1 Timoteut 4:12–16
“Bëhu Shembull për Besimtarët”
Nuk mund të ketë qenë e lehtë ta jetoje ungjillin e Jezu Krishtit në një vend me ligësi si Efesi. Sigurisht, ata si Timoteu që zgjodhën të jetonin një jetë të drejtë, u dalluan nga bashkëmoshatarët e tyre. Por Pali e nxiti Timoteun që të mos ndikohej nga kritikat e të tjerëve për moshën e tij të re apo besimin e tij dhe të “bëh[ej] shembull për besimtarët” (1 Timoteut 4:12). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të përpiqesh të jesh shembull i një dishepulli të Jezu Krishtit në rininë tënde.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çfarë thotë rreth teje?
-
Nëse dikush do të të vëzhgonte për një javë, çfarë prove do të shikonte ai që ti po përpiqesh ta ndjekësh Jezu Krishtin?
-
Çfarë mund të shohë ai në jetën tënde që mund të ketë nevojë për pak përmirësim ndërsa ti përpiqesh ta ndjekësh Krishtin?
Merre parasysh të shikosh materialin filmik “The Lost Purse” [“Çanta e Humbur”] (02:40), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, i cili ilustron disa shembuj të dishepullimit si të Krishtit.
-
Përse është e rëndësishme ta marrësh parasysh se çfarë shembulli po japim për të tjerët?
Mendo se sa mirë ndihesh rreth të qenit një shembull i një ndjekësi të Jezu Krishtit për ata që të rrethojnë dhe përse.
Teksa e studion këtë mësim, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të përcaktuar mënyrën se si ti po jep një shembull që i ndihmon të tjerët dhe i drejton ata te Shpëtimtari. Nëse ndihesh në siklet duke qenë shembull për të tjerët, kërko të vërtetat që mund të të ndihmojnë dhe motivojnë.
Nxitja e Palit për Timoteun
Dhiata e Re përfshin dy letra që Pali ia shkroi njërit prej miqve të tij më të besuar, Timoteut (shih 1 Korintasve 4:17). Teksa e lexon informacionin vijues rreth Timoteut, mendo se përse shembulli i tij do të sillte ndryshim për të tjerët. A e sheh veten tek ai në ndonjë mënyrë?
-
E ëma dhe gjyshja e Timoteut ishin shembuj të drejtë, por babai i tij ishte një grek johebre që me gjasa nuk ishte besimtar (shih Veprat e Apostujve 16:1 ; 2 Timoteut 1:5 ; 3:14–15).
-
Timoteu po shërbente si udhëheqës Kishe në Efes (shih 1 Timoteut 1:3), një qytet i madh ku adhurimi i idhujve dhe imoraliteti ishin të përhapur (shih Veprat e Apostujve 19:35).
-
Pali la të kuptonte se disa anëtarë dyshuan tek aftësitë udhëheqëse të Timoteut ngaqë ishte i ri në moshë (shih 1 Timoteut 4:12).
Lexo te 1 Timoteut 4:12–16 , duke kërkuar atë që Pali e këshilloi Timoteun të bënte.
-
Çfarë gjete që t’u duk domethënëse?
-
Si do ta përmblidhje ftesën e Palit te vargu 12 dhe premtimin te vargu 16 në një pohim të vetëm të vërtete?
Pali dha mësim te 1 Timoteut 4:12, 16 se nëse jemi shembuj besimtarësh të Jezu Krishtit, ne mund të ndihmojmë për t’i sjellë shpëtim vetes sonë dhe të tjerëve.
Përcaktimi i listave në shkrimet e shenjta mund të na ndihmojë të shohim mënyra të shumta për t’i zbatuar të vërtetat e ungjillit në jetën tonë. Te vargu 12 , Pali renditi fusha në të cilat ne mund të bëhemi më shumë si Krishti për të qenë shembuj të mirë për ata që na rrethojnë.
Lexo vargun 12 përsëri dhe shenjo fjalë që e përshkruajnë çdo fushë ku Pali na ftoi të përqendrohemi. Merre parasysh ta kopjosh këtë listë në ditarin tënd të studimit.
-
Si do ta shpjegoje kuptimin e secilës prej këtyre fjalëve? (Nëse është e nevojshme, përdori mjetet e studimit të shkrimeve të shenjta ose një fjalor për të të ndihmuar t’i përcaktosh ato.)
Mund të jetë e dobishme të vësh re fjalën sjellje të përmendur në këtë varg.
-
Kë njeh ti që është një shembull i mirë në këto fusha? Si të kanë ndihmuar ty dhe të tjerët shembujt e tyre?
-
Në ç’mënyrë Jezu Krishti ishte shembulli i përsosur në këto fusha? Si të ka bekuar shembulli i Tij ty dhe të tjerët?
-
Si mendon, përse Zoti do që ti të jesh një shembull për të tjerët në këto fusha?
Si mund të jesh një shembull?
Bëj një listë të disa mënyrave se si mund të jesh një shembull në fushat që zgjodhe. Për shembull, për të qenë një shembull “në fjalë”, ti mund të renditësh disa nga idetë vijuese:
-
të shprehësh mirënjohje më shpesh
-
t’u bësh njerëzve lëvdata të sinqerta
-
të thuash të vërtetën
-
të shmangësh përdorimin e blasfemisë
-
ta shprehësh dashurinë tënde më shpesh
-
t’u drejtohesh njerëzve me respekt
-
të shmangësh bërjen e thashethemeve
-
të lutesh më sinqerisht
Gjej një çast për të përsiatur se si Zoti mund të të bekojë ty dhe të tjerët nëse përpiqesh të jesh një shembull në këto mënyra.
-
Çfarë ke mësuar ose ndier sot që do të të ndihmojë të jesh një shembull më i mirë i një dishepulli të Jezu Krishtit?
-
Çfarë do të bësh për të qenë ai shembull për të tjerët?
-
Çfarë shpreson që shembulli yt do t’u mësojë të tjerëve rreth Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij të rivendosur? Përse?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Si mund të jem një shembull më i mirë?
Merreni parasysh të shikoni këtë material filmik vijues, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, që tregon mënyra se si të rinjtë janë një shembull për ata që i rrethojnë. Ndërsa e shikoni, mendoni për mënyrat se si ju mund të jeni një shembull për të tjerët.
“Shpërndarja e Dritës Suaj” (02:56)
A ka me të vërtetë rëndësi shembulli im si adoleshent?
Motra Boni H. Kordën, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, dha mësim rreth rëndësisë së shembullit tuaj:
“Miqtë e mi të dashur, përse është kaq e rëndësishme që drita jonë të shkëlqejë? Zoti na ka thënë se ‘ka shumë vetë akoma mbi tokë … të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë’ [ Doktrina e Besëlidhje 123:12]. Ne mund të ndihmojmë. Ne mund ta lëmë dritën tonë të shkëlqejë qëllimisht që të tjerët të mund të shohin. Ne mund të bëjmë një ftesë. Mund ta bëjmë rrugëtimin me ata që po e hedhin një hap drejt Shpëtimtarit, s’ka rëndësi nëse është një hap i pavendosur. …
Unë dëshmoj se Zoti do ta lartësojë çdo përpjekje të vogël. Fryma e Shenjtë do të na nxitë të dimë se çfarë të themi e të bëjmë. Përpjekje të tilla mund të na kërkojnë që të dalim nga zona jonë e rehatisë, por mund të jemi të sigurt se Zoti do të na ndihmojë që drita jonë të shkëlqejë.”
(Boni H. Kordën, “Që Ata të Shohin”, Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 80)
Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018), dha mësim për të qenit një shembull:
“Bëhuni shembull …. Mundësitë tona gjenden para nesh këtu dhe tani. Por ato mund të prishen. Me gjasa ato do të gjenden në shtëpitë tona dhe në veprimet e përditshme të jetës sonë. Zoti dhe Mësuesi ynë shënoi mënyrën: ‘[Ai] e përshkoi vendin duke bërë mirë’. ( Veprat e Apostujve 10:38 .) Ai ishte model për t’u ndjekur në çdo vepër, madje shembull për besimtarët.
A jemi ne?”
(Thomas S. Monson, “An Example of the Believers”, Ensign, nëntor 1992, f. 98)
1 Timoteut 4:16. Çfarë nënkuptoi Pali kur tha: “Ruaje veten tënde”?
Ndërkohë që Pali përdori fjalët “do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë” ( 1 Timoteut 4:16), ai dëshmoi gjithashtu se ne mund të shpëtohemi vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit (shih 1 Timoteut 1:15–16 ; 2:5–6). Ne mund të ushtrojmë besim te Jezu Krishti nëpërmjet përpjekjeve tona dhe ta lejojmë Atë të na shpëtojë.