2 Korintasve 1; 4
“Ngushëlluar nga Perëndia”
Ne të gjithë përjetojmë pikëllim dhe trishtim, probleme dhe pengesa, shqetësim dhe sëmundje. Kur njerëzit në Korint përjetuan vështirësi, Pali u shkroi anëtarëve të Kishës atje për t’u ofruar përkrahje dhe këshilla të vazhdueshme. Ai dëshmoi për ngushëllimin dhe paqen që është në dispozicion të tyre nëpërmjet Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit (shih 2 Korintasve 1:3–4). Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh disa nga mënyrat se si Perëndia u ofron ngushëllim fëmijëve të Tij dhe të përcaktosh mënyrat se si mund t’u tregosh të tjerëve për ngushëllimin e Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çfarë të sjell ngushëllim?
-
Te çfarë apo te kush drejtohesh për ngushëllim gjatë kohëve të vështira?
-
Çfarë ose kush të jep më shumë ngushëllim? Përse?
Bëj një listë të situatave aktuale ose të ardhshme të jetës ku mund të të duhet ndihmë dhe ngushëllim për t’i kapërcyer.
Përsiati pyetjet vijuese:
-
Përse mund të besosh se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të të ngushëllojnë nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë gjatë këtyre kohëve?
-
Sa mirë ndihesh që e pranon dhe e merr ngushëllimin që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ofrojnë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
-
Si mund të jesh në gjendje t’u tregosh të tjerëve për ngushëllimin që Ata ofrojnë?
Kërko përgjigje për pyetjet e mëparshme teksa e studion këtë mësim.
Pali donte që t’i ngushëllonte shenjtorët korintas në sprovat e tyre
Ndërkohë që ishte në Maqedoni, Pali mori lajm nga një dishepull i quajtur Titi, që letra e tij e mëparshme ishte pritur mirë nga shenjtorët në Korint (shih 2 Korintasve 2:13 ; 7:5). Pali mësoi gjithashtu për sfidat e vazhdueshme të këtyre shenjtorëve dhe shkroi një letër tjetër (2 Korintasve) për t’u ofruar atyre ngushëllim dhe për të trajtuar problemet e tyre.
-
Çfarë mban mend për Korintin dhe vështirësitë e shenjtorëve atje?
Lexo vargjet te 2 Korintasve 1:1–4 , duke i kushtuar vëmendje mënyrës se si Pali e nis letrën e tij të dytë drejtuar shenjtorëve korintas.
-
Çfarë të bëri përshtypje në pjesën hyrëse të letrës së Palit për shenjtorët?
-
Cilët emra apo tituj përdori Pali për Atin Qiellor që ta tërhoqën vëmendjen?
-
Çfarë të mësojnë këta emra apo tituj për Atin Qiellor?
-
Çfarë të vërtete dha mësim Pali te vargu 4 ?
Marrja e ngushëllimit nga Ati Qiellor dhe ndihma ndaj të tjerëve që ta marrin atë
Ti mund të kesh përcaktuar një të vërtetë nga vargu 4 si kjo në vijim: Kur ne marrim ngushëllimin e Atit Qiellor gjatë sprovave tona, ne mund t’i ndihmojmë më mirë edhe të tjerët që ta marrin atë.
-
Si mendon, çfarë do të thotë të “ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi”? ( Vargu 4 .)
-
Përse e mendon këtë pritshmëri për dishepujt e Jezu Krishtit?
-
Kur ke marrë ti ose dikush që ti njeh ndihmë dhe ngushëllim nga Ati Qiellor gjatë një sprove?
-
Çfarë mësove ti ose ata nga ajo përvojë?
-
Çfarë mendon se mund të bësh për të marrë më shumë nga ngushëllimi i Perëndisë kur të nevojitet?
Lexo thënien e mëposhtme nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985).
“Perëndia na shikon vërtet dhe kujdeset për ne. Por zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që ai i plotëson nevojat tona. Prandaj, është jetike që ne t’i shërbejmë njëri-tjetrit në mbretëri.”
(Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 82.)
Nëse është në dispozicion, shih materialin filmik “God Will Lift Us Up” [“Perëndia do të na Lartësojë”] (04:58) në ChurchofJesusChrist.org. Ai tregon historinë e një të reje me emrin Britani, e cila gjeti ngushëllim në shërbimin ndaj të tjerëve dhe në mirëbesimin te Zoti, në vend që të përqendrohej te gjendja e saj shëndetësore.
-
Si mendon, përse Ati Qiellor na përdor shpesh për t’i ndihmuar të tjerët gjatë sprovave të tyre për të ndier dashurinë dhe ngushëllimin e Tij?
Mendo për dikë që ti e njeh, i cili aktualisht po përjeton një vështirësi. Mendo plot lutje se si mund ta ndihmosh atë të ndiejë ngushëllimin që Ati Qiellor ofron ndërsa bën sa vijon:
A. Mendo për atë që ke mësuar prej 2 Korintasve 1:1–4 , që mund ta ndihmojë këtë person.
B. Lexo dy ose më shumë nga grupet vijuese të vargjeve, që përmbajnë mësimet shtesë të Palit rreth sprovave drejtuar korintasve. Gjej një frazë apo varg që ti e ndien se do të ishte kuptimplotë për personin që zgjodhe.
C. Bëj diçka tani për ta ndihmuar këtë person të ndiejë ngushëllimin e Atit Qiellor. Merre parasysh të lutesh për të ashtu si shenjtorët korintas u lutën për Palin (shih 2 Korintasve 1:11). Përveç këtyre, ti mund t’i shkruash këtij personi një mesazh nxitës ashtu si Pali bëri për korintasit, megjithëse mesazhi yt mund të jetë mesazh në celular, postë elektronike ose një shënim në vend të një letre. (Merre parasysh të përfshish atë që mësove në këtë mësim prej 2 Korintasve 1:4 si edhe çdo përvojë vetjake që mund të të ndihmojë.)
D. Bëj plane shtesë për ta ndihmuar këtë person. Ati Qiellor mund të të nxitë që të ndërmarrësh veprime të tjera, si për shembull t’i bësh vizitë ose t’i shërbesh atij në ndonjë mënyrë. Sigurohu që të mbash shënim çdo plan që të vjen në mendje në një vend ku do të kujtohesh ta ndjekësh, për shembull në kalendarin tënd, në telefonin tënd inteligjent ose në një fletë letre të cilën do ta shohësh më vonë.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
2 Korintasve 1:4 . Përse Zoti pret nga unë që të shkoj dhe t’i ngushëlloj njerëzit në nevojë?
Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon:
“Nga çasti kur dalim nga ujërat e pagëzimit, ne jemi të ngarkuar me këtë punë. Ne u shkojmë të tjerëve në ndihmë, sepse kjo është ajo që na urdhëroi Shpëtimtari të bëjmë. … Sa herë që fqinjët tanë kanë shqetësime materiale ose shpirtërore, ne vrapojmë për t’i ndihmuar. Ne mbajmë barrët e njëri‑tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta. Vajtojmë me ata që vajtojnë. I ngushëllojmë ata që kanë nevojë për ngushëllim. Zoti plot dashuri, e pret këtë prej nesh. Dhe do të vijë dita kur do të mbajmë përgjegjësi për kujdesin që tregojmë në dhënien e shërbesës për grigjën e Tij.”
(Geri E. Stivenson, “Kujdestaria si një Bari për Shpirtrat”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 111.)
2 Korintasve 4:17 . Çfarë nënkuptoi Pali kur iu referua sfidave tona në vdekshmëri si një “trishtim … i lehtë”?
Plaku Pol V. Xhonson, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:
“Në mes të problemeve, është thuajse e pamundur të shohim se bekimet që po vijnë, janë shumë më të mëdha se dhimbja, poshtërimi ose fatkeqësia që mund të jemi duke përjetuar në atë kohë. … Apostulli Pal na mësoi: ‘Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie’ [ 2 Korintasve 4:17 ]. Është interesante se Pali përdor termin ‘trishtim … i lehtë’. Kjo vjen nga një njeri që e kishin rrahur, goditur me gurë, i ishte mbytur anija, e kishin burgosur dhe kishte provuar shumë sprova të tjera. Dyshoj nëse shumë nga ne do t’i quanim fatkeqësitë tona të lehta. Përsëri, në krahasim me bekimet dhe rritjen që marrim së fundi, si në këtë jetë edhe në përjetësi, fatkeqësitë tona vërtet janë të lehta. …
Nganjëherë ne dëshirojmë të kemi rritje pa sfida dhe të forcohemi pa asnjë përpjekje. Por rritja nuk mund të vijë duke ndjekur udhën e lehtë. Ne e kuptojmë qartë se një atlet që nuk bën trajnim të fortë, nuk do të bëhet kurrë atlet i klasit botëror. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos kemi zët vetë ato gjëra që na ndihmojnë të veshim natyrën hyjnore.”
(Pol V. Xhonson, “Më Shumë se Fitimtarë për Hir të Atij që na Deshi”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 79–80.)