Mateu 16:13–18
“Ti Je Krishti”
Jezusi i pyeti dishepujt e Tij se kush mendonin njerëzit e tjerë se ishte Ai dhe çfarë besonin vetë Apostujt për Të. Pjetri iu përgjigj duke dhënë dëshminë e tij se Jezusi ishte Krishti, të cilën ai e kishte marrë nga zbulesa nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh dhe ndiesh rëndësinë e marrjes së dëshmisë për Jezu Krishtin nga Ati Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Të flasësh me Shpëtimtarin
Përfytyro sikur ti dhe disa miq të ngushtë të keni pasur mundësinë për të folur me Shpëtimtarin Jezu Krisht.
-
Si mendon, si do të ishte të flisje me Shpëtimtarin?
-
Nëse Ai do të të pyeste se çfarë mendojnë ose thonë sot njerëzit për Të, çfarë do të thoshe?
Lexo te Mateu 16:13–14 për të parë se si dishepujt e Tij iu përgjigjën një pyetjeje të ngjashme.
Lexoje dhe shenjoje pyetjen e radhës, më tepër personale të Shpëtimtarit që gjendet te Mateu 16:15 . Shkruaj në ditarin tënd të studimit se si do të përgjigjeshe nëse Shpëtimtari do të të bënte këtë pyetje.
Ndërsa vazhdon ta studiosh këtë mësim, mendo për atë që ke bërë ose mund të bësh për të fituar ose edhe forcuar dëshminë tënde për Shpëtimtarin.
Shkrimet e shenjta regjistrojnë vetëm përgjigjen e Apostullit Pjetër për pyetjen e Shpëtimtarit.
Lexo te Mateu 16:16 dhe shenjo mënyrën se si u përgjigj Pjetri.
-
Çfarë do të thotë se Jezusi është “Krishti”?
-
Çfarë do të thotë që Ai është “Biri i Perëndisë të gjallë”?
Nëse të duhet ndihmë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, shih “ Jezu Krisht ” dhe “ Vajosur(i) i ” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Merr parasysh ta shenjosh vargun te Mateu 16:17 për të kujtuar që Shpëtimtari i tha Pjetrit që ai ishte “i lum[t]ur” për shkak të dëshmisë së tij.
Shqyrtoji situatat vijuese dhe përcakto mënyrat se si pasja e një dëshmie për Jezu Krishtin mund të jetë një bekim në ato situata.
-
Je munduar nga një gjendje apo sëmundje që e kufizoi veprimtarinë tënde fizike
-
U bëre shumë i pasur ose shumë i varfër
-
Je ndier i anashkaluar apo sikur nuk ishe pjesë
-
Ke humbur një njeri të dashur
-
Si mund të ndryshonin reagimet e tua ndaj këtyre rrethanave nëse nuk do të kishe një dëshmi për Jezu Krishtin?
-
Çfarë përvojash ke ti ose ka pasur dikush që ti njeh ku dëshmia për Jezu Krishtin ishte e dobishme?
Dëshmia
Përfytyro sikur dikush të të thotë: “Është mirë që Pjetri pati një dëshmi, por ai ishte me Shpëtimtarin çdo ditë. Si mund të fitoj një dëshmi për Jezu Krishtin pa qenë ndonjëherë me Të?” Ndërsa studion këtë pjesë të mësimit, mendo për mënyrën se si do të përgjigjeshe.
Lexo te Mateu 16:17 , duke kërkuar një të vërtetë rreth mënyrës se si ne marrim një dëshmi për Jezu Krishtin. (Shënim: “Bar-jona” do të thotë “bir i Jonas”.)
-
Çfarë të vërtete gjete rreth mënyrës se si të marrësh një dëshmi për Jezu Krishtin?
Ti mund të kesh përcaktuar një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: dëshmia për Jezu Krishtin vjen nëpërmjet zbulesës nga Ati Qiellor.
-
Përse është e rëndësishme të dish që Ati ynë Qiellor është burimi i zbulesës?
-
Përse mund të dojë Ati Qiellor të na zbulojë të vërtetën për Jezu Krishtin?
Kjo dëshmi për Jezu Krishtin që vjen nga Ati, zbulohet nëpërmjet Frymës së Shenjtë (shih 1 Korintasve 12:3). Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“E vërteta më e rëndësishme që Fryma e Shenjtë do t’ju dëshmojë ndonjëherë është se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë”.
(Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 96.)
Mos harro që dëshmia për Jezu Krishtin është shumë personale dhe e ndryshme për secilin prej nesh.
Në ditarin tënd të studimit, shkruaj atë që përshkruan më mirë ndjenjat e tua nga ato më poshtë:
-
Unë kam marrë një dëshmi për Jezu Krishtin nëpërmjet Frymës së Shenjtë, por dua të jetë më e fortë.
-
Nuk e ndiej që kam marrë një dëshmi për Jezu Krishtin nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
-
Dëshmia ime për Jezu Krishtin është aq e fortë sa dua të jetë.
-
Nuk e kuptoj se përse do të doja një dëshmi për Jezu Krishtin.
Mbaj parasysh se ku ndien se je me dëshminë tënde për Jezu Krishtin ndërsa kryen një ose më shumë nga veprimtaritë vijuese. Një mënyrë se si marrim zbulesë nga Fryma e Shenjtë është nëpërmjet mendimeve dhe ndjenjave. Kushtoji vëmendje mendimeve dhe ndjenjave të tua që të ndihmojnë të duash, fitosh ose forcosh dëshminë tënde për Jezu Krishtin.
Veprimtaria A: Çfarë mund të bëjmë që t’i fitojmë ose forcojmë dëshmitë tona për Jezu Krishtin?
Krijo një listë me disa nga veprimet që mendon dhe ndien se mund të bësh për ta fituar ose forcuar dëshminë tënde për Jezu Krishtin. Për t’i shtuar në listën tënde, mendo për përvojat që pati Pjetri me Shpëtimtarin në Dhiatën e Re. Për shembuj, shqyrto vargjet te Lluka 5:1–11 dhe Mateu 14:22–33 . Përcakto zgjedhjet që bëri Pjetri në ato përvoja që mund të kenë ndikuar në dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë ndërsa shkruan mënyrën se si mund të bësh zgjedhje të ngjashme. Merr parasysh se si përvojat e Pjetrit tregojnë rëndësinë e pasjes së një dëshmie për Jezu Krishtin.
Veprimtaria B: Si e fitoi dikush që ti e mirëbeson dëshminë e tij për Jezu Krishtin?
Telefonoji, dërgoji mesazh në celular ose elektronik një prindi, pjesëtari të familjes ose miku të besuar. Kërkoji atij të të tregojë se si e fitoi dëshminë e tij për Jezu Krishtin dhe përse është e rëndësishme për të. Pyete për veprimet që ndjeu se ishin më të dobishme për ta arritur atë dëshmi. Kushtoji vëmendje mbresave që ndien për mënyrën se si mund ta ndjekësh shembullin e tij.
Veprimtaria C: Ku mund të mësoj më shumë për fitimin e një dëshmie për Jezu Krishtin nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
Shih “Increase Your Testimony” [“Rrite Dëshminë Tënde”] (04:59) ose “The Hope of God’s Light” [“Shpresa e Dritës së Perëndisë”] (06:46), që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, ose lexo apo shiko një pjesë të bisedës “Ndërtoni një Fortesë Shpirtshmërie dhe Mbrojtjeje”, nga Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 107–110), duke kërkuar pikëpamje mbi mënyrën dhe arsyen përse duhet kërkuar një dëshmi nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
-
Çfarë mendove dhe ndjeve ndërsa lexove bisedën ose pe materialin filmik?
-
Ku tjetër mund të kërkosh më shumë përvoja dhe informacion për dëshmitë për Jezu Krishtin nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
-
Përse është e rëndësishme që të vazhdosh ta rritësh dhe forcosh dëshminë tënde për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur?
1. Bëj sa vijon në ditarin tënd të studimit:
Mendo për dikë që mund të përfitojë nga ajo që ti mësove. Shkruaji atij një letër të shkurtër ku shpjegon atë që mësove nga e cila ai mund të përfitojë. Merr parasysh të japësh dëshminë tënde për Jezu Krishtin dhe mënyrën se si e fitove atë dëshmi.
Kur ta mbarosh letrën tënde, ndalo dhe dëgjo nxitjet nga Fryma e Shenjtë mbi atë që duhet të bësh për të fituar ose për ta forcuar dëshminë tënde për Jezu Krishtin. Shkruaj mbresat që ke në ditarin tënd të studimit dhe bëj një plan për të vepruar sipas tyre.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si mund ta forcoj dëshminë time për Jezu Krishtin?
Presidentja Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha këto pikëpamje:
“A janë dëshmitë tona të ndërtuara mbi themelin e patundur të Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij? Kur stuhitë e jetës ushtrojnë trysni mbi ne, a kërkojmë si të çmendur një libër udhëzimesh apo një publikim në internet për ndihmë? Gjetja e kohës për ta ndërtuar dhe forcuar njohurinë dhe dëshminë tonë për Jezu Krishtin do të prodhojë shpërblime të begata në kohë sprovash dhe fatkeqësish. Leximi i përditshëm i shkrimeve të shenjta dhe përsiatja e fjalëve të profetëve të gjallë, përfshirja në lutje vetjake kuptimplote, marrja me ndërgjegje e sakramentit çdo javë, dhënia e shërbimit ashtu siç do ta jepte Shpëtimtari – secila prej këtyre veprimtarive të thjeshta bëhet bazë për një jetë të gëzueshme.”
(Xhin B. Bingham, “Që Gëzimi Juaj të Jetë i Plotë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 87.)
Sa e rëndësishme është të jetosh sipas dëshmisë për Jezu Krishtin?
Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Seksioni i 76-të në Doktrina e Besëlidhje e bën të qartë se të qenit ‘të guximshëm në dëshminë e Jezusit’ [ Doktrina e Besëlidhje 76:79 ] është prova e thjeshtë, thelbësore midis atyre që do t’i trashëgojnë bekimet e mbretërisë çelestiale dhe atyre në mbretërinë më të ulët terrestriale. Për të qenë të guximshëm, na nevojitet të përqendrohemi te fuqia e Jezu Krishtit dhe te sakrifica e Tij shlyese për ta mposhtur vdekjen dhe, nëpërmjet pendimit, të pastrohemi nga mëkati e të ndjekim doktrinën e Krishtit. Na nevojitet edhe drita dhe dija për jetën dhe mësimet e Shpëtimtarit për të na udhërrëfyer në shtegun e besëlidhjes, përfshirë ordinancat e shenjta të tempullit. Ne duhet të kemi vendosmëri në Krisht, të ushqehemi me bollëk me fjalën e Tij dhe të durojmë deri në fund.”
(Kuentin L. Kuk, “Të Guximshëm në Dëshminë e Jezusit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 43.)
Cili është shkëmbi mbi të cilin Jezusi tha se do të ndërtonte Kishën e Tij?
Ndërsa Shpëtimtari e mësoi Pjetrin për zbulesën, Ai përdori një lojë fjalësh me emrin e Pjetrit, duke i shpallur Simonit: “Ti je Pjetri [Petros], dhe mbi këtë shkëmb [petra] unë do të ndërtoj kishën time” ( Mateu 16:18). Fjala greke petros do të thotë një shkëmb apo gur i vogël i izoluar. Fjala greke petra mund të nënkuptojë gjithashtu “një gur”, por veç kësaj mund t’i referohet tokës gurore, themelit ose një mase të madhe shkëmbore. Nga këto fjalë ne mësojmë se nuk ishte për shkak të Pjetrit si njeri që Kisha do të ndërtohej, por mbi themelin e zbulesës.