Seminari
Lluka 2:1–39; Mateu 2:1–12


Lluka 2:1–39; Mateu 2:1–12

Dëshmitar i Shpëtimtarit

Witnesses to the Savior’s birth

Barinjtë, Dijetarët, Simeoni dhe Ana ishin dëshmitarët e hershëm të Shpëtimtarit. Ndërsa mëson për përvojat e tyre, mund të zhvillosh dëshirën për të kërkuar një dëshmi, për ta rritur atë dhe për t’u gëzuar në dëshminë tënde për Jezu Krishtin.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i përsiatin këto pyetje: Sa fuqishëm ndiheni se mund të dëshmoni për Jezu Krishtin? Si mund ta forcosh dëshminë tënde për Shpëtimtarin?

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Fryma e Shenjtë dëshmon për Jezu Krishtin

Merre parasysh ta fillosh orën mësimore duke kënduar himnin “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74). Mund të jetë gjithashtu e dobishme të jepni dëshminë vetjake për Shpëtimtarin.

Mendo për pyetjet vijuese:

  • Çfarë është një dëshmi?

Nëse nxënësit kanë vështirësi për ta shpjeguar se çfarë është një dëshmi, merrni parasysh të përdorni shpjegimin nga Temat e Ungjillit në pjesën “Komente dhe Informacion për Rrethanat”.

  • Çfarë mund të bësh për të marrë dhe forcuar një dëshmi?

  • Duke pranuar se ndonjëherë të tjerët mund të të ndihmojnë ta rritësh dëshminë, pse prindërit, vëllezërit e motrat ose miqtë e tu nuk mund të të japin një dëshmi?

Një dëshmi vjen kur Fryma e Shenjtë i konfirmon të vërtetën një kërkuesi të sinqertë. Mos u shkurajo nëse marrja e dëshmisë sate kërkon kohë. Ndërsa vazhdon të kërkosh me sinqeritet një dëshmi, Zoti do të të përgjigjet në kohën dhe mënyrën e Tij.

Nëse kjo do t’i ndihmonte nxënësit, merreni parasysh të diskutoni shkurtimisht se si dëshmon Fryma e Shenjtë. Fragmentet e mëposhtme të shkrimeve të shenjta mund të ndihmojnë: Gjoni 14:26 ; 16:13 ; Doktrina e Besëlidhje 6:23 ; 8:2–3 .

Lexo te Gjoni 15:26 dhe thënien e mëposhtme nga Presidenti Rasëll M. Nelson, duke kërkuar atë që ato na mësojnë rreth dëshmisë për Jezu Krishtin.

Official portrait of President Russell M. Nelson taken January 2018

“E vërteta më e rëndësishme që Fryma e Shenjtë do t’ju dëshmojë ndonjëherë është se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.”

(Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 96.)

Përsiati pyetjet e mëposhtme dhe merre parasysh t’i shkruash mendimet e tua në ditarin tënd të studimit:

Kujtojuni nxënësve se u janë bërë pyetjet e mëposhtme si përgatitje për këtë mësim. Jepuni atyre një çast për të menduar për përgjigjet e tyre. Merrni parasysh të diskutoni pyetjen e dytë.

  • Si mendon, pse kjo është e vërteta më e rëndësishme që Shpirti do të të dëshmojë ndonjëherë?

  • Si mund ta forcosh dëshminë tënde për Shpëtimtarin?

Në këtë mësim, do të mësosh për dëshmitarët e lindjes së Shpëtimtarit. Ndërsa i studion rrëfimet e tyre, kërko se si këta dëshmitarë arritën ta njihnin Shpëtimtarin dhe çfarë bënë me dëshmitë që morën. Mbaje në mendje këtë të vërtetë ndërsa studion: Dëshmia ime për Jezu Krishtin vjen nëpërmjet dëshmimit nga Fryma e Shenjtë.

Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit ta mbajnë shënim atë në ditarët e tyre të studimit.

Simeoni dhe Ana

Tetë ditë pas lindjes së Jezusit, Maria dhe Jozefi e paraqitën foshnjën Jezus në tempull në përputhje me ligjin judeas (shih Eksodi 13:2). Simeoni dhe Ana, që ishin në tempull, e njohën foshnjën Jezus si Shpëtimtarin e tyre.

Lexo te Lluka 2:25–33, 36–38 , duke kërkuar prova të Frymës së Shenjtë që i ndihmon Simeonin dhe Anën të marrin një dëshmi për Jezu Krishtin. Fraza “priste ngushëllimin e Izraelit” në vargun 25 i referohet pritjes së ardhjes së Mesias.

  • Si e ndihmoi Fryma e Shenjtë Simeonin të merrte një dëshmi për Krishtin?

  • Çfarë kishte bërë Ana që e ndihmoi të merrte një dëshmi për Zotin?

  • Çfarë mund të mësosh nga Simeoni dhe Ana që mund të të ndihmojë të kërkosh, të rritesh dhe të gëzohesh në dëshminë tënde për Jezu Krishtin?

Merrni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i caktoni secilit grup një nga veprimtaritë e mëposhtme.

Përveç Simeonit dhe Anës, duket se barinjtë dhe Dijetarët fituan gjithashtu një dëshmi për Jezu Krishtin. Ne mund të mësojmë nga shembujt e tyre se si marrja e një dëshmie për Shpëtimtarin mund të ndikojë te ne. Nëse do të mësosh më shumë rreth dhënies së dëshmisë sate, studio barinjtë te Veprimtaria A. Nëse do ta përmirësosh adhurimin tënd dhe të marrësh parasysh dhuratat që mund t’i japësh Zotit, studio pjesën Dijetarët te Veprimtaria B.

Veprimtaria A: Barinjtë (Lluka 2:15–20) – Dhënia e dëshmisë sate

Natën e lindjes së Shpëtimtarit në Bethlehem, barinjtë po ruanin kopetë e tyre në fushat përreth qytetit. Një engjëll iu shfaq atyre dhe njoftoi lindjen e Jezu Krishtit, duke sjellë “gëzim të madh” për “të gjithë popullin” ( Lluka 2:10).

Lexo te Lluka 2:15–20 , duke kërkuar se si barinjtë iu përgjigjën mesazhit të engjëllit.

  • Si mendon, pse barinjtë e shpërndanë dëshminë e tyre për Zotin tek të tjerët?

  • Çfarë mund të mësosh nga ky rrëfim për atë që ndodh kur merr dëshminë tënde për Jezu Krishtin?

  • Kur ke dëshiruar ta ndash dëshminë tënde për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij me të tjerët? Trego një përvojë që ke pasur me dhënien e dëshmisë sate.

Veprimtaria B: Dijetarët (Mateu 2:1–12) – Përmirësimi i adhurimit tënd

Dijetarët e kërkuan Shpëtimtarin që nga koha e lindjes së Tij derisa Ai u bë fëmijë i vogël (shih Mateu 2:1–2).

Lexo te Mateu 2:9–11 , duke kërkuar atë që bënë Dijetarët kur gjetën Shpëtimtarin.

  • Çfarë mund të mësosh nga shembulli i Dijetarëve?

  • Si ndikon dëshmia jote për Jezu Krishtin në dëshirën tënde për ta adhuruar Atë?

  • Dijetarët ofruan dhurata për të adhuruar Jezusin fëmijë. Cilat janë disa mënyra se si ti mund ta adhurosh Shpëtimtarin?

Dëshmia jote

Reflekto mbi mbresat dhe ndjenjat që ke marrë nga Fryma e Shenjtë gjatë këtij mësimi. Ndërsa vazhdon ta studiosh jetën e Shpëtimtarit siç është shënuar te Dhiata e Re, kushtoji vëmendje mënyrës se si Fryma e Shenjtë të dëshmon për Jezu Krishtin.

Ka shumë mënyra se si nxënësit mund ta japin dëshminë e tyre për Jezu Krishtin. Nxënësit nuk duhet të ndihen të detyruar ta japin atë, por duhet të ndiejnë ftesën për ta bërë. Më poshtë janë disa mënyra se si nxënësit mund ta japin atë.

Thuaje dëshminë tënde për Shpëtimtarin Jezu Krisht ose atë që di për Të. Mund ta japësh dëshminë tënde për Zotin në shumë mënyra. Për shembull, mund ta publikosh dëshminë dhe një figurë të Shpëtimtarit në mediat shoqërore, ta japësh dëshminë në një mbledhje dëshmish ose ta shkruash dëshminë tënde në një kopje të Librit të Mormonit dhe t’ia japësh një miku ose pjesëtari të familjes.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Çfarë është një dëshmi?

“Një dëshmi është një dëshmim shpirtëror i dhënë nga Fryma e Shenjtë. Themeli i një dëshmie është njohuria se Ati Qiellor jeton dhe i do fëmijët e Tij; se Jezu Krishti jeton, se Ai është Biri i Perëndisë dhe se Ai përmbushi Shlyerjen e pafundme; se Jozef Smithi është profeti i Perëndisë që u thirr për të rivendosur ungjillin; se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e vërtetë e Shpëtimtarit në tokë; dhe se Kisha drejtohet nga një profet i gjallë sot. Me këtë themel, një dëshmi rritet për të përfshirë të gjitha parimet e ungjillit.”

(Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Testimony” [“Dëshmia”], topics.ChurchofJesusChrist.org)

Si ndikon tek ne dëshmia për Jezu Krishtin?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, shpjegoi se si Fryma e Shenjtë dëshmon për Krishtin:

Official Portrait of President Henry B. Eyring taken March 2018.

“Është Fryma e Shenjtë i cili dëshmon se Jezu Krishti është Biri i Dashur i një Ati Qiellor, i cili na do dhe do që të kemi jetë të përjetshme me Të si familje. Madje edhe me fillimin e asaj dëshmie, ne ndiejmë një dëshirë për t’i shërbyer Atij dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Kur ngulmojmë në bërjen e asaj, ne marrim dhuratat e Frymës së Shenjtë që të na japin fuqi gjatë shërbimit tonë. Ne arrijmë ta shohim dorën e Perëndisë më me qartësi, aq me qartësi saqë me kalimin e kohës jo vetëm e kujtojmë Atë, por arrijmë ta duam Atë, dhe nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes, të bëhemi më shumë si Ai.”

(Henri B. Ajring, “O Kujtoni, Kujtoni”, Ensign ose Liahona, Nëntor 2007, f. 68–69.)

2:3

Çfarë dhuratash mund t’i ofrosh Jezu Krishtit?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Official portrait of President Russell M. Nelson taken January 2018

“Dhurata më e madhe që mund t’i jepni Zotit, është ta mbani veten të panjollosur nga bota, të denjë për ta frekuentuar shtëpinë e Tij të shenjtë. Dhurata e Tij për ju do të jetë paqja dhe siguria që të dini se jeni të denjë të takoheni me Të, kurdoherë që të vijë ajo kohë.”

(Rasëll M. Nelson, “E Ardhmja e Kishës: Përgatitja e Botës për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit”, Ensign ose Liahona, prill 2020, f. 15.)

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Official portrait of Elder Dieter F. Uchtdorf of the Quorum of the Twelve Apostles, 2006. Called as Second Counselor in the First Presidency, 3 February 2008. Made official portrait in 2008 replacing portrait taken in 2004.

“Ne, ashtu si Dijetarët e lashtësisë, duhet ta kërkojmë Krishtin dhe të vëmë përpara Tij dhuratat më të çmuara: një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Ne duhet t’i ofrojmë Atij dashurinë tonë. Ne duhet t’i japim Atij gatishmërinë tonë për të marrë mbi vete emrin e Tij dhe për të ecur në shtegun e dishepullimit. Ne duhet të premtojmë që ta kujtojmë Atë gjithmonë, të ndjekim shembullin e Tij dhe të shkojmë duke bërë mirë (shih Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79 ; Veprat e Apostujve 10:38).Ne nuk mund t’i ofrojmë Atij dhuratën e përsosjes në të gjitha gjërat sepse kjo është një dhuratë përtej aftësisë tonë për të dhënë – të paktën tani për tani. Por Ai kërkon që ne të sjellim si dhurata përpjekjet tona më të mira për të ecur sipas mënyrave që Ai ka përgatitur dhe dhënë mësim.”

(Dieter F. Uchtdorf, “True Gifts of Christmas”, New Era, dhjetor 2018, f. 3.)

Pse Maria ofroi turtuj ose pëllumba në tempull?

Ligji i Moisiut i shpalli gratë të papastra nga ana ceremoniale pas lindjes. Për t’u bërë e pastër, një nënë e re duhej të sillte një qengj në tempull për olokaust, dhe një pëllumb ose turtull për flijim për mëkatin (shih Levitiku 12:5–6). “Dhe në rast se i mungojnë mjetet për të ofruar një qengj, do të marrë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj” (Levitiku 12:8). Fakti që Maria paraqiti turtuj ose pëllumba në vend të një qengji është dëshmi se Jezu Krishti ka lindur nga një nënë me pak të ardhura materiale.

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Ashtu si Dijetarët, ne mund t’i ofrojmë dhurata Shpëtimtarit

Pasi të diskutoni për Dijetarët, ftojini nxënësit të mendojnë për dhuratat që mund t’i ofrojnë Shpëtimtarit. Merreni parasysh të lexoni thëniet e Presidentit Nelson dhe Plakut Uhtdorf të përfshira në pjesën “Komente dhe Informacion për Rrethanat” të këtij mësimi.