2 Korintasve 1–7
Vështrim i Përgjithshëm
Kur populli i Korintit përjetoi vështirësi, Pali u shkroi anëtarëve të Kishës atje që t’u ofronte përkrahje dhe këshilla të vazhdueshme. Ai i ftoi ata ta falnin njëri-tjetrin, si për të mirën e personit që do të merrte faljen, ashtu edhe për të mirën e tyre. Ai dha mësim se me anë të Shlyerjes së Krishtit, ata mund të shëlbeheshin nga mëkati dhe të ktheheshin në një marrëdhënie të favorshme me Perëndinë. Për gëzimin dhe kënaqësinë e tij, ai mori lajmin se shenjtorët korintas kishin përjetuar pendim të vërtetë.
Përgatituni të Jepni Mësim
Informacioni i mëposhtëm u ofron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.
2 Korintasve 1; 4
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë disa nga mënyrat se si Perëndia u siguron ngushëllim fëmijëve të Tij dhe të përcaktojnë mënyrat se si mund t’u tregojnë të tjerëve për ngushëllimin e Tij.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për mënyra të ndryshme se si marrin ngushëllim kur gjërat shkojnë keq në jetën e tyre. Nëse është e mundur, nxitini ata të sjellin një figurë ose një send që përfaqëson një burim ngushëllimi për ta.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Kur nxënësve u kërkohet të mendojnë për gjëra që i ngushëllojnë, merreni parasysh të tregoni disa sende ose figura nga shtëpia që ju ngushëllojnë juve personalisht. Shfaqja e këtyre sendeve në ekran dhe shpjegimi i rëndësisë së tyre mund të ndihmojë në eliminimin e largësisë dhe të krijojë një mjedis të rehatshëm të të mësuarit.
2 Korintasve 2
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta rritin kuptueshmërinë e tyre për rëndësinë e faljes dhe dëshirën e tyre për t’i falur të tjerët.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar shembullin e dikujt që ata e njohin, i cili i ka dhënë falje si ajo e Krishtit një personi tjetër.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për vargjet te 2 Korintasve 2:5–11 përdorni funksionin e tabelës së bardhë për të krijuar dy kolona. Emërtojeni njërën kolonë “Si duhet ta trajtojmë një person që na ka shkaktuar pikëllim?” dhe kolonën tjetër “Pse duhet t’i trajtojmë njerëzit në këtë mënyrë?” Më pas nxënësit mund të ftohen t’i shprehin mendimet e tyre që ju t’i shtypni me tastierë ose ata mund t’i shtypin vetë me tastierë përgjigjet e tyre duke përdorur mjetin e shënimeve.
2 Korintasve 5
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të afrohen më pranë Perëndisë dhe të bëhen ata që Ai dëshiron që ata të bëhen.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin për raste kur janë ndier pranë Perëndisë dhe raste kur janë ndier të largët prej Tij dhe të vijnë në klasë të përgatitur për t’u mbështetur te këto përvoja.
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Tri pyetjet që nxënësit do t’i kenë parasysh teksa studiojnë vargjet te 2 Korintasve 5:17–21 , si edhe katër idetë që do t’i përsiatin më vonë në mësim (filloni me “Si mund të duket dhe ndihet të jesh i paqtuar me Perëndinë përjetësisht?”)
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Në fillim të mësimit, ftojini nxënësit të tregojnë në bisedë disa situata nga jeta reale që mund të jenë të ngjashme me ato të mësimit. Ata mund të ftohen të mendojnë se si të vërtetat në këtë mësim mund t’i ndihmojnë në ato situata.
2 Korintasve 7
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë një element të rëndësishëm të pendimit të vërtetë dhe t’i ndihmojë ata të vijnë më pranë Jezu Krishtit.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për mënyrën se si ata mund ta dinë nëse kanë përjetuar pendim të vërtetë. Ata gjithashtu mund të ftohen të studiojnë pjesën “Trishtimi sipas Perëndisë çon drejt pendimit” nga përvijimi i materialit Eja, Më Ndiq (“11–17 Shtator. 2 Korintasve 1–7: ‘Paqtohuni me Perëndinë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023).
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh të krijoni një tabelë me një kolonë të emërtuar “Trishtimi sipas Perëndisë” dhe një kolonë të emërtuar “Trishtimi sipas Botës”. Më pas ndajeni ekranin tuaj dhe plotësojini kolonat me idetë e nxënësve rreth atyre dy lloje trishtimesh. Përndryshe, nxënësit mund të kërkojnë në faqen ChurchofJesusChrist.org figura që ilustrojnë ose trishtimin sipas Perëndisë ose trishtimin sipas botës. Më pas nxënësit mund t’i shtojnë këto në një tabelë të përbashkët që mund ta shohin të gjithë. Ftojini nxënësit të shpjegojnë se si figurat që ata treguan, ilustrojnë trishtimin sipas Perëndisë ose sipas botës.
Përsëritja 19 e Zotërimit Doktrinor
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë përmendsh disa nga referencat e shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor të Dhiatës së Re dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë.
-
Përgatitja e nxënësve: Jepuni nxënësve një kopje të tabelës me referencat e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë dhe ftojini ata të mësojnë përmendsh sa më shumë të munden nga pesë referencat e shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë. Nxënësit mund të përdorin gjithashtu programin kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor]. Përndryshe, nxënësit mund të përpiqen ta mësojnë përmendsh një fragment të plotë të zotërimit doktrinor.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Duke përdorur pesë fragmentet e zotërimit doktrinor të mësimit ose cilëndo nga pesë fragmentet që nxënësit duhet t’i përsëritin, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë frazat kyç të shkrimit të shenjtë në pesë shirita letre të veçantë. Ngrijeni një nga fragmentet në ekran dhe më pas ftojini nxënësit ta ngrenë njëkohësisht frazën kyç të saktë nga shkrimi i shenjtë kur të numëroni deri në tre. Vazhdojeni këtë veprimtari derisa të gjitha fragmentet të jenë shqyrtuar dhe nxënësit të ndihen të sigurt se mund t’i përputhin fragmentet me saktësi.