1 Pjetër 2–3
“Ju Jeni Fis i Zgjedhur”
A të kanë pyetur ndonjëherë se përse beson tek të vërteta të caktuara të ungjillit? Apostulli Pjetër i nxiti shenjtorët që të ishin gjithnjë gati për të dëshmuar për të vërtetën dhe u kujtoi trashëgiminë e tyre hyjnore (shih te 1 Pjetër 2:9 ; 3:15). Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh rëndësinë e të qenit një shembull besnik i Jezu Krishtit dhe ofron mundësi për të ushtruar dhënien e përgjigjeve ndaj të tjerëve për besimin tënd.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Fjalë që përshkruajnë ndjekësit e Jezu Krishtit
-
A e ka vënë re ndonjëherë njeri që ti i bën gjërat ndryshe për shkak se je një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?
-
Çfarë përvojash ke me këtë?
-
Si ndihesh rreth të qenit ndryshe nga shumë njerëz të tjerë në botë?
Teksa studion sot, përsiat përse dhe si Zoti dëshiron që ndjekësit e Tij të dallohen dhe të jenë të ndryshëm.
Një popull i fituar
Lexo te 1 Pjetër 2:9 , duke kërkuar se si Pjetri i përshkroi shenjtorët në kohën e tij.
-
Çfarë të bëri përshtypje?
-
Çfarë sugjerojnë këto fjalë rreth mënyrës se si ndihet për ty Ati Qiellor?
Sot fjala i fituar shpesh do të thotë “i ndryshëm” ose “i dallueshëm”. Ndonëse Zoti dëshiron që ndjekësit e Tij të jenë të ndryshëm nga bota, në kohën e Pjetrit i fituar mund të ketë pasur një kuptim të ndryshëm.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Në Dhiatën e Vjetër, termi hebraik nga i cili u përkthye fjala i fituar është segullah, që do të thotë ‘pronë e çmueshme’ ose ‘thesar’. Në Dhiatën e Re, termi grek nga i cili u përkthye fjala i fituar është peripoiesis, që do të thotë ‘pronë’ ose ‘një fitim’.
Pra, ne shohim se termi në shkrimin e shenjtë i fituar do të thotë ‘thesar i çmueshëm’, ‘i bërë’ ose ‘i zgjedhur nga Perëndia’. Që ne të përcaktohemi nga shërbëtorët e Zotit si populli i tij i veçantë është një kompliment i nivelit më të lartë.”
(Russell M. Nelson, “Children of the Covenant”, Ensign, maj 1995, f. 34)
-
Si ndihesh kur e di se Perëndia të sheh si një thesar të dallueshëm dhe të çmueshëm?
Lexo te 1 Pjetër 2:9–12 , duke kërkuar ide se si mund të jesh ndryshe nga bota.
-
Çfarë gjete?
-
Sipas vargut 12 , si mund të ndikojmë tek të tjerët?
Një e vërtetë që mund të përcaktojmë nga këto vargje është se Perëndia u bën thirrje shenjtorëve të Tij të jenë të dallueshëm nga bota në mënyrë që të tjerët të mund ta shohin shembullin e tyre dhe ta përlëvdojnë Perëndinë.
Përsiati në heshtje thëniet vijuese dhe vlerësoje veten nga 1 te 5, ku 5 do të thotë se je plotësisht dakord.
1. Të tjerët më dallojnë lehtësisht si një ndjekës i Jezu Krishtit.
2. Si një ndjekës i Shpëtimtarit, nuk e kam problem të qenit ndryshe nga pjesa tjetër e botës.
-
Përse ndonjëherë është e vështirë të jesh ndryshe nga ata përreth teje?
-
Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për të na ndihmuar të ndihemi më mirë që jemi të veçantë dhe të dallueshëm nga bota?
-
Cilët janë disa shembuj nga jeta jote ose shkrimet e shenjta që tregojnë se si të qenit ndryshe nga bota i ndihmoi të tjerët të afroheshin më shumë me Perëndinë?
Ji gjithnjë gati
Pjetri e shkroi letrën e tij gjatë një kohe përndjekjeje dhe braktisjeje të madhe. Asokohe ishte e vështirë të ishe i krishterë, ashtu siç mund të jetë e vështirë të jesh një ndjekës i Jezu Krishtit sot. Megjithatë, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të ndiejnë gëzimin e të jetuarit të ungjillit kur jemi të gatshëm ta tregojmë atë që dimë dhe ndiejmë. Duke përdorur dy thëniet vijuese, vlerëso përgatitjen tënde për t’ua treguar besimin tënd të tjerëve. Përdor të njëjtën shkallë nga 1 në 5.
1. Unë dua t’ua tregoj besimin tim te Jezu Krishti dhe dëshminë time të tjerëve.
2. Jam i/e sigurt në aftësinë për ta shpjeguar besimin tim dhe për të dhënë përgjigje për ungjillin e Shpëtimtarit.
Lexo te 1 Pjetër 3:14–15 , duke kërkuar këshillën e Pjetrit për t’i treguar besimin tonë të tjerëve.
-
Si do t’i përmblidhje mësimet e Pjetrit me fjalët e tua?
-
Si të japin shpresë Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij?
-
Si mund t’i bekojë të tjerët të qenit gati dhe të gatshëm për të folur rreth Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij?
Një mënyrë e efektshme për të “[qenë] gjithnjë gati” ( 1 Pjetër 3:15) është që thjesht të ushtrosh se si mund t’u përgjigjesh pyetjeve dhe vëzhgimeve rreth sjelljes, bindjeve të tua ose vetë Kishës.
Hapi 1: Zgjidh të paktën dy nga pyetjet vijuese që të interesojnë ose shkruaj pyetje që të janë bërë lidhur me besimin tënd kohët e fundit.
-
Unë kam dëgjuar njerëz të thonë se “Jezusi shpëton”. Çfarë do të thotë kjo?
-
Përse është Kisha jote kundër pirjes së kafesë dhe disa llojeve të çajit?
-
Përse ngrihesh herët për të shkuar në një orë mësimore të seminarit?
-
Përse i intereson Jezu Krishtit se çfarë lloj gjuhe përdorim? Çfarë ndryshimi sjell kjo?
-
Përse duhet ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit? A nuk është e diela thjesht një ditë si gjithë të tjerat?
Hapi 2: Merre parasysh se si mund t’u përgjigjesh pyetjeve që zgjodhe, më pas krijo një përgjigje për secilën. Përfshi mendime se si besimi dhe shpresa jote te Jezu Krishti ndikon në përgjigjen tënde.
Hapi 3: Shkruaj arsyen përse e ndien se është e rëndësishme që të dallohesh dhe të flasësh me të tjerët për besimin tënd te Jezu Krishti. Nëse ndihesh i/e pasigurt, merre parasysh me lutje se si mund ta përgatitësh veten për ta bërë këtë gjë.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
1 Pjetër 2:9 . Si lidhen mësimet e Pjetrit me anëtarët e Kishës në periudhën tonë ungjillore?
Motra Beki Krejvën, e Presidencës së Përgjithshme të Të Rejave, dha mësim:
“Ne nuk i ulim standardet tona që të përshtatemi për dikë apo që ta bëjmë dikë të ndihet rehat. Ne jemi dishepuj të Jezu Krishtit dhe si të tillë, ne duhet t’i lartësojmë të tjerët, t’i ngremë në një nivel më të lartë e më të shenjtë, ku edhe ata të mund të korrin bekime më të mëdha. …
A mund ta shohin të tjerët lehtësisht shëmbëlltyrën e Tij në pamjen tonë dhe të kuptojnë se cilin përfaqësojmë ne nga mënyra se me sa kujdes e jetojmë jetën?
Si populli i besëlidhjes, nuk është e thënë që ne të shkrihemi me pjesën tjetër të botës. Ne jemi quajtur ‘një popull i fituar’ ( 1 Pjetër 2:9) – çfarë komplimenti! Ndërkohë që ndikimet e botës e përqafojnë gjithnjë e më shumë ligësinë, ne duhet të përpiqemi me gjithë zellin që të qëndrojmë të palëkundur përgjatë shtegut që na çon të sigurt drejt Shpëtimtarit tonë, duke e zgjeruar largësinë ndërmjet të jetuarit të besëlidhjeve nga ana jonë dhe ndikimeve të botës.”
(Beki Krejvën, “Të Qenit i Kujdesshëm Kundrejt të Qenit Rastësor”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 10)
Si mund të përgatitem dhe të përgjigjem në mënyrë të efektshme kur pyetem për bindjet e mia?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Si pasues të Jezu Krishtit, secili prej jush mund të jetojë në përputhje me mësimet e Tij. Ju mund të keni ‘një zemër të kulluar dhe … duar të pastra’; ju mund të keni ‘shëmbëlltyrën e Perëndisë të gdhendur mbi pamjen tuaj’. Veprat tuaja të mira do të jenë të dukshme për të tjerët. Drita e Zotit mund të ndriçojë në sytë tuaj. Me atë rrezatim, bëni mirë të përgatiteni se do t’ju bëjnë pyetje. Apostulli Pjetër këshilloi kështu: ‘Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju’ ( 1 Pjetër 3:15).
Përgjigjja juaj le të jetë e ngrohtë dhe e gëzueshme. Dhe përgjigjja juaj le të jetë e përshtatshme për atë individ. Kujtoni, ai ose ajo është gjithashtu një fëmijë e Perëndisë, e po atij Perëndie që dëshiron fort që ai person të kualifikohet për jetën e përjetshme dhe të kthehet tek Ai një ditë. Ju mund të jeni pikërisht ai, i cili do t’i hapë derën shpëtimit dhe kuptueshmërisë së doktrinës së Krishtit prej tij ose asaj.”
(Rasëll M. Nelson, “Bëhu Shembull për Besimtarët”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 47)