Seminari
Veprat e Apostujve 17:1–14


Veprat e Apostujve 17:1–14

Shqyrto Shkrimet e Shenjta

A young woman sits in her bedroom and reads her scriptures

A e ke pyetur veten ndonjëherë se përse është kaq e rëndësishme që t’i studiosh shkrimet e shenjta? Disa nga përvojat që Pali dhe shokët e tij misionarë patën në udhëtimin e dytë misionar të Palit ilustrojnë fuqinë që fjala e Perëndisë mund të ketë te ne. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh një dëshirë më të madhe për të përjetuar bekimet e studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta.

Nxitni studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta. Studimi i përditshëm vetjak i shkrimeve të shenjta siguron një mundësi të qëndrueshme për mësuesit dhe studentët që të mësojnë ungjillin, të zhvillojnë dëshmi dhe të dëgjojnë zërin e Zotit. Kërkoni mundësi të rregullta në klasë për të nxitur studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta. Dhënia e mundësive që nxënësit të tregojnë atë që po mësojnë, mund t’u japë shtysë të tjerëve të marrin pjesë gjithashtu në studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar diçka kuptimplotë që kanë zbuluar së fundmi në studimin e tyre të përditshëm të shkrimeve të shenjta.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ide nga studimi juaj i shkrimeve të shenjta

Ftojini nxënësit të reflektojnë për studimin e tyre të fundit të shkrimit të shenjtë dhe të japin idetë kuptimplota që kanë fituar. Merreni parasysh t’i përdorni pyetjet vijuese për ta drejtuar këtë diskutim. Mund të jetë e dobishme që t’u kujtoni nxënësve në fillim të mësimit synimin e studimit të shkrimit të shenjtë që ata i kanë vendosur vetes në seminar. Ata do të kenë mundësi për ta vlerësuar synimin e tyre në fund të mësimit.

  • Cilat janë disa ide për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij që i ke fituar nga një studim i fundit i shkrimeve të shenjta?

  • Cilat janë disa vargje ose ndodhi që i ke studiuar së fundmi që kanë qenë kuptimplote për ty? Përse?

  • Nëse një shok do të të pyeste se përse ti e ndien se është e rëndësishme t’i studiosh vazhdimisht shkrimet e shenjta, si do t’i përgjigjeshe?

Shembuj të vlerës së shkrimeve të shenjta

Disa nga përvojat që Pali pati gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar ilustrojnë vlerën e studimit të shkrimeve të shenjta. Shkruaje titullin vijues në ditarin tënd të studimit: Mënyra se si studimi i shkrimeve të shenjta mund ta bekojë jetën time. Teksa studion sot, kërko ide që mund t’i renditësh nën këtë titull.

Merreni parasysh edhe ta shkruani këtë titull në tabelë dhe ta shtoni në listë gjatë gjithë mësimit.

Nëse janë në dispozicion, përdor Hartat e Biblës, nr. 13, “ Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal ”, për të gjetur vendndodhjen e Thesalonikit dhe vendeve të tjera ku Pali u zhvendos gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar.

Lexo te Veprat e Apostujve 17:1–4 dhe kërko atë që Pali bëri në mesin e judenjve në Thesaloniki.

  • Çfarë mendon se është domethënëse rreth përpjekjeve të Palit?

  • Çfarë të ndihmon kjo ndodhi të kuptosh rreth vlerës së shkrimeve të shenjta?

Mesazhi i Palit për judenjtë në Thesaloniki na kujton që shkrimet e shenjta dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe misionin e Tij hyjnor (shih Gjoni 5:39). Merre parasysh ta shtosh këtë të vërtetë te lista në ditarin tënd të studimit.

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon rreth qëllimit të shkrimeve të shenjta.

Portrait of Elder D. Todd Christofferson. Photographed in March 2020.

“Në fund, qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që të mbushë shpirtin tonë me besim tek Perëndia, Ati dhe tek Biri i Tij, Jezu Krishti – besim që Ata ekzistojnë; besim te plani i Atit për pavdekësinë dhe jetën tonë të përjetshme; besim te Shlyerja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit, që i jep jetë këtij plani të lumturisë; besim që ta bëjmë ungjillin e Jezu Krishtit mënyrë jetese; dhe besimin që të arrijmë të njohim ‘të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që [Ai ka] dërguar’ ( Gjoni 17:3).”

(D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 34.)

  • Cilin prej bekimeve të përmendura nga Plaku Kristoferson ke përjetuar përmes studimit tënd të shkrimit të shenjtë?

  • Cilat janë disa vargje të shkrimit të shenjtë që e kanë rritur besimin tënd tek Ati Qiellor dhe te Jezu Krishti? Si të ndihmuan të vërtetat e dhëna mësim në këto vargje ta rritësh besimin tënd?

Ndërkohë që shumë gra dhe burra në Thesaloniki besuan dhe u kthyen në besim nëpërmjet mësimeve të Palit, të tjerët formuan një turmë në përpjekje për të arrestuar Palin dhe Silën (shih Veprat e Apostujve 17:4–5). Pali dhe Sila mundën që të shpëtonin nga turma dhe shkuan në qytetin e afërt të Bereas, ku vazhduan të predikonin.

Lexo te Veprat e Apostujve 17:10–12 , duke kërkuar mënyrën se si Pali dhe Sila u pritën nga njerëzit në Berea. Merre parasysh shenjimin e fjalëve ose frazave që ti ndien se janë domethënëse.

  • Si i ndihmoi studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta këta njerëz?

Një e vërtetë që mund të përcaktohet nga kjo ndodhi është kjo: studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta mund të na përgatitë ta dallojmë dhe besojmë të vërtetën. Merre parasysh ta shtosh këtë të vërtetë te lista në ditarin tënd të studimit.

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë këtë të vërtetë, merreni parasysh të bëni pyetjen:

  • Cilët janë disa shembuj se si kjo e vërtetë mund të gjejë zbatim në situatat me të cilat mund të përballeni në jetën tuaj?

Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë, merreni parasysh të përdorni situatat vijuese:

Mendo rreth mënyrës se si studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta mund të të ndihmojë në situatat vijuese:

  • Njëri nga mësuesit e tu në shkollë shpjegon një koncept që bie në kundërshtim me bindjet e tua.

  • Disa nga shokët e tu të nxitin të përfshihesh në sjellje që bien në kundërshtim me standardet e tua, duke thënë: “Për një herë të vetme nuk të gjen gjë”.

  • Në konferencën e përgjithshme, një Apostull jep mësim diçka që bie në kundërshtim me prirjet aktuale të botës.

Bekimet e tjera prej studimit të shkrimeve të shenjta

Të vërtetat që ke përcaktuar nga Veprat e Apostujve 17 ilustrojnë vetëm disa nga bekimet që mund të marrim përmes studimit të shkrimeve të shenjta.

Gjej pak minuta për të studiuar disa ose të gjitha fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta, duke kërkuar bekime të tjera që mund të marrim nga Perëndia duke studiuar fjalët e Tij dhe fjalët e profetëve të Tij, siç gjenden në shkrimet e shenjta. Shtoji idetë e tua në listën në ditarin tënd të studimit.

Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe dhe t’i caktoni çdo grupi një varg. Ftojini nxënësit e çdo grupi t’i shtojnë idetë e tyre nga fragmenti që studiuan te lista në tabelë.

  • Çfarë është më e rëndësishme në listën që krijove?

  • Cilin nga bekimet në listën tënde dëshiron ta përjetosh më shumë tani? Përse?

  • Çfarë mund të bësh për ta bërë studimin tënd nga shkrimet e shenjta një përvojë më të vlefshme dhe më të shenjtë?

  • Çfarë bekimesh ke përjetuar përmes studimit të rregullt të fjalëve të Perëndisë në shkrimet e shenjta?

Merreni parasysh të tregoni një përvojë dhe të jepni një dëshmi vetjake rreth bekimeve të marra nga studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta.

Bëj një plan

Si pjesë e pjesëmarrjes tënde në seminar, ti je ftuar të vendosësh një synim që lidhet me studimin tënd të përditshëm të shkrimeve të shenjta. Gjej një çast për të vlerësuar ecurinë tënde në lidhje me këtë synim dhe bëj çdo rregullim të nevojshëm që të mund të jesh më i suksesshëm ndërsa ecën përpara.

Përdorini pyetjet në vijim për t’i ndihmuar nxënësit të vlerësojnë ecurinë e tyre:

  • Cili ishte synimi i studimit të shkrimit të shenjtë që i vendose vetes?

  • Si po të ndihmon ky synim të kesh një përvojë më kuptimplote me studimin vetjak të shkrimit të shenjtë?

  • Çfarë rregullimesh nevojitet të bësh?

Nxitini nxënësit të vazhdojnë të ecin përpara në studimin e tyre të shkrimit të shenjtë. Merreni parasysh të mendoni për mënyra gjatë gjithë vitit për t’u kujtuar atyre synimin e tyre të studimit dhe përgëzojini ata për ecurinë e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Çfarë bekimesh të tjera janë në dispozicion nga studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta?

Duke folur për leximin e Librit të Mormonit çdo ditë, Presidenti Rasëll M. Nelson premtoi sa vijon:

Official portrait of President Russell M. Nelson taken January 2018

“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë ju premtoj se, kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë. Ju premtoj se, teksa e përsiatni atë që studioni, dritaret e qiellit do të hapen dhe ju do të merrni përgjigje për vetë pyetjet tuaja dhe drejtim për vetë jetën tuaj. Ju premtoj se, ndërsa e zhytni veten përditë në Librin e Mormonit, ju mund të fitoni imunitet kundër të ligave të ditës, përfshirë edhe murtajën dërrmuese të pornografisë dhe varësive të tjera që na mpijnë mendjen.”

(Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 62.)

Presidenti Dallin H. Ouks, i krahasoi shkrimet e shenjta me një Urim dhe Thumim që mund t’i përdorim për të marrë zbulesë nga Zoti:

Official Portrait of President Dallin H. Oaks taken March 2018.

“Ne nuk e mbitheksojmë çështjen kur themi se shkrimet e shenjta mund të jenë një Urim dhe Thumim për ta ndihmuar secilin prej nesh të marrë zbulesë vetjake.

Për shkak se ne besojmë se leximi i shkrimeve të shenjta mund të na ndihmojë të marrim zbulesë, ne nxitemi t’i lexojmë ato herë pas here. Nëpërmjet këtyre mënyrave, ne kemi qasje tek ato çka Ati ynë Qiellor do të donte që ne të dinim dhe bënim në jetën tonë vetjake sot. Kjo është një arsye përse shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta.”

(Dallin H. Oaks, “Scripture Reading and Revelation”, Ensign, janar 1995, f. 8.)

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Braktisni botën

Për t’i ndihmuar nxënësit të bëjnë lidhjen ndërmjet studimit të shkrimeve të shenjta dhe marrjes së fjalëve të profetëve të gjallë, merreni parasysh të lexoni te Veprat e Apostujve 17:5–7 me nxënësit dhe të diskutoni pyetjet në vijim:

  • Përse mendoni se judenjtë mosbesues e ndien se mësimet e Palit për Shpëtimtarin “e k[ishin] bërë rrëmujë botën” ( Veprat e Apostujve 17:6)?

  • Si mund ta përgatitë studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta mendjen dhe zemrën tuaj për të marrë mësimet e profetëve të gjallë?

  • Cilat janë disa nga dallimet më të mëdha ndërmjet mësimeve të Shpëtimtarit nëpërmjet profetëve të gjallë dhe bindjeve e kulturës së botës sot?

Veprat e Apostujve 17:11 . “E pranuan fjalën me gatishmëri të madhe”

Merreni parasysh të gjeni pak kohë për të diskutuar vargjet te Veprat e Apostujve 17:10–12 , duke u përqendruar në gatishmërinë e njerëzve në Berea për të marrë ungjillin.

Përpara se t’i studioni këto vargje, mund të jetë e dobishme të ftoni vullnetarë të përdorin veprime për të demonstruar se çfarë do të thotë të jesh i gatshëm të kryesh detyra të caktuara, siç është kapja e një topi, vrapimi në një garë, ngritja e diçkaje të rëndë ose gërmimi i një grope. Merreni parasysh të ftoni një ose më shumë nxënës të demonstrojnë duke përdorur vetëm veprime se si është kur një person është gati ta mësojë ungjillin. Pjesa tjetër e klasës mund të përpiqen të gjejnë çfarë po ndodh.

Më pas nxënësit mund të ftohen të bëjnë një listë të veprimeve, qëndrimeve ose sjelljeve që mund të tregojnë se një person është gati ta mësojë ungjillin. Pastaj, ftojini nxënësit të lexojnë te Veprat e Apostujve 17:10–12 , duke kërkuar atë që i ndihmoi njerëzit në Berea të ishin gati t’i besonin dhe pranonin mësimet e Palit dhe Silës.