“11–17 Korrik. 2 Mbretërve 17–25: ‘Ai Pati Besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“11–17 Korrik. 2 Mbretërve 17–25”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
11–17 Korrik
2 Mbretërve 17–25
“Ai Pati Besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit”
Kur Josia i dëgjoi fjalët nga libri i ligjit, ai u përgjigj me besim. Si mund t’i përgjigjeni me besim asaj që lexoni te 2 Mbretërve 17–25?
Shënojini Mbresat Tuaja
Pavarësisht nga shërbesa mbresëlënëse e profetit Elise, ana shpirtërore e Mbretërisë Veriore të Izraelit vazhdonte të binte. Mbretërit e ligj nxitën idhujtari e luftë, dhe braktisja ishte e madhe. Më në fund Perandoria Asiriane i pushtoi dhe i shpërndau të dhjetë fiset e Izraelit.
Ndërkohë, Mbretëria Jugore e Judës nuk ishte në gjendje më të mirë; idhujtaria ishte përhapur edhe atje. Por mes gjithë këtij shkatërrimi shpirtëror, rrëfimet e shkrimeve të shenjta përmendin dy mbretër të drejtë të cilët, për njëfarë kohe, i kthyen njerëzit e tyre përsëri te Zoti. Njëri ishte Ezekia. Gjatë mbretërimit të tij, asirianët, që sapo kishin fituar në veri, pushtuan pjesën më të madhe të jugut. Por Ezekia dhe njerëzit e tij treguan besim te Zoti, i cili e çliroi Jerusalemin në një mënyrë të mrekullueshme. Më vonë, pas një periudhe tjetër braktisjeje, filloi të mbretërojë Josia. I frymëzuar pjesërisht nga një rizbulim i librit të ligjit, Josia kaloi reforma që e ringjallën jetën fetare të shumë njerëzve prej popullit të tij.
Çfarë mësojmë nga këto dy pika të ndritshme në ato që përndryshe do të ishin vite të errëta në historinë e Judës? Ndër të tjera, ju mund të përsiatni për fuqinë e besimit dhe të fjalës së Perëndisë në jetën tuaj. Ashtu si Izraeli dhe Juda, të gjithë ne bëjmë zgjedhje të mira e të këqija. Dhe kur e ndiejmë se në jetën tonë janë të nevojshme reformat, ndoshta shembujt e Ezekias dhe të Josias mund të na frymëzojnë të “kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë” (2 Mbretërve 18:22).
Shih edhe 2 Kronikave 29–35; pjesën “Mendime për t’i Mbajtur Parasysh” “Jezus’ Izraelin në Sh’pi do Ftoj’”.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Unë mund të qëndroj i/e vërtetë ndaj Zotit gjatë kohëve sfiduese.
Shumica prej nesh kanë përjetuar raste që e sfidojnë besimin tonë. Për Ezekian dhe popullin e tij, njëri prej atyre rasteve erdhi kur ushtria asiriane e pushtoi Judën, shkatërroi shumë qytete dhe iu afrua Jerusalemit. Ndërsa lexoni te 2 Mbretërve 18–19, përfytyroni sikur po jetonit në Jerusalem gjatë kësaj kohe. Si mund të jeni ndier, për shembull, kur dëgjuat talljet e asirianëve siç janë shënuar te 2 Mbretërve 18:28–37 dhe 19:10–13? Çfarë mësoni nga ajo që bëri Ezekia si përgjigje? (Shih 2 Mbretërve 19:1–7, 14–19.) Si e mbështeti Zoti Ezekian? (Shih 2 Mbretërve 19:35–37.) Përsiatni se si ju ka mbështetur Ai në kohë sfiduese.
Ju gjithashtu mund të përsiatni përshkrimin e Ezekias te 2 Mbretërve 18:5–7. Çfarë sugjerojnë këto vargje lidhur me arsyen pse Ezekia ishte në gjendje të qëndronte besnik kur erdhën sfidat? Si mund ta ndiqni shembullin e tij?
Shih edhe 3 Nefi 3–4; D. Tod Kristoferson, “I Vendosur dhe i Paepur në Besimin te Krishti”, Liahona, nëntor 2018, f. 30–33.
Të gjitha gjërat janë në duart e Zotit.
Senasheribi, mbreti i Asirisë, kishte arsye të mira për të besuar se ushtria e tij do ta pushtonte Jerusalemin. Asiria kishte mundur shumë kombe, përfshirë Izraelin – pse duhet të ishte ndryshe Jerusalemi? (Shih 2 Mbretërve 17; 18:33–34; 19:11–13.) Por Zoti kishte një mesazh për Senasheribin, që iu dha nëpërmjet profetit Isaia, dhe ai është shënuar te 2 Mbretërve 19:20–34. Si do ta përmblidhnit këtë mesazh? Cilat të vërteta gjeni në këto vargje që ju ndihmojnë të keni besim te Zoti dhe plani i Tij?
Shih edhe Helamani 12:4–23; Doktrina e Besëlidhje 101:16.
Shkrimet e shenjta mund ta kthejnë zemrën time drejt Zotit.
A keni ndier ndonjëherë se ju mungonte diçka shpirtërore? Ndoshta keni ndier që marrëdhënia juaj me Perëndinë mund të jetë shumë më e fortë. Çfarë ju ndihmoi të ktheheshit tek Ai? Përsiatini këto pyetje teksa lexoni rreth mënyrës se si mbretëria e Judës nën mbretin Manas u largua nga Zoti (shih 2 Mbretërve 21) dhe se si mbreti Josia i ndihmoi ata që të rizotoheshin ndaj Tij (shih 2 Mbretërve 22–23). Çfarë e frymëzoi Josian dhe popullin e tij? Ky rrëfim mund t’ju frymëzojë të ripërtërini zotimin tuaj për ta “nd[jekur] Zotin … me gjithë zem[rën tuaj] dhe me gjithë shpirt[in tuaj]” (2 Mbretërve 23:3).
Teksa i lexoni këta kapituj, merrni parasysh të studioni gjithashtu kapitullin 6 te Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball ([2006], f. 59–68), në të cilin Presidenti Kimball sugjeroi se historia e mbretit Josia “është një nga historitë më të bukura në të gjitha shkrimet e shenjta” (faqe 62). Pse Presidenti Kimball mund të jetë ndier në atë mënyrë? Çfarë gjeni te fjalët e Presidentit Kimball, veçanërisht te komentet e tij rreth mbretit Josia, që ju ndihmon të vini në zbatim në jetën tuaj kapitujt te 2 Mbretërve 22–23?
Shih edhe Alma 31:5; Takashi Uada, “Duke u Ushqyer me Bollëk me Fjalët e Krishtit”, Liahona, maj 2019, f. 38–40; “Josiah and the Book of the Law” [“Josia dhe Libri i Ligjit”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
2 Mbretërve 19:14–19.Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Ezekias që mund të na ndihmojë kur kemi probleme ose pyetje të vështira? Si u është përgjigjur Zoti lutjeve tona për ndihmë? Ndoshta secili pjesëtar i familjes mund të bëjë diçka për ta treguar në shtëpi, e cila i kujton ata që t’i drejtohen Zotit.
-
2 Mbretërve 22:3–7.Punëtorëve të përshkruar te 2 Mbretërve 22:3–7 iu besuan paratë e përdorura për të rindërtuar tempullin “sepse ata vepr[uan] me ndershmëri” (vargu 7). Pasi t’i lexoni këto vargje, ju mund t’u kërkoni pjesëtarëve të familjes të përmendin gjërat që u janë besuar. Si mund të jemi të besueshëm ashtu si punëtorët në këto vargje?
-
2 Mbretërve 22:8–11, 19; 23:1–3.Çfarë na bën përshtypje rreth mënyrës se si iu përgjigjën Josia dhe njerëzit e tij fjalës së Perëndisë? Si i përgjigjemi fjalës së Perëndisë në shkrimet e shenjta? Pjesëtarë të familjes suaj mund të tregojnë fragmente të shkrimit të shenjtë ose histori që e kanë shtuar dëshirën e tyre për ta ndjekur Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
-
2 Mbretërve 23:25.Çfarë na bie në sy rreth përshkrimit të Josias në këtë varg? Familja juaj mund të vizatojë në zemra prej letre gjëra që mund të bëjnë këtë javë për t’iu drejtuar Zotit me gjithë zemrën e tyre.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Kur Kërkoj Shkrimet e Shenjta”, Himne, nr. 180.