Hebrenjve 2–4
Shpëtimtari Mund të na Ndihmojë në Kohë Nevoje
A e ke pyetur ndonjëherë veten nëse dikush tjetër e kupton vërtet atë që po kalon ti në jetë? Libri i Hebrenjve na mëson se Jezu Krishti zbriti nga froni i Tij qiellor për të jetuar si një njeri i vdekshëm në tokë dhe për të kryer një Shlyerje të pafundme për ne. Për shkak të kësaj, Ai na njeh përsosurisht dhe e di përsosurisht si të na ndihmojë. Ky mësim mund ta rritë sigurinë tënde që Jezu Krishti mund të të ndihmojë në kohë nevoje.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Shpëtimtari e kupton
Lexo, këndo ose dëgjo himnin “Ku Mund të Gjej Paqe?” (Himne, nr. 67).
Mund të shohësh edhe materialin filmik “Where Can I Turn for Peace?” [“Ku Mund të Gjej Paqe?”] (04:03) te ChurchofJesusChrist.org.
-
Si do ta shpjegoje mesazhin e këtij himni me vetë fjalët e tua?
Në ditarin tënd të studimit, shkruaj rreth diçkaje për të cilën të nevojitet vërtet ndihmë në jetën tënde.
Në këtë letër drejtuar hebrenjve, Pali u dha mësim shenjtorëve rreth Jezu Krishtit dhe se si Ai mund t’u jepte atyre forcë në rrethanat me të cilat përballeshin (shih Hebrenjve 4:16). Ndërkohë që studion, kërko mënyrën se si mund të të ndihmojë Jezu Krishti.
Në ditarin tënd të studimit, krijo një tabelë të ngjashme me atë më poshtë.
Përse Jezu Krishti është në gjendje të më kuptojë? |
Çfarë bekimesh mund të më japë Jezu Krishti për shkak se Ai më kupton? |
Lexo te Hebrenjve 2:9–10, 13–18 dhe 4:12–16 , duke kërkuar përgjigje për pyetjet në tabelë. Shkruaji përgjigjet poshtë krerëve të duhur. Vër re se vargjet te Hebrenjve 2:9 dhe 16 po i referohen lënies së fronit qiellor nga Jezu Krishti për të jetuar si një njeri i vdekshëm në tokë.
-
Çfarë mësove për Jezu Krishtin që ndien se mund të të ndihmojë ty ose të tjerët?
-
Pse mund të jetë ngushëlluese të dish që Jezu Krishti mund t’i dallojë “mendimet dhe dëshirat e zemrës”? ( Hebrenjve 4:12 .)
-
Çfarë kupton nga fraza Ai “mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen”? ( Hebrenjve 2:18 .) Vër re se fjala e përkthyer “tundohen” mund të përkthehet edhe “sprovohen” ose “u nënshtrohen sprovave”. Fraza vijë në ndihmë do të thotë të shkojë për t’i dhënë ndihmë dikujt.
Një e vërtetë që mund të kesh zbuluar, është se ngaqë Jezu Krishti vuajti dhe u tundua në të gjitha gjërat, Ai na kupton dhe mund të na ndihmojë në kohë nevoje. Profeti Alma në Librin e Mormonit e dha mësim gjithashtu këtë të vërtetë. Merre parasysh ta bësh referencë kryq fragmentin e zotërimit doktrinor Alma 7:11–13 me Hebrenjve 2:18 .
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi si ta kuptosh më mirë aftësinë e Shpëtimtarit për të të kuptuar dhe ndihmuar. Ti mund të duash të shohësh materialin filmik “I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi” (16:23), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 12:15 deri në 13:21 ose lexo thënien vijuese.
“Nuk ka dhembje fizike, as plagë shpirtërore, as ankth të shpirtit apo të zemrës, as dobësi apo lëngatë që ju ose unë do të hasim ndonjëherë në vdekshmëri, të cilën Shpëtimtari nuk e përjetoi fillimisht. Në një çast dobësie ju mund të thërrisni: ‘Askush s’e di si është. Askush s’e kupton.’ Por Biri i Perëndisë di dhe kupton në mënyrë të përsosur, sepse Ai i ka ndier dhe i ka mbajtur barrët tona vetjake. Dhe për shkak të flijimit të Tij të pafund dhe të përjetshëm (shih Alma 34:14), Ai ka dhembshuri të përsosur dhe mund të na e shtrijë krahun e Tij të mëshirës. Ai mund të na arrijë, prekë, ndihmojë, shërojë e forcojë që të jemi më shumë sesa mund të ishim ndonjëherë dhe që të na ndihmojë të bëjmë atë që nuk mund ta bënim kurrë duke u mbështetur vetëm mbi vetë fuqinë tonë.”
(Dejvid A. Bednar, “I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 90)
-
Si të ndihmojnë vargjet tek Alma 7:11–13 ose thënia nga Plaku Bednar për ta kuptuar më mirë aftësinë e Shpëtimtarit për të të ndihmuar?
Mendo për një shembull nga jeta jote, jeta e të tjerëve ose nga shkrimet e shenjta, që e ilustron të kuptuarit përsosurisht nga Shpëtimtari të përvojave dhe nevojave tona. Nëse të duhet ndihmë për të menduar për një shembull, merre parasysh të studiosh vargjet te Gjoni 11:21–27, 32–36 ; Mosia 24:11–15 ose Doktrina e Besëlidhje 122:5–9 .
-
Si mund të të ndihmojë ky shembull që të mbështetesh te Jezu Krishti?
Afrimi me guxim te froni i hirit
Lexo te Hebrenjve 4:16 , duke kërkuar atë që na fton të bëjmë Pali për të marrë ndihmën që na nevojitet. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.
-
Çfarë mendon se do të thotë t’i “afrohemi … me guxim fronit të hirit”?
-
Për çfarë duhet të kemi siguri kur i qasemi Perëndisë?
-
Si mund të na duket dhe si mund të ndihemi po t’i “afrohemi … me guxim fronit të hirit”?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Çfarë është denjimi i Jezu Krishtit?
Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Shembulli i përulësisë dhe i sakrificës së Shpëtimtarit për tërë njerëzimin është ngjarja më e rëndësishme e historisë. Shpëtimtari, edhe si një pjesëtar i Kreut‑Perëndi, ishte i gatshëm të vinte në tokë si një foshnjë e vobektë dhe të fillonte një ekzistencë që përfshiu mësimdhënien dhe shërimin e vëllezërve dhe të motrave të Tij dhe më së fundi vuajtjen e një dhembjeje të papërshkrueshme në Gjetseman e në kryq, me qëllim që ta përsoste Shlyerjen e Tij. Ky veprim dashurie dhe përulësie nga ana e Krishtit njihet si denjimi i Tij. Ai e bëri këtë për çdo burrë e çdo grua që Perëndia e ka krijuar ose do ta krijojë.”
(Kuentin L. Kuk, “Të Përditshmen si Përjetësinë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 52)
Hebrenjve 4:15. A u “tundua … si ne” vërtet Jezusi?
Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995) dha mësim sa vijon:
“Është e rëndësishme të kujtojmë se Jezusi ishte në gjendje të mëkatonte, që Ai mund të ishte nënshtruar, që plani i jetës dhe i shpëtimit mund të kishte dështuar, por që Ai qëndroi i vërtetë. Nëse nuk do të kishte mundësi dorëzimi nga Ai ndaj tundimit të Satanit, nuk do të kishte provë reale, fitore të vërtetë si përfundim. Në qoftë se Atij do t’i ishte hequr e drejta të mëkatonte, Atij do t’i ishte hequr vetë liria e zgjedhjes. Ishte Ai që pati ardhur të mbronte dhe të siguronte lirinë e zgjedhjes së njeriut. Ai duhej të ruante aftësinë dhe zotësinë të mëkatonte nëse do të donte të vepronte kështu. Sikurse shkroi Pali: ‘Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi’ ( Hebrenjve 5:8) dhe Ai ‘u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar’ ( Hebrenjve 4:15). Ai ishte i përsosur dhe i pamëkatë, jo ngaqë duhej të ishte, por përkundrazi ngaqë Ai qartazi dhe vendosmërisht dëshironte të ishte.”
(Howard W. Hunter, “The Temptations of Christ”, Ensign, nëntor 1976, f. 19)
Hebrenjve 4:16. Cila është domethënia e “fronit të hirit”?
“Në shumë kultura në lashtësi, t’i afroheshe fronit të një mbreti pa të ftuar ishte rrezik për jetën, por me ftesën e mbretit, personi mund të afrohej dhe të fliste me siguri. T’i afrohemi Perëndisë ‘me guxim’ do të thotë të kemi siguri se Perëndia dëshiron që ne t’i afrohemi fronit të Tij dhe që do të marrim ndihmën e Tij” (New Testament Student Manual [2018], f. 477).
Për sa i përket mëshirës që na ofron Perëndia, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Sigurisht gjëja që Perëndinë e gëzon më shumë rreth të qenit Perëndi, është emocioni i të qenit i mëshirshëm, veçanërisht për ata që nuk e presin ose shpesh ndihen sikur nuk e meritojnë”.
(Xhefri R. Holland, “Punëtorët në Vresht”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 33)