Seminari
Hebrenjve 1–10


Hebrenjve 1–10

“Sa Më [i] Madhërueshëm … Është Emri”

Frontal head portrait of Jesus Christ

Të gjithë ndjekësit e Jezu Krishtit do të përjetojnë sprova të besimit të tyre. I tillë ishte rasti për shumë të krishterë judeas. Nën trysninë e përndjekjeve të ndryshme, shumë vetë po largoheshin nga Kisha dhe po ktheheshin te siguria relative e adhurimit judeas në sinagogë. Pali donte t’u tregonte këtyre të krishterëve judeas që Jezusi është më i madh se Moisiu dhe se shërbesa e Tij solli një besëlidhje të re që ka epërsi ndaj besëlidhjes së vjetër sipas ligjit të Moisiut. Ky mësim mund të të ndihmojë ta forcosh besimin tënd te Shpëtimtari ndërsa mëson për fuqinë e Tij mbi të gjitha gjërat, duke përcaktuar dhe studiuar disa nga titujt dhe rolet e Tij.

Përqendrimi te Jezu Krishti. “Teksa përqendrohemi tek titujt, rolet e karakteri dhe cilësitë e Tij, Shpirti do të dëshmojë për Atë, duke sjellë kuptueshmëri dhe dashuri më të madhe për personalitetin e Tij të vërtetë dhe një dëshirë më të madhe për t’u bërë si Ai” (Çad H. Ueb, “Ne Flasim për Krishtin, Ne Gëzohemi në Krishtin” [fjalim i mbajtur në transmetimin e trajnimit vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 12 qershor 2018], ChurchofJesusChrist.org).

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kërkojnë emrat e Jezu Krishtit gjatë studimit të tyre vetjak ose familjar të shkrimeve të shenjta dhe të vijnë të përgatitur në klasë që të tregojnë emrat që gjetën.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Titujt e Jezu Krishtit

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta bëjnë veprimtarinë vijuese në një fletë letre. Më pas mblidhini fletët dhe lexojini përgjigjet, duke i ftuar nxënësit të gjejnë se cili nxënës e shkroi secilin përshkrim.

Gjej një minutë dhe rendit në ditarin tënd të studimit sa më shumë fjalë ose fraza që të përshkruajnë që të vijnë në mendje.

  • Përse i përdore ato fjalë dhe fraza?

Ashtu siç ti ke fjalë ose fraza që të përshkruajnë, edhe Jezu Krishti ka shumë emra ose tituj që e përshkruajnë Atë. Teksa arrijmë t’i njohim këta tituj më plotësisht, ne arrijmë ta kuptojmë më mirë se kush është Ai dhe se sa shumë na do Ai.

Disa nxënës mund të kenë mbajtur një listë të titujve dhe roleve të Shpëtimtarit në ditarin e tyre të studimit. Nëse jo, mund t’i ftoni që ta bëjnë këtë.

Në ditarin tënd të studimit, rendit disa tituj që i di tashmë për Shpëtimtarin.

  • Si ndikon njohja dhe të kuptuarit e këtyre titujve të Jezu Krishtit në mënyrën se si ti e sheh Atë?

Merreni parasysh të bëni një listë të përgjigjeve të nxënësve në tabelë. Për t’i ndihmuar nxënësit ta thellojnë besimin e tyre te Jezu Krishti, merreni parasysh të bëni pyetje që ndjekin ecurinë siç janë: “Përse mendoni se është e rëndësishme që adoleshentët të kenë njohuri për Shpëtimtarin?” ose “Çfarë na mëson ky titull rreth karakterit dhe cilësive të Tij?”

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim mënyra se si ne mund të bekohemi teksa mësojmë më shumë rreth Shpëtimtarit:

Official portrait of President Russell M. Nelson taken January 2018

“Sa më shumë që mësoni rreth Shpëtimtarit, aq më e lehtë do të jetë që të mirëbesoni në mëshirën e Tij, në dashurinë e Tij të pafundme dhe fuqinë e Tij forcuese, shëruese dhe shëlbuese”.

(Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 103)

  • Në ç’mënyra të duhet ndihma nga Shpëtimtari që përshkroi Presidenti Nelson?

Merreni parasysh ta paraqitni ose përmblidhni shkurtimisht materialin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë kontekstin e librit Hebrenjve.

Ashtu siç ne kemi nevojë për Shpëtimtarin, ashtu patën nevojë të krishterët judeas që nuk po merrnin pjesë në mbledhjet e Kishës për shkak të përndjekjes dhe llojeve të tjera të presionit. Ata po ktheheshin tek ajo me të cilën ishin mësuar dhe siguria relative e adhurimit tradicional judeas, i cili nuk përfshinte besimin te Jezu Krishti (shih Hebrenjve 10:25, 38–39). Ti mund të mësosh më shumë rreth kësaj letre duke studiuar “ Hebrenj(ve), Letër Drejtuar ” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Gjetja e titujve dhe roleve të Jezu Krishtit

Pali tregoi shumë tituj dhe role të Shpëtimtarit që mund t’i kenë ndihmuar shenjtorët ta dallonin nevojën e tyre për Të. Për shembull, vargu Hebrenjve 1:2 thekson titullin “Bir” të Shpëtimtarit, që lidhet me atë që Ai është “trashëgimtar [i] të gjitha gjërave”. Hebrenjve 1:2, 10 shpjegon rolin e Jezusit si Krijues i qiejve dhe tokës.

Nxënësve mund t’u caktohen disa vargje për t’i lexuar në dyshe ose grupe të vogla. Pasi t’i lexojnë, merreni parasysh të bëni një listë në tabelë të titujve që zbuluan nxënësit.

Tani që ke parë disa shembuj të titujve të Shpëtimtarit, lexo vargjet vijuese dhe kërko tituj dhe role të tjera të Jezu Krishtit. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.

Hebrenjve 1:1–3, 10

Hebrenjve 2:9–10, 17

Hebrenjve 3:1

Hebrenjve 5:8–10

Hebrenjve 9:11–16

  • Cila është një e vërtetë që përcaktove rreth Shpëtimtarit nga një ose disa prej titujve dhe roleve të Tij?

Nxënësit mund të përcaktojnë një llojshmëri të vërtetash, siç janë Jezu Krishti krijoi qiejt dhe tokën (shih Hebrenjve 1:2, 10) ose Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe është vula e qenies së Atit të Tij (shih Hebrenjve 1:2–3).

Zgjidh një titull apo rol që përshkruan një veprim për të cilin ke nevojë që Jezu Krishti ta kryejë në jetën tënde dhe shkruaje atë në mes të një cope letre. Duke përdorur shkrimet e shenjta, programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose ChurchofJesusChrist.org, kërko më shumë pikëpamje mbi titullin e Jezu Krishtit që zgjodhe. Një mënyrë për ta nisur studimin tënd është të gjesh pjesën “Jezu Krisht” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Më pas mund të kërkosh shkrime të shenjta të ndryshme që përqendrohen te Shpëtimtari.

Shkruaji rreth titullit mendimet e tua për Jezu Krishtin dhe arsyen përse ai titull është kuptimplotë për ty. Këto mendime mund të përfshijnë

  • fraza nga vargjet apo citimet që lexon,

  • ide rreth mënyrës se si përmbushja e atij roli prej Shpëtimtarit mund të të ndihmojë në jetën tënde,

  • pikëpamjet e tua se si kuptueshmëria e atij titulli mund ta forcojë besimin tënd te Jezu Krishti dhe

  • çdo pyetje që ke rreth atij titulli.

Nëse koha e lejon, nxënësve mund t’u jepet mundësia për të zbuluar përgjigjen për pyetjet e tyre. Gjithashtu, nxënësit mund të ftohen t’i tregojnë pikëpamjet e tyre si klasë, në grupe të vogla ose në dyshe. Dëshmoni për Jezu Krishtin dhe rëndësinë e të mësuarit më shumë rreth Tij.

Tani që e ke ushtruar përcaktimin e emrave dhe titujve të Jezu Krishtit, gjej një çast për të reflektuar se sa mirë ti po e përdor këtë aftësi në studimin tënd të shkrimeve të shenjta.

  • Si të ndihmoi kërkimi i titujve të Jezu Krishtit ta njohësh Atë më mirë?

  • Si mund ta përfshish studimin e titujve të Jezu Krishtit në studimin tënd të rregullt të shkrimeve të shenjta?

Kërko tituj të Jezu Krishtit në studimin tënd vetjak dhe me familjen tënde ndërsa vazhdon të studiosh Dhiatën e Re dhe shkrime të tjera të shenjta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Përse duhet të mësoj rreth Jezu Krishtit?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Official portrait of President Russell M. Nelson taken January 2018

“Nëse vazhdoni të mësoni gjithçka mundeni rreth Jezu Krishtit, ju premtoj se dashuria juaj për Të dhe për ligjet e Perëndisë, do të rritet përtej asaj që mund të përfytyroni tani. Ju premtoj se do të shtohet edhe aftësia juaj për t’u larguar nga mëkati. Dëshira juaj për t’i mbajtur urdhërimet do të ngrihet në qiell. Do ta gjeni veten më në gjendje për t’iu ikur argëtimeve dhe ngatërresave të atyre që i përqeshin ndjekësit e Jezu Krishtit. …

Studiojeni gjithçka është Jezu Krishti duke kërkuar me lutje dhe vrull që ta kuptoni çfarë do të thotë për ju vetë secili prej titujve dhe emrave të Tij të ndryshëm.”

(Rasëll M. Nelson, “Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor” [takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 8 janar 2017], ChurchofJesusChrist.org; theksi i shtuar)

Hebrenjve 1:2, 10. Si mund të ndikojë roli i Jezusit si Krijues në jetën time?

Çad H. Uebi, administrator i Seminareve dhe Instituteve të Fesë, shpjegoi:

Portrait of Chad Webb

“Juve mund t’ju kujtohet se Presidenti Bojd K. Paker ishte një artist i zoti, i cili gjente gëzim në gdhendjen e zogjve prej druri. Një ditë, ai qe pasagjer në një makinë, të cilën po e ngiste Plaku A. Teodor Tatëll, dhe një prej punimeve të gdhendura të tij ishte vendosur në ndenjësen e pasme të makinës. Në një kryqëzim, Plaku Tatëll shtypi me forcë frenat dhe punimi i gdhendur ra me kokë poshtë në dysheme dhe u bë copash. Plaku Tatëll u ndje i mjeruar, por Presidenti Paker jo. Ai thjesht tha: ‘Mos e mbaj mendjen aty. Unë e krijova atë. Unë mund ta ndreq.’ Dhe ashtu veproi. Ai e bëri më të fortë nga sa ishte dhe madje e përmirësoi disi atë. Presidenti Paker shpjegoi: ‘Kush të krijoi ty? Cili është Krijuesi yt? Nuk ka as edhe një gjë në jetën [tënde] që shtrembërohet apo thyhet të cilën Ai nuk mund ta ndreqë, dhe Ai [vërtet] do ta ndreqë.’”

(Çad H. Ueb, “Ne Flasim për Krishtin, Ne Gëzohemi në Krishtin”, Transmetim i Trajnimit Vjetor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 12 qershor 2018, ChurchofJesusChrist.org)

Si mund të më sjellë shpresë njohja e Jezu Krishtit?

Përvoja vijuese e treguar nga Plaku Ronald A. Rasband mund të na ndihmojë të kuptojmë se si njohja e titujve dhe roleve të Jezu Krishtit mund të sigurojë shpresë.

2:3

Hebrenjve 2:10. Në çfarë mënyrash është Jezusi “realizuesi [i] shpëtimit [tonë]”?

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Gjetja e titujve të Jezu Krishtit në Librin e Mormonit

Një mënyrë tjetër për t’i ndihmuar nxënësit të zbulojnë tituj të Krishtit është të përdorni Librin e Mormonit. Merreni parasysh të bëni veprimtarinë vijuese.

Pyetini nxënësit: “Cili është titulli i plotë i Librit të Mormonit?”

Kujtojuni nxënësve se Libri i Mormonit u shkrua për t’i bindur të gjithë njerëzit se Jezusi është Krishti.

Në mënyrë që t’i ndihmoni nxënësit ta vlerësojnë qëllimin kryesor të Librit të Mormonit, kërkojini një nxënësi të lexojë me zë të lartë pohimin vijues nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994):

Photograph of President Ezra Taft Benson. He is seated in a leather chair in front of a fireplace. His hands are clasped in front of him and he is wearing a large turquoise ring on one finger. Official portrait. 1986

“Kërkuesi i sinqertë i së vërtetës mund të fitojë dëshminë se Jezusi është Krishti ndërsa përsiat me lutje fjalët e frymëzuara nga Libri i Mormonit.

Më shumë se gjysma e të gjitha vargjeve në Librin e Mormonit i referohet Zotit tonë. Disa forma të emrit të Krishtit përmenden më shpesh në vargjet në Librin e Mormonit sesa madje në Dhiatën e Re.

Atij i jepen mbi njëqind emra të ndryshëm në Librin e Mormonit. Ata emra kanë një rëndësi të veçantë në përshkrimin e natyrës së Tij hyjnore.”

(Ezra Taft Benson, “Come unto Christ”, Ensign, nëntor 1987, f. 83)

Ftojini nxënësit të hapin ndonjë kapitull te Libri i Mormonit dhe të shohin nëse mund të gjejnë emra apo tituj që i referohen Jezu Krishtit. Kërkojuni nxënësve të raportojnë një emër ose titull që e zbuluan, dhe të shpjegojnë atë që ai mund të na mësojë rreth Jezu Krishtit.