Seminari
Galatasve 5


Galatasve 5

“Ecni sipas Frymës”

A group of youth walking towards the St. George Utah Temple.

A je ndier ndonjëherë i dyzuar ndërmjet dëshirës për t’iu dhënë tundimit dhe dëshirës për të ndjekur nxitjet e Frymës së Shenjtë për të jetuar me drejtësi? Apostulli Pal përshkroi betejën që mund të ndodhë ndërmjet dëshirave të trupave tanë të papërsosur e të vdekshëm dhe Shpirtit të Perëndisë, që na bind të bëjmë mirë. Ky mësim synon të të ndihmojë të bëhesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin, duke të të dhënë mundësi për të përcaktuar mënyra se si mund të “ec[ësh] sipas Frymës” më plotësisht ( Galatasve 5:16).

Krijimi i një mjedisi të sigurt të mësuari. Bëni përpjekje të përbashkëta për të kultivuar një mjedis dashurie, respekti dhe qëllimi. Përpjekjet tuaja për t’i ndihmuar nxënësit të ndihen të sigurt, të respektuar dhe të vlerësuar në seminar do t’i ndihmojnë ata të kenë më shumë mundësi për ta ndier Frymën e Shenjtë dhe për të pasur përvoja kuptimplota.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë vargun te Mosia 3:19 dhe të përcaktojnë mësimet që mund t’i ndihmojnë të marrin ndihmën e Shpëtimtarit për të mposhtur natyrën tonë të rënë ose “njeriu[n e] natyrshëm”. Gjithashtu, mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit ta mësojnë përmendsh këtë fragment të shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Tërheqje litari

Paraqiteni figurën vijuese ose vizatojeni atë në tabelë. Merreni parasysh që gjithashtu t’i ftoni nxënësit të kopjojnë shkurtimisht një figurë të ngjashme në ditarin e tyre të studimit.

Four men pulling a rope in a tug-of-war.
  • Në çfarë mënyrash është jeta jote si një tërheqje litari?

Në letrën e tij drejtuar galatasve, Apostulli Pal përshkroi dy forca konkurruese që mund të na tërheqin në drejtime të ndryshme. Lexo te Galatasve 5:16–17 duke kërkuar këshillën e Palit në lidhje me këto forca.

  • Cilat forca konkurruese përcaktove nga këto vargje?

Merreni parasysh të vizatoni një vijë vertikale në qendër të figurës të tërheqjes së litarit. Më pas shkruani Ecni sipas Frymës sipër njërës anë të [vizatimit] të garës me tërheqje litari dhe Përmbushini dëshirat e mishit sipër anës tjetër. Nxitini nxënësit që e kopjuan figurën në ditarin e tyre të studimit që t’i bëjnë edhe këto shtesa.

“Dëshirat e mishit” ( vargu 16) janë tundimet që përjetojmë.

  • Cilat janë disa nga tundimet fizike (dëshirat e mishit) që përjetojnë të rinjtë?

Krahasoji përgjigjet e tua me listën e Palit te Galatasve 5:19–21 .

  • Cilat fjalë, nëse ka, janë të panjohura për ju?

Përgatituni t’i ndihmoni nxënësit të kuptojnë çdo fjalë të panjohur te vargjet 19–21 duke përdorur burimet që gjenden në poshtëshënimet biblike ose në një fjalor.

Gjej një çast për të menduar në heshtje se si kjo “tërheqje litari” e Frymës kundër dëshirave të mishit mund të ndodhë në jetën tënde. Në çfarë mënyrash mund të luftosh kundër dëshirave të mishit? Si bekohesh ndërsa ndjek udhërrëfimin e Frymës? Ndërsa vazhdon të studiosh, kushtoju vëmendje nxitjeve shpirtërore që mund të të ndihmojnë të dish çdo rregullim që mund të bësh, që do të të ndihmonte t’i mposhtje tundimet me të cilat përballesh.

Shmangia e veprave të mishit

Sugjerimet e mëposhtme të mësimdhënies sigurojnë një qasje që mund të përdoret për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë dhe t’i zbatojnë më mirë mësimet e Palit te Galatasve 5 .

Nëse nxënësit do të përfitonin nga një qasje më pak e strukturuar, merreni parasysh t’u jepni atyre kohë individuale për të studiuar vargjet te Galatasve 5:16–23 , Mosia 3:19 dhe Doktrina e Besëlidhje 11:12 , bashkë me bisedën e konferencës së përgjithshme të prillit 2013 të Plakut Dejvid A. Bednar me titullin “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë” (Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 41–44). Nxënësve mund t’u jepen edhe burime të tjera të rëndësishme për t’i studiuar. Ata mund të ftohen t’i raportojnë idetë e tyre dhe ta mbajnë shënim çdo nxitje shpirtërore që morën nga studimi i tyre dhe diskutimi vijues.

Ndiqini nxitjet e Frymës së Shenjtë për të ditur mënyrën më të mirë për t’i ndihmuar nxënësit të kenë një përvojë kuptimplotë.

Lexo te Galatasve 5:21 duke kërkuar arsyen përse është e rëndësishme t’i shmangim dëshirat e mishit.

  • Çfarë mësove rreth arsyes përse duhet t’i shmangim këto veprime?

  • Çfarë mund ta bëjë të vështirë shmangien e dëshirave të mishit, edhe nëse e dimë se ato janë të gabuara?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Elder David A. Bednar, Quorum of the Twelve Apostles official portrait. 2020.

“Si bij dhe bija të Perëndisë, ne kemi trashëguar aftësi hyjnore prej Tij. Por tani ne jetojmë në një botë të rënë. Vetë elementet me të cilat trupat tanë u krijuan, janë për nga natyra të rëna dhe gjithmonë të ndjeshëm ndaj ndikimit të mëkatit, korrupsionit dhe vdekjes. Si rrjedhojë, Rënia e Adamit dhe pasojat e saj shpirtërore dhe trupore na prekin më drejtpërdrejt te trupat tanë fizikë. …

Për shkak se një trup fizik është kaq qendror për planin e Atit për lumturinë dhe zhvillimin tonë shpirtëror, Luciferi kërkon ta prishë përparimin tonë duke na tunduar t’i përdorim në mënyrë të gabuar trupat tanë. Një nga ironitë bazë të përjetësisë është që kundërshtari, i cili është i mjeruar pikërisht ngaqë nuk ka trup fizik, na josh që ta ndajmë mjerimin e tij me të me anë të përdorimit të gabuar të trupave tanë. Vetë mjeti që ai nuk e ka, është kështu objekti parësor i orvatjeve të tij që të na tërheqë drejt shkatërrimit shpirtëror.”

(Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 43)

  • Çfarë fjalësh apo frazash të bënë përshtypje nga ky pohim? Pse?

Zgjedhja për të ecur sipas Frymës

Lexo përsëri te Galatasve 5:16 duke kërkuar mësimet e Palit rreth mënyrës se si mund t’i mposhtësh tundimet e mishit.

Një parim që mund të mësojmë nga Galatasve 5:16 është se ndërsa ecim sipas Frymës, do të jemi më në gjendje t’i mposhtim tundimet e mishit. 

  • Si mendon, çfarë do të thotë të “ec[ësh] sipas Frymës”?

Nëse është e nevojshme, ndihmojini nxënësit të kuptojnë se ecja sipas Frymës përfshin kërkimin dhe ndjekjen e udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë.

  • Si mendon se ecja sipas Frymës mund të të ndihmojë t’i mposhtësh tundimet e mishit?

Lexoji vargjet te Mosia 3:19 dhe Doktrina e Besëlidhje 11:12 duke kërkuar mësime që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë rëndësinë e ecjes sipas Frymës.

  • Çfarë mendimesh apo mbresash pate teksa i studiove këto vargje?

  • Çfarë mësove rreth mënyrës se si Jezu Krishti mund të të ndihmojë t’i mposhtësh tundimet me të cilat përballesh?

  • Cilat janë disa gjëra specifike që mund t’i bësh për t’u siguruar që Fryma të jetë më plotësisht me ty?

Merreni parasysh të tregoni një shembull personal që lidhet me pyetjen e mëposhtme para se t’ia bëni pyetjen klasës.

  • Çfarë përvojash ke pasur në të cilat ndjekja e Frymës të ka ndihmuar ta mposhtësh tundimin? (Sigurohu që të mos tregosh hollësi që janë tepër personale.)

Frytet e Frymës

Drawing of a tree bearing good fruit

Pali përcaktoi shumë nga bekimet që mund të ndodhin në jetën tonë ndërsa e dëgjojmë dhe e ndjekim Frymën e Shenjtë. Ai i quajti këto bekime “fryti i Frymës” ( Galatasve 5:22).

Lexo te Galatasve 5:22–23 duke kërkuar frytin e Frymës që Pali përcaktoi.

  • Cilat nga këto bekime apo ndjenja nga Fryma ke përjetuar në jetën tënde?

  • Çfarë të ndihmojnë këto bekime të kuptosh për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? (Nëse nevojitet, shih vargjet te Psalmeve 25:8–10 ; Mosia 2:41 .)

Zbatoje atë që mësove

Jezu Krishti, i cili bëri gjithmonë vullnetin e Atit Qiellor (shih 3 Nefi 27:13) është shembulli i përsosur i të jetuarit në mënyrë të tillë që ta mposhtësh tundimin për të mëkatuar. Ndonëse vuajti çdo lloj tundimi të mishit (shih Hebrenjve 4:15 ; Alma 7:11), Ai “nuk ua vuri veshin atyre” ( Doktrina e Besëlidhje 20:22).

Merre parasysh për një çast se si ti do të përpiqesh ta ndjekësh shembullin e Jezu Krishtit dhe t’i zbatosh të vërtetat që studiove sot. Mendo për çdo nxitje që tashmë e ke marrë dhe bëj një plan në lidhje me atë që do të bësh për të ecur më plotësisht sipas Frymës dhe për ta mposhtur tundimin. Mbaje shënim planin tënd në ditarin tënd të studimit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Si mund të më ndihmojë ndjekja e Frymës së Shenjtë që t’i bëj ballë tundimit dhe ta mposht atë?

Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Final official portrait of Elder Boyd K. Packer, President of the Quorum of the Twelve Apostles, 2000. Passed away 3 July 2015.

“Nuk pritet që ju të shkoni nëpër jetë pa bërë gabime, por ju nuk do të bëni gabime të mëdha pa qenë të paralajmëruar më parë nga nxitjet e Frymës së Shenjtë. Ky premtim vlen për të gjithë anëtarët e Kishës. …

Nëse ju po përfshiheni në gjëra që nuk duhet, ose nëse ju po shoqëroheni me njerëz që po ju tërheqin në drejtim të gabuar, ajo është koha që të ushtroni pavarësinë tuaj, lirinë tuaj të zgjedhjes. Mbani vesh zërin e Shpirtit dhe ju nuk do të udhëhiqeni shtrembër.

Unë them përsëri se rinia sot po rritet në territor armik me një standard në rënie të moralitetit. Por si shërbëtor i Zotit, unë ju premtoj se ju do të jeni të mbrojtur dhe të ruajtur nga sulmet e kundërshtarit nëse ju do t’u vini veshin nxitjeve që vijnë nga Fryma e Shenjtë.”

(Bojd K. Paker, “Këshillë për Rininë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 18)

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Mësimet e Palit dhe ëndrra e Lehit

Te Galatasve 5:16–23 , Pali i krahasoi bekimet e ecjes sipas Frymës me pasojat e përmbushjes së dëshirave të mishit. Mund të jetë e dobishme që nxënësit ta përfytyrojnë këtë krahasim duke menduar rreth mënyrës se si ai paraqitet në vegimin e Lehit për pemën e jetës.

Lehi’s tree of life vision with bright gold tree, people holding on to the iron rod, and the great and spacious building.

Merreni parasysh ta paraqitni figurën shoqëruese dhe t’i pyetni nxënësit se cilat pjesë të figurës mund të përfaqësojnë mësimet e Palit rreth ecjes sipas Frymës dhe cilat mund të përfaqësojnë mësimet e tij për përmbushjen e dëshirave të mishit. Gjithashtu, mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit të bëjnë kërkime në vargjet vijuese për të parë se si aspekte të ndryshme të mësimeve të Palit janë të paraqitura në ëndrrën e Lehit: 1 Nefi 8:10–12 , 19–34 .

Galatasve 5:22–23 . Fryti i Frymës

Merreni parasysh të bëni një diskutim më të hollësishëm për frytet e Frymës të renditura te Galatasve 5:22–23 . Një mënyrë për ta bërë këtë është të vizatoni në tabelë një pemë me frutë ose të prisni copa letre që përfaqësojnë frutën. Më pas nxënësit mund të bëjnë kërkime te vargjet te Galatasve 5:22–23 dhe ta emërtojnë secilën prej pjesëve të frutës sipas njërit prej fryteve të Frymës. Më pas merreni parasysh të bëni një diskutim rreth kuptimit të këtyre frazave, përvojave që nxënësit kanë pasur me këto ndjenja nga Fryma dhe njerëzve që kanë njohur, jeta e të cilëve ilustrojnë një fryt të veçantë të Frymës (përshtatur nga mësimi “25 Shtator – 1 Tetor. Galatasve: ‘Ecni sipas Frymës’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023).