Besëlidhje 46:7–33, përsiateni qëllimin “përse jepen ato” (vargu 8). Çfarë mësoni rreth Perëndisë, dhënësit të këtyre dhuratave?
A mund të mendoni për shembuj që i keni parë, të njerëzve të cilët i përdorin këto ose dhurata të tjera shpirtërore? Si “përfit[ojnë] fëmijë[t e] Perendisë” prej tyre? (Vargu 26.) Mund edhe të shihni nëse mund të përcaktoni shembuj të dhuratave të ndryshme shpirtërore në shkrime të shenjta si këto: 1 Mbretërve 3:5–15; Daniel 2:26–30; Veprat e Apostujve 3:1–8; Helamani 5:17–19; Mormoni 1:1–5; Ethëri 3:1–15; Doktrina e Besëlidhje 6:10–12; Moisiu 7:13.
Studimi juaj për dhuratat shpirtërore mund t’ju shtyjë të përsiatni se çfarë dhuratash ju ka dhënë Perëndia. Si mund t’i përdorni këto dhurata për të bekuar fëmijët e Tij? Nëse keni një bekim patriarkal, ka mundësi që ai të përcaktojë dhuratat që ju janë dhënë. Leximi i mesazhit të Plakut Xhon C. Pingri i Riu “Unë Kam një Punë për Ty” mund edhe t’ju hapë mendjen për dhuratat për të cilat nuk keni menduar (Liahona, nëntor 2017, f. 32–35).
Nëse do të donit të mësonit rreth mënyrës se si t’i zhvilloni dhuratat shpirtërore, mund të ndihmojë analogjia në fillim të mesazhit të Plakut Huan Pablo Vijar “Ushtrimi i Muskujve Tanë Shpirtërore” (Liahona, maj 2019, f. 95). Çfarë “ushtrimesh” mund t’ju ndihmojnë t’i zhvilloni dhuratat tuaja shpirtërore?
Shihni edhe te Tema dhe Pyetje, “Holy Ghost” [“Fryma e Shenjtë”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Zoti dëshiron që Kisha e Tij të mbajë një anal të historisë.
Thirrja e Xhon Uitmerit për të mbajtur një histori të Kishës vazhdoi një traditë të gjatë të mbajtësve të analeve mes popullit të Perëndisë. Si mendoni, përse mbajtja e një historie është kaq e rëndësishme për Zotin? Përsiateni këtë ndërsa lexoni seksionin 47 si dhe udhëzime të ngjashme te 2 Nefi 29:11–12; Moisiu 6:5; Abraham 1:28, 31. Çfarë ndieni se dëshiron Zoti që ju të shënoni rreth jetës suaj?
Në programin FamilySearch, mund të shënoni kujtime dhe përvoja nga jeta juaj dhe nga jeta e paraardhësve tuaj (shihni te FamilySearch.org).
Shihni te Henri B. Ajring, “O, Kujtoni, Kujtoni”, Liahona, nëntor 2007, f. 66–69.
Fryma e Shenjtë mund të më drejtojë ndërkohë që e përmbush thirrjen time.
Ndoshta mund ta gjeni veten tek ajo që ndjeu Xhon Uitmeri kur dëshironte të sigurohej sërish se thirrja e tij erdhi nga Perëndia. Çfarë tha Zoti te Doktrina e Besëlidhje 47 për Xhon Uitmerin dhe ju, për të frymëzuar siguri te vetja për përmbushjen e thirrjeve që jep Ai?
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Unë mund t’i ndihmoj të tjerët të ndihen të mirëpritur në kishë.
-
Pas leximit të vargut te Doktrina e Besëlidhje 46:5 me fëmijët tuaj, flisni rreth mënyrës se si dëshiron Shpëtimtari të ndihen njerëzit kur vijnë në Kishën e Tij. Ftojini fëmijët tuaj të përfytyrojnë sikur e shohin dikë në kishë për herë të parë. Ndihmojini ata të ushtrojnë mënyra për ta ndihmuar këtë person të ndihet i/e mirëpritur.
Ati Qiellor më jep dhurata shpirtërore për t’i bekuar të tjerët.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të mësojnë rreth dhuratave shpirtërore që përshkruhen te Doktrina e Besëlidhje 46:13–26, merreni parasysh këtë ide. Mund t’i shkruani dhuratat në fletë letre dhe t’i fshihni nëpër dhomë. Ndërsa fëmijët tuaj e gjejnë secilën letër, ndihmojini ata të gjejnë ku përmendet ajo dhuratë te seksioni 46. Për secilën dhuratë, flisni me ta rreth mënyrës se si përdoret ajo për të bekuar të tjerët (përshkrimet te “Kapitulli 20: Dhuratat e Frymës së Shenjtë”, në Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 77–80, mund të ndihmojnë).
-
Tregojuni fëmijëve tuaj për dhuratat që ndieni se u ka dhënë atyre Ati Qiellor dhe lërini të flasin rreth dhuratave që vënë re te njëri-tjetri. Sipas vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 46:8–9, 26, pse na jep dhurata shpirtërore Ati Qiellor? Si mund t’i përdorim dhuratat tona për të ndihmuar të tjerët?
Unë mund ta mbaj shënim historinë time.
-
Lërini fëmijët tuaj të zbulojnë atë që deshi Zoti që të bënte Xhon Uitmeri te Doktrina e Besëlidhje 47:1, 3. Mund edhe t’i tregoni njëri‑tjetrit ndodhi të parapëlqyera nga shkrimet e shenjta. Vini në dukje se ne i dimë këto ndodhi ngaqë dikush i mbajti shënim ato.
-
Merreni parasysh se si mund t’i frymëzoni fëmijët tuaj që t’i mbajnë shënim ndodhitë e tyre vetjake. Ju mund të tregoni disa pjesë nga ditari juaj vetjak ose një histori rreth një paraardhësi/eje (shihni te FamilySearch.org ose programi Memories [Kujtimet]). Ju mund të jepni disa shtytje për të filluar ditarin, si për shembull: “Çfarë ndodhi këtë javë që ju do të doni që ta dinë nipërit ose mbesat tuaja?” ose “Si e patë dorën e Zotit në jetën tuaj këtë javë?” Fëmijët e vegjël mund të vizatojnë figura të përvojave të tyre ose ju mund t’i mbani shënim ato duke treguar historitë e tyre. Çfarë bekimesh vijnë nga mbajtja e “një histori[e] të rregullt”? (Doktrina e Besëlidhje 47:1.)
Unë mund t’i ndihmoj njerëzit e tjerë duke u dhënë nga ajo që më është dhënë.
-
Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 48:2–3 me fëmijët tuaj, mund t’ju duhet të shpjegoni se po vinin njerëz në Ohajo nga lindja dhe nuk kishin vend ku të jetonin. Çfarë u kërkoi Zoti shenjtorëve që të bënin për të ndihmuar? Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për gjërat që ua ka dhënë Perëndia, të cilat mund t’i ndajnë me të tjerët. Ju gjithashtu mund të këndoni me ta një këngë si “‘Jep’, Tha o Rrëkeza” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 116).