Gjoni 21:1–17
“Ki Kujdes për Delet e Mia”
Zoti i ringjallur iu shfaq dishepujve të Tij ndërkohë që ata po peshkonin në Detin e Tiberiadës (Galilesë). Në bregdet, Jezusi hëngri me ta dhe e ftoi Pjetrin ta tregonte dashurinë e tij për Të duke u kujdesur për delet e Tij. Ky mësim mund të të ndihmojë të tregosh dashurinë tënde për Shpëtimtarin ndërsa përpiqesh t’u japësh shërbesë të tjerëve ashtu siç bëri Ai.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
“A më do ti mua më shumë se këta?” ( Gjoni 21:15)
Në një fletë letre ose në ditarin tënd të studimit, bëj një listë të gjërave që bëre dje që nga zgjimi derisa re për të fjetur.
Më pas, hiqi vizën çdo pike të listës që ishte e përqendruar vetëm tek ti dhe te nevojat e tua. Rretho çdo aktivitet që ka qenë i përqendruar te ndihma ndaj të tjerëve. Gjej një çast për të reflektuar për mënyrën se si e kalon kohën tënde dhe çfarë ndryshimesh mund të bësh për të krijuar më shumë kohë për të ndihmuar të tjerët. Ndërsa studion te Gjoni 21 , mendo se si mund t’u japësh shërbesë të tjerëve ashtu siç bën Shpëtimtari.
Gjoni 21 shënon rrëfimin e Pjetrit dhe gjashtë dishepujve të tjerë që shkuan për të peshkuar në Detin e Tiberiadës (Galilesë) pas Ringjalljes së Jezu Krishtit. Lexo te Gjoni 21:1–13 dhe kërko mënyrën se si Shpëtimtari u dha shërbesë dishepujve të Tij.
-
Çfarë bëri Jezusi për të treguar dashurinë dhe shqetësimin e Tij për dishepujt?
Lexo te Gjoni 21:15–17 duke kërkuar pyetjen që Zoti i bëri Pjetrit.
-
Kur Jezusi e pyeti Pjetrin: “A më do ti mua më shumë se këta?” si mendon, kujt i referohej fjala këta?
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga kërkesat e Shpëtimtarit te Gjoni 21:15–17?
-
Si mendon, çfarë donte të thoshte Zoti kur i kërkoi Pjetrit të kujdesej për qengjat dhe delet e Tij?
Lexo përsëri te Gjoni 21:15–17 dhe zëvendësoje emrin e Simon Pjetrit me emrin tënd.
-
Nëse Jezusi do të të bënte të njëjtën pyetje që i bëri Pjetrit, si mendon, cilave gjëra do t’u referohej Ai si “këta” në jetën tënde?
-
Çfarë arsyesh ke për ta dashur Jezu Krishtin më shumë se gjithçka tjetër?
Kujdesi për delet e Zotit
-
Cilat janë disa mënyra të ndryshme për t’u kujdesur për delet e Zotit dhe për t’u dhënë shërbesë të tjerëve?
Ndërsa vazhdon studimin tënd, mendo për atë të cilit Shpëtimtari dëshiron që t’i japësh shërbesë. Lexoni më poshtë thënien e Plakut Ulises Soares, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhënë në bisedën e tij “Ushqeni Delet e Mia”.
“Jezusi tregoi durim dhe dashuri ndaj të gjithë atyre që erdhën tek Ai duke kërkuar lehtësim për sëmundjet e tyre fizike, emocionale ose shpirtërore dhe që ndiheshin të shkurajuar dhe të nëpërkëmbur.
Për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, secili prej nesh duhet të shikojë përqark, të ndihmojë delet që po përballen me të njëjtat rrethana, dhe t’i ngrejë dhe t’i nxitë ato që ta vazhdojnë udhëtimin drejt jetës së përjetshme.
Kjo nevojë është po aq e madhe sot ose mbase edhe më e madhe sesa kur Shpëtimtari eci mbi këtë tokë.”
(Ulises Soares, “Ushqeni Delet e Mia”, Konferenca e Pëgjithshme 2005, f. 136.)
Mendo për një kohë kur dikush të përfshiu dhe të dha shërbesë ashtu siç do të bënte Shpëtimtari ose kur ti u përpoqe t’i japësh shërbesë dikujt tjetër siç bëri Ai.
-
Si ndikoi tek ti kjo përvojë?
Zoti i ringjallur u dha udhëzime të tjera Apostujve të Tij. Lexo te Mateu 28:19–20 dhe Marku 16:15 , duke kërkuar një mënyrë tjetër se si Shpëtimtari u kërkoi atyre t’u jepnin shërbesë të tjerëve.
-
Si mendon, përse shpërndarja e ungjillit është një mënyrë e rëndësishme për t’u kujdesur për delet e Shpëtimtarit?
-
Si ndihesh për shpërndarjen e ungjillit tek të tjerët?
Lexo thënien vijuese nga Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
“Nuk po kërkoj që të qëndroni në një cep të rrugës me një megafon dhe të thoni me zë të lartë vargje nga Libri i Mormonit. Ajo që po kërkoj është që gjithmonë të kërkoni mundësi për ta përmendur besimin tuaj në mënyra të natyrshme dhe normale me njerëzit – si personalisht ashtu edhe në internet. …
Ka shumë mënyra normale dhe të natyrshme për ta bërë këtë gjë, që nga veprimet e përditshme dashamirëse deri te dëshmitë vetjake në YouTube, Facebook, Instagram ose Twitter e deri te bisedat e thjeshta me njerëz që takoni. …
Në çfarëdo mënyre që duket e natyrshme dhe normale për ju, tregojuni njerëzve përse Jezu Krishti dhe Kisha e Tij janë të rëndësishme për ju.”
(Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 17.)
-
Cilat janë disa mënyra të natyrshme se si mund ta shpërndash ungjillin?
Kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë ndërsa përsiat për delen e Shpëtimtarit të cilës mund t’i japësh shërbesë. Ti mund të mendosh për fqinj, miq, njerëz që t’i kanë caktuar për t’u dhënë shërbesë, shokë të klasës, të njohur në punë ose pjesëtarë të familjes. Gjithashtu, merri parasysh njerëzit me të cilët mund të ndeshesh, të cilët janë ulur vetëm ose kanë nevojë për ndihmë.
-
Cili prej bijve të Atit Qiellor ka nevojë për ty tani?
-
Si mund të të përdorë Shpëtimtari për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të tyre?
-
Si tregohet dashuria jote ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit kur ti zgjedh t’u japësh shërbesë të tjerëve?
-
Si të ndihmon kujdesi ndaj deleve të Tyre të bëhesh më i ngjashëm me Ta?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Si mund t’i tregojmë me të vërtetë Zotit se e duam Atë?
Profeti i Librit të Mormonit, mbreti Beniamin dha mësim se kur ne i shërbejmë njëri-tjetrit, ne po i shërbejmë me të vërtetë Perëndisë (shih Mosia 2:17). Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) shpalli:
“Në të vërtetë, ju asnjëherë nuk mund ta doni Zotin derisa t’i shërbeni Atij duke u shërbyer njerëzve të Tij”.
(Tomas S. Monson, “Great Expectations” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 11 janar 2009], f. 6, speeches.byu.edu)
Gjoni 21:15–17 . Cili është kuptimi i udhëzimit të përsëritur të Shpëtimtarit për t’u kujdesur për qengjat dhe delet e Tij?
Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi këto pikëpamje nga teksti i vjetër grek nga Gjoni 21 :
“Te [ Gjoni 21:15 ], fjala kulloti vjen nga fjala greke bosko, që do të thotë ‘të ushqesh ose t’i japësh të hajë’. Fjala qengj vjen nga fjala zvogëluese arnion, që do të thotë ‘qengj i vogël’. …
Te [ Gjoni 21:16 ], fjala ki kujdes vjen nga një fjalë e ndryshme, poimaino, që do të thotë ‘të kullotësh, të ruash ose të kujdesesh’. Fjala delet vjen nga fjala probaton, që do të thotë ‘dele e rritur’. …
Te [ Gjoni 21:17 ], fjala kulloti vjen sërish nga fjala greke bosko, që i drejtohet të ushqyerit. Fjala delet përsëri u përkthye nga fjala greke probaton, që i drejtohet deles së rritur.
Këto tri vargje, që duken kaq të ngjashme në gjuhën angleze, në të vërtetë përmbajnë tri mesazhe të dallueshme në greqisht:
Qengjat e vegjël kanë nevojë të ushqehen me qëllim që të rriten;
Delet kanë nevojë që për to të tregohet kujdes;
Delet kanë nevojë të ushqehen.”
(Russell M. Nelson, “Shepherds, Lambs, and Home Teachers”, Ensign, gusht 1994, f. 16.)
Si mund të kujdesem për delet e Tij?
Ka mënyra të panumërta për t’i përfshirë të tjerët dhe për t’u dhënë shërbesë atyre me dashuri dhe mirësi. Për shembull, Motra Mishel D. Krejg, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, u lut për të ditur se çfarë duhet të bënte më tepër për të ndihmuar fëmijët e Perëndisë. Ajo kishte marrë më parë një nxitje për të mos e parë telefonin ndërkohë që priste në radhë. Lexoni ndodhinë më poshtë.
“Mëngjesin tjetër, e gjeta veten duke pritur në një radhë të gjatë në dyqan. Nxora telefonin dhe më pas m’u kujtua mbresa që kisha marrë. E hoqa telefonin dhe vështrova përreth. Pashë një zotëri të moshuar në radhë përpara meje. Karrocën e kishte bosh, veç disa konservave me ushqim macesh. U ndjeva pak në siklet, por thashë diçka vërtet të zgjuar, si: ‘Shoh që paske mace’. Ai tha se po afronte një stuhi dhe se nuk donte të kapej ngushtë, pa ushqim për macet. Folëm shkurtimisht dhe më pas ai u kthye nga unë dhe tha: ‘A e di, nuk ia kam thënë askujt këtë, por sot kam ditëlindjen’. Më preku në shpirt. I urova ditëlindje të lumtur dhe u luta pa zë, falënderuese që nuk u mora me telefonin dhe që nuk humba një mundësi për të parë vërtet dhe për t’u lidhur me një person që i nevojitej kjo.”
(Mishel D. Krejg, “Sy për të Parë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 16.)