Hebrenjve 11, Pjesa 1
Besimi te Jezu Krishti
Shumë njerëz flasin rreth faktit që kanë besim te vetja, tek të tjerët dhe madje te ngjarjet ose objektet. Pra, çfarë e bën fuqizues dhe të rëndësishëm të pasurit e besimit te Jezu Krishti? Te Hebrenjve 11 ne lexojmë mësimet e Apostullit Pal mbi zhvillimin e besimit te Jezu Krishti. Ky mësim do të të ndihmojë të kuptosh se çfarë është besimi te Jezu Krishti dhe pse ka rëndësi për ty personalisht.
Siguria e besimit te Jezu Krishti
-
Çfarë do të thoshe po të të pyeste dikush se çfarë është besimi?
Shkruaje përkufizimin tënd në ditarin tënd të studimit ose në një shënim digjital. Merr parasysh të bësh ndryshime ose shtesa në këtë përkufizim dhe të mbash shënim mendime dhe mbresa të tjera ndërkohë që studion sot.
Lexo te Hebrenjve 11:1 dhe shenjo se si e përkufizoi besimin Apostulli Pal.
-
Çfarë mendon se do të thotë të kesh siguri ose besim te gjërat për të cilat shpreson?
-
Si është e mundur të kesh prova për gjëra që nuk mund t’i shohësh?
-
Duke u bazuar te ky varg, si mund ta ndryshosh ose çfarë mund t’i shtosh përkufizimit tënd për besimin?
Një e vërtetë e thjeshtë që mësohet te Hebrenjve 11:1, është që besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen.
Lexo tek Alma 32:21 dhe Nenet e Besimit 1:4, duke kërkuar pikëpamje shtesë rreth besimit. Nëse dëshiron, mund t’i shënosh si referencë‑kryq ose t’i lidhësh me hallkë lidhëse këto dy vargje me vargun te Hebrenjve 11:1.
-
Çfarë tjetër mësove rreth besimit?
-
Si mund ta ndryshosh ose çfarë mund t’i shtosh përkufizimit tënd për besimin për shkak të asaj që mësove?
Një mënyrë për ta rregulluar pohimin e mëparshëm të së vërtetës është besimi te Jezu Krishti është siguria e gjërave që shpresohen, tregimi i gjërave që nuk shihen që janë të vërteta.
-
Si mendon se ndryshon të pasurit e besimit te Jezu Krishti me të pasurit e besimit te dikush ose diçka tjetër?
-
Si mund të të ndihmojë besimi yt te Jezu Krishti për të mirëbesuar tek Ai kur përballesh me pyetje ose pasiguri?
Thelloje të kuptuarit tënd për besimin te Jezu Krishti
Reflekto për mënyrën se si ndihesh rreth besimit tënd personal te Jezu Krishti. Në ç’mënyra ndien se është i fortë besimi yt tek Ai? Në ç’mënyra ndien se besimi yt tek Ai mund të jetë më i fortë?
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Besimi nuk bie mbi ne nga rastësia, as nuk qëndron me ne nga e drejta e parabirnisë. … Besimi te Jezu Krishti është një dhuratë nga qielli që vjen kur ne zgjedhim të besojmë dhe kur e kërkojmë e mbahemi tek ai. Besimi juaj ose po rritet më i fortë ose po bëhet më i dobët. Besimi është një parim fuqie, i rëndësishëm jo vetëm në këtë jetë, por edhe në përparimin tonë përtej velit. Me anë të hirit të Krishtit, një ditë ne do të shpëtohemi nëpërmjet besimit në emrin e Tij [shih tek Efesianëve 2:8]. E ardhmja e besimit tuaj nuk vjen nga rastësia, por nga zgjedhja.”
(Nil L. Andersen, “Besimi Nuk Vjen nga Rastësia, por nga Zgjedhja”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 65)
-
Çfarë të bëri përshtypje te fjalët e Plakut Andersen?
-
Çfarë të ndihmon ai të kuptosh rreth besimit te Jezu Krishti?
Gjej kohë për të mësuar më shumë rreth besimit te Jezu Krishti duke studiuar disa nga burimet në vijim. Mbaji shënim pikëpamjet e tua në ditarin tënd të studimit. Mendohu me kujdes dhe ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të mësosh atë që ke nevojë sot.
Plotësoje veprimtarinë vijuese dhe ngarko një përmbledhje me tri deri në pesë fjali për atë që ishte domethënëse për ty.
Shkrimet e shenjta të sugjeruara dhe ndihmat për studimin
-
Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besim”
Mund të gjeni burime të tjera në shkrimet e shenjta ose në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] duke kërkuar frazën “Besim te Jezu Krishti”.
Këshilla të sugjeruara nga udhëheqës të Kishës
-
Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 101–104
-
Nil L. Andersen, “Besimi Nuk Vjen nga Rastësia, por nga Zgjedhja”, Liahona, nëntor 2015, f. 65–68
-
Riçard C. Exhli, “Besim – Zgjedhja Është e Juaja”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 31–33
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Pse është e rëndësishme ta vë besimin tim te Jezu Krishti?
Presidenti Rasëll M. Nelson këshilloi:
“Kur flasim për besimin – besimin që mund të lëvizë malet – nuk jemi duke folur për besimin në përgjithësi, por për besimin në Zotin Jezu Krisht. …
Secili nga ne mund ta pyesë veten, ku qëndron besimi ynë? A qëndron te një skuadër? A qëndron te një markë? A qëndron te një njeri i famshëm? Edhe skuadrat më të mira mund të mos ia dalin. Njerëzit e famshëm mund të veniten. Ka vetëm një Njeri tek i cili besimi juaj është gjithmonë i sigurt, dhe është tek Zoti Jezu Krisht.”
(Rasëll M. Nelson, “Lëreni Besimin Tuaj të Dalë në Pah”, Liahona, maj 2014, f. 29)
Pse duhet të përpiqem ta rrit besimin tim te Jezu Krishti?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Kërkesa ime për ju … është të filloni sot ta rritni besimin tuaj. Nëpërmjet besimit tuaj, Jezu Krishti do ta rritë aftësinë tuaj për të zhvendosur male në jetën tuaj [shih te 1 Nefi 7:12], ndonëse sfidat tuaja vetjake mund të përvijohen po aq të larta sa mali i Everestit.
Malet tuaja mund të jenë vetmia, dyshimi, sëmundja apo probleme të tjera vetjake. Malet tuaja do të ndryshojnë dhe prapëseprapë përgjigjja për secilën prej sfidave tuaja është të shtoni besimin tuaj. Për këtë duhet punë. …
Besimi te Jezu Krishti është fuqia më e madhe që kemi në dispozicion në këtë jetë. Të gjitha gjërat janë të mundshme për ata që besojnë [shih te Marku 9:23].”
(Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 102, 104)
Çfarë kërkohet nga unë për të mësuar me anë të besimit?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:
“Përvoja më ka mundësuar të kuptoj që një përgjigje e dhënë nga një person tjetër, zakonisht nuk mbahet mend për shumë kohë, për të mos thënë që nuk mbahet mend fare. Por një përgjigje që ne e zbulojmë ose e marrim nëpërmjet ushtrimit të besimit, zakonisht, mbahet mend gjithë jetën. Mësimet më të rëndësishme të jetës rroken, nuk jepen mësim.
Kuptueshmëria shpirtërore që ju dhe unë jemi bekuar të marrim dhe që është pohuar si e vërtetë në zemrat tona, thjesht nuk mund t’i jepet një personi tjetër. Pagesa për shkollim e zellit dhe mësimit me anë të besimit duhet të paguhet për të siguruar dhe ‘zotëruar’ personalisht një njohuri të tillë. Vetëm në këtë mënyrë ajo që dihet në mendje, mund të shndërrohet në atë që ndihet me zemër. Vetëm në këtë mënyrë një person mund të shkojë përtej mbështetjes në njohuritë dhe përvojën shpirtërore të të tjerëve dhe t’i kërkojë ato bekime për veten e tij ose të saj. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi të përgatitur shpirtërisht për atë që po vjen. Ne duhet të ‘kërko[jmë] të mëso[jmë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit’ (DeB 88:118).”
(David A. Bednar, “Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 67)
Si mund të ndikojë besimi te Jezu Krishti në jetën time të përditshme?
Shiko materialin filmik “Campfires of Faith” [“Zjarre Besimi”] (3:25), në të cilin Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe të tjerë tregojnë atë që kanë mësuar rreth besimit te Jezu Krishti. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.