Seminari
2 Timoteut 4


2 Timoteut 4

“E Ruajta Besimin”

Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit na bekon në shumë mënyra. Ndonëse do të përballemi me sprova dhe përndjekje, nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, ne mund të qëndrojmë të guximshëm deri në fund. Pas dekadash përpjekjesh për ta ndjekur Shpëtimtarin, Pali e kuptoi se do ta vrisnin së shpejti. Në letrën e tij të fundit drejtuar Timoteut, ai shprehu arsyen përse të qëndruarit besnik ia vlente për të dhe për të gjithë ata që zgjedhin të durojnë me besim. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të bëhesh ose të qëndrosh i zotuar në dishepullimin për gjithë jetën ndaj Jezu Krishtit.

Ndihma ndaj nxënësve që të përcaktojnë ftesa “për të kërkuar”. Afër fillimit të mësimit, ka shpesh një ftesë që nxënësit të kërkojnë doktrinën, të vërtetat ose parimet që do të dalin nga përmbajtja e shkrimeve të shenjta. Mund të jetë e dobishme ta paraqitni atë që doni që nxënësit ta kërkojnë. Bërja e kësaj mund t’i ndihmojë nxënësit ta mbajnë ftesën “për të kërkuar” në mendjen e tyre teksa studiojnë bllokun e shkrimeve të shenjta.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të gjejnë një fragment të shkrimit të shenjtë që mund t’ia tregojnë dikujt i cili po ndihet i shkurajuar në përpjekjet e tij për të ndjekur Jezu Krishtin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të duruarit me besnikëri

Gjatë veprimtarisë vijuese, jini të ndjeshëm ndaj nxënësve të cilët mund të jenë të sëmurë rëndë ose mund të kenë një shok apo pjesëtar të familjes, i cili ka ndërruar jetë kohët e fundit.

Përfytyro se si do të ishte të dije se do të ndërrosh jetë.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese në ditarin e tyre të studimit. Më pas merreni parasysh të ftoni disa nxënës t’ia tregojnë klasës përgjigjet e tyre për pyetjen përfundimtare.

  • Çfarë do të shpresoje të ishe në gjendje të thoshe për jetën tënde kur ajo ditë të vijë?

  • Çfarë do të jetë e rëndësishme për ty në atë kohë? Çfarë nuk do të jetë e rëndësishme?

  • Si mendon se do të ndikojnë tek ti në atë kohë përpjekjet e tua për ta ndjekur Shpëtimtarin gjatë gjithë jetës tënde?

Pas dekadash shërbimi të guximshëm si dishepull i Jezu Krishtit, Pali i shkroi Timoteut nga një burg në Romë duke e ditur se së shpejti do ta ekzekutonin. Kjo është me gjasa letra e fundit që Pali shkroi, që është e përfshirë në Dhiatën e Re. Ne jemi të bekuar që jemi në gjendje të lexojmë disa nga mendimet e fundit të këtij njeriu të madh ndërsa reflektoi për jetën e tij dhe për vdekjen që po i afrohej.

Pali i krahasoi përpjekjet e tij për të qëndruar besnik me dy veprime të ndryshme. Lexo te 2 Timoteut 4:6–7 dhe kërko krahasimet e Palit.

Two men in a park boxing in a boxing ring with a man acting as Referee.
Two young men are outside. They are running on a track. This is in Lisbon, Portugal.

Merreni parasysh t’i paraqitni këto dy fotografi ndërkohë që nxënësit diskutojnë për pyetjen në vijim.

  • Përse mund të jenë të luftuarit e një lufte të mirë dhe përfundimi i një vrapimi krahasime të efektshme me ruajtjen e besimit tonë te Jezu Krishti gjatë jetës sonë?

Përsiat për një minutë se si është ecuria e garës tënde ose luftës tënde për të qëndruar besnik ndaj Krishtit në këtë pikë të jetës tënde. A je ndier ndonjëherë i lodhur, i rrahur apo i plagosur? A je tunduar ndonjëherë të dorëzohesh? Si të ka ndihmuar Shpëtimtari në këto situata? Teksa studion sot, mendo rreth arsyes përse do t’ia vlejë që ta vazhdosh vrapimin në garë ose ta luftosh luftën e dishepullimit.

Ajo që Shpëtimtari u ofron besnikëve

Lexo te 2 Timoteut 4:8 , duke kërkuar bekimet që Shpëtimtari i përgatiti për Palin dhe për të gjithë ata që durojnë me besnikëri.

Kjo kurorë është një simbol i jetës së përjetshme me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, e njohur edhe si ekzaltimi.

  • Si mendon, përse Pali do ta përshkruante këtë bekim që Jezu Krishti na e ofron si “kurora e drejtësisë”?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky fragment, është kjo: Për shkak të Jezu Krishtit, të gjithë ata që durojnë me besnikëri deri në fund, do të marrin jetë të përjetshme.

  • Çfarë do të thotë për ty fraza “duron deri në fund”? Në ç’mënyra duhet të durosh tani? Çfarë e bën durimin deri në fund sfidues?

  • Në ç’mënyra është Shpëtimtari shembulli i përsosur i durimit deri në fund? (Shih Doktrina e Besëlidhje 19:16–19 .)

  • Si ndikoi te ne durimi i Shpëtimtarit deri në fund?

Gjej pak kohë për të menduar rreth asaj se kush mund të ndikohet nga zgjedhja jote për të duruar deri në fund.

Merreni parasysh t’i jepni çdo nxënësi një copë të vogël letre. Ftojeni çdo nxënës të shkruajë në mënyrë anonime dhe të dorëzojë një skenar të shkurtër në të cilin dikush mund të ndihet i tunduar t’i ndalojë përpjekjet për ta ndjekur Jezu Krishtin. (Mund të jetë edhe një arsye reale pse një njeri i dashur vendosi të ndalonte së ndjekuri Jezu Krishtin.) Këto fletë mund të rishpërndahen më vonë në mësim ose të lexohen dhe të përdoren në mënyra të tjera për t’i ndihmuar nxënësit që ta lidhin mësimin me jetën e tyre.

Shpresa jonë qëndron te Jezu Krishti

Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se për shkak se sa sfidues është durimi deri në fund, ne nuk mund t’ia dalim të vetëm. Ai dha mësim:

Final official portrait of Elder L. Tom Perry of the Quorum of the Twelve Apostles, 2004. Passed away 30 May 2015.

“Durimi deri në fund nuk është diçka që mund ta bëni të vetëm. … Ai kërkon fuqinë shëlbuese të Shpëtimtarit.”

(L. Tom Peri, “Ungjilli i Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 46)

Ashtu si Pali, shumë të tjerë kanë duruar deri në fund me ndihmën e Shpëtimtarit. Lexo të paktën dy nga fragmentet vijuese të Librit të Mormonit. Kërko mënyrën se si një marrëdhënie me Shpëtimtarin ndikoi te secili nga këta profetë teksa duruan me besnikëri dhe shkuan drejt vdekjes.

Gjithashtu, mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë shembuj nga vetë familja e tyre të paqes që mund të ndihet teksa dikush i afrohet vdekjes pas një jete tërë përpjekjeje për të ndjekur Jezu Krishtin.

Lehi: 2 Nefi 1:14–15

Enosi: Enosi 1:27

Moroni: Moroni 10:32–34

  • Si e përshkruan këta dishepuj marrëdhënien e tyre me Jezu Krishtin?

  • Si ndikoi ajo marrëdhënie në mënyrën se si ata u ndien për vdekjen e tyre?

Çfarë këshille do të jepje?

Merreni parasysh t’ua rishpërndani nxënësve të ndryshëm fletët që i dorëzuan me situata që mund ta tundojnë dikë të heqë dorë nga përpjekjet për ta ndjekur Jezu Krishtin.

Paraqitini pyetjet vijuese dhe jepuni nxënësve kohë t’i përsiatin ato duke pasur në mendje situatën që morën. Më pas ftoni vullnetarë që të tregojnë atë që mund t’i thonë dikujt në atë situatë, edhe sikur të mos jetë dhënia e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë për pyetjet. Ftojini ata që e përfunduan përgatitjen e nxënësve, të tregojnë edhe shkrimin e shenjtë që gjetën.

  • Çfarë këshille do t’i jepje një personi besnik i cili është i shqetësuar se nuk është i fortë sa duhet për të duruar?

  • Çfarë mund t’i thoshe dikujt i cili tashmë ka reshtur së ndjekuri Shpëtimtarin dhe që tani e ndien sikur është tepër vonë për të filluar sërish? Si mund ta përdorje shembullin e jetës së Palit për ta ndihmuar atë të kuptojë se Shpëtimtari mund të na ndihmojë të ndryshojmë dhe të fillojmë nga e para?

  • Cilat hapa mund të ndërmarrë ai për t’u drejtuar te Shpëtimtari për ndihmë?

Cili është mesazhi për ty?

Kthehu te 2 Timoteut 4 dhe lexo vargjet 6–8, 18. Përfytyroje veten tënde në të ardhmen sikur je në gjendje të thuash atë që tha Pali teksa i afrohesh fundit të jetës tënde. Pastaj përgjigju për pyetjet vijuese:

  • Cili ndien se është mesazhi i Atit Qiellor për ty?

  • Si të ka ndihmuar ajo që mësove dhe ndjeve sot, ta kuptosh më mirë nevojën tënde për Jezu Krishtin?

  • Çfarë ndihesh i nxitur të bësh?

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Si durojmë deri në fund?

Plaku L. Tom Peri (1922–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Final official portrait of Elder L. Tom Perry of the Quorum of the Twelve Apostles, 2004. Passed away 30 May 2015.

“Durimi deri në fund kërkon besnikëri deri në fund, si në rastin e Palit që i tha Timoteut: ‘Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin’ ( 2 Timoteut 4:7). Duket qartë, kjo nuk është detyrë e lehtë. Ka për qëllim të jetë e vështirë, sfiduese dhe përfundimisht pastruese, ndërsa përgatitemi të kthehemi të jetojmë me Atin tonë në Qiell dhe të marrim bekimet e përjetshme.”

(L. Tom Peri, “Ungjilli i Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 46)

Po sikur ndonjëherë të jetë e vështirë t’i shohësh bekimet e të qëndruarit besnik?

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

Official Portrait of Elder Jeffrey R. Holland. Photographed January 2018.

“Mos u dorëzoni. Vazhdoni të ecni. Vazhdoni të përpiqeni. Ka ndihmë dhe lumturi përpara jush. … Gjithçka do të jetë në rregull në fund. Mirëbesojini Perëndisë dhe besoni në gjërat e mira që do të vijnë.

… Disa bekime vijnë shpejt, disa vijnë vonë dhe disa nuk vijnë derisa të jemi në qiell; por për ata që e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ato vijnë.”

(Jeffrey R. Holland, “An High Priest of Good Things to Come”, Ensign, nëntor 1999, f. 38)

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Libri i Filemonit mund të na mësojë rreth Shpëtimtarit

Ftojeni një nxënës të lexojë me zë të lartë informacionin vijues rreth një situate që Pali trajtoi në këtë letër:

Filemoni kishte një shërbëtor, ose skllav, të quajtur Onesim, i cili ishte arratisur në Romë dhe mund të ketë vjedhur diçka nga Filemoni (shih Filemonit 1:18). Skllavëria nuk shihej si diçka e keqe në kulturën e krishterë judease në kohën e Palit dhe përkrahej nga ligji romak. Ndëshkimet për arratisjen e skllevërve përfshinin rrahjen e ashpër, damkosjen në ballë ose edhe vdekjen. Pasi ishte arratisur, Onesimi ishte ndeshur me Apostullin Pal dhe ishte kthyer në besim në ungjillin e Jezu Krishtit. Pali e nxiti Onesimin të kthehej te Filemoni.

Ftojeni një nxënës të lexojë me zë të lartë vargjet te Filemonit 1:8–12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se çfarë iu lut, ose i kërkoi, Pali Filemonit që të bënte.

Më pas ftojini nxënësit të lexojnë vargjet te Filemonit 1:15–19 dhe ta krahasojnë atë që Pali tha dhe atë që ofroi të bënte në emër të Onesimit me atë që Shpëtimtari bën për secilin prej nesh.

2 Timoteut 4:8. Jezu Krishti na jep shpresë për të ardhmen tonë pavarësisht nga gabimet tona të shkuara

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë që siguria e Palit për një shpërblim të përjetshëm (shih 2 Timoteut 4:8) nuk erdhi për shkak se ai nuk bëri kurrë gabime. Në fakt, më parë në jetën e tij, kur njihej si Sauli, ai luftoi kundër Kishës së Shpëtimtarit (shih Veprat e Apostujve 8:3 ; 9:1–2). Duke kujtuar jetën e tij, Pali e përshkroi veten e tij në rini si “i pari” i mëkatarëve (shih 1 Timoteut 1:15). Mund të ketë qenë tunduese për Palin të hiqte dorë për shkak të mëkateve dhe dobësive të tij të shkuara.

Ftojini nxënësit të lexojnë vargjet te 1 Timoteut 1:12–17 dhe të shenjojnë diçka në secilin varg që tregon mirëbesimin e Palit te Jezu Krishti për ta shpëtuar atë dhe jo te forca e vet.

Kërkojuni nxënësve të tregojnë se cili nga këto vargje është më kuptimplotë për ta dhe përse.

Ftojini ata ta përmbledhin mesazhin e Palit ndaj dikujt që i vjen të heqë dorë për shkak të gabimeve të shkuara apo dobësive të tanishme.