Seminari
Zotërimi Doktrinor: 2 Thesalonikasve 2:1–3


Zotërimi Doktrinor: 2 Thesalonikasve 2:1–3

“[Dita e Krishtit] … Nuk do të Vijë, Pa Ardhur më Parë Rënia”

Image of man at a desk writing on parchment

Në mësimin e mëparshëm, ti mësove se ishte profetizuar në kohët e lashta se përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, do të ndodhte një Braktisje e Kishës së Tij (shih “2 Thesalonikasve 2”). Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te 2 Thesalonikasve 2:1–3 , të shpjegosh doktrinën e Braktisjes dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në një situatë nga jeta reale.

Ndihma që nxënësit t’u qasen pyetjeve nga një pozicion besimi. “Shumë nga studentët tanë kanë qenë bekuar me dhuratën e një zemre besuese. Shumica e studentëve tanë kanë pyetje, jo dyshime. Mënyra me të cilën i qasemi Zotërimit Doktrinor, duhet të përforcojë besimin dhe t’i ndihmojë studentët që t’u përgjigjen vetë pyetjeve e t’i përgatitë të ndihmojnë të tjerët. Por kjo nuk duhet të bëhet kurrë në një mënyrë që do të krijojë dyshim apo të pakësojë besimin” (Çad H. Ueb, “Zotërimi i Doktrinave” [fjalim i mbajtur në transmetimin e trajnimit vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 14 qershor 2016]).

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta përsiatin pyetjen vijuese dhe të vijnë të përgatitur për të shpjeguar se si do të përgjigjeshin për të: “Përse Perëndisë iu desh t’i shfaqej Jozef Smithit për ta rivendosur Kishën e Tij nëse krishtërimi ishte vendosur tashmë dhe shumë njerëz e besonin tashmë Biblën?”

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “2 Thesalonikasve 2”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor te 2 Thesalonikasve 2:1–3. Nëse ky mësim nevojitet të bëhet në një javë tjetër për t’iu përshtatur orareve të shkollës, sigurohuni që të bëni të njëjtën gjë edhe me mësimin kontekstual.

Mëso përmendsh dhe shpjego

Paraqitni vetëm referencën e shkrimit të shenjtë te 2 Thesalonikasve 2:1–3 dhe ftojini nxënësit të përgjigjen për pyetjen vijuese.

Mësoje përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te 2 Thesalonikasve 2:1–3. Një mënyrë për ta bërë këtë është të kryesh veprimtarinë vijuese (ose një të ngjashme duke përdorur programin për telefonat celularë Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor]):

Nxënësit mund ta plotësojnë vetë veprimtarinë vijuese ose mund të bëhet në tabelë si klasë.

Shkruaj 2 Thesalonikasve 2:1–3: “[Dita e Krishtit] … nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia” në ditarin tënd të studimit ose në pajisjen tënde digjitale.

Përsërite referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë me zë të lartë ose në mendje disa herë.

Fshije ose hiqe një frazë, siç është “pa ardhur më parë rënia” dhe provo ta përsëritësh përsëri të plotë referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë.

Vazhdo të fshish ose të heqësh fraza të tjera derisa të mund ta përsëritësh të gjithë referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë përmendsh.

Ti mund të kujtosh që kur studiove kapitullin te 2 Thesalonikasve 2 , mësove se ishte profetizuar në lashtësi se përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, do të ndodhte një Braktisje e Kishës së Tij.

Në vend që t’i vini nxënësit të shkruajnë një shpjegim për Braktisjen e Madhe si pjesë e veprimtarisë vijuese, merreni parasysh t’i vini në dyshe dhe t’i ftoni t’ia shpjegojnë me radhë njëri-tjetrit Braktisjen e Madhe. Nëse nxënësit duhet ta kuptojnë më mirë doktrinën e Braktisjes dhe të Rivendosjes përpara se ta kryejnë këtë veprimtari, merreni parasysh të kaloni disa minuta duke përsëritur materialet nga mësimi i mëparshëm.

Shkruaj një shpjegim se çfarë është Braktisja e Madhe dhe përse ndodhi. Shkruaje sikur po ia shpjegon Braktisjen një fëmije. Përdori të vërtetat nga vargjet te 2 Thesalonikasve 2:1–3 si pjesë e shpjegimit tënd dhe përfshi ide rreth mënyrës se pse ishte e nevojshme Rivendosja e plotë e Kishës së Krishtit.

Ushtroje vënien në zbatim

Nëse është e nevojshme, jepuni nxënësve mundësinë që t’i përsëritin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Një mënyrë për ta bërë këtë është të paraqitni detyrën e kontrollit me përputhje në vijim që ata ta plotësojnë vetë, në dyshe ose grupe të vogla. Përndryshe, detyra e kontrollit mund të jepet në mënyrë elektronike nëpërmjet një loje në internet nëse nxënësit kanë në përdorim pajisje të besueshme. Përgjigjet e sakta janë 1) c; 2) a; 3) b.

Ndërsa e vazhdon këtë mësim, do të kesh mundësinë të ndihmosh dikë t’i zbatojë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Për të parë se sa mirë i mban mend këto parime, provo t’i përputhësh pohimet vijuese me parimin e marrjes së njohurisë shpirtërore që përshkruan çdo pohim.

  1. “Kërkuesit e sinqertë të së vërtetës duhet të jenë të kujdesshëm ndaj burimeve të pasigurta të informacionit.”

  2. “Mirëbesoji Perëndisë dhe kthehu tek Ai, fillimisht nëpërmjet lutjes së sinqertë, një studimi të mësimeve të Tij dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Tij.”

  3. “Merri parasysh [pyetjet] në kontekstin e planit të shpëtimit dhe mësimeve të Shpëtimtarit.”

a. Vepro me besim.b. Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm. c. Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.

Nëse duhet t’i përsëritësh më tej këto parime, lexo paragrafët 5–12 te pjesa “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te materiali Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022).

Ftojini nxënësit të reflektojnë rreth përgatitjes së tyre për orën mësimore teksa kryejnë veprimtarinë vijuese të ushtrimit të vënies në zbatim.

Përfytyro sikur po i shkruan mesazh shokut tënd Ilirit, i cili është anëtar i një kishe tjetër të krishterë. Ai është shumë i përkushtuar ndaj Jezu Krishtit dhe e studion Biblën shpesh. Në një mesazh për ty, Iliri tha: “Sot pastori im na mësoi se anëtarët e kishës tënde besojnë se kisha juaj është kisha e vetme e vërtetë dhe çdo kishë tjetër është e rreme. A është e vërtetë kjo? Unë ndihem më pranë Perëndisë për shkak të kishës sime. Si mund të mos jetë prej Perëndisë?”

  • Përse mund të jetë e natyrshme që anëtarët e kishave të tjera të kenë pyetje si kjo?

  • Si mund t’i përgjigjesh Ilirit në një mënyrë si e Krishtit?

Ti i përgjigjesh mesazhit të Ilirit duke e falënderuar atë për pyetjen e tij të matur. Ti e pyet nëse mund t’ia kthesh atij përgjigjen të nesërmen dhe ai pranon.

Përdori parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për të përgatitur një përgjigje për Ilirin. Sigurohu që t’i përdorësh të tria parimet. Përdori pyetjet dhe veprimtaritë vijuese për të të ndihmuar të përgatitësh përgjigjen tënde.

Nxënësit mund t’i diskutojnë pyetjet vijuese në dyshe ose në grupe të vogla përpara se t’i shkruajnë vetë përgjigjet e tyre.

Mund të jetë e dobishme që nxënësit ta dorëzojnë një kopje të përgjigjeve të tyre për shqyrtim. Sigurohuni që nxënësit ta kuptojnë siç duhet doktrinën e Braktisjes dhe Rivendosjes dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

Si mund t’i përdorësh të vërtetat e dhëna mësim te 2 Thesalonikasve 2:1–3 për ta ndihmuar llirin?

Gjej të paktën tri shkrime të shenjta, biseda apo artikuj të tjerë që ti mendon se do të ishin të dobishme në këtë situatë. Merre parasysh të përdorësh burimet vijuese:

  1. Lexo pjesët “ Braktisje ” dhe “ Rivendosje e Ungjillit ” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Këto pjesë mund të gjenden te scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

  2. Referoju shkrimeve të shenjta dhe pohimeve nga mësimi “2 Thesalonikasve 2” ose nga “Mësimi 1: Mesazhi i Rivendosjes së Ungjillit të Jezu Krishtit” te Predikoni Ungjillin Tim (2005), f. 31–46.

  • Cilat fragmente të shkrimit të shenjtë apo burimeve të tjera gjete që mund të të ndihmojnë t’i përgjigjesh Ilirit?

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Cilat të vërteta për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin do të doje t’i tregoje Ilirit që mund ta ndihmojnë atë të kuptojë nevojën për Rivendosje?

Vepro me besim

  • Cilat veprime të caktuara mund ta ftosh Ilirin që t’i ndërmarrë ai në mënyrë që ta mësojë vetë arsyen përse ishte e nevojshme Rivendosja e Kishës së Krishtit?

  • Çfarë lloj përvojash mund të presë të ketë Iliri nëse ai i ndërmerr këto veprime?

  • Në ç’mënyra është ftesa që ai të ndërmarrë një veprim, një akt besimi nga ana jote?

Ftojini nxënësit e gatshëm t’ia tregojnë klasës përgjigjet e tyre, duke përshirë çdo fragment të dobishëm të shkrimeve të shenjta, biseda apo artikuj që ata gjetën. Nëse ka kohë, merreni parasysh t’i ftoni vullnetarët të tregojnë se si ata e fituan dëshminë e tyre për Rivendosjen.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Në fillim ose në fund të një mësimi të ardhshëm, shpenzoni jo më shumë se tre deri në pesë minuta me përsëritjen e referencës së shkrimit të shenjtë dhe frazës kyç të shkrimit të shenjtë për këtë fragment të zotërimit doktrinor. Përdoreni të njëjtën veprimtari të mësimit përmendsh që nxënësit e përfunduan në fillim të këtij mësimi.