Doktrina e Besëlidhje 2021
29 Nëntor – 5 Dhjetor. Doktrina e Besëlidhje 137–138: “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”


“29 Nëntor – 5 Dhjetor. Doktrina e Besëlidhje 137–138: ‘Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“29 Nëntor – 5 Dhjetor. Doktrina e Besëlidhje 137–138”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2021

njerëz në botën e shpirtrave

Jozefi shikon babanë, nënën dhe vëllanë e tij në mbretërinë çelestiale (Vegimi i Jozef Smithit për Mbretërinë Çelestiale, Robert Barrett).

29 Nëntor – 5 Dhjetor

Doktrina e Besëlidhje 137–138

“Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”

Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Të gjithë mund ta pyetim veten veçmas lidhur me rrethanat në botën e shpirtrave. … Por, le të mos ta japim mësim apo të mos ta përdorim si doktrinë zyrtare atë që nuk i plotëson standardet e doktrinës zyrtare” (“Ki Besim tek Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 28). Sigurohuni që diskutimi juaj të bazohet te shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ka shumë të vërteta frymëzuese doktrinore që gjenden te Doktrina e Besëlidhje 137–138. Ftojini anëtarët e klasës të renditin disa prej tyre. Më pas ju mund të shpenzoni disa minuta duke i shqyrtuar listat e tyre si klasë dhe duke folur për arsyet pse këto të vërteta janë të rëndësishme për ta. A mësoi ndonjëri diçka nga këto seksione që nuk e kishte kuptuar më parë?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Doktrina e Besëlidhje 137; 138:32–37

Çdo shpirt do të ketë mundësinë për të zgjedhur lavdinë çelestiale.

  • Shumë prej nesh njohin njerëz që nuk e kanë pasur mundësinë për ta pranuar ungjillin në këtë jetë – përfshirë ata që vdesin kur janë fëmijë të vegjël. Ftojini anëtarët e klasës që të tregojnë një të vërtetë që e gjejnë te seksioni 137, e cila i ndihmon ta kuptojnë planin e Perëndisë për këta individë. Cilat të vërteta i gjeni te Doktrina e Besëlidhje 138:32–37 që i shtojnë të kuptuarit tonë për planin e Perëndisë? Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si këto të vërteta i bëjnë të ndihen rreth Atit Qiellor, planit të Tij për shpëtimin, si dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit. Thënia te pjesa “Burime Shtesë” mund të jetë e dobishme për diskutimin tuaj.

Doktrina e Besëlidhje 138:1–11, 25–30

Leximi dhe përsiatja e shkrimeve të shenjta na përgatitin për të marrë zbulesë.

  • Përvoja që Presidenti Jozef F. Smith e përshkroi te Doktrina e Besëlidhje 138:1–11, 25–30 na ndihmon të kuptojmë se si mund të përgatitemi që të marrim zbulesë. Ndoshta anëtarët e klasës mund të punojnë së bashku për të përcaktuar atë që mësojnë rreth zbulesës nga këto vargje. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të tregojnë se si leximi dhe përsiatja e shkrimeve të shenjta i kanë përgatitur për të marrë zbulesë (shih edhe Joseph Smith – Historia 1:11–12).

  • Mesazhi i Presidentit M. Rasëll Ballard “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve” (Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 71–74) përshkruan se Jozef F. Smithi u përgatit “një jetë të tërë, për ta marrë këtë zbulesë mbresëlënëse [Doktrina e Besëlidhje 138]”. Nëse anëtarët e klasës suaj e lexuan mesazhin e Presidentit Ballard këtë javë, nxitini të tregojnë diçka që u bëri përshtypje. Ose ju mund të lexoni disa pjesë të mesazhit si klasë. Çfarë na bën përshtypje nga jeta e Presidentit Smith dhe karakteri i tij? Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij?

    pikturë e Jozef F. Smithit

    Jozef F. Smithi, nga Albert E. Salzbrenner

Doktrina e Besëlidhje 138:12–60

Puna e shpëtimit vazhdon pas vdekjes.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të zbulojnë të vërteta te Doktrina e Besëlidhje 138:12–60, ju mund t’u jepni disa pyetje rreth botës së shpirtrave që marrin përgjigje në këto vargje. Për shembull: Çfarë bëri Shpëtimtari ndërkohë që ishte në botën e shpirtrave? Cilët janë lajmëtarët e Zotit dhe cili është mesazhi i tyre? Anëtarët e klasës mund të përzgjedhin një ose më shumë prej këtyre pyetjeve dhe të punojnë në grupe të vogla që të kërkojnë përgjigjet. Më pas ata mund t’i tregojnë njëri‑tjetrit të vërtetat që i gjetën. Çfarë ndryshimi sjellin këto të vërteta në jetën tonë?

  • Çfarë do t’i thoshim dikujt që pyet: “Çfarë ndodh kur vdesim?” Çfarë do të tregonim nga Doktrina e Besëlidhje 138:12–60 që mund të ndihmonte për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje? (Shih edhe Alma 40:11–15).

ikona e burimeve shtesë

Burime Shtesë

Plani i Perëndisë siguron një mënyrë që të gjithë fëmijët e Tij ta pranojnë ungjillin.

Presidenti Henri B. Ajring dha mësim:

“Vetëm një pakicë e vogël e fëmijëve të Perëndisë e marrin gjatë kësaj jete një kuptueshmëri të plotë të planit të Perëndisë, si dhe [të drejtën e përdorimit të] ordinancave të priftërisë dhe besëlidhjeve që e bëjnë fuqinë shlyese të Shpëtimtarit plotësisht vepruese në jetën tonë. …

Disa mund ta konsiderojnë këtë si të padrejtë. Ata madje mund ta marrin atë si një provë që nuk ka asnjë plan, asnjë kërkesë të veçantë për shpëtim – duke menduar se një Perëndi i drejtë e i dashur nuk do të krijonte një plan që është i mundur për një numër kaq të vogël të fëmijëve të Tij. Të tjerë mund të arrijnë në përfundimin se Perëndia duhet ta ketë përcaktuar që përpara se cilin nga fëmijët e Tij do ta shpëtojë duke ia bërë të mundur ungjillin atyre, ndërkohë që ata, të cilët nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për ungjillin, thjesht nuk janë ‘të zgjedhur’.

Por ju dhe unë e dimë se, për shkak të të vërtetave të rivendosura nëpërmjet Profetit Jozef Smith, plani i Perëndisë është shumë herë më i dashur dhe më i drejtë se aq. Ati ynë Qiellor është i shqetësuar për ta mbledhur dhe për ta bekuar të gjithë familjen e Tij. Megjithëse Ai e di se jo të gjithë prej tyre do zgjedhin që të mblidhen, plani i Tij i jep secilit prej fëmijëve të Tij mundësinë për ta pranuar ose për ta refuzuar ftesën e Tij” (“Të Mbledhësh Familjen e Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 20–21).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorini fjalët e profetëve. “Shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve dhe të apostujve të ditëve të mëvonshme janë burime për të vërtetat që i japim mësim. Në çdo mundësi, frymëzojini ata, të cilëve u jepni mësim, që të kthehen te fjala e Perëndisë për udhërrëfim” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 21).