Mateu 16:18–19; Mateu 17:1–7
“Çelësat e Mbretërisë”
Ndërkohë që Shpëtimtari ishte me dishepujt e Tij në Cezare të Filipit, Ai premtoi se do t’i jepte Pjetrit “çelësat e mbretërisë së qiejve” (Mateu 16:19). Gjashtë ditë më vonë, Jezusi i çoi Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin në një mal ku Ai “u shpërfytyrua përpara atyre” (Mateu 17:2) në prani të Moisiut dhe Elias (Elija). Profetët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë mësim se Pjetri, Jakobi dhe Gjoni morën çelësat e premtuar të priftërisë gjatë Shpërfytyrimit të Jezusit. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh domethënien e çelësave të priftërisë dhe rëndësinë e tyre në planin e Perëndisë për shpëtimin.
“Ku janë çelësat?”
Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth rëndësisë së çelësave: Lexo thënien vijuese.
“Teksa dielli dimëror i pasdites rrëshqiste prapa kodrës së gjerë, të mbuluar me dëborë për ushtrimin e skive, ajri i acartë i malit i preku ashpër faqet dhe hundët tona, duke vepruar pothuajse si një shtytës i fortë duke na udhëzuar që t’i gjenim makinat dhe kamionçinat tona në vendparkimin e pikës turistike për ski. Atje, në makinat tona të rehatshme, ngrohësit shpejt do t’i ngrohnin gishtat e ftohtë të këmbëve dhe të duarve. Tingulli i dëborës së ngrirë që kërciste me çdo hap që bënim, pohoi se ky ishte një i ftohtë i jashtëzakonshëm.
Familja jonë kishte kaluar një ditë të mbushur plot hare në shpatet rrëshqitëse për ski, e cila tashmë po arrinte në një mbyllje ngrirëse. Kur arritëm te makina, futa duart në xhepin e palltos për çelësat dhe më pas në një xhep tjetër dhe në një tjetër. ‘Ku janë çelësat?’ Të gjithë po pritnin me padurim për çelësat! Bateria ishte e ngarkuar dhe të gjitha sistemet – përfshirë ngrohësin – ishin gati të punonin, por, pa çelësat, dyert e mbyllura nuk do të na e lejonin hyrjen; pa çelësat, motori nuk do të siguronte energji për makinën.”
(Geri E. Stivenson, “Ku Janë Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë?”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 29.)
-
Si e ilustron kjo përvojë rëndësinë e çelësave?
Mendo për cilatdo çelësa që përdor në jetën tënde. Përse janë të rëndësishëm ata? Çfarë do të ndodhte po t’i humbisje?
Çelësat e Priftërisë
Kjo është një statujë e Apostullit Pjetër e gdhendur nga Bertel Thorvaldseni (1770–1844). Vëreni se çfarë po mban në dorë Pjetri. Këta çelësa janë simbolikë e fuqisë dhe autoritetit që Shpëtimtari i premtoi Pjetrit.
Lexo te Mateu 16:18–19, duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve vijuese:
-
Çfarë premtoi Shpëtimtari se do t’i jepte Pjetrit?
-
Çfarë do të kishte fuqi të bënte Pjetri?
-
Çfarë të mësojnë këto vargje rreth Shpëtimtarit dhe mënyrës se si Ai e qeveris Kishën e Tij?
Një e vërtetë që mund të përcaktojmë nga Mateu 16:18–19 është se Jezu Krishti ua beson çelësat e mbretërisë së Tij profetëve dhe apostujve për të drejtuar punën e Tij në tokë. Megjithëse Shpëtimtari ua kishte dhënë më parë Apostujve autoritetin e priftërisë së Tij (shih Mateu 10:1–8), “çelësat e mbretërisë së qiejve” ( Mateu 16:19) janë çelësat e priftërisë së Tij.
-
Si do ta shpjegonit ndryshimin midis priftërisë dhe çelësave të priftërisë? Si mendoni se ju ka bekuar ose po ju bekon Shpëtimtari nëpërmjet çelësave të priftërisë?
Informacioni i mëposhtëm mund të të ndihmojë ta kuptosh më mirë priftërinë dhe çelësat e priftërisë:
Priftëria është “autoriteti dhe fuqia që Perëndia i jep njeriut për të vepruar në të gjitha gjërat për shpëtimin e njeriut”.
Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Priftëri ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.
Mes të tjerash, priftëria na lejon të marrim bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit nëpërmjet ordinancave shpëtuese të tilla si pagëzimi, konfirmimi dhe marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë, sakramenti dhe marrja e dhurimit dhe vulosja në tempull.
Çelësat e priftërisë janë autoriteti për të drejtuar përdorimin e priftërisë në emër të fëmijëve të Perëndisë. Përdorimi i të gjithë autoritetit të priftërisë në Kishë drejtohet nga njerëzit që mbajnë çelësa të priftërisë. …
Jezu Krishti i mban të gjithë çelësat e priftërisë. Nën drejtimin e Tij, çelësat e priftërisë u jepen burrave për t’i përdorur në thirrje të veçanta për përmbushjen e veprës së Perëndisë.
(Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 3.4.1, 3.4.1.1).
Mali i Shpërfytyrimit dhe Tempulli i Kirtlandit
Gjashtë ditë pasi i premtoi Pjetrit çelësat e priftërisë, Jezusi i ftoi Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin që të bashkoheshin me Atë për një përvojë të mrekullueshme në atë që më vonë do të njihej si Mali i Shpërfytyrimit. Është interesante që, në vitin 1836, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri patën një përvojë të ngjashme në Tempullin e Kirtlandit.
Në një copë letër ose në ditarin tënd të studimit, hiq një vijë për ta ndarë faqen në gjysmë. Vizato një mal në anën e majtë të faqes dhe një tempull në anën e djathtë. Shkruaj “ Mateu 17:1–7 ” në majë të malit tënd dhe “ Doktrina e Besëlidhje 110:1–2, 11–16 ” mbi tempullin tënd. Lexoji tregimet nga shkrimet e shenjta dhe renditi emrat e njerëzve që qenë të pranishëm, ose zëri i të cilëve u dëgjua gjatë secilës ngjarje. Poshtë këtyre emrave, shkruaj një përmbledhje me një ose dy fjali për atë që ndodhi në secilin tregim.
-
Çfarë mësove nga studimi i këtyre ndodhive?
Mund jetë e dobishme të dish se Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta pohon se ndërkohë që ishin në mal, “Shpëtimtari, Moisiu dhe Eliasi (Elija) ia dhanë çelësat e premtuar të priftërisë Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit. Me këta çelësa të priftërisë, apostujt kishin fuqinë për të vazhduar punën e mbretërisë pas ngritjes së Jezusit në qiell”. Këta çelësa më pas iu dhanë të gjithë Të Dymbëdhjetëve (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Shpërfytyrimi i Krishtit ”).
Plaku Stivenson shpjegoi rëndësinë e çelësave të priftërisë. Lexo thënien vijuese:
“Sa më shumë që mendoj për këtë përvojë, aq më domethënëse është bërë kjo analogji për mua. Mahnitem nga dashuria e Atit Qiellor për fëmijët e Tij. Qëndroj i mrekulluar nga vizita qiellore dhe vegimet e madhërishme të përjetësisë që Perëndia ia dha Jozef Smithit. Dhe veçanërisht, zemra ime mbushet me mirënjohje gjithëpushtuese për rivendosjen e autoritetit të priftërisë dhe të çelësave të priftërisë. Pa këtë rivendosje, ne nuk do të mund të futeshim brenda në makinë[n] e nevojshme për të na transportuar në udhëtimin tonë drejt shtëpisë te prindërit e dashur qiellorë. Kryerja e çdo ordinance të shpëtimit, duke përfshirë shtegun tonë të besëlidhjeve për t’u kthyer te prania e Atit tonë në Qiell, kërkon qeverisjen e duhur nëpërmjet çelësave të priftërisë.”
(Geri E. Stivenson, “Ku Janë Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë?”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 29.)
Vlerëso se si ndihesh për rivendosjen e çelësave të priftërisë nga Shpëtimtari dhe mënyrën se si këta çelësa ndikojnë në jetën tënde. Kërko udhëheqjen e Frymës së Shenjtë për ta kuptuar rëndësinë e tyre. Pyetjet në vijim mund të ndihmojnë.
1. Në ditarin tënd të studimit, përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Pse je mirënjohës për çelësat e priftërisë së Zotit në tokë?
-
Nëse dikush që nuk i njeh çelësat e priftërisë, do të të pyeste se pse janë të rëndësishëm ata, si do t’i përgjigjeshe?
-
Cilat burime hyjnore mund ta ndihmojnë këtë person që të mësojë më tepër rreth rëndësisë së çelësave të priftërisë?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Çfarë do të thotë fjala shpërfytyrim?
Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta e përkufizon shpërfytyrimin si “gjendja e njerëzve që përkohësisht ndryshohen në pamjen e jashtme dhe natyrën fizike – domethënë ngrihen në një nivel më të lartë shpirtëror – kështu që ata të mund të durojnë praninë dhe lavdinë e qenieve qiellore” (“ Shpërfytyrimi ”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Ku mund të mësoj më shumë rreth Shpërfytyrimit të Jezu Krishtit?
Mateu 16:19. Çfarë fuqie i premtoi Jezu Krishti Pjetrit?
Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Pjetri duhet ta mbante fuqinë vulosëse, atë autoritet që mban fuqinë për të lidhur a vulosur në tokë ose për të zgjidhur në tokë dhe do të ishte kështu në qiej. Këta çelësa i përkasin Presidentit të Kishës – profetit, shikuesit dhe zbuluesit. Ajo fuqi e shenjtë vulosëse është me Kishën tani. Asgjë nuk konsiderohet me meditim më të shenjtë nga ata që e dinë domethënien e këtij autoriteti. Asgjë nuk mbahet më pranë. Ka relativisht pak burra të cilëve iu është deleguar kjo fuqi vulosëse në tokë në çfarëdo kohe të dhënë – në çdo tempull ka vëllezër të cilëve iu është dhënë fuqia vulosëse. Asnjë nuk mund ta marrë atë përveçse nga profeti, shikuesi e zbuluesi dhe Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”
(Bojd K. Paker, “Tempulli i Shenjtë”, Ensign ose Liahona, tetor 2010, f. 34.)
Kush ishte “Eliasi” që iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit?
Pak dihet rreth profetit të quajtur Elias, i cili i “dorëzoi periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit”, Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit ( Doktrina e Besëlidhje 110:12). Emri Elias është përdorur në shkrimet e shenjta si një titull i rëndësishëm që u jepet individëve me misione specifike.