“7–13 Korrik: ‘I Madh do të Jetë Shpërblimi i Tyre dhe e Përjetshme do të Jetë Lavdia e Tyre’: Doktrina e Besëlidhje 76”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 76”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
7–13 Korrik: “I Madh do të Jetë Shpërblimi i Tyre dhe e Përjetshme do të Jetë Lavdia e Tyre”
Doktrina e Besëlidhje 76
“Çfarë do të më ndodhë pasi të vdes?” Pothuajse çdokush e bën këtë pyetje në një formë apo tjetër. Për shekuj me radhë, shumë tradita të krishtera, duke u mbështetur te mësimet biblike, kanë dhënë mësim mbi qiellin dhe ferrin, mbi parajsën për të drejtët dhe vuajtjet për të ligjtë. Por a mund të ndahet e tërë familja njerëzore vërtet kaq rreptësisht? Në shkurt 1832, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni pyetën veten nëse kishte më shumë për të ditur rreth temës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76, kreu i seksionit).
Sigurisht që kishte. Ndërkohë që Jozefi dhe Sidni po i përsiatnin këto gjëra, Zoti i “preku sytë e të kuptuarit [të tyre] dhe ata u hapën” (vargu 19). Ata morën një zbulesë kaq mahnitëse, kaq të zgjeruar, kaq ndriçuese, sa shenjtorët thjesht e quajtën atë “Vegimi”. Ajo i hapi gjerësisht dritaret e qiellit dhe u dha fëmijëve të Perëndisë një pamje që të zgjeron këndvështrimin për përjetësinë. Vegimi zbuloi se qielli është më i madhërishëm, më i gjerë dhe më përfshirës sesa e kishin besuar më parë shumica e njerëzve. Perëndia është më i mëshirshëm dhe më i drejtë sesa mund ta kuptojmë. Dhe fëmijët e Perëndisë kanë një vendmbërritje të përjetshme, më të lavdishme sesa mund ta përfytyrojmë.
Shihni te Saints [Shenjtorët], 1:147–150; “The Vision”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 148–154.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Shpëtimi vjen nëpërmjet Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.
Seksioni 76 zbulon të vërteta të rëndësishme rreth vendmbërritjes sonë të përjetshme, por do të ishte e paplotë të thuhej se kjo zbulesë është për tri mbretëritë e lavdisë ose madje edhe vetëm rreth planit të shpëtimit. Më saktë, seksioni 76 është për Jezu Krishtin, i cili e bën të mundur planin e Perëndisë për shpëtimin dhe lavdinë tonë të përjetshme. Teksa lexoni, mund të kërkoni fjalë ose fraza që përshkruajnë marrëdhënien mes Jezu Krishtit dhe njerëzve që trashëgojnë mbretëritë e ndryshme të lavdisë. Ndoshta një tabelë si ajo sa vijon, mund t’ju ndihmojë ta shënoni atë që gjeni.
Mbretëritë e lavdisë |
Marrëdhënia me Jezu Krishtin |
Bekimet e përjetshme |
---|---|---|
Mbretëritë e lavdisë Çelestiale (vargjet 50–70, 92–96) | Marrëdhënia me Jezu Krishtin
| Bekimet e përjetshme
|
Mbretëritë e lavdisë Terrestriale (vargjet 71–79, 97) | Marrëdhënia me Jezu Krishtin | Bekimet e përjetshme |
Mbretëritë e lavdisë Telestiale (vargjet 81–90, 98–106, 109–112) | Marrëdhënia me Jezu Krishtin | Bekimet e përjetshme |
Çfarë ndiheni i frymëzuar të bëni për ta forcuar marrëdhënien tuaj me Shpëtimtarin?
Kur Uillford Udrafi e lexoi këtë vegim, ai tha: “E ndjeva se e desha Zotin më shumë se ndonjëherë më parë në jetën time” (shihni te Zëra të Rivendosjes: Dëshmitë për ‘Vegimin’”). Çfarë mësoni rreth Jezu Krishtit nga vargjet 1–5, 20–24, 39–43, 107–108 që ju bën ta doni Atë më shumë?
Shihni edhe te 1 Pjetër 3:18–19; 4:6; Dallin H. Ouks, “Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?”, Liahona, maj 2021, f. 75–77; “Qëndroj Plot Habi”, Himne, nr. 113.
Doktrina e Besëlidhje 76:5–10, 114–118
Unë mund ta kuptoj vullnetin e Perëndisë “nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Shenjtë”.
Jo të gjithë anëtarët e Kishës e pranuan lehtësisht zbulesën te seksioni 76 ngaqë aty jepej mësim se pothuaj çdo njeri do të shpëtohej dhe do të merrte njëfarë shkalle lavdie. Për shembull, Brigam Jangu tha: “Traditat e mia ishin të tilla që, kur Vegimi më erdhi fillimisht mua, ishte drejtpërsëdrejti në kundërshtim dhe kundër arsimimit tim të mëparshëm. Thashë: ‘Prit pak’. Nuk e mohova, por nuk mund ta kuptoja.” Ai shpjegoi se iu desh të “mendohe[j] e lute[j], të lexo[nte] e të mendo[nte], derisa ta di[nte] dhe tërësisht ta kupto[nte] atë për veten [e] ti[j]” (te “The Vision”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 150). Çfarë mësoni nga përvoja e tij, që mund t’ju ndihmojë kur Perëndia zbulon gjëra që janë të ndryshme nga kuptueshmëria juaj e tanishme? Çfarë mësoni rreth Perëndisë te Doktrina e Besëlidhje 76:5–10, 114–118? Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si mund ta kuptoni “pëlqimin e mirë të vullnetit [të Perëndisë]”? (Vargu 7.)
Doktrina e Besëlidhje 76:39–44, 50–70
Ekzaltimi është forma më e lartë e shpëtimit.
Doktrina e Besëlidhje 76:39–44 e përshkruan shpëtimin në përgjithësi. Vargjet 50–70 përshkruajnë ekzaltimin, një lloj specifik shpëtimi. Si do ta shpjegonit ndryshimin midis shpëtimit dhe ekzaltimit? Cili është roli i Shpëtimtarit tek të dy? Çfarë gjeni në këto vargje që ju frymëzon të kërkoni ekzaltimin?
Shihni edhe te Gjoni 3:16–17; Doktrina e Besëlidhje 132:20–25.
Doktrina e Besëlidhje 76:50–70, 92–95
Ati im Qiellor dëshiron që unë të marr jetë të përjetshme në mbretërinë çelestiale.
A e keni pyetur ndonjëherë veten, ose a jeni shqetësuar, për faktin a mund të bëheni lloji i personit që do të marrë lavdinë çelestiale, sikurse përshkruhet te Doktrina e Besëlidhje 76:50–70, 92–95? Ndërkohë që është e rëndësishme ta dimë atë që pret Perëndia nga ne, merreni parasysh edhe të kërkoni në këto vargje atë që ka bërë Perëndia për ne, dhe atë që po bën, për të na ndihmuar të bëhemi si Ai. Pse ndieni se përpjekjet tuaja kanë rëndësi për Të?
Si ndikon ky vegim i lavdisë çelestiale te mënyra se si doni ta jetoni jetën tuaj të përditshme?
Shihni edhe te Moisiu 1:39; J. Devn Kornish, “A Jam Mjaftueshëm i Mirë? A do t’ia Dal?”, Liahona, nëntor 2016, f. 32–34.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Ne të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta kuptojnë potencialin e tyre hyjnor, mund t’u tregoni atyre figura të fëmijëve dhe prindërve të tyre. Më pas mund të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 76:24 dhe t’i tregoni njëri‑tjetrit pse jeni të lumtur që e dini se ne jemi të gjithë “bij e bija … të Perëndisë”.
-
Mund edhe të këndoni së bashku këngën “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3) dhe ftojini fëmijët tuaj të drejtojnë gishtin nga vetja kur të këndojnë fjalën “jam”. Më pas këndojeni këngën përsëri, duke zëvendësuar fjalën “jam” me “je” ndërkohë që i drejtoni gishtin dikujt tjetër.
Doktrina e Besëlidhje 76:5, 41–42, 69
Jezu Krishti është Shpëtimtari im.
-
Merreni parasysh të interpretoni me role me fëmijët tuaj një skenar në të cilin dikush pyet: “Çfarë ka bërë Jezu Krishti për mua?” Ju dhe fëmijët tuaj mund të kërkoni përgjigje të mundshme në vargjet 5, 41–42 ose 69 te seksioni 76. Mund edhe të këndoni këngën “Ai Dërgoi Birin e Tij”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21. Si mund ta tregojmë mirënjohjen tonë për atë që Shpëtimtari ka bërë për ne?
Ati Qiellor dëshiron që unë të kthehem për të jetuar me Të përgjithmonë.
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të lexoni ose shihni një pjesë ose të gjithë historinë te “Kapitulli 26: Tre Mbretëritë e Qiellit” (në Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 97–103, ose materialin filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]) dhe t’i tregoni njëri‑tjetrit atë që ju pëlqen nga vegimi që pati Jozef Smithi. Lërini fëmijët tuaj të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth asaj se si do të ishte të jetonin me Atin Qiellor në mbretërinë çelestiale.
-
Mund edhe të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 76:62 dhe ftojini fëmijët tuaj të bëjnë vizatime të vetes së tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në mbretërinë çelestiale (shihni te faqja e veprimtarisë për këtë javë).
Doktrina e Besëlidhje 76:12, 15–19, 114–116
Studimi i shkrimeve të shenjta mund të më ndihmojë “të kupto[j] gjërat e Perëndisë”.
-
Mund t’i ftoni fëmijët tuaj të lexojnë vargjet 15–19 për të zbuluar atë që Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni po bënin kur panë vegimin te Doktrina e Besëlidhje 76. Tregojuni fëmijëve tuaj për një rast kur morët frymëzim ndërkohë që po lexonit shkrimet e shenjta dhe pyetini fëmijët tuaj a kanë pasur përvoja të ngjashme.