Hebrenjve 12:9
Perëndia është Ati i Shpirtrave Tanë
Pse mendon se flasim kaq shumë rreth të qenit fëmijë të Perëndisë? Si ndikon kjo njohuri në jetën tënde? Ndërsa u kujtoi shenjtorëve hebrenj për korrigjimin që morën nga etërit e tyre tokësorë, Pali u mësoi atyre rreth Atit Qiellor, “Atit të shpirtrave” ( Hebrenjve 12:9). Ky mësim ka për qëllim t’ju ndihmojë të arrini ta njihni më mirë Atin Qiellor dhe ta kuptoni se si njohuria juaj për Të dhe marrëdhënia juaj me Të mund të ndikojë pozitivisht në jetën tuaj.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Një mësim befasues nga luanët në një kopsht zoologjik
Në një takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, Motra Kethi Klejton, bashkëshortja e Plakut L. Uitni Klejton, i Të Shtatëdhjetëve, dha përvojën e saj ndërsa vizitoi një kopsht zoologjik në Argjentinë ku pati mundësinë të hynte në tharkun e kafshëve dhe të ndërvepronte me kafshë të egra si luanët. Kur Motra Klejton pyeti se pse kafshëve të rrezikshme u lejohej një ndërveprim kaq i afërt me njerëzit, ajo mësoi diçka që e befasoi.
“[Stërvitësit] ma tërhoqën vëmendjen te disa qen shtatvegjël që banonin po ashtu në ato tharqe. Ata më thanë se një nga gjërat që kishin bërë, ishte t’i rritnin luanët me ata qen pranë në mënyrë të vazhdueshme. Kur luanët ishin shumë të vegjël, ata qen që lehnin pa pushim qenë më të mëdhenj në shtat se këlyshët e luanit. Qentë besonin se e kishin ata komandën dhe i ndiqnin luanët pa mëshirë dhe i kafshonin në thembër pa dashamirësi. Këlyshët e luanit u mësuan me strukjen nëpër cepa dhe me sjelljen sikur ishin tmerrësisht të frikësuar nga qentë e bezdisshëm shtatvegjël.
Kur luanët u rritën, ata vazhduan të strukeshin nëpër cepa dhe t’u druheshin qenve shtatvegjël. Me një goditje të lehtë me putër, kushdo nga ata luanë shtatmëdhenj mund t’i kishin përzënë ata qen fluturimthi jashtë tharkut, por luanët nuk e shihnin veten ashtu siç ishin në të vërtetë. Ata qenë në mënyrë të dhimbshme të pavetëdijshëm për identitetin e tyre mbretëror. Kishin ngecur dhe ishin kufizuar nga një ide e gabuar për potencialin e tyre. Ata mendonin se ishin të vegjël dhe të dobët, ndaj lejuan që qentë e bezdisshëm e këmbëngulës t’i kontrollonin dhe trembnin.”
(Kathy Kipp Clayton, “A Regal Identity” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 13 shtator 2015], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)
-
Çfarë krahasimesh shpirtërore mund të bëjmë me përvojën e Motrës Klejton?
-
Si mund të jemi ne ndonjëherë si luanët në këtë kopsht zoologjik?
Perëndia është “Ati [i] shpirtrave”
Ndërkohë që u drejtohej hebrenjve rreth mënyrës se si t’i përgjigjeshin qortimit ose korrigjimit nga Perëndia (shih Hebrenjve 12:6–8), Pali na mësoi një të vërtetë të rëndësishme rreth marrëdhënies sonë me Atin Qiellor. Ndërsa studion sot, kushtoju vëmendje nxitjeve nga Shpirti që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë këtë të vërtetë.
Lexo te Hebrenjve 12:9 dhe merr parasysh të shenjosh fjalë ose fraza që na mësojnë rreth marrëdhënies sonë me Atin Qiellor. Vër re se fraza “t’i nënshtrohemi” i referohet nënshtrimit ndaj dikujt ose ndikimit nga dikush.
Nga ky varg ne mësojmë se Perëndia është Ati i shpirtrave tanë.
-
Si ndikon të diturit e kësaj të vërtete te mënyra se si ndiheni për veten dhe të tjerët?
Plaku Ted R. Kelister, i Të Shtatëdhjetëve, dha një shembull për faktin se si mund të ndikojë te ne të kujtuarit e identitetit tonë si fëmijë të Perëndisë:
“Në një seancë trajnimi të kohëve të fundit për Autoritetet e Përgjithshme, u bë pyetja: ‘Si mund t’i ndihmojmë ata që po luftojnë me pornografinë?’
Plaku Rasëll M. Nelson u ngrit në këmbë dhe u përgjigj: ‘Mësojuni atyre identitetin dhe qëllimin e tyre’.
Përgjigjja më preku, jo vetëm si përgjigje për atë pyetje specifike, por si një përgjigje e përshtatshme për shumicën e sfidave me të cilat përballemi në jetë.”
(Tad R. Callister, “Our Identity and Our Destiny” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 14 gusht 2012], f. 1, speeches.byu.edu)
-
Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e identitetit tonë si fëmijë të Perëndisë për sfidat me të cilat përballemi?
-
Cilat janë disa ndikime të botës që mund të na shpërqendrojnë nga të kujtuarit e identitetit tonë hyjnor?
-
Çfarë mund të na ndihmojë ta kujtojmë dhe nderojmë identitetin tonë hyjnor?
Një njohuri e saktë për Atin Qiellor
Reflekto për një çast rreth të kuptuarit tënd për Atin Qiellor dhe për marrëdhënien tënde me Të. Merr parasysh çfarë bekimesh ke përjetuar dhe mund të përjetosh në të ardhmen për shkak se je fëmijë i Tij. Mendo rreth asaj që mund të jetë ndryshe në jetën tënde po ta njihje Atë më mirë dhe po të ndiheshe më pranë Tij.
Vëllai Brajën K. Ashton, dikur në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës, theksoi ndikimin e të pasurit të një kuptueshmërie të saktë për Atin Qiellor dhe marrëdhënien tonë me Të:
“Pasja e ‘një ideje të saktë për karakterin, përsosuritë dhe cilësitë e [Atit Qiellor]’ është thelbësore për ushtrimin e besimit të mjaftueshëm që të marrim ekzaltimin [Lectures on Faith (1985), f. 38]. Një kuptueshmëri e saktë për karakterin e Atit Qiellor mund ta ndryshojë mënyrën se si e shohim veten dhe të tjerët, dhe mund të na ndihmojë ta kuptojmë dashurinë e jashtëzakonshme të Perëndisë për fëmijët e Tij dhe dëshirën e Tij të madhe për të na ndihmuar që të bëhemi si Ai. Një këndvështrim i pasaktë për natyrën e Tij mund të na bëjë të ndihemi sikur jemi të paaftë për t’ia dalë mbanë ndonjëherë që të kthehemi në praninë e Tij.”
(Brajën K. Ashton, “Ati”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 94)
Një mënyrë se si mund të arrijmë një kuptueshmëri të saktë për Atin tonë Qiellor është duke studiuar shkrimet e shenjta rreth Tij.
Shpenzo disa minuta për të lexuar dhe përsiatur për disa shkrime të shenjta që na mësojnë për karakterin e Perëndisë. Mund të përdorësh referencat e mëposhtme të shkrimeve të shenjta ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Perëndi, [Kreu-Perëndi]” (nënpjesën Perëndia, Ati). Në ditarin tënd të studimit, rendit ato që të mësojnë këto shkrime të shenjta rreth karakterit dhe cilësive të Atit Qiellor dhe rreth marrëdhënies sate me Të.
-
Çfarë të vërtetash mësove për Perëndinë që janë më domethënëse për ty? Përse janë domethënëse ato?
-
Si mund të ndikojë ajo që mësove te mënyra si ndihesh rreth personit që je dhe personit që mund të bëhesh?
-
Çfarë veprimesh ndihesh i frymëzuar të ndërmarrësh bazuar tek ajo që mësove dhe ndjeve sot?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Si mund të më ndihmojë dijenia se jam fëmijë i Perëndisë?
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Merrni parasysh fuqinë e idesë që jepet mësim në këngën tonë të dashur ‘Fëmi i Per’ndis’ Jam’ [Himne, nr. 196]. … Këtu është përgjigjja për një nga pyetjet e mëdha të jetës: ‘Kush jam unë?’ Unë jam një fëmijë i Perëndisë me prejardhje shpirtërore nga prindër qiellorë. Ajo prejardhje përcakton potencialin tonë të përjetshëm. Ajo ide e fuqishme është një antidepresiv i fortë. Ajo mund ta forcojë secilin prej nesh që të bëjë zgjedhje të drejta dhe të kërkojë më të mirën që është brenda nesh.”
(Dallin H. Oaks, “Powerful Ideas”, Ensign, nëntor 1995, f. 25)
Pse nuk flasim më shumë rreth Nënës në Qiell?
“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme jep mësim se të gjitha qeniet njerëzore, meshkuj e femra, janë fëmijë të dashur shpirtërorë të prindërve qiellorë, një Ati Qiellor dhe një Nëne Qiellore. …
Si me shumë të vërteta të tjera të ungjillit, njohuria jonë e tanishme rreth një Nëne në Qiell është e kufizuar. Prapëseprapë, neve na është dhënë njohuri e mjaftueshme për ta vlerësuar shenjtërinë e kësaj doktrine dhe për ta kuptuar modelin hyjnor të krijuar për ne si fëmijë të prindërve qiellorë” (Ese mbi Temat e Ungjillit, “Nëna në Qiell”, ChurchofJesusChrist.org).
Në ç’mënyrë jeta e Jezu Krishtit na mëson rreth karakterit të Atit Qiellor?
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Në gjithçka që Jezusi erdhi të thoshte dhe të bënte, duke përfshirë dhe veçanërisht në vuajtjen dhe flijimin e Tij shlyes, Ai po na tregonte se cili është dhe se si është Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, se sa tërësisht i përkushtuar është Ai ndaj fëmijëve të Tij në çdo epokë e komb. Me fjalë dhe vepra Jezusi po përpiqej ta zbulonte dhe ta bënte vetjake për ne natyrën e vërtetë të Atit të Tij, Atit tonë në Qiell. …
Prandaj duke ushqyer të uriturit, duke shëruar të sëmurët, duke qortuar hipokrizinë, duke bërë thirrje për besim – ky ishte Krishti duke na treguar udhën e Atit, Atij që është ‘i dhembshur dhe i hirshëm, i ngadalshëm në zemërim, i duruar dhe plot mirësi’ [Lectures on Faith (1985), f. 42.] Në jetën e Tij dhe veçanërisht në vdekjen e Tij, Krishti po shpallte: ‘Kjo është dhembshuria e Perëndisë që po ju tregoj, si edhe dhembshuria ime’. Në shfaqjen e përsosur nga Biri të kujdesit të përsosur të Atit, në vuajtjen e Tyre të ndërsjellë dhe brengën e përbashkët për mëkatet dhe lëndimet e pjesës tjetër prej nesh, ne shohim kuptimin përfundimtar në thënien: ‘Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij’ [ Gjoni 3:16–17 ].”
(Jeffrey R. Holland, “The Grandeur of God”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 70, 72)