2 Pjetër 1
Bërja si Jezu Krishti
Pjetri u shkroi dishepujve të Jezu Krishtit që ishin të fortë në besimin e tyre. Teksa i afrohej fundit të jetës së tij, Pjetri deshi t’i ndihmonte këta shenjtorë të kujtonin bekimet e mëdha që u ishin premtuar besnikëve. Ai i nxiti shenjtorët të zhvillonin karakteristikat e Jezu Krishtit. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të hedhësh hapa për t’u bërë më i ngjashëm me Jezu Krishtin.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Arritje hap pas hapi
-
Cili është një synim kuptimplotë që do të dëshiroje ta arrije?
-
Çfarë po bën për ta përmbushur këtë synim?
Plaku Skot D. Uaiting, i Të Shtatëdhjetëve, dha një mësim që ai dhe bashkëshortja e tij e mësuan gjatë një përvoje që patën ndërkohë që po ngjiteshin në malin Fuxhi në Japoni. Mësimi që ata mësuan, mund të të ndihmojë të punosh për të arritur synimet e tua.Ti mund të duash ta shohësh materialin filmik “Bërja si Ai”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 02:35 deri në 03:09, ose të lexosh thënien vijuese:
“Pak vite më parë, bashkëshortja ime dhe unë qëndruam në fillim të shtegut të malit më të lartë të Japonisë, malit Fuxhi. Kur filluam ngjitjen tonë, hodhëm vështrimin drejt majës së largët dhe e pyetëm veten a mund të arrinim atje.
Teksa ecnim përpara, filluam të ndienim lodhjen, muskujt që na dhembnin dhe efektet e lartësisë. Nga ana mendore, u bë e rëndësishme që ne të përqendroheshim vetëm te hapi pasues. Thoshim: ‘Mund të mos ngjitem shpejt deri në majë, por mund ta hedh hapin tjetër pikërisht tani’. Me kalimin e kohës detyra e frikshme më së fundi u bë e arritshme – hap pas hapi.”
(Skot D. Uaiting, “Bërja si Ai”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 12)
-
Ky shembull mund të zbatohet për arritjen e shumë synimeve të ndryshme. Çfarë mund të na ndihmojë të kuptojmë rreth synimit të bërjes si Jezu Krishti?
Gjej një çast për të përsiatur për atë që ke bërë dhe po bën për t’u bërë si Jezu Krishti.
-
Çfarë është e vështirë te përpjekja për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti?
-
Çfarë të ka ndihmuar të përparosh në bërjen më shumë si Jezu Krishti?
Kujtohu që është e rëndësishme ta shohësh përparimin tënd në bërjen më shumë si Jezu Krishti si një proces gradual, hap pas hapi. Teksa e studion këtë mësim, kërko se çfarë mund të bësh me ndihmën e Shpëtimtarit për të hedhur hapin e radhës.
Natyra hyjnore
Në një letër drejtuar anëtarëve të Kishës që kishin tashmë besim te Jezu Krishti, Apostulli Pjetër shprehu dëshirën e tij që ata të merrnin bekimet e njohjes së Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe natyrës së Tyre hyjnore.
Lexo vargjet te 2 Pjetër 1:2–4 , duke kërkuar bekimet që mund të na vijnë nëpërmjet kësaj njohurie.
-
Si mendon, çfarë do të thotë të “bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore”? ( 2 Pjetër 1:4 .)
Secili prej nesh ka një natyrë hyjnore për shkak se ne jemi secili “një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë” (“ Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës ”, ChurchofJesusChrist.org). Jezu Krishti mund të na ndihmojë të zhvillojmë dhe përmirësojmë tipare si të Krishtit teksa përpiqemi fort të ndjekim shembullin e Tij të përsosur dhe të mbështetemi tek Ai për të na ndihmuar të ndryshojmë.
Në ditarin tënd të studimit, vizato një përvijim të thjeshtë të malit Fuxhi ose një mali tjetër të zgjedhur prej teje. Te skica e malit, shkruaj disa nga tiparet e Jezu Krishtit.
-
Cilat nga tiparet e Jezu Krishtit admiron më së shumti? Përse?
Lexo vargjet te 2 Pjetër 1:5–7 , duke kërkuar tiparet si të Krishtit të renditura nga Pjetri. Shtoji këto tipare tek ato që shkrove në malin në ditarin tënd të studimit.
Gjej një çast për të menduar rreth asaj që Pjetri mund të ketë nënkuptuar me anë të shprehjes “duke bërë çdo përpjekje” ( vargu 5).
-
Si mund ta ilustrosh këtë në diagramin tënd?
Lexo te 2 Pjetër 1:8–11 , duke kërkuar atë që Pjetri u tha shenjtorëve se do të ndodhte nëse ata i zhvillonin këto tipare.
-
Cila është një e vërtetë që e mëson nga këto vargje?
Mendo për atë që mund t’i shtosh diagramit tënd për shkak të asaj që po mëson. Ti mund të duash të shtosh një titull mbi mal, i cili përmbledh një të vërtetë të rëndësishme që po e mëson rreth arritjes që ta njohësh Jezu Krishtin.
-
Çfarë mund të bëjmë për të zhvilluar tipare si të Krishtit?
-
Si mendon se zhvillimi i tipareve hyjnore na ndihmon ta njohim Jezu Krishtin dhe të bëhemi më shumë si Ai?
Zhvillimi i tipareve si të Krishtit
Udhëtimi i zhvillimit të tipareve si të Krishtit mund të fillojë me një hap të parë e të thjeshtë të zgjedhjes së një tipari dhe të mësuarit më shumë rreth tij. Filloje këtë udhëtim sot duke zgjedhur një nga tiparet e renditura te 2 Pjetër 1:5–7 dhe të shkruara në diagramin tënd të malit.
Një mënyrë se si mund të mësosh më shumë rreth tiparit që zgjodhe, është duke përdorur Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta ose veçorinë e kërkimit te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të gjetur shkrime të shenjta ose thënie që lidhen me atë tipar.
Mbaj shënime në ditarin tënd të studimit dhe merre parasysh të shënjosh fraza të rëndësishme në shkrimet e shenjta që lexon.
-
Te cili tipar zgjodhe të përqendroheshe?
-
Çfarë mësove rreth Jezu Krishtit dhe këtij tipari nga studimet e tua?
-
Si mund të përmirësohet jeta jote duke e zhvilluar këtë tipar si të Krishtit?
-
Çfarë përpjekjesh je i gatshëm të bësh për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari duke e zhvilluar këtë tipar?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Çfarë do të duhet që unë të zhvilloj tipare si të Krishtit?
Plaku Skot D. Uaiting, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi:
“Me qëllim që të shihni përparim të vërtetë, do t’ju nevojitet të ushtroni përpjekje të vazhdueshme. Ashtu sikurse ngjitja e një mali kërkon përgatitje paraprake dhe qëndresë e këmbëngulje gjatë ngjitjes, po ashtu ky udhëtim do të kërkojë përpjekje dhe sakrificë të vërtetë. Krishterimi i vërtetë, në të cilin ne përpiqemi fort të bëhemi si Mësuesi ynë, gjithmonë ka kërkuar përpjekjet tona më të mira. …
E di se bërja si Ai nëpërmjet ndihmës hyjnore dhe forcës së Tij është e arritshme hap pas hapi. Nëse nuk do të ishte e mundur, Ai nuk do të na e kishte dhënë këtë urdhërim [shih 1 Nefi 3:7].”
(Skot D. Uaiting, “Bërja si Ai”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 14)
Çfarë ndodh teksa përpiqem të fitoj karakteristika si të Krishtit?
Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“[Tiparet] e Shpëtimtarit, ashtu siç i perceptojmë ato, nuk janë një skenar që duhet ndjekur apo një listë që duhet plotësuar. Ato janë karakteristika të ndërthurura që i shtohen njëra-tjetrës, të cilat zhvillohen brenda nesh në mënyra ndërvepruese. Me fjalë të tjera, ne nuk mund ta marrim një karakteristikë si të Krishtit pa i fituar e pa ndikuar edhe tek të tjerat. Teksa një karakteristikë bëhet e fortë, kështu bëhen edhe shumë të tjera.”
(Robert D. Hejs, “Të Bërit një Dishepull i Zotit Tonë Jezu Krisht”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 46)
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ndihma nga Shpëtimtari është e disponueshme për të gjithë udhëtimin e vdekshmërisë – nga të qenit i keq në të qenit i mirë e më i mirë dhe për të ndryshuar karakterin tonë”.
(Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Ensign, prill 2012, f. 42; Liahona, prill 2012, f. 14)