Seminari
1 Korintasve 14–16


1 Korintasve 14–16

Vështrim i Përgjithshëm

Si pjesë e mesazhit të tij në përmbyllje të letrës së tij të parë drejtuar korintasve, Pali dha mësim shumë të vërteta për Ringjalljen. Ai dëshmoi për fitoren e Shpëtimtarit mbi vdekjen, realitetin e Ringjalljes për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor dhe shkallët e lavdisë që do të fitojnë trupat e ringjallur. Ai dha gjithashtu mësim për ordinancën e pagëzimeve për të vdekurit.

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u ofron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

1 Korintasve 15:13–28

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë dashuri dhe vlerësim më të madh për Jezu Krishtin për shkak të fitores së Tij mbi vdekjen.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të diskutojnë për pyetjen vijuese me pjesëtarët e familjes ose miqtë dhe të vijnë të përgatitur të tregojnë përgjigje të mundshme: Cila ditë e ka ndryshuar më shumë rrjedhën e historisë? Përse?”

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Ftojini nxënësit të sjellin një fotografi të dikujt që ata mezi presin ta shohin në Ringjallje. Nëse fotografitë janë digjitale, nxënësit mund t’i tregojnë me radhë ekranet e tyre dhe t’ia përshkruajnë njerëzit në fotografitë e tyre klasës.

Zotërimi Doktrinor: 1 Korintasve 15:20–22

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te 1 Korintasve 15:20–22 , të shpjegojnë doktrinën e Ringjalljes dhe të zbatojnë në një situatë nga jeta reale parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin për përvojat që dinë të një rasti kur një njeri i dashur i dikujt ka ndërruar jetë. Kërkojuni atyre të vijnë të përgatitur për të diskutuar sfidat në këto përvoja dhe mënyrën se si besimi te Jezu Krishti mund t’i ndihmojë ata që përballen me këto sfida.

1 Korintasve 15:29

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të dëshirojnë dhe planifikojnë të marrin pjesë në mënyrë më kuptimplotë në historinë familjare dhe punën në tempull.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur të tregojnë pemën e tyre familjare ose të tregojnë një histori për një paraardhës/e që nuk e pati ungjillin ose të drejtën për ordinancat e shpëtimit dhe ekzaltimit.

  • Figura: Merreni parasysh të përgatitni grupe të ndryshme figurash për t’i përdorur në fillim të mësimit.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Pasi nxënësit të kenë studiuar për pagëzimet për të vdekurit, merreni parasysh t’i ndani ata në dyshe ose në grupe të vogla në dhoma virtuale të ndara, për t’i lejuar ata të ushtrojnë të treguarit (ose të interpretuarit me role) e mënyrës se si ata do t’ia shpjegonin këtë doktrinë dikujt që nuk ka njohuri për të.

1 Korintasve 15:32–54

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që të përpiqen të jenë të denjë për ringjalljen çelestiale nëpërmjet Jezu Krishtit.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë tek Alma 40:23 për të parë se çfarë kanë të përbashkët të gjithë trupat e ringjallur, më pas të lexojnë te 1 Korintasve 15:40–42 për të parë ndryshimet që do të ekzistojnë ndërmjet qenieve të ringjallura.

  • Ëmbëlsirë: Sillni një ëmbëlsirë të vogël për çdo nxënës i cili vesh rroba me një ngjyrë të caktuar në klasë.

  • Materiali filmik: “Perëndia mes Nesh” (15:45; shih nga kodi kohor 05:01 deri në 06:58)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës të mbajnë përpara kamerës figurën që vizatuan për planin e shpëtimit teksa ia shpjegojnë planin klasës.

Zotërimi Doktrinor: 1 Korintasve 15:40–42

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te 1 Korintasve 15:40–42 , ta shpjegojnë doktrinën dhe t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë vargjet te 1 Korintasve 15:40–42 dhe të vijnë të përgatitur në klasë për të treguar një situatë nga jeta reale ku doktrina e dhënë mësim në këtë fragment do të ishte e dobishme.