Seminari
Mateu 15:1–9


Mateu 15:1–9

Po ti a e “shkel urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës [tënde]”?

Jesus talking to Pharisees in Jerusalem. Movie still from The Life of Jesus Christ Bible Videos.

Kur skribët dhe farisenjtë pyetën se përse dishepujt e Jezusit nuk i ndoqën traditat e tyre, Shpëtimtari u përgjigj duke i qortuar ata që e përdorin traditën si justifikim për të shkelur urdhërimet e Perëndisë. Ky mësim mund të të ndihmojë të përcaktosh se cilat prej traditave po të ndihmojnë të bëhesh më shumë si Jezu Krishti dhe cilat mund të jenë duke të të veçuar prej Tij.

Traditat

Lexoji situata vijuese.

  • Familja e një të reje ka si traditë marrjen me shumë seriozitet të shkollimit. Nga ajo pritet të dalë mirë në detyra dhe provime.

  • Për breza me radhë, familja e një të riu e ka bërë përparësi lutjen çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje.

  • Po afron një ngjarje e madhe shoqërore në të cilën shumë vajza vishen me veshje që nuk janë modeste. Një e re duhet të vendosë se si të vishet për këtë rast.

  • Për shumë vite, shumë nga të rinjtë e një lagjeje të caktuar nuk kanë marrë pjesë me sinqeritet në orët mësimore të Shkollës të së Dielës. Kjo përfshin vajtjen me vonesë, mospasjen e vëmendjes dhe dërgimin e mesazheve ose luajtjen me lojëra në telefonat e tyre gjatë orës mësimore.

  • Tradita e një shkolle është që nxënësit më të rritur të ngacmojnë nxënësit më të rinj.

Përgjigju për pyetjet e mëposhtme, që lidhen me situatat e mëparshme.

  • Si mendon, pse kanë rëndësi traditat tona?

  • Si mund të ndikojnë traditat tona në aftësinë tonë për t’u bërë si Jezu Krishti?

  • Përse mund të jetë e vështirë për dikë që t’i vlerësojë traditat e tij ose t’i ndryshojë traditat e papërshtatshme?

Ndërsa e studion këtë mësim, ti do të mësosh disa nga mësimet e Jezu Krishtit për traditat. Traditat janë “besime [dhe] praktika që kalohen nga një brez në tjetrin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Tradita ”, ChurchofJesusChrist.org). Në ditarin tënd të studimit, rendit disa tradita që janë pjesë e jetës tënde.

Mësimet e Shpëtimtarit mbi traditat

Për ta kuptuar atë që dha mësim Shpëtimtari, mund të jetë e dobishme të dish kontekstin ose informacionin për rrethanat e librit Mateu 15 .

Lexo në fillim vargjet te Mateu 15:1–9 . Më pas, lexoje ndihmesën e mëposhtme për kontekstin dhe më pas lexo sërish të njëjtat shkrime të shenjta, duke vënë re ndryshimin që bën të kuptuarit e kontekstit.

Ndihmesë për kontekstin për librin Mateu 15: Në kohën e Shpëtimtarit, udhëheqësit judeas jepnin mësim ligjin e shkruar të Moisiut si edhe ligjin gojor që nuk ishte dhënë nga Perëndia, por ishte traditë mes njerëzve. Kjo përfshinte gjëra siç janë numërimi i hapave në ditën e Shabatit dhe larja e tepruar e duarve përpara vakteve, që përfaqësonte pastërtinë shpirtërore të një personi. Pjesë të ligjit tradicional përdoreshin për arsye egoiste. Për shembull, nderimi i babait dhe nënës është një urdhërim në ligjin e Moisiut (shih Eksodi 20:12), por disa individë e përdornin ligjin gojor për të justifikuar shkeljen e këtij urdhërimi duke pretenduar se paratë ose burimet e tyre ishin përkushtuar si “[një dhuratë]” për Perëndinë ( Mateu 15:5) dhe prandaj nuk ishin në dispozicion që të përdoreshin për të ndihmuar në kujdesjen ndaj prindërve të tyre të moshuar. Këto ndryshime nuk ishin pjesë e qëllimit fillestar të ligjit dhe urdhërimeve dhe nuk e kënaqnin Perëndinë.

Lexo te Mateu 15:1–9 , duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim për traditat.

  • Si mendon, çfarë po jep mësim Shpëtimtari në këto vargje? Identifiko një ose dy të vërteta që gjen.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Cilat janë disa tradita të botës që mund të më duhet t’i heq nga jeta ime?

Në bisedën e tij “Repentance and Change” [“Pendimi dhe Ndryshimi”] (Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 39), Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha shumë shembuj të “elementëve të … sjelljes që [mund të] bien ndesh me urdhërimet e ungjillit, besëlidhjet dhe kulturën”. Sjellja jonë mund të ndryshojë nga traditat e botës kur bëhet fjalë për gjëra si dëlirësia dhe pornografia, frekuentimi i kishës, ndershmëria dhe rangu apo statusi social. Merreni parasysh të lexoni të gjithë bisedën e Presidentit Ouks ose pjesë të saj, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Në bisedën e tij “Kultura e Krishtit” (Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 48–50), Plaku Uilliam K. Xhekson, i Të Shtatëdhjetëve, krahasoi kulturat e botës me kulturën e Krishtit. Merreni parasysh të shihni ose të lexoni të gjithë bisedën ose pjesë të saj, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

A është e mundur t’i ruaj traditat e kulturës sime dhe ende ta ndjek Shpëtimtarin?

Materiali filmik vijues jep një shembull të mënyrës se si të ruash traditat e kulturës dhe ende ta ndjekësh Shpëtimtarin.