Seminari
Gjoni 17


Gjoni 17

Lutja e Madhërishme Ndërmjetësuese e Shpëtimtarit

Jesus has his eyes closed in prayer, the back of the disciples heads are in the foreground. Outtakes include a view of just the disciples in prayer and just Jesus in a green field with his head bowed in prayer.

Jezu Krishti e ofroi Lutjen e Tij të Madhërishme Ndërmjetësuese (që do të thotë se Ai iu përgjërua Atit Qiellor në emër të Apostujve të Tij dhe të të gjithë atyre që besojnë tek Ai) pak para se të vuante për mëkatet tona. Si pjesë e lutjes së Tij, Jezusi tha se të njohësh Atin dhe Birin është të kesh jetë të përjetshme (shih Gjoni 17:3). Ky mësim do të të inkurajojë të arrish t\u2019i njohësh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin më personalisht në jetën tënde.

Përdorimi i tabelës. Përdorimi i efektshëm i tabelës gjatë mësimit mund t’i përgatitë nxënësit që të mësojnë. Ai mund të ftojë edhe pjesëmarrje kuptimplote, veçanërisht nga ata që mësojnë në mënyrë pamore. Ju mund ta përdorni tabelën për të përmbledhur pikat ose parimet kryesore të një mësimi, të bëni një diagram për një doktrinë ose ngjarje, të paraqitni harta, të bëni vizatime objektesh që përshkruhen në shkrimet e shenjta, të krijoni grafikë të rrjedhës së ngjarjes apo të bëni veprimtari të tjera që do ta përforcojnë të mësuarit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë te 3 Nefi 19:16, 26–33 dhe të përsiatin rreth mënyrës se si do të ndiheshin po të dëgjonin Shpëtimtarin t’i lutej Atit Qiellor për ta.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Njohja e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit personalisht

Për të ndihmuar të krijohet më shumë unitet në klasë, merreni parasysh ta përshtatni veprimtarinë vijuese. Në vend që të bëni dy pyetjet e para rreth një figure historike, caktojini çdo nxënësi/e një shok ose shoqe që ai ose ajo mund të mos e njohë shumë mirë. Ftojini ata të mendojnë për një ose dy gjëra që dinë rreth atij personi. Më pas jepuni atyre dy minuta për të folur me shokun ose shoqen e tyre me udhëzime të thjeshta që “ta njohin atë pak më mirë”. Pas dy minutave, ftojini nxënësit të diskutojnë dallimin ndërmjet dijenisë për gjëra rreth dikujt dhe njohjes në të vërtetë të tij ose saj.

Mendo për një figurë të rëndësishme në historinë e kombit tënd.

  • Cilat janë disa gjëra që ti di rreth atij personi?

  • Si do t’i përshkruaje dallimet ndërmjet njohurisë tënde rreth figurës historike dhe mënyrës se sa mirë e njeh një pjesëtar të afërt të familjes?

Tani gjej pak kohë për të mbajtur shënim në ditarin tënd të studimit mënyrën se si ti ndihesh rreth njohurisë tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. A bazohet ajo vetëm te faktet që ti di rreth Tyre apo a po bëhet më personale se kaq? Si mendon se do të bekohej jeta jote po t’i njihje Ata në një nivel edhe më personal?

Jezusi u lut për dishepujt e Tij

Një natë para vuajtjes së Tij në Gjetseman, tradhtisë dhe Kryqëzimit, Shpëtimtari ofroi me zë një lutje të shenjtë të njohur si Lutja e madhërishme Ndërmjetësuese. Ai iu lut Atit Qiellor me përgjërime për dishepujt e Tij, duke përfshirë ndjekësit e Tij që jetojnë në kohën tonë (shih Gjoni 17:20). Përpiqu të përfytyrosh se si do të jenë ndier Apostujt që e dëgjonin Jezusin të lutej për ta në atë natë të shenjtë.

Nëse nxënësit u ftuan të bënin përgatitjen e nxënësve, merreni parasysh t’u kërkoni atyre të japin mendimet e tyre.

  • Çfarë mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit nga shembulli i Tij i lutjes për dishepujt e Tij dhe të gjithë ata që e ndjekin Atë para vuajtjes së Tij në Gjetseman dhe arrestimit?

Lexo te Gjoni 17:1–3 , duke kërkuar bekimet që Jezu Krishti u lut që të merrnin dishepujt e Tij.

  • Çfarë dëshiron Jezu Krishti për dishepujt e Tij?

Fraza “jetë e përjetshme” ( vargjet 2–3) shpesh keqkuptohet sikur nënkupton thjesht të jetosh përgjithmonë. Shpëtimtari po lutej që ne të marrim shumë më tepër sesa aq. “Jeta e përjetshme” është “cilësia e jetës që jeton Ati ynë i Përjetshëm. … Jeta e përjetshme, ose ekzaltimi, është të jetosh në praninë e Perëndisë dhe të vazhdosh si familje (shih Doktrina e Besëlidhje 131:1–4)” (Gospel Topics, “Eternal Life”, topics.ChurchofJesusChrist.org). Merre parasysh ta mbash shënim këtë përkufizim në shkrimet e tua të shenjta pranë vargut 3 .

  • Sipas vargut 3 , cila është një gjë që na kërkohet për të marrë jetën e përjetshme?

Një e vërtetë që mësojmë nga lutja e Shpëtimtarit është që për të marrë jetën e përjetshme, ne duhet ta njohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

  • Si mendon, përse duhet ta njohim me të vërtetë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin për të marrë jetën e përjetshme?

Plaku Majkëll Xhon U. Teh, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi rëndësinë e njohjes së Shpëtimtarit:

Official Portrait of Elder Michael John U. Teh. Photographed in 2015. Background replaced in March 2017.

“Ne kemi nevojë të pranojmë se të njohim Shpëtimtarin është veprimtaria më e rëndësishme e jetës sonë. Ajo duhet të ketë përparësi mbi gjithçka tjetër.”

(Majkëll Xhon U. Teh, “Shpëtimtari Ynë Vetjak”, Liahona, maj 2021, f. 99.)

  • Si mendon, përse njohja e Shpëtimtarit është veprimtaria më e rëndësishme e jetës sonë?

  • Çfarë mund t’jua bëjë të vështirë për t’i dhënë përparësi njohjes së Shpëtimtarit ndaj interesave të tjerë në jetën tonë?

Mendo për një çast rreth mënyrës se si është zhvilluar një marrëdhënie e ngushtë që ke me një anëtar të familjes apo një mik. Çfarë bëre për t’i njohur ata më mirë? A ka pasur përvoja kyç që të ndihmuan t’i njohësh me të vërtetë ata? Sa kohë i është dashur marrëdhënies për t’u zhvilluar?

  • Si mund t’i zbatosh veprimet që të ndihmuan të zhvillosh një marrëdhënie të ngushtë me një pjesëtar të familjes ose një mik për të arritur në njohjen e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Për ide shtesë rreth mënyrës se si të arrini t’i njihni Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, merreni parasysh të lexoni pohimet nga pjesa “Komente dhe Informacion për Rrethanat”.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në grupe të vogla në mënyrë që më shumë nxënës të mund të flasin.

  • Çfarë përvojash ke pasur që të kanë ndihmuar të arrish t’i njohësh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Çfarë ke mësuar nëpërmjet këtyre përvojave?

Arritja për ta njohur Shpëtimtarin nëpërmjet lutjes së Tij

Për t’u lejuar nxënësve ta studiojnë të gjithë kapitullin dhe jo vetëm vargjet e sugjeruara në paragrafin vijues, merreni parasysh t’u caktoni nxënësve të ndryshëm pjesë të kapitullit, duke i ftuar më pas t’i tregojnë klasës atë që mësuan.

Një mënyrë që të arrish ta njohësh Shpëtimtarin është nëpërmjet lutjeve të Tij. Gjej disa minuta për të mësuar më mirë se kush është Shpëtimtari duke studiuar lutjen që Ai bëri te Gjoni 17 . Disa nga vargjet që mund të zgjedhësh që të përqendrohesh janë te Gjoni 17:4–11, 20–26 .

  • Çfarë mëson rreth marrëdhënies së Jezu Krishtit me Atin e Tij nga kjo lutje?

  • Çfarë bekimesh dëshiron Jezu Krishti për ne?

  • Si mendon, përse Ai do të lutej që ti t’i marrësh këto bekime specifike?

  • Çfarë mësove rreth Jezu Krishtit dhe Atit Qiellor që të ndihmon të duash t’i njohësh Ata edhe më mirë?

Përfytyro se si do të ishte po të ishe aq pranë Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit saqë marrëdhënia jote të mund të përshkruhej si të jesh një me Ta. Si do të ndiheshe për këtë? Si do të përmirësohej jeta jote? Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të duan kaq shumë dhe dëshirojnë të jenë një me ty. Jezu Krishti iu lut Atit Qiellor që të të ndihmojë të kesh një marrëdhënie të ngushtë me Ta. Ki parasysh se një marrëdhënie e tillë do të kërkojë kohë dhe përpjekje për t’u zhvilluar gjatë kësaj jete dhe në jetën tjetër.

Mbaj shënim në ditarin tënd të studimit atë që je i gatshëm të bësh që të arrish t’i njohësh më mirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Përfshi se si mendon se do ta dish që marrëdhënia jote me Ta po bëhet më e fortë dhe se si beson që ajo marrëdhënie do ta bekojë jetën tënde.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Çfarë mund të bëjmë që të arrijmë t’i njohim më mirë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Official Portrait of President Henry B. Eyring taken March 2018.

“Nëse doni të qëndroni afër me dikë që ka qenë i dashur për ju, por nga i cili jeni larguar, ju e dini se si ta bëni atë. Ju do të gjenit një mënyrë për t’i folur atij, do ta dëgjonit atë dhe do të zbulonit mënyra për të bërë gjëra për njëri-tjetrin. Sa më shpesh që të ndodhte ajo, sa më shumë që të zgjaste, aq më e thellë do të ishte lidhja e dashurisë. Nëse do të kalonte shumë kohë pa folur, pa dëgjuar dhe pa bërë gjë, lidhja do të dobësohej.

Perëndia është i përkryer e i plotfuqishëm dhe unë e ju jemi të vdekshëm. Por Ai është Ati ynë, Ai na do dhe na ofron të njëjtën mundësi për t’u afruar më pranë Tij, ashtu siç do të bënte një mik i dashur. Dhe ju do ta bëni atë pothuaj në të njëjtën mënyrë: duke folur, duke dëgjuar dhe duke bërë.”

(Henry B. Eyring, “To Draw Closer to God”, Ensign, maj 1991, f. 66.)

Plaku C. Skot Grou, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi:

Official Portrait of Elder C. Scott Grow. Photographed March 2017.

“Miq të mi të rinj, ne mund të fillojmë ta njohim Perëndinë nëpërmjet lutjes. …

… Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta çdo ditë, vetëm dhe me familjen tuaj, ju do të mësoni ta dalloni zërin e Shpirtit dhe do të arrini të njihni Perëndinë. …

Kur ne përpiqemi të bëjmë vullnetin e Perëndisë duke i shërbyer besnikërisht Atij dhe bashkëqenieve tona, ne e ndiejmë miratimin e Tij dhe arrijmë vërtet ta njohim Atë.

Shpëtimtari na thotë se mënyra më e mirë e mundshme për ta njohur Perëndinë është të bëhemi si Ai. Ai na dha mësim: ‘Prandaj, çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë’ [ 3 Nefi 27:27 ].

Denjësia është thelbësore për t’u bërë si Ai. …

Perëndia ju njeh dhe ju fton ta njihni Atë. Lutiuni Atit, studioni shkrimet e shenjta, kërkoni të bëni vullnetin e Perëndisë, përpiquni të bëheni si Shpëtimtari dhe ndiqni këshilltarët e drejtë. Teksa e bëni këtë, ju do të arrini ta njihni Perëndinë dhe Jezu Krishtin dhe ju do të trashëgoni jetë të përjetshme.”

(C. Skot Grou, “Dhe Kjo Është Jeta e Përjetshme”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 121–124.)

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Veprimtari me vizatim – të bëhemi një

Merreni parasysh të ftoni një nxënës që të demonstrojë veprimtarinë vijuese në tabelë teksa nxënësit e tjerë e plotësojnë atë në ditarët e tyre të studimit.

Ftojini nxënësit të krijojnë një diagram në një faqe bosh duke shkruar emrat e tyre në cepin poshtë majtas, emrin e një miku në fund pranë mesit, emrin e një pjesëtari të familjes në cepin djathtas në fund dhe Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në krye afër mesit.

Më pas kërkojuni nxënësve të vizatojnë një vijë të drejtë nga emri i tyre deri te Jezu Krishti, pastaj nga secili prej emrave të tjerë deri te Jezu Krishti.

Ftojini ata të përfytyrojnë sikur çdo person në faqe është duke lëvizur drejt Jezu Krishtit përgjatë vijave që nxënësit vizatuan. Çfarë ndodh me distancën ndërmjet këtyre njerëzve ndërsa secili vjen më afër me Shpëtimtarin?

Kërkojuni nxënësve të lexojnë te Gjoni 17:18–26 , duke kërkuar për atë që i ndodh natyrshëm marrëdhënies ndërmjet dishepujve të Jezu Krishtit ndërsa çdo person bëhet më i ngjashëm me Shpëtimtarin.

Përdorimi i konferencës së përgjithshme për të thelluar kuptueshmërinë tonë për shkrimet e shenjta

Jepini çdo nxënësi një kopje të bisedës së Plakut Dejvid A. Bednar, me titullin “Po Të Më Kishit Njohur” (Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 102–105). Jepuni nxënësve kohë të studiojnë dhe të kërkojnë arsye të tjera përse ne duhet ta njohim Shpëtimtarin, si edhe gjërat që mund të bëjmë për ta njohur Atë më mirë.