Zotërimi Doktrinor: Mateu 22:36–39
Dy Urdhërimet e Mëdha
Te Mateu 22:36–39, Shpëtimtari dha mësim dy urdhërimet e mëdha. Ky mësim do të të ndihmojë të ushtrosh përdorimin e doktrinës të dhënë mësim në këtë fragment dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për të kuptuar se si t’u bindesh të dy urdhërimeve për të dashur Perëndinë dhe për të dashur të afërmin tënd.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Mëso përmendsh dhe shpjego
Ushtro mësimin përmendsh të frazës kyç “Duaje Zotin, Perëndinë tënde. … Duaje të afërmin tënd” për referencën Mateu 22:36–39 .
Vizato një zemër dhe shkruaj numrat 1 dhe 2 poshtë saj. Pranë numrit 1, shkruaj: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde”;pranë numrit 2, shkruaj:“Duaje të afërmin tënd”. Trego zemrën dhe jep referencën. Më pas, tregoje me gisht çdo numër. Ndërsa e bën këtë, thuaj pjesën e frazës kyç që lidhet me numrin. Përsërite procesin disa herë.
Lexo te Mateu 22:36–39 dhe kujto studimin tënd të mëparshëm të këtyre vargjeve.
-
Cilat janë disa mënyra se si mund ta duam Perëndinë me gjithë zemrën tonë? Si mund t’i duam të afërmit tanë si vetveten?
-
Si mendon, përse këto dy urdhërime janë dhënë sipas këtij rendi?
Ushtroje vënien në zbatim
Nëse është e nevojshme, përsërit paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e njohurisë shpirtërore” të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022).Në disa situata, ne mund të hasim vështirësi për të kuptuar se si t’i ndjekim urdhërimet e Perëndisë dhe të tregojmë dashuri për ata që nuk u binden urdhërimeve të Perëndisë.
Plaku Lin G. Robins, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:
“Përpjekja për t’u pëlqyer të tjerëve përpara se t’i pëlqejnë Perëndisë është ndërrim i vendit të urdhërimit të parë me të dytin (shih Mateu 22:37–39). Është të harrosh se nga cili drejtim i mbajmë sytë. Dhe prapëseprapë, ne të gjithë e kemi bërë atë gabim për shkak të frikës nga njerëzit. …
Vendime karakteri merren duke kujtuar renditjen e duhur të urdhërimit të parë dhe të dytë të madh. …
Shpëtimtari, Shembulli ynë i madh, përherë i mbante sytë të drejtuar tek Ati i Tij. Ai i donte dhe u shërbente bashkënjerëzve të Tij, por tha: ‘Unë nuk marr lavdi nga njerëzit’ ( Gjoni 5:41).”
(Lin G. Robins, “Nga Cili Drejtim i Mbani Sytë?”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 9, 11)
Përsiati këto pyetje para se të kryesh veprimtarinë vijuese.
-
A ke pasur ndonjëherë frikë ta korrigjosh apo ta këshillosh me dashuri një mik/e për shkak se nuk ke dashur ta fyesh?
-
A je ndier ndonjëherë sikur duhet të zgjidhje ndërmjet asaj që të tjerët presin nga ti dhe asaj që Zoti pret nga ti?
Shkruaj një skenar në të cilin dikush mund ta ketë të vështirë të dojë Perëndinë dhe të ndjekë urdhërimet e Tij dhe gjithashtu të tregojë dashuri ndaj të tjerëve. (Shënim: Mos krijo një skenar që të tjerët të mund të dallojnë se i përket një individi apo bashkëmoshatari specifik.)
Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm
Mendo për personin në skenarin tënd ndërsa përgjigjesh për pyetjet vijuese.
-
Çfarë supozimesh mund të ndikojnë te një person që ai të zgjedhë t’u pëlqejë të tjerëve në vend që t’i pëlqejë Perëndisë?
-
Si mund të të ndihmojnë të kuptuarit e planit të Atit Qiellor për shpëtimin ose mësime të tjera të ungjillit t’i zbërthesh këto supozime të rreme?
-
Çfarë të vërtetash për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin mund ta ndihmojnë personin t’i shohë të tjerët nga këndvështrimi i Tyre?
Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore
-
Si munden të vërtetat te Mateu 22:36–39 ta drejtojnë këtë person?
Lexo pohimet vijuese nga profetët e ditëve të mëvonshme për të parë çfarë përshtypjesh mund të jenë të dobishme për personin në skenarin tënd.Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Nganjëherë ne si udhëheqës të Kishës kritikohemi ngaqë qëndrojmë të palëkundur ndaj ligjeve të Perëndisë, duke mbrojtur doktrinën e Shpëtimtarit dhe duke u bërë qëndresë trysnive shoqërore të kohës sonë. …
… Por a nuk do të ishte shumë më e pandjeshme po të mos thoshim të vërtetën – të mos e jepnim mësim atë që Perëndia ka zbuluar?”
(Russell M. Nelson, “The Love and Laws of God” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 17 shtator 2019], f. 3, speeches.byu.edu)
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, pohoi:
“Ne duhet të përpiqemi t’i zbatojmë që të dy urdhërimet e mëdha. Që ta bëjmë këtë gjë, ne ecim nëpër një vijë të hollë ndarëse midis ligjit dhe dashurisë – zbatimit të urdhërimeve dhe ecjes në shtegun e besëlidhjeve, ndërkohë që i duam të afërmit tanë përgjatë udhës. Kjo ecje kërkon prej nesh që të kërkojmë frymëzim hyjnor se çfarë të mbështetim dhe çfarë të kundërshtojmë, dhe për mënyrën se si të duam e të dëgjojmë me respekt dhe të japim mësim në këtë proces.”
(Dallin H. Ouks, “Dy Urdhërimet e Mëdha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 75)
-
Si mundet njohja e të vërtetave që na mësojnë këto pohime, të ndihmojë personin në skenarin tënd?
Vepro me besim
-
Çfarë mund të bëjë personi në këtë skenar për të marrë ndihmën e Atit Qiellor që të dijë se si të veprojë?
-
Si mund të veprojë ai në mënyrë që t’i zbatojë të dyja urdhërimet e mëdha?