Seminari
Zotërimi Doktrinor: 1 Korintasve 15:40–42


Zotërimi Doktrinor: 1 Korintasve 15:40–42

Në Ringjallje, Ka Tri Shkallë Lavdie

An illustration showing Salvation and Exaltation: Sun & Moon and Stars

Në një mësim të mëparshëm, “1 Korintasve 15:32–54”, ti mësove për tri shkallët e lavdisë në Ringjallje. Ti mësove gjithashtu që Ati ynë në Qiell do t’u japë besnikëve lavdi qiellore nëpërmjet Jezu Krishtit. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te 1 Korintasve 15:40–42, të shpjegosh doktrinën dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.

Ofrimi i ndihmës që nxënësit të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre. Nuk është përgjegjësia e mësuesit që t’i përgjigjet çdo pyetjeje që bëhet nga një nxënës. Ndihmojini nxënësit t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në mënyrë që ata të mund t’i zbulojnë vetë përgjigjet. Nxitini nxënësit që t’i drejtohen me besnikëri Zotit dhe t’i mirëbesojnë Atij. Mund të jetë e dobishme të silleni si udhërrëfyes duke përcaktuar burimet e caktuara në mënyrë hyjnore që ata mund t’i përdorin për të kërkuar përgjigje.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë vargjet te 1 Korintasve 15:40–42 dhe të vijnë të përgatitur në klasë për të treguar një situatë nga jeta reale ku doktrina e dhënë mësim në këtë fragment do të ishte e dobishme.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “1 Korintasve 15:32–54”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor te 1 Korintasve 15:40–42 . Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor duhet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni gjithashtu mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Mëso përmendsh dhe shpjego

Ndihmojini nxënësit të mësojnë përmendsh dhe të shpjegojnë referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te 1 Korintasve 15:40–42 . Veprimtaria vijuese është një mënyrë për ta bërë këtë.

Për këtë veprimtari, merreni parasysh t’i lejoni nxënësit ta plotësojnë çdo hap përpara se t’u jepni hapin e radhës.

  1. Shkruaj “1 Korintasve 15:40–42: Në Ringjallje, Ka Tri Shkallë Lavdie” në pjesën e sipërme të një flete letre.

  2. Vizato një diell poshtë frazës, një hënë poshtë diellit dhe një yll poshtë hënës.

  3. Lexo te 1 Korintasve 15:40–42 dhe emërtoje secilin nga vizatimet e tua me emrin e lavdisë që ai përfaqëson. (Vër re që Përkthimi prej Joseph Smith-it i vargut te 1 Korintasve 15:40 shton një referencë për lavdinë telestiale [te 1 Korintasve 15:40 .)

  4. Shiko vizatimin tënd ndërkohë që përsërit referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë në mendjen tënde derisa të ndihesh i sigurt që i di mirë ato.

  5. Si do t’ia shpjegoje të vërtetat e dhëna mësim në këtë fragment dikujt i cili nuk e kupton se çfarë ndodh pas vdekjes në planin e Atit Qiellor? Shkruaje shpjegimin tënd me fjalët e tua.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të lëvizin nëpër klasë dhe t’ua tregojnë shpjegimet e tyre të paktën tre nxënësve të tjerë. Nëse nevojitet, përshtateni mënyrën se si këto të vërteta mund të përcillen përpara se nxënësit të fillojnë t’ia tregojnë ato njëri-tjetrit.

Nxitini nxënësit t’i mbajnë vizatimet e tyre ose t’i dorëzojnë në mënyrë që ato të përdoren për ta përsëritur këtë fragment në një mësim në të ardhmen e afërt.

Ushtroje vënien në zbatim

Zbatimi i parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore mund të na ndihmojë në situata nga jeta reale dhe për pyetje të rëndësishme që kemi.

Lexoji situatat vijuese dhe zgjidh një tek e cila dëshiron të përqendrohesh për veprimtarinë e radhës.

Ftojini nxënësit që e përfunduan veprimtarinë e përgatitjes së nxënësve t’i tregojnë situatat e tyre. Merreni parasysh t’i zëvendësoni situatat vijuese me situatat e nxënësve.

  1. Xhulia përpiqet sinqerisht të bëjë atë që është e drejtë, por ajo shpesh ndihet si e dënuar për shkak të dobësive të saj. Ajo beson se njerëzit e tjerë do të shkojnë në mbretërinë çelestiale, por dyshon se ajo do t’ia dalë.

  2. Maria sapo dëgjoi një bisedë të mrekullueshme për dhuratën e ringjalljes që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i japin kujtdo. Ajo pyet veten: “Përse duhet të pendohem ose t’i zbatoj urdhërimet nëse të gjithë do të ringjallen gjithsesi me një trup të pavdekshëm të përsosur?”

Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të formojnë grupe me nga tre, me të tjerë që zgjodhën të njëjtën situatë. Për veprimtarinë vijuese, çdo nxënësi të grupit mund t’i kërkohet që të studiojë dhe zbatojë një parim të ndryshëm të marrjes së njohurisë shpirtërore. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini ata ta raportojnë atë që mësuan në grupin e tyre.

Mund të jetë e dobishme të paraqitni ose të shtypni kopje të pjesëve vijuese që nxënësit t’u referohen teksa studiojnë.

Në mësimin e mëparshëm ti studiove rreth të vërtetës vijuese që jepet mësim te 1 Korintasve 15:40–42 : në planin e Atit Qiellor ka shkallë të ndryshme lavdie për trupat e ringjallur. Përdori parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe të vërtetën që jepet mësim te 1 Korintasve 15:40–42 për ta ndihmuar Xhulian ose Marian me shqetësimet ose pyetjet e saj.

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

Lexoje paragrafin 8 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022). Merreni parasysh t’i shenjoni dy pyetjet në fund të atij paragrafi.

  • Si do të zbatoheshin përgjigjet për këto dy pyetje në situatën e Xhulias apo Maries.

Paragrafi 8 thotë gjithashtu: “Ne kërkojmë ndihmën e Frymës së Shenjtë me qëllim që t’i shohim gjërat ashtu sikurse i sheh Zoti”.

  • Çfarë mund të shohë Zoti në këtë situatë që do të ishte e dobishme për Xhulian apo Marien? Përse?

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

Lexo paragrafët 11–12 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.

  • Ku do ta këshilloje Xhulian apo Marien t’i kërkonin të vërtetat që ju duhen në jetën e tyre?

  • Çfarë përvojash ke pasur që tregojnë rëndësinë e zgjedhjes me kujdes se ku e kërkon të vërtetën shpirtërore?

Gjej disa minuta për të kërkuar shkrime të shenjta të caktuara ose thënie profetike që ti e ndien se gjejnë zbatim në situatën e Xhulias apo Maries. (Disa fragmente të shkrimeve të shenjta nga mësimet e fundit që mund të jenë të dobishme përfshijnë 1 Korintasve 15:40–42 ; Doktrina e Besëlidhje 76:50–52, 62–64, 69–70, 71–76, 81–85 ; 88:21–24 .)

  • Çfarë gjete që mund ta tregosh? Si kanë sjellë të vërtetat që gjete një ndryshim në jetën tënde?

Ecni nëpër dhomë dhe ndihmojini nxënësit që janë të pasigurt se si t’i gjejnë fragmentet e shkrimeve të shenjta ose thëniet nga udhëheqës të Kishës. Merreni parasysh t’u tregoni atyre se si ta gjejnë atë që po kërkojnë në vend që thjesht t’u jepni atyre një referencë të shkrimit të shenjtë ose një thënie që mund të zbatohet.

Vepro me besim

Shqyrtoji paragrafët 5–6 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor. Merre parasysh të shenjosh të paktën tri fraza ose ide të ndryshme që ti mendon se mund ta ndihmojnë Xhulian ose Marien.

  • Çfarë frazash zgjodhe? Si mund ta ndihmojë secila nga këto fraza Xhulian ose Marien?

  • Nëse ke pasur mendime të ngjashme me ato të Xhulias apo Maries, çfarë bëre për t’iu përgjigjur me besnikëri atyre mendimeve?

  • Përse secila nga këto të reja do të duhej ta përqendronte besimin te Jezu Krishti ndërsa punon për ta zgjidhur situatën e vet? Përse të mos bëjë thjesht më të mirën që mundet pa u përqendruar tek Ai?

Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të reflektojnë për jetën, qëndrimet dhe pyetjet e tyre. Nxitini ata t’i përdorin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situatat e tyre jashtë klasës. Jepni dëshmi që këto parime mund t’i ndihmojnë ata të vijnë te Krishti për të gjetur të vërtetë dhe paqe më të madhe.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Në fillim ose në fund të një mësimi të ardhshëm, shpenzoni jo më shumë se tre deri në pesë minuta me përsëritjen e fragmentit të zotërimit doktrinor. Për shembull, nxënësit mund t’i shqyrtojnë vizatimet e tyre për tri shkallët e lavdisë ndërkohë që e përsëritin herë pas here referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë në mendjen e tyre. Më pas ftojini ata t’ia tregojnë vizatimin e tyre një shoku ndërkohë që e përsëritin me zë të lartë përmendsh referencën dhe frazën.