Eja, Më Ndiq
26 Maj – 1 Qershor: “Kujdestar Besnik, i Drejtë e i Mençur”: Doktrina e Besëlidhje 51–57


“26 Maj – 1 Qershor: ‘Kujdestar Besnik, i Drejtë e i Mençur’: Doktrina e Besëlidhje 51–57”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 51–57”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025

burrë duke lëruar tokën

First Furrow [Lërimi i Parë i Tokës], nga James Taylor Harwood

26 Maj – 1 Qershor: “Kujdestar Besnik, i Drejtë e i Mençur”

Doktrina e Besëlidhje 51–57

Për anëtarët e Kishës në vitet 1830, mbledhja e shenjtorëve dhe ndërtimi i qytetit të Sionit ishin punë shpirtërore, si dhe tokësore, me shumë çështje praktike për t’u trajtuar: Nevojitej dikush që të blinte tokën ku shenjtorët mund të vendoseshin. Nevojitej dikush të shtypte libra dhe botime të tjera. Dhe nevojitej dikush që të administronte një dyqan për të siguruar mallra për njerëzit që ishin në Sion. Në zbulesat që shënohen te Doktrina e Besëlidhje 51– 57, Zoti caktoi dhe udhëzoi njerëz për t’u marrë me këto detyra.

Por ndërkohë që nevojiten aftësi për gjëra të tilla në Sion, këto zbulesa gjithashtu na mësojnë se Zoti dëshiron që shenjtorët e Tij të bëhen shpirtërisht të denjë për t’u quajtur një popull i Sionit, populli i Tij. Ai e thërret secilin prej nesh që të jetë një “kujdestar besnik, i drejtë e i mençur”, duke pasur një shpirt të penduar, “[duke] qëndr[uar të] vendosur” në përgjegjësitë tona që na janë caktuar (shihni te Doktrina e Besëlidhje 51:19; 52:15; 54:2). Nëse mund ta bëjmë atë, pavarësisht nga aftësitë tona tokësore, Zoti mund të na përdorë për të ndërtuar Sionin.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Doktrina e Besëlidhje 51

Zoti dëshiron që unë të jem një kujdestar besnik, i drejtë e i mençur.

Nëse do të ishit anëtar i Kishës në vitin 1831, ju mund të ishit ftuar që ta jetonit ligjin e përkushtimit duke ia dhënë Kishës pronësinë e pasurisë suaj nëpërmjet peshkopit. Më pas ai do t’ju kthente, në shumicën e rasteve, atë që dhuruat, ndonjëherë me një tepricë. Por ajo nuk ishte më thjesht prona juaj – ajo ishte kujdestaria juaj.

Sot procedurat janë të ndryshme, por parimet janë ende jetike për punën e Zotit. Ndërsa lexoni te seksioni 51, mendoni për atë që Perëndia ju ka mirëbesuar. Çfarë nënkuptojnë fjalët “kujdestar” (vargu 19) dhe “përkushtuar” (vargu 5) për pritshmëritë që ka Perëndia për ju?

Presidenti Spenser W. Kimball shpjegoi: “Në Kishë, një kujdestari është një mirëbesim i shenjtë shpirtëror ose material për të cilin kemi përgjegjshmëri. Ngaqë të gjitha gjërat i përkasin Zotit, ne jemi kujdestarë për trupat, mendjet, familjet dhe pronësitë tona. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 104:11–15.) Një kujdestar besnik është një person që ushtron zotërim të drejtë, tregon kujdes për të vetët dhe përkujdeset për të varfrit e nevojtarët” (“Welfare Services: The Gospel in Action”, Ensign, nëntor 1977, f. 78).

Shihni edhe tek “The Law of Consecration” [“Ligji i Përkushtimit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

5:1

Doktrina e Besëlidhje 52:9–11, 22–27

Unë mund t’i ftoj të tjerët të vijnë te Krishti, kudo që të shkoj.

Kur Zoti dërgoi disa udhëheqës të Kishës në Misuri, ai u tha atyre ta përdornin mirë kohën e shpenzuar për udhëtimin dhe të “prediko[nin] gjatë udhës” (vargjet 25–27). Si mund ta shpërndani ungjillin “gjatë udhës” ose gjatë ngjarjeve normale të jetës suaj?

Doktrina e Besëlidhje 52:14–19

ikona e seminarit
Zoti më ndihmon ta shmang mashtrimin.

Me shumë njerëz që pretendonin shfaqje shpirtërore, shenjtorët e hershëm ishin të shqetësuar se mos i mashtronin. Çfarë paralajmërimesh u dha Zoti te Doktrina e Besëlidhje 52:14? Cila ishte zgjedhja e Tij? (Shihni vargjet 14–19.)

Një model është diçka që përsëritet në një mënyrë të rregullt, të parashikueshme. Shembujt përfshijnë numërimin me numra çift ose lindjen dhe perëndimin e diellit çdo ditë. Për çfarë shembujsh të tjerë mund të mendoni? Ndërsa kërkoni te Doktrina e Besëlidhje 52:14–19, përcaktojeni modelin e Zotit për shmangien e mashtrimit. Mund të ndihmojë të vini në dukje se “penduar” nënkupton një ndjenjë përulësie dhe pendimi; “duruar” sugjeron butësi dhe vetëkontroll dhe të “lartëson” do të thotë të udhëzon, përmirëson ose të jep zemër. Pse mendoni se i përfshin këto cilësi modeli i Zotit, si dhe bindjen? Si mund ta zbatoni këtë model për të shmangur mashtrimin?

Përkufizojini fjalët e vështira. Te programi elektronik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], mund të prekni me gisht te fjala e ta mbani të shtypur dhe të përzgjidhni “Define” [“Përkufizo”]. Më pas do të shkoni te një përkufizim i asaj fjale. Provojeni këtë kur të hasni fjalë që nuk i dini, ose fjalë që duken të njohura, të cilat do të donit t’i kuptonit më mirë.

Cilët janë disa shembuj mashtrimesh në kohën tonë? Si mund ta dimë se kur po na mashtrojnë?

Për shembull, mund të merrni parasysh t’i vlerësoni zgjedhjet tuaja për sa u përket filmave, muzikës dhe mediave shoqërore duke u bazuar në standardet e pjesës “Ecni në dritën e Perëndisë” te broshura Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve, f. 16–21.

Shihni edhe te Geri E. Stivenson, “Mos më Mashtro”, Liahona, nëntor 2019, f. 93–96; “M’Udh’hiq tek Ti”, Himne, nr. 53; Tema dhe Pyetje, “Seeking Truth and Avoiding Deception” [“Kërkimi i së Vërtetës dhe Shmangia e Mashtrimit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Doktrina e Besëlidhje 54

Unë mund t’i drejtohem Zotit kur lëndohem nga zgjedhjet e të tjerëve.

A keni vuajtur ndonjëherë zhgënjim kur dikush, tek i cili u mbështetët, nuk i mbajti zotimet e tij? Kjo u ndodhi shenjtorëve nga Kollsvilli në Nju‑Jork, të cilët prisnin të vendoseshin në tokën e Liman Koplit në Ohajo. Për të mësuar nga kjo përvojë, merreni parasysh të shqyrtoni kreun te seksioni 54 (shihni edhe te Saints [Shenjtorët], 1:125–128; “A Bishop unto the Church”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 78–79). Po të kishit një mik/e mes shenjtorëve të Kollsvillit çfarë këshille mund të gjeni te seksioni 54 që mund t’ia jepnit atij ose asaj?

ferma e Liman Koplit

ferma e Liman Koplit

Doktrina e Besëlidhje 56:14–20

Të bekuar janë të pastrit në zemër.

Në këto vargje, Zoti u foli si të pasurve dhe të varfërve; mund të jetë interesante të krahasoni këshillat e Tij për këto dy grupe. Cilat gjëra në këto vargje mendoni se lidhen me ju personalisht?

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona 01 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Doktrina e Besëlidhje 51:9

Unë mund të jem i ndershëm.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të mësojnë se çfarë do të thotë të jesh i ndershëm, mund të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 51:9 dhe të tregoni ndodhi për fëmijë që përballen me vendime rreth të qenit të ndershëm. Mund të përdorni figura, marioneta të bëra me çorape ose kukulla prej letre që t’i bëni historitë më interesante. Si na bekon Zoti teksa përpiqemi fort që të jemi të ndershëm?

  • Merreni parasysh të luani një lojë me fëmijët tuaj. Paskëtaj, diskutoni se si do të kishte qenë ndryshe loja po të kishte bërë dikush me hile. Përse është e rëndësishme që të “veproj[m]ë me ndershmëri” njëri me tjetrin?

Doktrina e Besëlidhje 52:10; 53:3; 55:1

Unë e marr dhuratën e Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve.

  • Marrja e Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve përmendet disa herë te Doktrina e Besëlidhje 51–57. Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për t’iu dhënë mësim fëmijëve tuaj rreth kësaj ordinance. Për shembull, ata mund të vështrojnë një figurë të një fëmije që po konfirmohet dhe të përshkruajnë se çfarë po ndodh në figurë. Kërkojuni t’i përplasin duart kur dëgjojnë frazat “duke u vënë duart” ose “me anë të vënies së duarve” ndërkohë që lexoni te Doktrina e Besëlidhje 52:10; 53:3; 55:1.

  • Mund edhe të këndoni këngën “Fryma e Shenjtë” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 56) ose një këngë të ngjashme. Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë fjalë dhe fraza në këngë ku na mësohet për dhuratën e Frymës së Shenjtë.

    djalë i vogël që po konfirmohet

Doktrina e Besëlidhje 52:14–19

Perëndia ka një model për të më ndihmuar që të mos mashtrohem.

  • Për të dhënë mësim rreth modelit të Zotit për shmangien e mashtrimit, mund ta nisni duke i ndihmuar fëmijët të gjejnë shembuj modelesh, në natyrë, në batanije ose veshje me ngjyra apo në jetën e përditshme. Ndihmojini ata të gjejnë modelin që dha Zoti te Doktrina e Besëlidhje 52:14–15. Sigurohuni që e kuptojnë çdo fjalë që nuk e dinë në këto vargje. Si mund ta përdorim këtë model për të dalluar të vërtetën?

Doktrina e Besëlidhje 54:4–6

Unë duhet t’i mbaj gjithmonë besëlidhjet e mia.

  • Me fjalët tuaja, tregojuni fëmijëve tuaj atë që u ndodhi shenjtorëve që erdhën të jetonin në tokën e Liman Koplit (shihni kreun te seksioni 54). Fëmijët tuaj mund të bëjnë sikur janë një anëtar i Kishës që ka mbërritur në Ohajo. Si do të ishin ndier pasi Limani të kishte shkelur besëlidhjen e tij? Çfarë na mëson kjo rreth mbajtjes së besëlidhjeve ose premtimeve tona? Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 54:6 për të zbuluar bekimet për njerëzit që i mbajnë besëlidhjet e tyre.

Doktrina e Besëlidhje 55:1–4

Unë mund t’i përdor bekimet që Perëndia më ka dhënë, për t’i bekuar të tjerët.

  • Për të paraqitur seksionin 55, nëse doni, mund të shpjegoni se Uilliam W. Felpsi ishte një botues gazete që mësoi për ungjillin dhe iu bashkua Kishës. Lexoni me fëmijët tuaj te Doktrina e Besëlidhje 55:1–4 dhe ndihmojini ata të zbulojnë atë çka donte Perëndia që të bënte Uilliami. Si planifikoi Ai që t’i përdorte talentet e Uilliamit? Kjo mund të çojë në një diskutim rreth mënyrës se si Perëndia mund të na ftojë t’i përdorim talentet tona për të bekuar fëmijët e Tij.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

shenjtorë duke përkushtuar të mirat e tyre

Bishop Partridge Receives Consecration [Peshkopi Partrixh Merr Përkushtimin], nga Albin Veselka

faqja e veprimtarisë për fëmijët