Mateu 13
Jezu Krishti Dha Mësim Duke Përdorur Shëmbëlltyra
Mbjellësit dhe korrësit, kokrrat e sinapit dhe majaja, thesaret dhe margaritarët – këto janë disa nga simbolet që Jezu Krishti përdori ndërsa dha mësim me shëmbëlltyra. “Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë” (Mateu 13:9, 43), ftoi Shpëtimtari. Ky mësim do të të japë mundësinë për të studiuar shëmbëlltyrat, për të zbuluar domethënien e tyre nga ana shpirtërore dhe për të kërkuar mënyra që të veprosh sipas asaj që mëson.
Kërkimi i domethënies
Gjeni një moment për t’i kërkuar objektet e fshehura në figurën e mëposhtme.
-
Cilat objekte ishin të lehta për t’u gjetur? Cilat kërkuan më shumë përpjekje?
Ashtu si me gjetjen e objekteve në këtë figurë, gjetja e domethënies në shkrimet e shenjta shpesh paraqet nevojën që ne të mësojmë se si t’i kërkojmë dhe studiojmë ato. Kur e ftojmë Frymën e Shenjtë që të na ndihmojë ta studiojmë atë që lexojmë, mund të gjejmë domethënie të mëtejshme që fillimisht mund të jetë e fshehur.
-
Kur ke gjetur domethënie në shkrimet e shenjta që fillimisht mund të kenë qenë të fshehura për ty?
-
Çfarë të ka ndihmuar të jesh i suksesshëm në gjetjen e mësimeve apo domethënies shpirtërore nga shkrimet e shenjta?
Në këtë mësim, do të kesh mundësinë të ushtrosh kërkim për domethënie më të thellë në shkrimet e shenjta, konkretisht të shëmbëlltyrave të Zotit. Mundohu të zbulosh dhe vësh në zbatim mënyra të reja për të të ndihmuar t’i studiosh shkrimet e shenjta.
Jezu Krishti dha mësim duke përdorur shëmbëlltyra
Jezu Krishti shpesh dha mësim duke përdorur histori të thjeshta të njohura si shëmbëlltyra. Në këto shëmbëlltyra, Jezusi i krahasoi sendet ose situatat e njohura me të vërtetat shpirtërore (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Shëmbëlltyrë ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Dishepujt e Jezusit e pyetën një herë Atë përse Ai jepte mësime me shëmbëlltyra (shih Mateu 13:10).
Lexo te Mateu 13:11–13, 16 , duke kërkuar se përse Shpëtimtari tha se jepte mësim me shëmbëlltyra.
-
Çfarë të ndihmojnë të kuptosh këto vargje rreth asaj përse Shpëtimtari jepte mësim me shëmbëlltyra?
-
Pse mendon se disa njerëz i shohin, dëgjojnë dhe kuptojnë mesazhet e Zotit ndërsa të tjerë jo?
Procesi i mëposhtëm mund të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë shëmbëlltyrat e Shpëtimtarit dhe të mësosh mësime të rëndësishme shpirtërore prej tyre. Mbaji shënim këta hapa në ditarin tënd të studimit.
-
Gjej hollësi të rëndësishme.
-
Bëj krahasime shpirtërore.
-
Zbulo mësime të vyera.
-
Përcakto zbatimin në planin personal.
Ushtro secilin prej këtyre hapave ndërsa shikon një shëmbëlltyrë të shkurtër.
Gjeni hollësi të rëndësishmeUshtrohu me hapin e parë në këtë proces duke lexuar vargun te Mateu 13:44 dhe duke kërkuar hollësi të rëndësishme. Këto hollësi mund të përfshijnë njerëz, vende, sende, veprime ose ngjarje. Mund të duash ta shenjosh atë që zbulon në shkrimet e tua të shenjta.
-
Çfarë hollësish të rëndësishme gjete?
Hollësitë që mund të kesh vënë re përfshijnë thesarin, njeriun që e gjeti dhe faktin se ai shiti gjithçka që kishte për ta marrë atë.Bëj krahasime shpirtëroreBërja e krahasimeve shpirtërore mund të ndodhë natyrshëm kur zbulon hollësi të rëndësishme, por gjithashtu mund të kërkojë më shumë përpjekje. Mos ki frikë të përsiatësh për hollësitë dhe të kërkosh të dhëna, duke përdorur ndihmat nga shkrimet e shenjta që ke në dispozicion.
Për ta ushtruar këtë aftësi, gjej një moment për të krahasuar disa gjëra që janë fizike me gjëra që janë shpirtërore. Për shembull, mund të krahasosh një gomë fshirëse me doktrinën e pendimit.
-
Çfarë krahasimesh mendove?
Në shëmbëlltyrën te Mateu 13:44 , Shpëtimtari na ndihmoi të bëjmë të paktën një lidhje kur tha: “Mbretëria e qiejve i ngjan një thesari” ( Mateu 13:44).
-
Çfarë krahasimesh shpirtërore mund të bësh duke përdorur hollësitë e tjera të kësaj shëmbëlltyre?
Zbulo mësime të vyeraPër të zbuluar mësime të vyera, mund të jetë e dobishme të bësh pyetje në lidhje me hollësitë që vure re dhe krahasimet shpirtërore që bëre.
-
Nëse e dimë se “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Mbretëri e Perëndisë ose Mbretëri e Qiellit ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org), atëherë çfarë mësimesh mund të na kërkojë Shpëtimtari që të kuptojmë nga shëmbëlltyra e Tij?
Një mësim që mund të nxjerrim nga kjo shëmbëlltyrë është se kur e kemi gjetur Kishën e Shpëtimtarit dhe ia dimë vlerën, duhet të heqim dorë me gëzim nga të gjitha gjërat e tjera për të marrë bekimet e të qenit pjesë e mbretërisë së Perëndisë. Merr parasysh mbajtjen shënim të mësimeve të vyera që mëson te Shënimet e tua në ChurchofJesusChrist.org ose në shkrimet e tua të shenjta.Përcakto zbatimin në planin personalPërcakto zbatimin në planin personal duke pyetur veten se çfarë duhet të bësh në jetën tënde për të zbatuar mësimet që zbulove.
Midis shumë mënyrave për ta zbatuar këtë të vërtetë, ne mund të marrim parasysh zotimin për të shërbyer më besnikërisht në një thirrje të Kishës ose për të hequr dorë nga gjërat në jetën tonë që na pengojnë t’i gëzojmë plotësisht bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit.
-
Si të ka ndihmuar të gjesh domethënie në këtë shëmbëlltyrë të shkurtër ndjekja e kësaj metode studimi?
Zgjidh një nga referencat e mëposhtme të shkrimeve të shenjta dhe ndiq secilin nga katër hapat e përshkruar më sipër. (Kur të mbarosh, mund të provosh një ose më shumë nga referencat e tjera.)
1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Çfarë zbulove kur e studiove shëmbëlltyrën duke përdorur katër hapat?
-
Çfarë mendon se mund të mësojmë për Shpëtimtarin nëpërmjet zgjedhjes së Tij për të përdorur shëmbëlltyra për të dhënë mësime të vyera?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Përse Jezu Krishti dha mësim duke përdorur shëmbëlltyrat?
“Shëmbëlltyra ia përcjell të vërtetën fetare dëgjuesit në përpjesëtim të përpiktë me besimin dhe inteligjencën e tij; për të pamendin dhe të pafrymëzuarin është thjesht një histori, ‘duke parë nuk shohin’, ndërsa për të mësuarin dhe shpirtërorin ajo zbulon të fshehtat ose misteret e mbretërisë së qiejve. Kjo do të thotë që shëmbëlltyra tregon gjendjen e të gjithë njohurisë së vërtetë. Vetëm ai që kërkon gjen” (Bible Dictionary [Fjalori i Biblës], “ Parables” [“Shëmbëlltyrat ”]).
Pse është e rëndësishme të kërkosh domethënie te shëmbëlltyrat dhe në përvojat tona?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Secili prej nesh duhet të kërkojë mësimet dhe paralajmërimet e ndeshura në ngjarjet e thjeshta të jetës së përditshme. Teksa kërkojmë një mendje dhe zemër të hapur për të marrë drejtim qiellor nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, atëherë disa nga udhëzimet më të mëdha që mund të marrim dhe shumë prej paralajmërimeve më të fuqishme që mund të na mbrojnë, do të burojnë nga vetë përvojat tona të zakonshme. Shëmbëlltyrat e fuqishme përfshihen si në shkrimet e shenjta, ashtu edhe në jetën tonë të përditshme.”
(Dejvid A. Bednar, “Gjithnjë Vigjilentë në Lutje”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 34.)
Çfarë na mësojnë shëmbëlltyrat nga Mateu 13 për ditët e mëvonshme?
Profeti Jozef Smith (1805–1844) dha mësim se shëmbëlltyrat e Shpëtimtarit te Mateu 13 na ndihmojnë të kuptojmë mbledhjen e njerëzve në Kishë gjatë kohës së Dhiatës së Re dhe gjithashtu në ditët e mëvonshme: “Thëniet e Shpëtimtarit, të shënuara në kapitullin 13 të Ungjillit të Tij sipas Mateut, … sipas mendimit tim, na japin një kuptim aq të qartë mbi temën e rëndësishme të mbledhjes si çfarëdo tjetër që është shënuar në Bibël” (“To the Elders of the Church of the Latter Day Saints”, Latter Day Saints’ Messenger and Advocate, dhjetor 1835, 2:225; drejtshkrimi, shkronjat kapitale dhe shenjat e pikësimit të modernizuara).