Seminari
2 Timoteut 3


2 Timoteut 3

Shkrimet e Shenjta

Book of Mormon in Spanish.

A ndihesh ndonjëherë i rënduar ose nervoz për gjendjen shpirtërore të botës sot? Në një letër drejtuar Timoteut, Pali profetizoi se ditët e fundit do të përfshijnë “kohë të vështira” (2 Timoteut 3:1), por ai gjithashtu dha mësim se Zoti të ka dhënë dhuratën e shkrimeve të shenjta për të të ndihmuar gjatë kohëve të vështira (shih 2 Timoteut 3:14–17). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ndiesh një dëshirë për t’i studiuar shkrimet e shenjta, të cilat mund të të ndihmojnë të mbrohesh nga ligësitë e kohës sonë.

Dëshmimi për bekimet nga studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta. Dëshmoni shpesh për bekimet që vijnë nga studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta dhe ftojini nxënësit të dëshmojnë për bekimet që ata marrin nga studimi i shkrimeve të shenjta.

Përgatitja e nxënësve: Jepni thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018): “Duke shpenzuar kohë ditë për ditë për studimin e shkrimeve të shenjta, pa dyshim, do të na forco[hen] themelet tona të besimit dhe dëshmitë tona të së vërtetës” (“Sa i Fortë një Themel”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 68). Ftojini nxënësit të përsiatin për këtë thënie dhe të mendojnë për përvoja vetjake që tregojnë se është e vërtetë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ditët e fundit

Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të ngrihen në këmbë. U thoni atyre të përfytyrojnë sikur një mur në klasë përfaqëson ndjesinë e mirënjohjes që jeni gjallë në këtë kohë në historinë e tokës dhe muri përballë përfaqëson të ndjerit nervoz për këtë. Ftojini ata të zhvendosen drejt njërit prej mureve ose të qëndrojnë në këmbë diku ndërmjet të dy mureve që i përfaqësojnë më mirë ndjenjat e tyre. Ftojini disa nxënës të shpjegojë se përse ndihen në atë mënyrë.

Lexoje thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe reflekto mbi atë se përse të jetuarit në këtë kohë të bën të ndihesh mirënjohës, nervoz apo të dyja.

Official portrait of Elder Neil L. Andersen of the Quorum of the Twelve Apostles, 2010, August.

“Ne jetojmë në kohë shumë interesante, megjithatë kohë të mrekullueshme. …

Ne e dimë se ndërsa i afrohemi Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, bota jonë do të jetë plot me trazira dhe pështjellim. Shumë vetë në shoqëri do t’i shpërfillin urdhërimet e Perëndisë. Unë e kam cituar shpesh këtë thënie nga Presidenti Tomas S. Monson: ‘Dikur standardet e Kishës dhe standardet e shoqërisë përgjithësisht përputheshin, tani ka një ndryshim të madh midis nesh dhe ai po rritet gjithnjë më shumë’.”

(Nil L. Andersen, “A Compensatory Spiritual Power for the Righteous” [takim shpirtëror nga Java e Edukimit në Universitetin “Brigam Jang”, 18 gusht 2015], speeches.byu.edu)

  • Në ç’mënyra kohët në të cilat jetojmë janë të mrekullueshme?

  • Çfarë mund të të bëjë të ndihesh nervoz për të jetuarit në botën që përshkroi Plaku Andersen?

Teksa e studion këtë mësim, kërko mënyra se si Perëndia ka siguruar ndihmë me dashuri për pështjellimin, rreziqet shpirtërore ose ankthin që mund të ndiesh nga gjendja e botës.

Lexo vargjet te 2 Timoteut 3:1–7, 12–13 ; 4:3–4 , duke kërkuar përshkrimet e Palit për rreziqet në ditët e fundit.

  • Cilët shembuj të gjendjes që përshkroi Pali, ke parë në botë sot?

Një dhuratë nga Perëndia

Ati Qiellor nuk na ka lënë të përballemi të vetëm me vështirësitë e ditëve të fundit. Në mëshirën dhe dashurinë e Tij, Ai na ka siguruar shumë dhurata të mrekullueshme.

Plaku Andersen vazhdoi:

Official portrait of Elder Neil L. Andersen of the Quorum of the Twelve Apostles, 2010, August.

“Ndërsa e gjejmë rrugën tonë në një botë më pak të vëmendshme ndaj urdhërimeve të Perëndisë, sigurisht që do të lutemi, por nuk duhet të jemi tej mase të shqetësuar. Zoti do t’i bekojë shenjtorët e Tij me fuqinë shpirtërore të shtuar, të nevojshme për t’i përballur sfidat e kohës sonë.”

(Nil L. Andersen, “A Compensatory Spiritual Power for the Righteous” [takim shpirtëror nga Java e Edukimit në Universitetin “Brigam Jang”, 18 gusht 2015], speeches.byu.edu)

Lexo vargjet te 2 Timoteut 3:14–17 , duke kërkuar një nga dhuratat që ka siguruar Perëndia për të na ndihmuar t’i kalojmë vështirësitë e kohës sonë.

Ftojini nxënësit të tregojnë atë që gjetën.

  • Cilat janë disa nga bekimet që mund të marrim nga studimi i shkrimeve të shenjta, të cilat ti i vure re në këto vargje?

Mund të jetë e dobishme t’i renditni në tabelë bekimet që përcaktojnë nxënësit. Nëse nxënësit e kanë të vështirë t’i përcaktojnë bekimet, mund t’i shtoni në listë disa nga ato në vijim.

Studimi i shkrimeve të shenjta mund të të ndihmojë:

  1. Ta thellosh besimin tënd te Jezu Krisht.

  2. Të marrësh urtësi dhe udhëzim në situatat me të cilat përballesh.

  3. Të kuptosh doktrinën ose të vërtetat e ungjillit.

  4. T’i korrigjosh idetë e rreme ose zakonet e këqija.

  5. Të bëhesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin.

  • Si do ta përmblidhje atë që Pali dha mësim rreth studimit të shkrimeve të shenjta?

Një mënyrë se si nxënësit mund t’i përmbledhin mësimet e Palit, është kjo: teksa i studiojmë shkrimet e shenjta, ne mund të fitojmë urtësi që do të na çojë drejt shpëtimit nëpërmjet besimit te Jezu Krishti. Merreni parasysh të shkruani në tabelë disa nga përmbledhjet e nxënësve.

Në ditarin tënd të studimit, shkruaj për një rast kur shkrimet e shenjta të ndihmuan në një nga mënyrat që përshkroi Pali. Nëse nuk mund të mendosh për një përvojë, shkruaj se përse mendon se shkrimet e shenjta mund të të ndihmojnë në një nga mënyrat që përshkroi Pali.

Merreni parasysh të ftoni disa vullnetarë ta tregojnë apo përmbledhin atë që shkruan.

  • Në ç’mënyra të tjera mund të të bekojë Zoti ndërsa i studion shkrimet e shenjta?

  • Zoti të dha dhuratën e shkrimeve të shenjta për të të ndihmuar në ditët e fundit. Çfarë të mëson kjo për Të?

Përdorimi i shkrimeve të shenjta

Merreni parasysh t’i lejoni nxënësit të punojnë në grupe të vogla për të kryer veprimtarinë vijuese.

Për të ushtruar përdorimin e shkrimeve të shenjta për ta forcuar besimin tënd te Jezu Krishti, zgjidh dy nga sfidat e ditëve të mëvonshme për të cilat Pali profetizoi te 2 Timoteut 3:1–7, 12–13 ; 4:3–4 ose zgjidh sfida të ndryshme që janë të rëndësishme në jetën tënde. Kërko fragmente të shkrimeve të shenjta që mund ta ndihmojnë dikë i cili po përballet me këto sfida. Mund të jetë e dobishme të kërkosh fjalë kyç tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ose ti mund të zgjedhësh në fillim disa nga shkrimet e shenjta të parapëlqyera dhe më pas të vendosësh se për cilat nga sfidat e ditëve të mëvonshme mund të të ndihmojnë ato.

  • Cilat fragmente të shkrimit të shenjtë gjete që mund ta ndihmojnë dikë, i cili po përballet me sfida të caktuara? Shpjego se si mund të ndihmojnë ato.

Synimi yt për studimin e shkrimeve të shenjta

Sigurojuni nxënësve mundësinë për të reflektuar për synimet e studimit të tyre ditor të shkrimeve të shenjta. Disa nxënës mund ta kenë të vështirë të punojnë për synimin që kanë vendosur. Përvoja e të mësuarit te mësimi “Zotërimi Doktrinor: 2 Timoteut 3:15–17” do t’u japë mundësi nxënësve të marrin parasysh mënyrën se si t’i kapërcejnë pengesat ndaj studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta me të cilat mund të përballen.

Pali i solli ndër mend Timoteut se ai ishte bekuar që i njihte shkrimet e shenjta që në fëmijëri (shih 2 Timoteut 3:15). Në të njëjtën mënyrë, Ati Qiellor do të të bekojë për studimin e shkrimeve të shenjta në rininë tënde. Gjej disa minuta për të vendosur me lutje një synim ose për të marrë parasysh synimin tënd të tanishëm për studimin vetjak të përditshëm të shkrimeve të shenjta. Përsiat për pyetjet vijuese:

  • Cila është ecuria e synimit tënd?

  • Si po të ndihmon synimi yt ta zhvillosh besimin te Jezu Krishti dhe t’i kapërcesh sfidat e kohës sonë?

  • Çfarë përshtatjesh, nëse ka, e ndien se duhet të bësh për synimin tënd?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta tregojnë përgjigjen e tyre për pyetjen e dytë më sipër.

Ftojini nxënësit ta dorëzojnë synimin e tyre nëse e ndiejnë se do t’i ndihmonte ta arrijnë atë.

Merre parasysh t’i tregosh mësuesit, një prindi apo dikujt tjetër tek i cili ke mirëbesim, për synimin tënd të studimit të shkrimeve të shenjta dhe t’i ftosh ata ta ndjekin ecurinë tënde.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Si mund t’i kuptoj vështirësitë e renditura te 2 Timoteut 3:1–7 ?

Përkufizimet vijuese mund të jenë të dobishme:

  • “Të padhembshur” ( 2 Timoteut 3:3) mund të përfshijë sjellje që lidhen me një mungesë të ndjenjës ose përkujdesjes, ndjenja të urrejtjes dhe përbuzjes ose me dëshira lakmitare që çojnë në imoralitet seksual

  • “Të papërmbajtur” ( 2 Timoteut 3:3) do të thotë pa vetëkontroll

  • “Kokëshkretë” ( 2 Timoteut 3:4) do të thotë të nxituar, të pakujdesshëm

  • “Fodullë” ( 2 Timoteut 3:4) do të thotë të krekosur, mendjemëdhenj, arrogantë

Si mund t’i kuptoj më mirë vargjet te 2 Timoteut 3:16–17 ?

Merreni parasysh të lexoni artikullin “Line upon Line: 2 Timothy 3:16–17” (New Era, prill 2012, f. 19), i cili përmban ndihma me fjalë, komente profetike dhe shpjegime që mund t’ju ndihmojnë t’i kuptoni më tej këto vargje.

Si mund të më ndihmojë studimi i shkrimeve të shenjta në jetën time?

Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

Final official portrait of Elder Richard G. Scott of the Quorum of the Twelve Apostles, 2004. Passed away 22 September 2015.

“Ne i flasim Perëndisë nëpërmjet lutjes. Ai më shpesh komunikon me ne nëpërmjet fjalës së Tij të shkruar. Që të dini se si tingëllon dhe ndihet zëri i Hyjnisë, lexoni fjalët e Tij, studioni shkrimet e shenjta dhe përsiatini ato. Bëjini ato pjesë përbërëse të jetës suaj të përditshme. …

Nëpërmjet studimit të përditshëm, të vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta, ju do të gjeni paqe në trazirën përreth jush dhe forcë për t’u bërë ballë tundimeve. Ju do të zhvilloni besim të fortë te hiri i Perëndisë dhe do të dini se, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, gjithçka do të vihet në rregull sipas kohës së Perëndisë.”

(Riçard G. Skot, “Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 93–94)

Si mund të ndihem optimist për të ardhmen nëse drejtimi i shoqërisë duket të jetë në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë?

Cilat janë disa mënyra se si mund t’i studioj shkrimet e shenjta me efektshmëri?

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Shembulli i Shpëtimtarit

Rishikojini me nxënësit vargjet te Mateu 4:1–11 për të parë se si i përdori Shpëtimtari shkrimet e shenjta për t’i kapërcyer rreziqet dhe tundimet me të cilat u përball.

Mënyra të ndryshme për të mësuar nga shkrimet e shenjta

Përpara se t’i ftoni nxënësit të marrin parasysh synimin vetjak të studimit të shkrimeve të shenjta, paraqitni pohimin vijues nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini nxënësit të përcaktojnë çdo fjalë që përshkruan mënyrat se si ne mund t’i përdorim shkrimet tona të shenjta.

“Ju dhe unë duhet të shohim te Krishti dhe të vijmë tek Ai, i cili është ‘burimi i ujërave të gjalla’ ( 1 Nefi 11:25 ; krahasojeni me Ethëri 8:26 ; 12:28), duke i lexuar (shih Mosia 1:5), duke i studiuar (shih [ Doktrina e Besëlidhje 26:1 ]), duke kërkuar në to (shih Gjoni 5:39 ; Alma 17:2) dhe duke u ushqyer me bollëk (shih 2 Nefi 32:3) me fjalët e Krishtit, siç përmbahen në shkrimet e shenjta.

Kërkojuni nxënësve të përshkruajnë se si ata mund ta zbatojnë në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta secilën nga fjalët që përcaktojnë.