Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 6
Mateu 26–28; Marku 14–16; Lluka 22–24; Gjoni 13–21
Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i vlerësosh synimet që ke vendosur dhe rritjen vetjake që ke përjetuar gjatë studimit tënd të Dhiatës së Re.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Duaje Perëndinë me gjithë zemër
-
Si të ka dhënë shtysë shtimi i njohurive rreth dashurisë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ty, që të mundohesh t’i duash ata më shumë?
-
Si të ka ndihmuar të kuptuarit e dashurisë së Tyre që ta rritësh dashurinë tënde për njerëzit e tjerë?
Kujto që Shpëtimtari na mësoi se ne tregojmë dashuri për Të duke zbatuar urdhërimet (shih Gjoni 14:15). Jezu Krishti dha shembullin e përsosur të shfaqjes së dashurisë ndaj Atit Qiellor duke iu bindur të gjitha urdhërimeve (shih Gjoni 14:31).
Kur studiove vargun te Gjoni 14:15 , mund të kesh shkruar në ditarin tënd të studimit dëshirat e tua për të mbajtur urdhërimet dhe shtysat apo arsyet e tua për ta bërë këtë gjë. Nëse po, rishikoje atë që shkrove.
-
Si ndihesh rreth dëshirave dhe shtysave të tua aktuale për të mbajtur urdhërimet me qëllim që të tregosh dashurinë tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Krahasoji dëshirat dhe shtysat e tua tani me gjendjen tënde më herët gjatë vitit.
-
Çfarë ndryshimesh ke vënë re në dashurinë tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin teksa ke studiuar Dhiatën e Re? Nëse ke vënë re ndonjë ndryshim, çfarë mendon se ka çuar në këto ndryshime?
-
A ka ndonjë ndryshim tjetër që ti e ndien se duhet ta bësh me qëllim që të tregosh dashurinë tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin ose ta rritësh atë?
Shlyerja e Jezu Krishtit: Si do të ishte jeta jote pa të?
Mendo për atë që ke mësuar rreth flijimit shlyes të Jezu Krishtit nga Dhiata e Re. Përsiat për një çast për domethënien që Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shlyes kanë për ty personalisht. Merre parasysh se si do të ishte jeta jote pa asnjërin.
Tani që ke gjetur kohën për të përsiatur, shënoji disa nga mendimet e tua duke u përgjigjur për pyetjet në vijim. Përfshi hollësi kuptimplota në përgjigjet e tua dhe përfshi fragmente të shkrimeve të shenjta për flijimin e Jezu Krishtit të cilat kanë ndikuar tek ti.
-
Si do të ishte ndryshe jeta jote nëse Shpëtimtari nuk do të kishte vuajtur për ty në Gjetseman dhe nuk do të kishte vdekur për ty në kryqin e Kalvarit?
-
Si do të ishte jeta jote ndryshe nëse Jezu Krishti nuk do të kishte mposhtur vdekjen nëpërmjet Ringjalljes së Tij të lavdishme?
-
Çfarë do të ndodhte me planin e shpëtimit të Atit Qiellor pa flijimin shlyes të Jezu Krishtit?
Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Fatmirësisht, Jezu Krishti me guxim e përmbushi këtë flijim në Jerusalemin e lashtë. … Jezusi vuajti me gatishmëri në mënyrë që ne të gjithë të mund të kemi mundësinë të pastrohemi tërësisht – duke pasur besim tek Ai, duke u penduar për mëkatet tona, duke u pagëzuar nga autoriteti i duhur i priftërisë, duke marrë dhuratën pastruese të Frymës së Shenjtë përmes konfirmimit dhe duke pranuar të gjitha ordinancat e tjera thelbësore. Pa Shlyerjen e Zotit, asnjë nga këto bekime nuk do të ishte në dispozicionin tonë dhe ne nuk do të bëheshim të denjë dhe të përgatitur për t’u kthyer që të jetojmë në praninë e Perëndisë.”
(M. Russell Ballard, “The Atonement and the Value of One Soul”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 85.)
Përhapja e lajmit të mirë të Jezu Krishtit
Tani që ke përsiatur për rëndësinë e flijimit shlyes të Jezu Krishtit, lexo thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson.
“Fjala ungjill do të thotë ‘lajm i mirë’. Lajmi i mirë është Zoti Jezu Krisht dhe mesazhi i Tij i shpëtimit. Jezusi e njësoi ungjillin me misionin e Tij dhe me shërbesën e Tij në vdekshmëri.”
(Rasëll M. Nelson, “Misionarët e Moshuar dhe Ungjilli”, Konferenca e Përgjithshme tetor 2004, f. 115.)
Çfarë lajmi të mirë do të doje t’u tregoje të tjerëve rreth Jezu Krishtit dhe misionit të Tij hyjnor? Përfytyro sikur Kisha po nis një fushatë në media shoqërore për të përhapur ndërgjegjësimin për jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit të shënuar te katër Ungjijtë. Kisha po kërkon publikime në mediat shoqërore për fushatën.
Shkruaj një publikim të shkurtër që shpjegon lajmin tënd të mirë rreth Jezu Krishtit. Mendo për diçka që mësove nga Ungjijtë (Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni) që është e veçantë për ty dhe të ka ndihmuar të ndihesh më pranë Jezu Krishtit. Për shembull, ti mund të zgjedhësh diçka që dha mësim Jezusi, një mrekulli që kreu Ai, një shëmbëlltyrë, një histori të mënyrës se si Ai ndërveproi me të tjerët, një cilësi që Ai u shquajt ose një pjesë të flijimit shlyes, vdekjes dhe Ringjalljes së Tij. Nëse ndihesh rehat, ti mund të duash ta publikosh lajmin tënd të mirë në mediat shoqërore ose t’ia tregosh atë një personi tjetër. Përfshiji hollësitë vijuese në publikimin tënd:
-
Vendosi një titull kryesor apo titull publikimit tënd.
-
Shpjego mënyrën se si lajmi i mirë i Shpëtimtarit ka qenë kuptimplotë për ty dhe të ka ndihmuar të ndihesh më pranë Tij.
-
Përfshi një fragment të veçantë të shkrimit të shenjtë nga Ungjijtë (Mateu, Marku, Lluka ose Gjoni).
-
Përfshi dëshminë tënde dhe mënyrën se si të tjerët mund të përfitojnë nga ky lajm i mirë.