Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 3
Mateu 8–13; Marku 2–5; Lluka 7–9; 11; 13
Ky mësim ka për qëllim që të të ndihmojë të vlerësosh synimet që ke vendosur dhe të mësuarit dhe rritjen personale që ke përjetuar nga studimi vetjak i Dhiatës së Re deri më tani për këtë vit.
Mendo për rritjen tënde kohët e fundit
Një nga qëllimet e seminarit është të të ndihmojë të vish te Jezu Krishti dhe të bëhesh dishepulli i Tij. Gjej një çast për të menduar për rritjen tënde shpirtërore kohët e fundit. Pyetjet vijuese mund të të udhërrëfejnë. Merr parasysh t’i mbash shënim përgjigjet e tua për këto pyetje në ditarin tënd të studimit.
-
Cili është një ndryshim që ke bërë kohët e fundit në jetën tënde që të ka sjellë më afër Jezu Krishtit?
-
Çfarë ke mësuar rreth Shpëtimtarit nga studimet e fundit vetjake që ka qenë veçanërisht kuptimplotë për ty?
-
Në çfarë mënyrash ndien se po bëhesh më shumë si Jezu Krishti?
Vlerësoje aftësinë tënde për t’i kuptuar shkrimet e shenjta
Këtë vit në seminar të janë mësuar një larmi aftësish për të të ndihmuar t’i kuptosh më mirë shkrimet e shenjta. Disa nga këto aftësi, si përkufizimi i fjalëve të vështira, mund të të kenë ndihmuar ta kuptosh më mirë gjuhën e përdorur në shkrimet e shenjta. Aftësitë e tjera, si modeli me katër hapa për të kuptuar simbolet e përdorura me shëmbëlltyrat, mund të të ketë ndihmuar t’i kuptosh më mirë mesazhet në shkrimet e shenjta.
-
Duke përdorur një shkallë nga 0 deri në 5, sa shumë të kanë ndihmuar aftësitë vijuese të studimit për t’i kuptuar më mirë shkrimet e shenjta?
0. Nuk e përdor këtë aftësi.
1. Aspak
2. Pak
3. Disi
4. Mjaftueshëm
5. Plotësisht
______ Përcaktimi i parimeve
______ Të kuptuarit e simboleve dhe metaforave (për shembull, në shëmbëlltyrat e Shpëtimtarit)
______ Etiketimi (në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]), shenjimi, nënvizimi e kështu me radhë
______ Mbajtja shënim e mendimeve dhe mbresave teksa studion
______ Hallkat lidhëse (në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]) ose vargjet nga referencat kryq
______ Studimi i këndvështrimeve të ndryshme (për shembull, studimi i së njëjtës histori nga këndvështrime të ndryshme)
______ Përfytyrimi i shkrimeve të shenjta
-
Çfarë aftësish të tjera që i ke provuar do t’i shtoje kësaj liste?
-
Si të ka ndihmuar zbatimi i aftësive të studimit të shkrimeve të shenjta ta njohësh më mirë Jezu Krishtin dhe t’i kuptosh më mirë mësimet e Tij?
Shpjego rolin thelbësor të profetëve dhe apostujve në Kishën e Shpëtimtarit
Jo shumë kohë më parë ti mësove për Shpëtimtarin që i thirri Dymbëdhjetë Apostujt si pjesë e krijimit të Kishës së Tij (shih Mateu 10).
Përfytyro sikur ke një mik që është duke mësuar për Kishën dhe dëshiron të dijë më shumë rreth rolit të profetëve dhe apostujve në Kishën e Shpëtimtarit sot. Supozo që miku yt të bën pyetjet vijuese. Përgatit një përgjigje për mikun tënd. Mund të jetë e dobishme të përfshish të vërteta nga Mateu 10 si pjesë e përgjigjes sate.
1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Përse Shpëtimtari thërret Apostuj?
-
Përse kemi nevojë sot për Apostuj të gjallë?
Vlerëso se si po e ushtron besimin te Jezu Krishti për t’u penduar për mëkatet e tua
Ti mund ta kesh parë këtë diagram në një mësim të mëparshëm. Gjej një çast për të përsiatur se ku mund ta vendosësh veten sot në këtë diagram. Mendo se sa afër ndihesh me Zotin dhe në cilin drejtim je duke lëvizur.
Teksa e ke studiuar Dhiatën e Re, ti mund të jesh ndier i frymëzuar për t’iu afruar më pranë Jezu Krishtit duke ushtruar besim tek Ai dhe duke u penduar për mëkatet e tua. Ndërkohë që ndonjëherë mund të duket se pendimi do të sjellë pasoja të pakëndshme, besimi te Jezu Krishti dhe pendimi i sinqertë mund të na ndihmojnë ta mposhtim këtë frikë.
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një përvojë që pati e cila ilustron bekimet që mund të marrim nga Shpëtimtari kur pendohemi për mëkatet tona. Merr parasysh të shohësh materialin filmik “Repentance: A Joyful Choice” [“Pendimi: Një Zgjedhje e Gëzueshme”] (04:36), që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org [https://www.churchofjesuschrist.org/study/general-conference/2016/10/repentance-a-joyful-choice?lang=alb]. Ndërsa e shikon, mendo për bekimet që ke marrë nëpërmjet pendimit.
Nëse ke marrë pjesë në mësimin për librin Lluka 7:36–50, ti mund të kujtosh që të është kërkuar të bësh një plan për ta thelluar dashurinë tënde për Shpëtimtarin duke u penduar për mëkatet e tua. Në atë mësim të është kërkuar të japësh përgjigje për pyetjet e mëposhtme në ditarin tënd të studimit:
-
Cila është ajo gjë që duhet të ndalosh së bëri për t’u afruar më pranë Shpëtimtarit? Si do të ndalosh?
-
Cila është ajo gjë që duhet të fillosh të bësh për t’u afruar më pranë Shpëtimtarit? Si do të fillosh?
Nëse është e mundur, referoju këtij shënimi në ditarin tënd të studimit për të shqyrtuar mënyrën se si je përgjigjur për këto dy pyetje. Mendo për ecurinë që ke bërë drejt qëllimeve që ke vendosur. Pyetjet vijuese mund të të udhërrëfejnë.
-
Çfarë sfidash ke hasur ose çfarë progresi ke bërë ndërkohë që përpiqesh të ndryshosh dhe t’i afrohesh më pranë Jezu Krishtit?
-
Si të ka ndihmuar Zoti?
-
Bazuar në ecurinë tënde aktuale, cili mendon se duhet të jetë hapi yt i radhës?
2. Përgjigju për njërën prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Çfarë pyetjesh ke ende për pendimin?
-
Si të ka ndihmuar zgjedhja për t’u penduar që të rritesh shpirtërisht dhe të marrësh gëzim?
-
Si e ke ndier dashurinë e Shpëtimtarit teksa përpiqesh të pendohesh ose të ndryshosh?