Doktrina e Besëlidhje 2021
27 Shtator – 3 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 109–110: “Ajo Është Shtëpia Jote, një Vend i Shenjtërisë Sate”


“27 Shtator – 3 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 109–110: ‘Ajo Është Shtëpia Jote, një Vend i Shenjtërisë Sate’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“27 Shtator – 3 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 109–110”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021

Tempulli i Kirtlandit

Tempulli i Kirtlandit, nga Jon McNaughton

27 Shtator – 3 Tetor

Doktrina e Besëlidhje 109–110

“Ajo Është Shtëpia Jote, një Vend i Shenjtërisë Sate”

Seksionet 109 dhe 110 përshkruajnë disa nga ngjarjet më të shenjta të Rivendosjes. Sigurohuni t’i lejoni anëtarët e klasës të tregojnë atë që menduan dhe ndien teksa i studionin këto ngjarje.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Zoti shpalli se “fama e kësaj shtëpie [Tempullit të Kirtlandit] do të përhapet në toka të huaja” (Doktrina e Besëlidhje 110:10). Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë diçka që e gjetën në studimin e tyre, që e ndiejnë se duhet të përhapet te njerëzit anembanë botës.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Doktrina e Besëlidhje 109; 110:1–10

Zoti dëshiron të na bekojë në shtëpinë e Tij të shenjtë.

  • Studimi i seksionit 109 është një mundësi e mrekullueshme për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të forcojnë dëshirat e tyre për të adhuruar në tempull. Mund të shkruani në tabelë numrat e disa prej vargjeve që përmendin bekimet e tempullit – të tilla si vargjet 12–13, 22–23, 24–28, 29–32. Anëtarët e klasës mund të zgjedhin vargje për t’i lexuar dhe përsiatur, individualisht ose në grupe, dhe më pas të përmbledhin për klasën bekimin që përshkruajnë ato vargje. Anëtarë që kanë qenë në tempull, mund të tregojnë se si i kanë përjetuar këto bekime në jetën e tyre.

    Ju gjithashtu mund të lexoni ose të këndoni së bashku himnin “Shpirti i Per’ndis’” (Himne, nr. 2), që u këndua në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit. Anëtarët e klasës mund të vënë në dukje bekimet e tempullit që janë përshkruar në këtë himn dhe të tregojnë ndonjë përvojë që kanë pasur në lidhje me tempullin, si të jetë e përshtatshme.

  • Marrja e bekimeve të tempullit shpesh kërkon sakrificë. Çfarë na mëson Doktrina e Besëlidhje 109:5 rreth sakrificave që bënë shenjtorët e hershëm për të ndërtuar Tempullin e Kirtlandit? Ndoshta dikush mund të vijë i përgatitur që të flasë rreth këtyre sakrificave (shih “A House for Our God” [“Një Shtëpi për Perëndinë Tonë”], Revelations in Context, f. 169–171). Çfarë sakrificash bëjmë sot për të marrë bekimet e tempullit? Ndoshta disa anëtarë të klasës do të jenë të gatshëm të tregojnë përvojat e veta. Disa shembuj të kohës sonë gjenden në materialet filmike “Sealed Together: The Manaus Temple Caravan” [“Të Vulosur së Bashku: Karvani për në Tempullin e Manausit”] dhe “Temples Are a Beacon” [“Tempujt Janë një Fener”] (ChurchofJesusChrist.org).

  • Studimi i përshkrimit të Shpëtimtarit të ringjallur te Doktrina e Besëlidhje 110:1–10 është një mënyrë e shkëlqyer për ta ndërtuar besimin tonë te Jezu Krishti. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të vënë re gjuhën figurative në këto vargje dhe të marrin në shqyrtim se çfarë na mësojnë këto figura rreth Jezu Krishtit. Çfarë mund të përfaqësojë “dysheme[ja] e punuar prej ari të pastër”? Ose zëri “si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave”?

    pjesa e brendshme e Tempullit të Kirtlandit

    Në të dyja anët e Tempullit të Kirtlandit ka podiume për t’u ulur udhëheqësit e priftërisë.

Doktrina e Besëlidhje 110:11–16

Çelësat e priftërisë që nevojiteshin për të kryer punën e Perëndisë, janë në Kishë sot.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë çelësat e priftërisë që Moisiu, Eliasi dhe Elija ua dhanë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit, ju mund t’i ftoni të lexojnë dhe diskutojnë thënien te pjesa “Burime Shtesë” individualisht ose në grupe. Përse janë këta çelësa të rëndësishëm në jetën tonë tani? Ju gjithashtu mund t’i kërkoni secilit anëtar të klasës që të zgjedhë njërin nga profetët që i dorëzuan këta çelësa – Moisiun, Eliasin dhe Elijan – dhe të mësojë rreth tij nga Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Çfarë na mëson jeta e këtyre profetëve rreth çelësave që ata dorëzuan? Kjo mund të çojë në një diskutim rreth asaj që Zoti pret nga ne të bëjmë, tani që këto çelësa janë në tokë.

ikona e burimeve shtesë

Burime Shtesë

Çelësat japin fuqi dhe autoritet për punën e Perëndisë.

Plaku Kuentin L. Kuk shpjegoi:

“Tempulli i Kirtlandit, si në vendndodhje ashtu edhe në madhësi, relativisht nuk binte në sy. Për sa i përket rëndësisë së tij të pamasë për njerëzimin, ai ishte ndërtuar sipas formës së përjetësisë. Profetët e lashtë rivendosën çelësat e priftërisë për ordinancat shpëtuese të përjetshme të ungjillit të Jezu Krishtit. Kjo shkaktoi një gëzim të jashtëzakonshëm për anëtarët besnikë.

Këta çelësa japin ‘fuqi nga lart’ [Doktrina e Besëlidhje 38:38] për përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore, të cilat përbëjnë qëllimin kryesor të Kishës. Në atë ditë të mrekullueshme Pashke në Tempullin e Kirtlandit, u rivendosën tre çelësa:

Së pari, Moisiu u shfaq dhe dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës, që është puna misionare.

Së dyti, Eliasi u shfaq dhe dorëzoi çelësat e periudhës së kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit, e cila përfshin rivendosjen e besëlidhjes së Abrahamit [shih Abraham 2:8–11]. Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se qëllimi i çelësave të besëlidhjes është t’i përgatitë anëtarët për mbretërinë e Perëndisë [shih “Besëlidhjet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 88]. …

Së treti, Elija u shfaq dhe dorëzoi çelësat e fuqisë vulosëse në këtë periudhë ungjillore, që është puna për historinë familjare dhe ordinancat e tempullit që e mundësojnë shpëtimin për të gjallët dhe të vdekurit” (“Përgatituni që të Takoni Perëndinë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 114–115).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ftojeni Shpirtin në mësimdhënien tuaj. “Qëllimi përfundimtar i gjithçkaje që bën një mësues i ungjillit – çdo pyetje, çdo shkrim i shenjtë, çdo veprimtari – është që ta ftojë Shpirtin për të ndërtuar besim dhe për t’i ftuar të gjithë të vijnë te Krishti. … Muzika e shenjtë, shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme, shprehjet e dashurisë dhe të dëshmisë, si dhe çaste të meditimit të qetë, të gjitha mund ta ftojnë praninë e Shpirtit” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 10).