Seminari
1 Gjon 1–5


1 Gjon 1–5

“Perëndia Është Dashuri”

A Hispanic man gives the Savior, Jesus Christ, a hug. Christ is wearing a white robe.

Si është ndikuar jeta jote nga dashuria? Përse na nevojitet të gjithëve të ndiejmë dashuri, sidomos dashurinë e Perëndisë? Apostulli Gjon u shkroi letra shenjtorëve të cilët po mashtroheshin nga mësimet e rreme. Ai u përqendrua te dashuria e Perëndisë për shenjtorët dhe në mënyrën se si kjo dashuri u shfaq nëpërmjet misionit shpëtues të Jezu Krishtit. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta ndiesh dashurinë e Perëndisë për ty.

Theksimi i të mësuarit të ungjillit të përqendruar te shtëpia. Të mësuarit e ungjillit është një veprimtari e përqendruar te shtëpia. Kërkoni mundësi për t’i nxitur nxënësit të tregojnë në klasë atë që po mësojnë në shtëpi. Gjithashtu, nxitini ata t’u tregojnë familjeve të tyre atë që po mësojnë dhe përjetojnë në seminar.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar mënyra të ndryshme se si ata mund ta plotësojnë me saktësi thënien vijuese: “Perëndia është …”.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Perëndia është …

Paraqitni frazën “Perëndia është …”. Ftojini nxënësit të reflektojnë rreth përgatitjes së tyre për orën mësimore teksa përcaktojnë sa më shumë mënyra të munden për ta plotësuar me saktësi këtë thënie. Nxënësit mund të punojnë në dyshe ose në grupe të vogla dhe mund të shkruajnë në tabelë mënyra se si do ta plotësonin thënien. Ftoni disa vullnetarë të tregojnë se përse e plotësuan fjalinë në atë mënyrë.

Në ditarin e studimit shkruaj frazën: “Perëndia është …”. Shkruaj sa më shumë mënyra që mund të mendosh për ta plotësuar saktë këtë thënie. Për shembull, ti mund të shkruash: “Perëndia është i gjithëditur” ose “Perëndia është i gjithëfuqishëm”.

Lexo vargjet te 1 Gjon 4:8, 16 , duke kërkuar mënyrat se si Gjoni e përshkroi Perëndinë.

  • Çfarë gjete?

  • Si mendon, përse Perëndia mund të përshkruhet si dashuri?

Një nga karakteristikat përcaktuese të Perëndisë është dashuria e Tij për ne. Mendo për pyetjet vijuese:

  • A e ndien se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të duan ty personalisht? Përse po ose përse jo?

  • A e beson se Ata janë në dijeni për ty dhe për sukseset dhe vështirësitë e tua vetjake? Përse po ose përse jo?

  • Cilat janë mënyrat se si Ata e kanë treguar ose mund ta tregojnë dashurinë e Tyre për ty?

Teksa e studion letrën e Gjonit, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve. Gjithashtu, përsiat se si të kuptuarit dhe të ndierit e dashurisë së Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për ty mund të sjellin një ndryshim në jetën tënde.

Merreni parasysh ta ftoni një nxënës ta lexojë ose përmbledhë paragrafin vijues.

Mësimet e Gjonit për dashurinë e Perëndisë

Ka të ngjarë që Gjoni i shkroi letrat e tij nga Efesi midis viteve 80 ps.K. dhe 100 ps.K. Disa anëtarë të Kishës kishin përqafuar bindjet e një grupi të quajtur Gnostikët. Ky grup dha mësim se Jezusi nuk kishte një trup fizik dhe se shpëtimi erdhi nëpërmjet njohurisë së veçantë dhe jo nëpërmjet besimit te Krishti. Gjoni i hodhi poshtë këto doktrina të rreme duke dhënë mësim disa tema të rëndësishme, përfshirë mënyrën se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e treguan dashurinë e Tyre të përsosur nëpërmjet jetës, Shlyerjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit (shih te 1 Gjon 1:1–3 ; 3:16 ; 4:9–10).

Merreni parasysh të vizatoni një zemër të madhe në tabelë. Ndërsa nxënësit kryejnë veprimtarinë vijuese të studimit dhe plotësojnë vizatimin e tyre të zemrës në ditarin e studimit, ata mund të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë vargun dhe frazën e tyre të parapëlqyer në vizatimin e zemrës për klasën.

Lexo te 1 Gjon 4:19 dhe merr parasysh të shenjosh arsyen pse ne e duam Perëndinë sipas Gjonit.

Në ditarin tënd të studimit vizato një zemër të madhe. Në mes të zemrës shkruaj: “Unë e di se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti më duan sepse …”. Lër hapësirë të mjaftueshme për të shkruar referencat dhe frazat e shkrimit të shenjtë. Përsiat se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti “na desh[ën të] par[ët]”.

Lexoji fragmentet vijuese. Kërko dhe shenjo fraza që tregojnë dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për ty. Shkruaji ato fraza bashkë me referencat përkatëse të shkrimit të shenjtë brenda zemrës.

Sigurohuni që t’i vendosni referencat vijuese të shkrimit të shenjtë aty ku nxënësit mund t’i shohin.

1 Gjon 2:1–2 (Shënim: Avokat është dikush që ndërhyn për ne, na ngushëllon dhe na përkrah. Shlyerje do të thotë një sakrificë shlyese që kënaq drejtësinë e Perëndisë.)

1 Gjon 3:5, 16, 22

1 Gjon 4:9–10, 13–19

1 Gjon 5:12–15, 20

Shqyrtoji frazat dhe referencat që shenjove dhe mbajte shënim. Zgjidh frazën që është më kuptimplotë për ty dhe plotëso dy ose tre nga sa vijojnë:

Paraqitini udhëzimet vijuese që nxënësit t’i shohin teksa e plotësojnë veprimtarinë.

Merreni parasysh t’u jepni nxënësve një shembull të mënyrës se si ta plotësojnë pjesën vijuese të shënimit të ditarit të tyre.

  1. Shpjego se si fraza që zgjodhe është kuptimplotë për ty.

  2. Nëse është e mundur, përshkruaj një përvojë në të cilën ti e ndjeve dashurinë e Atit Qiellor ose Jezu Krishtit në atë mënyrë. Ti mund të tregosh edhe një shembull nga shkrimet e shenjta, një material filmik të Kishës ose një bisedë të konferencës së përgjithshme. (Për të parë një shembull, merre parasysh të shohësh bisedën e Plakut Dejll G. Renland, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Që t’i Tërheq të Gjithë Njerëzit tek Unë” nga kodi kohor 07:32 deri në 09:14.)

Përshkruaj se si njohja e të vërtetës së kësaj fraze ka sjellë, po sjell ose mund të sjellë një ndryshim në jetën tënde. Merre parasysh të shtosh dëshminë tënde vetjake për dashurinë e Perëndisë.

Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për të plotësuar shënimin në ditarin e tyre. Ftojini disa vullnetarë t’ia tregojnë klasës atë që shkruan.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit që munden, të tregojnë një fotografi të faqes së ditarit të tyre në median shoqërore bashkë me dëshminë e tyre vetjake për dashurinë e Perëndisë.

Merre parasysh t’ua tregosh këtë shënim në ditar miqve dhe familjarëve ose edhe në median shoqërore.

Përsiat atë që ke mësuar teksa lexon thënien vijuese nga Plaku Robert C. Gei, i Të Shtatëdhjetëve, për fuqinë e dashurisë së Perëndisë:

Former Official Portrait of Elder Robert C. Gay. Photographed in March 2017. Replaced February 2021.

“Dashuria e Tij është më e madhe se frika jonë, plagët tona, varësitë tona, dyshimet tona, tundimet tona, mëkatet tona, familjet tona të shkatërruara, depresioni dhe ankthet tona, sëmundja jonë kronike, varfëria jonë, keqtrajtimi ynë, dëshpërimi ynë dhe vetmia jonë. Ai do që të gjithë ta dinë se nuk ka asgjë dhe asnjë njeri që Ai nuk mund ta shërojë dhe t’i sjellë gëzim të qëndrueshëm.”

(Robert C. Gei, “Marrja mbi Vete e Emrit të Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 99)

  • Çfarë është më e rëndësishme për ty në këtë thënie? Përse?

Të ndiejmë dashurinë e Perëndisë

Përfytyro sikur dikush që ti njeh, nuk mendoi se e ndjeu dashurinë e Perëndisë ose nuk e vuri re shumë shpesh. Mendo për atë që ke mësuar sot, si edhe për përvojat e tua vetjake.

  • Çfarë mund t’i tregosh atij/asaj që mund ta ndihmojë të ndiejë dashurinë e Perëndisë?

Mund të jetë e efektshme t’u jepni kohë nxënësve ta përsiatin pyetjen e mëparshme përpara se të përgjigjen. Mund të jetë gjithashtu e dobishme t’i vini nxënësit t’i shprehin idetë në grupe të vogla përpara se ta diskutojnë pyetjen si klasë.

Në mësimet që vijojnë, do të studiosh mësimin tjetër të Gjonit rreth mënyrës se si ne e shfaqim dashurinë tonë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, duke përfshirë zbatimin e urdhërimeve të Tyre dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

Merreni parasysh të këndoni si klasë himnin “Qëndroj Plot Habi” (Himne, nr. 113) ose të tregoni një shembull vetjak të ndikimit të dashurisë së Perëndisë.

Kërko ndihmën e Atit Qiellor dhe dëgjo e ndiej nxitjet e Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Mendo për mënyrat se si mund të kesh qasje në dashurinë e Perëndisë ose ta marrësh atë dhe se si mund ta dallosh dashurinë e Tij më shpesh në jetën tënde. Përsiat se si përsëritja e vazhdueshme e kësaj mund ta rritë gëzimin që përjeton në jetën tënde.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Si mund të ndikojë në jetën tonë dallimi dhe të ndierit e dashurisë së Perëndisë?

Ndërsa shërbente si një anëtar i Të Shtatëdhjetëve, Plaku Xhon H. Groberg shpjegoi:

Former official portrait of Elder John H. Groberg of the Presidency of the Seventy, 1994. Released from the presidency effective August 15, 2005. Called as Idaho Falls Idaho Temple president effective November 1, 2005. Status changed to emeritus at October 2005 general conference.

“Kur mbushemi me dashurinë e Perëndisë, ne mund të bëjmë, shohim dhe kuptojmë gjëra që përndryshe nuk do të mund t’i bënim, shihnim ose kuptonim. Të mbushur me dashurinë e Tij, ne mund ta durojmë dhimbjen, ta shuajmë frikën, të falim lirisht, ta shmangim grindjen, ta ripërtërijmë forcën dhe t’i bekojmë dhe ndihmojmë të tjerët në mënyra befasuese edhe për vetë ne.

Jezu Krishti ishte i mbushur me dashuri të paimagjinueshme ndërsa duroi dhembje, mizori dhe padrejtësi të papërfytyrueshme për ne. Nëpërmjet dashurisë së Tij për ne, Ai u ngrit mbi pengesat përndryshe të pakapërcyeshme. Dashuria e Tij nuk njeh pengesa. Ai na fton ta ndjekim Atë dhe të marrim pjesë në dashurinë e Tij të pakufizuar në mënyrë që edhe ne të mund të ngrihemi mbi dhimbjen, mizorinë e padrejtësinë e kësaj bote dhe të ndihmojmë, falim dhe bekojmë.”

(John H. Groberg, “The Power of God’s Love”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 11)

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Dëshmitarët e Ringjalljes së Shpëtimtarit dëshmojnë për realitetin e Tij dhe na ndihmojmë ta dallojmë dashurinë e Tij personale

Nëse nxënësit do të merrnin dobi nga diskutimi i natyrës personale të dashurisë së Shpëtimtarit, ftojini ata të lexojnë vargjet te 1 Gjon 1:1–3 dhe 3 Nefi 11:13–17. Këto fragmente përshkruajnë përvojat që si Gjoni, edhe njerëzit në kontinentin amerikan patën me Shpëtimtarin e ringjallur.

Ftojini nxënësit të tregojnë atë që këto përvoja u mësojnë rreth Jezu Krishtit dhe dashurisë së Tij.

Dëshmoni se ndonëse mund të mos jemi fizikisht në gjendje ta prekim Shpëtimtarin, Ai mund të na ndihmojë të arrijmë ta njohim Atë nëpërmjet mënyrave të tjera, siç janë shkrimet e shenjta dhe Fryma e Shenjtë. Ai do të na e shfaqë dashurinë e Tij nëpërmjet shumë mëshirave të dhembshura që na i jep (shih 1 Nefi 1:20). Ftojini nxënësit të tregojnë shembuj vetjakë të kohës kur e kanë përjetuar dashurinë e Shpëtimtarit për ta.

1 Gjon 2:1. “Kemi një avokat”

Nëse nxënësit do të merrnin dobi nga një kuptueshmëri më e mirë e rolit të Shpëtimtarit si avokati ynë me Atin, ftojini ata të studiojnë vargjet te 1 Gjon 2:1–2. Tregoni që avokat do të thotë dikush që ndërhyn për ne, na ngushëllon dhe na përkrah. Ftojini nxënësit të studiojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 45:3–5 , duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari është avokati ynë. Mund të jetë gjithashtu e dobishme që nxënësit të lexojnë letrën e Filemonit për të parë se si Pali ishte avokat për Onesimin teksa u kërkoi anëtarëve të Kishës ta pranonin Onesimin për shkak të Palit. Ose ata mund të lexojnë ndodhinë e Abigailit, Nabalit dhe Davidit te 1 Samuelit 25:1–35 për të parë se si Abigaili veproi si avokate duke ofruar të mbante përgjegjësi për gabimet e Nabalit në mënyrë që ai të mos e merrte ndëshkimin që Davidi erdhi t’i jepte. Ftojini nxënësit të tregojnë mënyra se si Shpëtimtari ka qenë, është dhe do të jetë një avokat për ta dhe përse kjo është e rëndësishme ta kuptojmë.

Perëndia është dritë dhe dashuri

Nëse nxënësit do të merrnin dobi nga përqendrimi te drita e Perëndisë përveç se te dashuria e Perëndisë, merreni parasysh t’i ftoni ata të studiojnë vargjet te 1 Gjon 2:8–11 ; 3:16, 23–24 ; 4:7–21. Ftojini ata të përsiatin për përvojat që pati Gjoni me dritën dhe dashurinë e Shpëtimtarit (si ato të regjistruara te Gjoni 2:1–11 ose Gjoni 5:1–9). Ata mund të marrin parasysh gjithashtu atë që mësoi Gjoni nga mësimet e Jezusit të regjistruara te Gjoni 3:16–17 ; 8:12 ; 12:35–36, 46 ; 15:9–14 ; 19:25–27. Ftojini nxënësit të tregojnë ngjashmëritë ndërmjet këtyre mësimeve dhe asaj çfarë na mëson letra 1 Gjon rreth dritës dhe dashurisë së Perëndisë. Ftojini nxënësit të tregojnë përvojat që ua kanë mësuar atyre se Perëndia është dritë dhe dashuri.