Seminari
Galatasve


Galatasve

Vështrim i Përgjithshëm

Në letrën e tij drejtuar shenjtorëve në Galati, Pali shprehu shqetësimet e tij të thella se shumë vetë po largoheshin nga Zoti duke ndjekur mësimet e disa njerëzve që u përpoqën ta “shtrembëro[nin] ungjillin” (shih te Galatasve 1:6–7). Ai e theksoi rëndësinë e dëgjimit të fjalëve të Jezu Krishtit të dhëna nëpërmjet Apostujve të Tij, të ecjes sipas Frymës për të mposhtur lakmitë e mishit dhe të ligjit të të korrave.

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u ofron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

Galatasve 1

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë se si ta shmangin mashtrimin dhe pështjellimin duke dëgjuar fjalët e Jezu Krishtit që iu dhanë si profetëve të lashtë, ashtu edhe atyre të sotëm.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të dhënë shembuj idesh ose mësimesh që Satani i përdor për t’i mashtruar ose për t’i larguar nga ungjilli i vërtetë i Jezu Krishtit.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh të krijoni një anketë anonime në internet që t’i ftoni nxënësit të tregojnë situata kur kanë qenë ose mund të jenë ekspozuar ndaj njerëzve apo ideve që mund t’i largojnë ata nga e vërteta e ungjillit të Jezu Krishtit. Përdorini përgjigjet e nxënësve ndaj anketës në vend të skenarëve në fillim të mësimit.

Galatasve 5

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të bëhen më të ngjashëm me Jezu Krishtin, duke u dhënë atyre mundësi për të përcaktuar mënyrat se si mund të “ec[in] sipas Frymës” më plotësisht ( Galatasve 5:16).

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë vargun te Mosia 3:19 dhe të përcaktojnë mësimet që mund t’i ndihmojnë ata të marrin ndihmën e Shpëtimtarit për të mposhtur natyrën tonë të rënë ose “njeriu[n e] natyrshëm”. Gjithashtu, mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit ta mësojnë përmendsh këtë fragment të shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor.

  • Figura: Paraqitni fotografinë e njerëzve në garën e tërheqjes së litarit.

Galatasve 6

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i dallojnë veprimet që duhet të ndërmarrin për të realizuar synimet e tyre të përjetshme.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë te Galatasve 6:7–9 dhe të vijnë të përgatitur për të treguar se si mendojnë se mësimet në këto vargje mund të ndikojnë në vendimet e tyre të përditshme.

  • Materiali filmik: “Zgjidhni me Mençuri” (15:18; shikojeni nga kodi kohor 03:03 deri në 04:52)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh të ftoni një udhëheqës vendor të Kishës (siç është peshkopi, presidenti i degës, presidentja e Shoqatës së Ndihmës ose presidentja e Të Rejave) të vijë dhe të flasë për disa minuta në fillim të orës mësimore për rëndësinë e programit Fëmijët dhe Rinia dhe për vendosjen e synimeve e për përpjekjet për arritjen e tyre. Mos harroni të flisni me bashkërenduesin tuaj vendor të Seminareve dhe Instituteve të Fesë për miratimet që mund të nevojiten.

Efesianëve 1

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit t’i dallojnë bekimet në dispozicion për shkak se Jezu Krishti e rivendosi ungjillin e Tij në tokë në ditët e fundit.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të renditin mënyrat që e ndiejnë se Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit ka ndikuar në jetën e tyre. Kërkojuni atyre ta sjellin këtë listë në klasë.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Ftojini nxënësit të tregojnë me radhë pikëpamjet kuptimplota që patën ndërsa studiuan proklamatën e Rivendosjes. Kjo mund të bëhet në veçorinë e dhomave virtuale të ndara ose së bashku si klasë.

Zotërimi Doktrinor: Efesianëve 1:10

Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’u japë nxënësve mundësinë ta rritin zotërimin e tyre për mësimet tek Efesianëve 1:10 duke mësuar përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë, duke shpjeguar doktrinën dhe duke i zbatuar në një situatë nga jeta reale parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë në klasë të përgatitur për të treguar të paktën dy të vërteta që e ndiejnë se çdokush duhet t’i dijë dhe kuptojë rreth Rivendosjes.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë për skenarë të tjerë që mund të trajtohen nga mësimet tek Efesianëve 1:10 . Më pas mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë se si mund ta përdorin doktrinën e dhënë mësim tek Efesianëve 1:10 dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për t’i ndihmuar t’i trajtojnë ato skenarë.