Seminari
Përsëritja 23 e Zotërimit Doktrinor


Përsëritja 23 e Zotërimit Doktrinor

Kupto dhe Shpjego

A young woman studying the scriptures.

Një nga qëllimet e zotërimit doktrinor është të të ndihmojë të kuptosh doktrinën që përmbajnë fragmentet e zotërimit doktrinor dhe të jesh në gjendje ta shpjegosh atë me fjalët e tua. Ky mësim do të të japë mundësinë ta thellosh të kuptuarit tënd për të vërtetat që gjenden në 13 fragmentet e zotërimit doktrinor për gjysmën e dytë të Dhiatës së Re dhe tʼi shpjegosh ato.

Nxitja për studim dhe shqyrtim të rregullt të fragmenteve të zotërimit doktrinor. Mësimi përmendsh, të kuptuarit, shpjegimi dhe zbatimi i fragmenteve të zotërimit doktrinor kërkon studim dhe praktikë. Jepni çdo javë një mësim të zotërimit doktrinor dhe nxitini nxënësit ta shqyrtojnë rregullisht atë që kanë mësuar. Mos harroni që programi kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] është një burim me vlerë që mund t’i ndihmojë nxënësit të vazhdojnë t’i studiojnë fragmentet e zotërimit doktrinor.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit tʼi shqyrtojnë shkurtimisht 13 fragmentet e zotërimit doktrinor nga gjysma e dytë e Dhiatës së Re dhe më pas të zgjedhin një fragment që do të donin ta kuptonin më mirë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Mund të jetë e nevojshme të jepet një mësim për fragmentet e zotërimit doktrinor në vend të këtij mësimi për përsëritje. Referojuni udhëzuesit të ritmit mësimor të ofruar nga drejtori apo bashkërenduesi zonal ose rajonal për t’u siguruar që të jepet çdo mësim për fragmentet e zotërimit doktrinor gjatë zhvillimit të seminarit.

Bërja e pyetjeve

  • Kur je ndier mirënjohës që i bëre dikujt një pyetje? (Për shembull, mbase ti mësove diçka duke bërë një pyetje apo mbase more një këshillë me vlerë pasi ia kërkove atë një miku ose prindi.)

Merreni parasysh të tregoni një përvojë vetjake për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë për përvojat e tyre.

  • Cilat janë disa arsye përse është e rëndësishme të bësh pyetje kur mëson ungjillin e Jezu Krishtit?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha: “Bërja e pyetjeve dhe dhënia e përgjigjeve për to është në thelb të të gjithë të mësuarit dhe të gjithë mësimdhënies” (“The Lord Will Multiply the Harvest” [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 6 shkurt 1998], f. 5–6, te Teaching Seminary: Preservice Readings [2004], f. 98).

Bërja e pyetjeve për fragmentet e zotërimit doktrinor mund të na ndihmojë t’i kuptojmë ato më mirë dhe ta ftojmë në mënyrë më të plotë ndihmën e Shpëtimtarit në jetën tonë.

Merreni parasysh t’i paraqitni të 13 referencat e shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor ose t’u tregoni nxënësve se ku mund t’i shohin ato. Nëse dëshironi, përdorini të 24 fragmentet e zotërimit doktrinor të Dhiatës së Re për këtë shqyrtim ose zgjidhni vetëm disa, në varësi të nevojave të klasës.

Zotërimi Doktrinor i Dhiatës së Re: 1 Korintasve – Zbulesa

1 Korintasve 6:19–20

“Trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë.”

1 Korintasve 11:11

“Në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin.”

1 Korintasve 15:20–22

“Ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.”

1 Korintasve 15:40–42

Në Ringjallje, ka tri shkallë lavdie.

Efesianëve 1:10

“Kur të plotësoheshin kohërat, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat.”

Efesianëve 2:19–20

Kisha është “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes”.

2 Thesalonikasve 2:1–3

“Dita e Krishtit … nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia.”

2 Timoteut 3:15–17

“Shkrimet e shenjta … mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin.”

Hebrenjve 12:9

Ati Qiellor është “Ati [i] shpirtrave”.

Jakob [Bibël] 1:5–6

“Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia.”

Jakob [Bibël] 2:17–18

“Besimi, në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur.”

1 Pjetër 4:6

“Ungjilli [iu] predikua edhe të vdekurve.”

Zbulesa 20:12

“Dhe të vdekurit u gjykuan … sipas veprave të tyre.”

Doctrinal Mastery

Merreni parasysh ta kryeni veprimtarinë vijuese si klasë duke përdorur një nga fragmentet e zotërimit doktrinor, duke i ftuar më pas nxënësit ta përsëritin veprimtarinë duke përdorur një fragment të ndryshëm të zotërimit doktrinor të zgjedhur prej tyre. Nxënësit mund të punojnë në grupe, në dyshe ose individualisht, në varësi të nevojave të klasës.

Zgjidh një nga 13 fragmentet e zotërimit doktrinor që dëshiron ta kuptosh më mirë. Lexoje me kujdes. Analizoji fjalët dhe frazat e fragmentit të zotërimit doktrinor, duke vënë re atë që ti kupton rreth fragmentit dhe ato pyetje që ti ose dikush tjetër mund t’i bëjë rreth fragmentit. Për shembull, diçka për të cilën mund të pyesësh rreth vargjeve tek Efesianëve 2:19–20 është: “Çfarë është guri i qoshes dhe përse Jezu Krishti krahasohet me një të tillë?” Ose mund të pyesësh veten se çfarë do të thotë fjala “rënia” te 2 Thesalonikasve 2:1–3 .

Shkruaj sa më shumë pyetje të mundesh.

Nxënësit mund ta shkruajnë fragmentin e zotërimit doktrinor që zgjodhën, në ditarin e tyre të studimit ose në një copë letër dhe më pas t’i shkruajnë pyetjet e tyre përreth tij.

Pasi të kesh shkruar sa më shumë pyetje të mundesh, përzgjidh disa pyetje që mendon se janë më të rëndësishmet për t’u kuptuar, dhe përgjigju për to duke përdorur mjetet e studimit të shkrimeve të shenjta në dispozicion. Këto mjete përfshijnë Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, poshtëshënimet te shkrimet e shenjta, programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose biseda të konferencave të përgjithshme. Ti mund zgjedhësh edhe të përdorësh disa strategji të studimit të shkrimit të shenjtë që i ke mësuar këtë vit, siç janë leximi i vargjeve pranë ose përpjekja për të kuptuar kontekstin e shkrimit të shenjtë. Shënoji përgjigjet e tua në ditarin tënd të studimit.

Kujtohu që jo të gjitha pyetjet mund të marrin përgjigje lehtësisht dhe se disa mund të kërkojnë më tepër kohë, studim me lutje dhe përsiatje.

Për t’i përfshirë më tej nxënësit dhe për të krijuar më tepër larmi, merreni parasysh t’u kërkoni atyre tʼi shkruajnë fragmentin e zotërimit doktrinor që zgjodhën dhe pyetjet e tyre, në një fletë letre të veçantë me emrin e tyre në të. Më pas ftojini nxënësit që t’i shkëmbejnë letrat e tyre me një nxënës tjetër. Përndryshe, ftojini nxënësit që t’i kalojnë letrat përpara në mënyrë që ato të përzihen dhe shpërndahen në mënyrë rastësore te nxënësit e tjerë.

Jepuni kohë nxënësve që t’i përdorin mjetet e studimit të shkrimit të shenjtë dhe strategjitë në dispozicion për të gjetur përgjigjet për pyetjet në letrat që morën, dhe për t’i shënuar ato përgjigje në letër. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit që t’ua dorëzojnë sërish letrat nxënësve emrat e të cilëve janë në letra.

Ftoni disa nxënës që ta tregojnë fragmentin e zotërimit doktrinor që zgjodhën, disa nga pyetjet që shkruan, dhe përgjigjet që zbuluan ata ose shokët e tyre të klasës. Gjithashtu, ju mund t’i pyesni ata se çfarë i ndihmon fragmenti i shkrimit të shenjtë që të kuptojnë rreth Shpëtimtarit ose ungjillit të Tij.

Nëse e lejon koha (ose në një ditë tjetër), merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta përsëritin veprimtarinë duke përdorur një fragment tjetër të zotërimit doktrinor.