Seminari
Zotërimi Doktrinor: Lluka 2:10–12


Zotërimi Doktrinor: Lluka 2:10–12

Jezu Krishti Lindi si Shpëtimtar dhe Zot

Actors depicting the Nativity.

Në një mësim të mëparshëm studiove dëshminë e një engjëlli për barinjtë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës (shih Lluka 2:10–12). Ky mësim do të të japë mundësinë për të demonstruar kuptimin tënd për këtë doktrinë ndërsa i zbaton parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në një situatë nga jeta reale.

Ky mësim i zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë mësim pas Lluka 2:1–14 , i cili është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor Lluka 2:10–12 . Nëse ky mësim nevojitet të bëhet në një javë tjetër për t’iu përshtatur orareve të shkollës, sigurohuni që të bëni të njëjtën gjë edhe me mësimin kontekstual.

Mësimdhënia ndaj nxënësve e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Nxënësit do t’i përmbushin më mirë qëllimet e zotërimit doktrinor nëse i kuptojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe u jepen mundësi për t’i zbatuar ato. Merreni parasysh t’i shqyrtoni shkurtimisht këto parime në secilin mësim të zotërimit doktrinor. Mund të jetë e dobishme të jepni shembuj mbi mënyrën se si të zbatohen parimet në fillim të vitit dhe pastaj t’i lejoni nxënësit të japin shembujt e tyre ndërsa përmirësojnë aftësitë e tyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të fillojnë t’i mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë, Lluka 2:10–12 : “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Mëso përmendsh dhe shpjego

Referoju figurës së lindjes së Shpëtimtarit dhe frazës kyç të shkrimit të shenjtë për Lluka 2:10–12 . Shoqërimi i një figure me referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë mund të ndihmojë në të mësuarit përmendsh.

Ftojini nxënësit t’i përsëritin shumë herë referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë. Kjo mund të bëhet individualisht ose si klasë.

Vështro figurën e lindjes së Shpëtimtarit dhe lexo referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për Lluka 2:10–12 : “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti”. Përsëriteni derisa të ndihesh i/e sigurt se mund ta thuash përmendsh.

Veprimtaria e mëposhtme ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të shpjegojnë me fjalët e tyre doktrinën se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës, siç jepet mësim te Lluka 2:10–12 .

Vështro figurën e lindjes së Shpëtimtarit. Shkruaj dy ose tre fjali duke shpjeguar arsyen pse ngjarja e paraqitur këtu solli “një gëzim të madh për të gjithë popullin” ( Lluka 2:10).

Ftojini nxënësit e gatshëm ta lexojnë atë që shkruan. Dëgjojini me kujdes përgjigjet e nxënësve dhe shqyrtojeni materialin nga mësimi Lluka 2:1–14 sipas nevojës.

Ushtroje vënien në zbatim

Gjej disa minuta për të shqyrtuar parimet në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022). Për secilin parim, shenjo të paktën një fjali që mendon se e shpjegon konceptin.

Ftojini disa nxënës të gatshëm t’i lexojnë fjalitë që shenjuan. Merrni parasysh të bëni pyetje vijuese të mëtejshme që i ndihmojnë nxënësit të shpjegojnë se pse kanë përzgjedhur një fjali të caktuar dhe çfarë do të thotë ajo për ta personalisht.

Merre parasysh situatën vijuese:

Një nga miqtë e tu që nuk është besimtar, kohët e fundit pa dy misionarë që flisnin me disa njerëz në park. Miku yt të pyeti: “Pse misionarët e kishës tuaj dalin dhe predikojnë për Jezusin? Duket sikur po përpiqeni t’ua impononi bindjet tuaja njerëzve të tjerë. Pse nuk mund t’i lini ata të jenë të lumtur ashtu siç janë?”

Duke e mbajtur në mendje këtë situatë, studioji parimet e mëposhtme të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe reflekto mbi mënyrën se si mund të të ndihmojnë ato t’i përgjigjesh pyetjes së mikut tënd.

Nxënësit mund të ndahen në dyshe ose grupe të vogla për të diskutuar parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe si mund t’i përdorin këto parime për t’iu përgjigjur këtij skenari.

Merrni parasysh të përdorni alternimin me tri pjesë për të diskutuar parimet. Shtypini dhe pritini segmentet e mëposhtme në mënyrë që të ketë mjaftueshëm për secilën dyshe apo grup me radhë. Jepuni kohë nxënësve ta diskutojnë segmentin e tyre para se t’u kërkoni t’i këmbejnë letrat me një grup ose çift që kanë afër. Kur të gjitha grupet ose dyshet t’i kenë diskutuar të tre segmentet, ftojini nxënësit të përgjigjen vetë për skenarin.

Vepro me besim

“Ne veprojmë me besim kur zgjedhim ta mirëbesojmë Perëndinë dhe të kthehemi tek Ai fillimisht” (Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, paragrafi 5).

  • Çfarë frazash gjen në paragrafët 5–7 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” që mund t’ju ndihmojnë në këtë skenar?

  • Si mund të të ndihmojë të vepruarit me besim ndërsa kërkon përgjigje për mikun tënd?

Shqyrtoji konceptet e pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

“Për t’i shqyrtuar [konceptet dhe pyetjet] me një këndvështrim të përjetshëm, ne i marrim ato parasysh në kontekstin e planit të shpëtimit dhe të mësimeve të Shpëtimtarit” (Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, paragrafi 8).

Shqyrtoji vargjet te Lluka 2:10–12 . Mendo se çfarë na mëson ky fragment së bashku me atë që tashmë e di për Jezu Krishtin.

  • Cilat janë rolet e Shpëtimtarit në planin e shpëtimit?

  • Pse është e rëndësishme që ata që nuk dinë ende gjë për Jezu Krishtin të mësojnë për Të?

  • Pse është kaq e rëndësishme që ne t’ua shpërndajmë të gjithëve mesazhin e ungjillit të Tij të rivendosur, përfshirë të krishterëve të tjerë që tashmë e kanë pranuar Atë?

  • Si mund t’i përdorësh përgjigjet e pyetjeve të mëparshme për t’iu përgjigjur mikut tënd?

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

Për të na ndihmuar të marrim njohuri shpirtërore, Zoti “ka krijuar burime nëpërmjet të cilave Ai u zbulon vërtetësi dhe udhërrëfim fëmijëve të Tij” (Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor, “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, paragrafi 11).

Shqyrto një ose më shumë nga burimet e mëposhtme të frymëzuara, duke kërkuar informacione që mund të të ndihmojnë t’i përgjigjesh pyetjes së mikut tënd.

Merre parasysh se çfarë na mësojnë këto burime për mënyrën se si Shpëtimtari dhe mësimet e Tij mund t’u sjellin njerëzve gëzim.

  • Çfarë mësove për Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij që mund t’u sillnin njerëzve gëzim në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë?

  • Çfarë përvojash vetjake me Shpëtimtarin ose mësimesh të Tij të kanë sjellë gëzim?

  • Si mund të të ndihmojnë përgjigjet e tua për këto pyetje që t’i përgjigjesh pyetjes së mikut tënd?

Merrni parasysh t’u jepni nxënësve mundësi për ta interpretuar me role këtë skenar pasi të diskutoni parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

Përsëritje e Zotërimit Doktrinor

Në fillim ose në fund të një mësimi të ardhshëm, shpenzoni jo më shumë se 3 deri në 5 minuta me përsëritjen e fragmentit të zotërimit doktrinor. Shfaqni figurën e lindjes së Shpëtimtarit që u përdor kur nxënësit mësuan përmendsh vargjet te Lluka 2:10–12 dhe ftojini nxënësit ta përsëritin referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë derisa të mund ta mësojnë përmendsh.

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Skenari alternativ i zbatimit në praktikë

Përfytyro sikur publikove një pikturë të lindjes së Krishtit në mediat shoqërore me një mesazh që thotë se je mirënjohës/e për paqen dhe gëzimin që të sjell njohuria jote për një Shpëtimtar. Një nga miqtë e tu që nuk është besimtar/e komentoi në publikimin tënd duke thënë: “A nuk mund të kenë njerëzit paqe dhe gëzim pa Jezusin?”