“18–24 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 121–123: ‘O Perëndi, ku Je Ti?’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“18–24 Tetor. Doktrina e Besëlidhje 121–123”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021
18–24 Tetor
Doktrina e Besëlidhje 121–123
“O Perëndi, ku Je Ti?”
Mënyra më e mirë për t’u përgatitur që të jepni mësim është të lexoni shkrimet e shenjta, të mendoni për njerëzit të cilëve u jepni mësim, dhe të ndiqni Shpirtin. Veprimtaritë në këtë përvijim mund ta plotësojnë frymëzimin që merrni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës të zgjedhin një mesazh nga Doktrina e Besëlidhje 121–123 që do të donin t’ia tregonin dikujt që po vuan. Lërini të shpjegojnë zgjedhjen e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
Doktrina e Besëlidhje 121:1–33; 122
Nëse i durojmë mirë sprovat tona, Perëndia do të na forcojë nga lart.
-
Ju mund të keni anëtarë të klasës të cilët, për shkak të sprovave të vështira, kanë ndjenja të ngjashme me ato që Jozef Smithi i shprehu te Doktrina e Besëlidhje 121:1–6. Pasi t’i lexoni së bashku këto vargje, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të përcaktojnë dhe japin mesazhe nga vargjet 7–33, që u japin shpresë e ngushëllim gjatë sprovave të tyre. Çfarë do të thotë “duron mirë”? (Vargu 8.) Si na ndihmon Shpëtimtari që të durojmë mirë? Si mund ta ndihmojmë njëri‑tjetrin që të durojmë mirë?
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të marrin në shqyrtim se si sprovat mund të na “japin përvojë” dhe do të “jenë për të mirën [tonë]” (Doktrina e Besëlidhje 122:7), ju mund t’u jepni një fletë letre dhe t’u kërkoni të shkruajnë një sprovë që e kanë përjetuar. Në njërën anë të letrës, anëtarët e klasës mund të shkruajnë fjalët “përvoja” dhe “e mira”. Ndërsa diskutoni së bashku seksionin te Doktrina e Besëlidhje 122, nxitini anëtarët e klasës të shkruajnë ndonjë mendim që kanë për “anë[n] tjetër” të sprovave të tyre, për “përvojën” ose “të mirën” që fituan. Disa anëtarë të klasës mund të ndihen rehat për të treguar se si sprova e tyre doli se ishte për të mirën e tyre. Ose ata mund të lexojnë përvojën e Plakut Koiçi Aojagi te “Qëndro në Udhën Tënde” (Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 126–128).
Doktrina e Besëlidhje 121:34–46
Ne duhet të jemi të drejtë që të përdorim “fuqitë e qiellit”.
-
Mund të jetë interesante po të krahasoni mënyrën se si “fuqi[a] apo ndikim[i]” mbahen në botë, me mënyrën se si dha mësim Zoti se duhet të mbahet fuqia ose ndikimi (shih seksioni 121). Për të ndihmuar në këtë diskutim, ju mund të bëni në dërrasë një tabelë me dy kolona të titulluara Fuqia e Botës dhe Fuqitë e Qiellit. Anëtarët e klasës mund ta plotësojnë tabelën me fjalë dhe fraza nga Doktrina e Besëlidhje 121:34–46. Si mund ta ndryshojnë këto vargje mënyrën se si i shohim përgjegjësitë tona në familjet tona, si vëllezër e motra shërbestare ose në situata të tjera ku ne shpresojmë që të ndikojmë tek të tjerët për mirë?
-
Një mënyrë për të diskutuar mbi këshillën dhe bekimet e mrekullueshme te Doktrina e Besëlidhje 121:45–46, është ta ndani klasën në grupe dhe t’i kërkoni secilit grup të studiojë e diskutojë një frazë nga këto vargje, të tillë si “virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim” ose “sikurse vesat nga qiejt”. Ata mund të shohin përkufizimet e fjalëve, të lexojnë shkrimet e shenjta që lidhen me to te poshtëshënimet dhe të diskutojnë se çfarë domethënie kanë frazat për ta. Disa grupe mund të duan të vizatojnë figura për ta ilustruar frazën e tyre. Ftojeni secilin grup t’i tregojnë klasës atë që mësuan.
Jezu Krishti ka zbritur nën të gjitha gjërat dhe na forcon në sprovat tona.
-
Kuptueshmëria se Jezu Krishti “ka zbritur nën … të gjitha [gjërat]”, mund t’u japë anëtarëve të klasës vetëbesimin për t’u kthyer tek Ai. Këto shkrime të shenjta shtesë mund të na ndihmojnë të shpjegojmë se çfarë do të thotë kjo frazë: Isaia 53:3–4; Hebrenjve 2:17–18; 1 Nefi 11:16–33; Alma 7:11–13. Anëtarët e klasës mund t’i lexojnë këto vargje, së bashku me vargun te Doktrina e Besëlidhje 122:8, duke kërkuar diçka që e forcon besimin e tyre se Jezu Krishti mund t’i ndihmojë në sprovat e tyre. Ata gjithashtu mund të gjejnë frymëzim te himne rreth Shpëtimtarit, të tillë si “Ku Mund të Gjej Paqe?” (Himne, nr. 67).
-
Thënia te pjesa “Burime Shtesë” jep ide të mëtejshme rreth mënyrës se si zbriti Shpëtimtari nën të gjitha gjërat. Ju mund të mendoni për një mënyrë që të demonstroni se si të qenit “nën” një send të rëndë na bën “përsosurisht në gjendje t[a] … ngre[m]ë [atë]”. Si na ka ndihmuar në sprovat tona njohuria se Shpëtimtari zbriti nën të gjitha gjërat?
Burime Shtesë
Krishti zbriti nën të gjitha gjërat.
Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Ka miliona njerëz që i druhen Perëndisë, që i luten Atij për t’ua larguar hidhërimet e tyre. Shpëtimtari ynë ka shpallur se Ai ‘zbriti nën gjithçka’ (Doktrina e Besëlidhje 88:6). Siç dha mësim Plaku Nil A. Maksuell: ‘Duke “zbrit[ur] nën gjithçka”, Ai përfshiu, përsosurisht dhe personalisht, tërësinë e plotë të vuajtjes njerëzore’ [Ensign, nëntor 1997, f. 23]. Ne madje mund të themi se duke zbritur nën gjithçka, Ai është përsosurisht në gjendje të na ngrejë dhe të na japë forcën që na duhet për t’i duruar hidhërimet tona” (“Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 64).