Zotërimi Doktrinor: Lluka 24:36–39
“Një Frymë Nuk ka Mish e Eshtra, si po Shihni se Unë Kam”
Në studimin tënd të vargjeve te Lluka 24:1–9, 36–48, ti mësove rreth Ringjalljes së Shpëtimtarit. Duke përdorur fragmentin e zotërimit doktrinor nga Lluka 24:36–39, ky mësim do të të ndihmojë ta rritësh zotërimin për doktrinën e ringjalljes duke mësuar përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë, duke shpjeguar doktrinën dhe duke zbatuar në një situatë nga jeta reale parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mëso përmendsh dhe shpjego
Kujto që pas vuajtjes së Shpëtimtarit në Gjetseman dhe vdekjes në kryq, trupi i Tij u zbrit nga kryqi dhe u vendos në një varr. Tri ditë më pas, Jezu Krishti u ringjall. Lexo fragmentin e zotërimit doktrinor te Lluka 24:36–39 dhe nënvizo fjalët ose frazat e rëndësishme që Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij pas Ringjalljes.
Përfytyro sikur të të kërkohet të japësh përgjigje për pyetjen vijuese nga pjesa “Pyetje dhe Përgjigje” e revistës Për Forcën e Rinisë. Merr parasysh atë që mund të tregosh me vetëm 2–3 fjali.
-
Çfarë ka kaq të veçantë Ringjallja e Jezu Krishtit?
Për të ushtruar mësimin përmendsh të kësaj reference dhe frazës kyç të shkrimit të shenjtë, ndaje një faqe në ditarin tënd të studimit në katër pjesë. Shkruaj referencën dhe një nga frazat (siç tregohet më poshtë) në secilën pjesë. Merre parasysh të vizatosh një figurë të thjeshtë përkatëse ose ikonë për të përfaqësuar secilën nga katër pjesët e referencës së shkrimit të shenjtë dhe frazës kyç. Ushtroje përsëritjen e secilës prej tyre derisa të mund t’i thuash të gjitha përmendsh pa i parë.
-
Lluka 24:36–39
-
Sepse një frymë
-
nuk ka mish e eshtra,
-
si po shihni se unë kam
Ushtroje vënien në zbatim
Shqyrto shkurtimisht paragrafët 5–12 te pjesa “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” e materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022). Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë që të shohësh nëse mund t’i rendisësh të tre parimet përmendsh. Më pas, në ditarin tënd të studimit, mbaj shënim se si ti i ke përdorur, ose mund t’i përdorësh, këto parime në jetën tënde.
Tani ushtro përdorimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinës së dhënë mësim te Lluka 24:36–39 duke lexuar skenarin më poshtë dhe duke iu përgjigjur pyetjeve që vijojnë.
Një nga miqtë e tu të ngushtë, Fredi, ka rënë dakord të marrë në shtëpinë tënde mësimet nga misionarët. Fredi dhe familja e tij është transferuar së fundmi në qytetin tënd dhe ai nuk ka kuptueshmëri apo njohuri të mëparshme rreth Jezu Krishtit. Kur i jepet mësim plani i shpëtimit dhe roli i Jezu Krishtit, Fredi duket në siklet, por nuk thotë asgjë. Më vonë, pasi misionarët largohen, ai të tregon se nuk beson në konceptin e ringjalljes dhe të jetës pas vdekjes.
-
Çfarë mund të bëje ose të thoje për ta ndihmuar Fredin të kuptojë dëshirën tënde për ta ndihmuar atë?
-
Çfarë pyetjesh mund të bësh për ta kuptuar më mirë atë që Fredi beson apo përse e beson atë?
-
Si mund ta përdorësh secilin prej tre parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore për ta ndihmuar Fredin?
Vepro me besim
-
Si mund të veprosh me besim në këtë situatë?
-
Çfarë mund t’i tregosh Fredit rreth të vepruarit me besim? Përse është ky një hap i rëndësishëm në gjetjen e përgjigjeve për pyetjet e tij?
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
-
Çfarë pyetjesh mund të bësh apo për çfarë të vërtetash të përjetshme mund t’i dëshmosh Fredit ndërsa mundohesh ta ndihmosh atë ta shohë shqetësimin e tij nga këndvështrimi i përjetshëm?
-
Si mund ta ndihmojë kjo Fredin të nisë ta kuptojë këtë gjë nga këndvështrimi i përjetshëm?
-
Çfarë të ka ndihmuar ty të kuptosh Ringjalljen e Shpëtimtarit dhe rolin e tij në planin e shpëtimit?
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
-
Çfarë shkrimesh të shenjta specifike nga Lluka 24 mund të përdorësh kur i përgjigjesh Fredit? Çfarë burimesh të tjera mund të shqyrtosh përpara se të përgjigjesh? (Disa nga materialet që studiove te mësimi i mëparshëm nga Lluka 24, mund të ndihmojnë.)
-
Ku tjetër do ta referoje Fredin nëse ai do të donte të studionte më tepër vetë?