Efesianëve 1
“T’i Sillte në një Krye të Vetëm, në Krishtin, të Gjitha Gjërat”
A e ke menduar ndonjëherë se si do të ishte jeta jote pa Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit? Si pjesë e letrës së tij drejtuar efesianëve, Pali dha mësim se Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit do të ndodhte përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i dallosh bekimet në dispozicion për shkak se Jezu Krishti e rivendosi ungjillin e Tij në tokë në ditët e fundit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Forcimi i të kthyerve të rinj në besim
Përfytyro sikur ke një shok që sapo i është bashkuar Kishës.
-
Cilat mund të jenë disa nga mendimet dhe shqetësimet e tua për të?
-
Çfarë mund të bësh për ta ndihmuar shokun tënd ta rritë njohurinë për ungjillin dhe të qëndrojë besnik ndaj besëlidhjeve të tij?
Në letrën e tij drejtuar efesianëve, Apostulli Pal iu drejtua shenjtorëve që ishin në Efes dhe në zonat përreth. Synimi i tij ishte t’i forconte ata që ishin tashmë anëtarë të Kishës dhe t’i ndihmonte të kthyerit e rinj në besim të rriteshin në njohurinë e tyre shpirtërore dhe të qëndronin besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre. Një pjesë e doktrinës që ai dha mësim në këtë letër përfshin parashugurimin (shih tek Efesianëve 1:4–6); fuqinë vulosëse të Frymës së Shenjtë (shih tek Efesianëve 1:13–14); rëndësinë e profetëve dhe apostujve (shih tek Efesianëve 2:19–22); idenë e një Kishe të vërtetë dhe të bashkuar (shih tek Efesianëve 4:1–7) dhe detyrat, thirrjet dhe funksionet e ndryshme brenda organizimit të Kishës (shih tek Efesianëve 4:11–14).
Një doktrinë tjetër që Pali dha mësim për të forcuar anëtarët në kohën e tij, kishte lidhje me Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme.
-
Si mendon, përse të mësuarit rreth Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme do t’i kishte forcuar shenjtorët në kohën e Palit?
Teksa studion përgjatë këtij mësimi atë që Pali dhe të tjerët dhanë mësim për Rivendosjen, mendo për mënyrën se si kjo doktrinë mund ta forcojë besimin tënd te Jezu Krishti.
Periudha ungjillore e plotësisë së kohëve
Një periudhë ungjillore është një periudhë kohore kur Zoti ua zbulon njerëzve mbi tokë të vërtetat, autoritetin e priftërisë dhe ordinancat e Tij. Ka pasur shumë periudha ungjillore gjatë gjithë historisë së botës.
Në letrën e Palit drejtuar efesianëve, Pali profetizoi për një periudhë ungjillore të veçantë. Lexo tek Efesianëve 1:10, duke kërkuar periudhën e veçantë ungjillore për të cilën Pali profetizoi dhe ngjarjet që do të ndodhin gjatë kësaj kohe.
-
Cilës kohë të ardhme iu referua Pali tek Efesianëve 1:10?
-
Nga ajo që profetizoi Pali, çfarë do të ndodhë gjatë “[periudhës ungjillore] të plotës[isë së] kohë[ve]”?
Të jetuarit në plotësinë e kohëve
Në periudhat e mëparshme ungjillore, Zoti u zbuloi profetëve të Tij shumë të vërteta, shkrime të shenjta, besëlidhje dhe fuqi. Një e vërtetë që mësojmë nga Efesianëve 1:10 është se gjatë periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve, të gjitha gjërat e periudhave ungjillore të mëparshme do të rivendosen.
Përfytyro sikur çdo lumë në ilustrimin vijues të përfaqësojë një periudhë ungjillore.
-
Si mund të krahasohet periudha ungjillore e plotësisë së kohëve me një pellg uji në të cilin derdhen lumenj?
Plaku B. H. Roberts (1857–1933), i Të Shtatëdhjetëve, dëshmoi për atë që do të ndodhë si pjesë e periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve.
“Kjo është periudha ungjillore e plotësisë së kohëve dhe ne shohim se po vërshojmë drejt saj, ashtu si rrymat e fuqishme sulen drejt oqeanit, të gjitha periudhat e mëparshme ungjillore, na bashkojnë me to, e ato bashkohen me ne; dhe ne shohim se Perëndia ka pasur parasysh vetëm një qëllim të madh që nga fillimi dhe se ai ka qenë shpëtimi i fëmijëve të Tij. Dhe tani ka ardhur dita e fundit, periudha e fundit ungjillore, kur e vërteta dhe drita, dhe drejtësia duhet të përmbytin tokën.”
(B. H. Roberts, në Conference Report, tetor 1904, f. 73)
-
Cilat të vërteta, shkrime të shenjta, besëlidhje dhe fuqi nga periudhat e mëparshme ungjillore janë rivendosur ose sjellë në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve?
Proklamata mbi Rivendosjen
Në konferencën e përgjithshme historike të prillit 2020 ku kremtohej 200‑vjetori i fillimit të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme, Presidenti Rasëll M. Nelson paraqiti dokumentin “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org). Shpenzo disa minuta për ta lexuar këtë proklamatë, duke menduar për mënyrat se si jeta jote është bekuar për shkak të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.
-
Cilat pjesë të proklamatës së Rivendosjes të bënë më shumë përshtypje?
-
Çfarë mund t’i tregoje një anëtari të Kishës i cili nuk është i sigurt nëse beson te Rivendosja apo që nuk e ndien se është e rëndësishme për të?
Gjej një çast për të marrë parasysh të gjitha mënyrat se si Jezu Krishti e ka bekuar jetën tënde nëpërmjet ungjillit të Tij të rivendosur.
-
Për cilat aspekte specifike të Rivendosjes je veçanërisht mirënjohës/e? Si kanë ndikuar ato në jetën tënde?
-
Çfarë ndien se Zoti dëshiron që të bësh për të marrë pjesë në Rivendosjen e Tij të vazhdueshme për të ndihmuar në sjelljen e të tjerëve tek Ai?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Përse është puna e Rivendosjes kaq domethënëse?
Profeti Jozef Smith (1805–1844) dha mësim:
“Na është lënë neve [në ditët e mëvonshme] që ta shohim, të marrim pjesë dhe të ndihmojmë për ta çuar përpara lavdinë e ditës së mëvonshme, ‘periudhën e plotësisë së kohëve, kur Perëndia do të mbledhë së bashku gjithë gjërat që janë në qiell dhe gjithë gjërat që janë mbi dhe, madje në një’ [shih Efesianëve 1:10]. … [Kjo është] një punë që Perëndia dhe engjëjt e kanë kundruar me kënaqësi për brezat e kaluar; që frymëzuan shpirtin e patriarkëve dhe profetëve të lashtë; një punë që është e destinuar të sjellë shkatërrimin e forcave të errësirës, ripërtëritjen e tokës, lavdinë e Perëndisë dhe shpëtimin e familjes njerëzore.”
(Jozef Smith, Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 547, 549)
Çfarë është një periudhë ungjillore?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegon periudhat ungjillore dhe arsyen përse kjo periudhë e fundit ungjillore është unike.
Çfarë është saktësisht Rivendosja?
Një shpjegim i rivendosjes së ungjillit.
Si mund të ndikojë në jetën time pasja e një dëshmie për Rivendosjen?
Pjesa 2: Të rinj dhe të reja japin dëshmitë e tyre për Rivendosjen dhe mënyrën se si ka ndikuar ajo në jetën e tyre. E bazuar në një bisedë të dhënë nga Plaku Krejg C. Kristensen, në tetor 2016.
Të rinj dhe të reja tregojnë se si ngjarjet e lidhura me Rivendosjen kanë një efekt shumë real në jetën e tyre të përditshme.
Në konferencën e përgjithshme në tetor 2019, Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi pyetjet e intervistës për rekomandim tempulli, që përfshijnë pyetjen: “A keni një dëshmi për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit?” (Shih “Fjala e Mbylljes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 121.)
Përsiatni përse kjo pyetje do të përfshihej si një kërkesë për të hyrë në shtëpinë e Zotit. Si mundet të kuptuarit, besimi dhe pjesëmarrja në Rivendosjen e vazhdueshme të ndikojë në marrëdhënien tuaj me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Çfarë do të thotë që Rivendosja po ndodh ende?
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, foli për natyrën e vazhdueshme të Rivendosjes.
“Ndonjëherë ne mendojmë për Rivendosjen e ungjillit si diçka të përfunduar, tashmë të lënë pas – Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit, ai i mori çelësat e priftërisë, Kisha u organizua. Në të vërtetë, Rivendosja është një proces i vazhdueshëm; ne po jetojmë në të pikërisht tani. Ajo përfshin ‘gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani’ dhe ‘shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme’ që ‘Ai ende do të zbulojë’ (Nenet e Besimit 1:9). Vëllezër, zhvillimet emocionuese të së sotmes janë pjesë e asaj periudhe të përgatitjes, të parashikuar prej kohësh, që do ta arrijë kulmin në Ardhjen e Dytë të lavdishme të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.”
(Diter F. Uhtdorf, “A Po Flini Gjatë Rivendosjes?” Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 59)