Mateu 4:1–11, Pjesa 2
Ndjekja e Shembullit të Shpëtimtarit për t’i Rezistuar Tundimit
Në këtë mësim mund të vazhdosh të studiosh se si Shpëtimtari u rezistoi tundimeve. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndjekësh shembullin e Tij dhe të kujtosh të vërtetat nga shkrimet e shenjta për të të ndihmuar t’i rezistosh tundimit në jetën tënde.
Rezistenca ndaj tundimit
Përfytyro sikur shoku yt, Dritani, të të thotë me mirëbesim se e ka të vështirë t’i rezistojë një tundimi. Ai shpjegon se në të vërtetë dëshiron t’i rezistojë por e ka të vështirë pasi nuk di si të veprojë kur i vjen tundimi.
-
Çfarë do tʼi thoshe atij dhe pse?
Kujtoje përvojën e Shpëtimtarit siç është shënuar te Mateu 4:1–11 , kur Shpëtimtari u përball dhe u rezistoi tundimeve të Satanit. Një nga mënyrat si e bëri Ai këtë ishte duke e treguar me shembull këtë parim: sjellja ndër mend dhe zbatimi i të vërtetave nga shkrimet e shenjta mund të na ndihmojnë të mbështetemi te fuqia e Zotit për t’i rezistuar tundimit.Studio vargjet te Mateu 4:1–11 . Përqendrohu te vargjet 4, 7 dhe 10 , duke kërkuar se si Shpëtimtari e ka zbatuar këtë parim. Ki parasysh se kur Jezusi tha: “Është shkruar”, Ai po u referohej fjalëve të shkruara në shkrimet e shenjta.
-
Si mund të lidhen fragmentet e shkrimeve të shenjta që citoi Shpëtimtari me tundimet me të cilat u përball Ai?
Shpenzo disa minuta për të shkruar mendimet e tua rreth asaj përse ke nevojë për ndihmë për t’i rezistuar tundimit. Pastaj përgjigju për pyetjet në vijim:
-
Sa shpesh i drejtohesh Zotit përmes shkrimeve të shenjta për të të ndihmuar t’i rezistosh tundimit? Përse?
-
Çfarë përvojash ke pasur teksa i je drejtuar Zotit nëpërmjet shkrimeve të shenjta për të të ndihmuar t’i rezistosh tundimit?
Plotësoji veprimtaritë e mëposhtme në ditarin tënd të studimit:
1.
-
Përcakto dhe rendit disa tundime me të cilat përballen zakonisht të rinjtë e moshës sate.
-
Përcakto dhe rendit fragmentet e shkrimeve të shenjta që mund të të ndihmojnë me secilin prej këtyre tundimeve, së bashku me një shpjegim të shkurtër se si çdo fragment mund të të ndihmojë.
Për shembull, mund të zbulosh se fjalët e Shpëtimtarit te 3 Nefi 18:15 mund të të ndihmojnë të kuptosh se duhet të jesh vazhdimisht i vetëdijshëm dhe të lutesh me zell kur përpiqesh t’i rezistosh tundimit.Nëse ke vështirësi për të gjetur shkrime të shenjta të dobishme, mund të kërkosh fragmentet e zotërimit doktrinor apo mund të kërkosh referencat tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta te “ Tundoj, Tundim ”, “ Duroj ”, apo një temë tjetër që lidhet me tundimin ose një tundim të caktuar.
Merr parasysh t’i shënosh këto fragmente të shkrimeve të shenjta në mënyrë të dukshme dhe të bësh një listë të tyre në shkrimet e shenjta ose ditarin tënd të studimit ku mund t’i gjesh lehtësisht. Nëse je duke përdorur shkrimet e shenjta elektronike, merr parasysh krijimin e një etiketimi dhe shtimin e fragmenteve nën të. Nëse ke nevojë të mësosh si ta bësh këtë, shko te Gospel Library User Guide [Udhëzuesi i Përdorimit të Bibliotekës së Ungjillit] (Android) ose Gospel Library User Guide [Udhëzuesi i Përdorimit të Bibliotekës së Ungjillit] (iOS) në ChurchofJesusChrist.org. Përzgjidh Marking content [Shënimi i përmbajtjes] nën titullin “Mësoni më Shumë”.
Ka një larmi mënyrash se si mund ta ndjekësh shembullin e Shpëtimtarit dhe të marrësh forcë nga shkrimet e shenjta.Zgjidh të bësh veprimtarinë A ose B për të të ndihmuar të ndjekësh shembullin e Shpëtimtarit duke i rezistuar tundimit. Kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë ndërsa vendos se cila veprimtari do të jetë më e dobishme për ty.
2. Zgjidh një nga veprimtaritë e mëposhtme për ta përfunduar në ditarin tënd të studimit.
Veprimtaria A: Mëso përmendsh
Zgjidh një referencë të shkrimit të shenjtë nga ato që ke përcaktuar dhe mëso përmendsh një frazë kyç prej saj ose të gjithë fragmentin. Ja tek janë disa metoda që mund të të ndihmojnë:
-
Lexoje disa herë vetë, duke i parë shkrimet e shenjta gjithnjë e më pak çdo herë.
-
Shkruaje fragmentin ose frazën. Fshiji ose vëri një kryq fjalëve teksa i mëson përmendsh dhe përsërite derisa t’i kesh fshirë apo t’u kesh vënë vizë të gjitha fjalëve dhe të mund ta thuash të gjithën përmendsh.
-
Hidhe shkrimin e shenjtë te programi Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] dhe përdor mjetet e të mësuarit përmendsh në program.
Veprimtaria B: Përsiat dhe shkruaj
Përsiat se si studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta mund të të ndihmojë t’i rezistosh tundimit në jetën tënde ose çfarë ndryshimesh mund të bësh për t’i rritur bekimet që janë në dispozicion për ty përmes përpjekjeve të shtuara për t’i studiuar rregullisht shkrimet e shenjta.Shkruaj një publikim në mediat shoqërore apo në ditarin në internet që t’i ndihmojë të tjerët ta rritin dëshirën për t’i studiuar shkrimet e shenjta. Shkruaje në një mënyrë që mund t’i ndihmojë ta kërkojnë fuqinë e Zotit për t’i ndihmuar t’i rezistojnë tundimit. Përfshij të paktën një referencë të shkrimeve të shenjta që përcaktuat sot. Gjithashtu mund të tregosh një përvojë që ke pasur me shkrimet e shenjta që ta rritën aftësinë për t’i rezistuar tundimit, pa dhënë hollësi rreth tundimit.
Reflektimi vetjak
Për të përfunduar, reflekto mbi atë që mësove sot dhe përsiati përgjigjet e tua për pyetjet e mëposhtme:
-
Si mund të të ndihmojë puna mbi atë që bëre sot (studimi, mësimi përmendsh dhe sjellja ndër mend e shkrimeve të shenjta) që të bëhesh më shumë si Jezu Krishti?
-
Çfarë mendon se duhet të fillosh të bësh, të mos bësh apo të vazhdosh që ta bësh?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si mund të më ndihmojë studimi i shkrimeve të shenjta?
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi se si studimi i rregullt i Librit të Mormonit mund të na japë fuqi për t’i rezistuar tundimit:
“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë ju premtoj se, kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë. Ju premtoj se, teksa e përsiatni atë që studioni, dritaret e qiellit do të hapen dhe ju do të merrni përgjigje për vetë pyetjet tuaja dhe drejtim për vetë jetën tuaj. Ju premtoj se, ndërsa e zhytni veten përditë në Librin e Mormonit, ju mund të fitoni imunitet kundër të ligave të ditës, përfshirë edhe murtajën dërrmuese të pornografisë dhe varësive të tjera që na mpijnë mendjen.”
(Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 62.)
Si mund të më ndihmojë mësimi përmendsh i shkrimeve të shenjta?
Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Jini të urtë në mënyrën se si e përdorni teknologjinë. Shënoni shkrime të shenjta të rëndësishme në mjetin tuaj dhe kthehuni shpesh tek ato. Nëse ju të rinj do ta rishikonit një varg të shkrimit të shenjtë aq shpesh sa disa prej jush dërgojnë mesazhe celulari, ju shpejt do të kishit mësuar përmendsh qindra pjesë nga shkrimi i shenjtë. Ato pjesë do të bëheshin një burim i fuqishëm frymëzimi dhe udhëzimi nga Fryma e Shenjtë në kohë nevoje.”
(Riçard G. Skot, “Për Paqe në Shtëpi”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 30.)