Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10
Galatasve – 2 Thesalonikasve
Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i vlerësosh synimet që ke vendosur dhe rritjen vetjake që ke përjetuar gjatë studimit tënd të Dhiatës së Re.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përparimi yt shpirtëror
Mendo për një aftësi, talent apo karakteristikë që ti po zhvillon, që kërkon përpjekje të rregullta dhe të qëndrueshme.
-
Çfarë të motivon të shpenzosh kohën dhe përpjekjet e nevojshme për t’u përmirësuar?
-
Ndërsa punon fort për të përparuar, çfarë pret të ndodhë që të ndihmon ty të dish se përpjekjet e tua janë me vlerë?
Ne kemi shumë mundësi gjatë kohës sonë në tokë që të punojmë për t’u bërë më të ngjashëm me Shpëtimtarin, i cili na përgatit që të kthehemi për të jetuar me Të dhe Atin tonë Qiellor. Mund të jetë e dobishme ta vlerësojmë në mënyrë periodike përparimin tonë dhe të bëjmë të gjitha përshtatjet e nevojshme.
Qëllimi i këtij mësimi është të të japë mundësi ta vlerësosh përparimin tënd shpirtëror. Ti do të kesh mundësinë ta vlerësosh atë që ke mësuar deri më tani nga Dhiata e Re dhe të vlerësosh përparimin tënd në lidhje me synimet që mund të kesh vendosur për shkak të asaj që ke mësuar.
Gjej një çast për të menduar për studimin tënd më të fundit të Dhiatës së Re dhe veprimet që ke ndërmarrë për shkak të asaj që ke mësuar. Nëse dëshiron, mund ta shqyrtosh atë që ke shkruar në ditarin tënd ose atë që ke shenjuar në shkrimet e tua të shenjta kohët e fundit, për t’i përcaktuar synimet që ke vendosur dhe përshtypjet që ke marrë.
-
Çfarë ke mësuar nga Dhiata e Re që të ka ndihmuar të vish më pranë Jezu Krishtit?
-
Çfarë ke mësuar rreth Tij nga Dhiata e Re që të ka bërë më shumë përshtypje?
Veprimtaria A: Shpjegimi i Braktisjes së Madhe dhe Rivendosjes
Shikoji këto dy fotografi dhe mendo se çfarë do të thotë të rivendosësh [riparosh] diçka.
-
Përse diçka ka nevojë për t’u rivendosur?
-
Si mund të krahasohen këto figura me Braktisjen dhe Rivendosjen?
Për të shqyrtuar lidhjen ndërmjet Braktisjes dhe Rivendosjes, plotëso veprimtarinë vijuese:
Përfytyro sikur misionarët po e mësojnë një nga shokët e tu në shtëpinë tënde. Ata të kërkojnë ty që të japësh mësim një pjesë të mësimit të ardhshëm mbi Braktisjen dhe Rivendosjen. Ti e di se shoku yt ka njohuri rreth Biblës, prandaj duket ide e mirë që të përdorësh disa vargje nga Dhiata e Re gjatë mësimit.
Duke përdorur vargjet te Veprat e Apostujve 3:21 ; Efesianëve 1:10 ; Efesianëve 2:19–22 dhe 2 Thesalonikasve 2:1–3 (ose vargje të tjera të zgjedhura prej teje), shkruaj atë që mund të thuash gjatë mësimit për ta ndihmuar shokun tënd të kuptojë se përse Shpëtimtari do të duhej ta rivendoste ungjillin e Tij në tokë.
Veprimtaria B: Rritja e dashurisë tënde për Jezu Krishtin dhe e dëshirës tënde për t’i shërbyer Atij
Te mësimi “Filipianëve 3”, ty t’u dha mundësia që të shkruash një letër për veten tënde në të ardhmen, në të cilën përcaktove sakrificat që mund të bësh, që do të të ndihmojnë ta njohësh Jezu Krishtin më mirë dhe të përgatitesh për jetën e përjetshme.
Nëse e shfrytëzove këtë mundësi, referoju letrës që shkrove. Krahasoji ndjenjat e tua të tanishme për Jezu Krishtin ose dëshirat e tua për t’i shërbyer Atij me ndjenjat dhe dëshirat që pate kur e shkrove atë letër. Nëse dëshiron t’i shtosh diçka letrës në bazë të përvojave të tua të fundit, bëje lirisht këtë tani.
-
Ndërsa e shqyrtove letrën tënde, a vure re ndonjë ndryshim lidhur me dashurinë tënde për Jezu Krishtin? Nëse po, përse mendon se ndryshoi?
-
Cilat përvoja të fundit e kanë rritur dashurinë tënde për Perëndinë dhe gatishmërinë tënde për t’i shërbyer Atij?
-
Cilët ndien se janë disa nga hapat e radhës që mund t’i ndërmarrësh, që të ndihmojnë ta rrisësh dashurinë tënde për Perëndinë?
Veprimtaria C: Veshja e gjithë armatimit të Perëndisë
-
Çfarë mban mend rreth armatimit të Perëndisë? Çfarë mban mend rreth kuptimit të çdo pjese? Nëse të duhet ndihmë, referoju vargjeve tek Efesianëve 6:14–18 për përgjigjet.
-
Si do ta përmblidhje kuptimin e frazës “vishni të gjithë armatimin e Perëndisë”? ( Efesianëve 6:11 .)
Vizato një figurë njeriu në ditarin tënd.
-
Çfarë përpjekjesh po bën për ta veshur armatimin e Perëndisë?
Vizato një ose disa pjesë të armatimit që i përfaqësojnë ato përpjekje.
-
A ke përjetuar ndonjë rezultat nga përpjekjet e tua? Nëse po, çfarë ke përjetuar? Nëse jo, çfarë rezultatesh mendon se mund të vijnë nga vazhdimi i përpjekjeve të tua?