Gjoni 6:22–58
“Unë Jam Buka e Jetës”
Një ditë pas mrekullisë së ushqyerjes së pesë mijë njerëzve, shumë e kërkuan Jezusin, “jo pse [ata] panë shenja, por sepse [ata] k[ishin] ngrënë nga bukët” dhe i mori sërish uria (Gjoni 6:26). Shpëtimtari u mësoi atyre: “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri” (Gjoni 6:35). Ky mësim mund të të ndihmojë të përcaktosh mënyra se si ti mund të vish te Shpëtimtari që Ai të plotësojë nevojat e tua shpirtërore.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
“Unë jam buka e jetës”
-
Sa bukë mendon se mund të hash?
-
Pavarësisht se sa bukë mund të hash tani, çfarë do të ndodhë në fund të fundit?
Kur Shpëtimtari ushqeu më shumë se pesë mijë njerëz duke përdorur vetëm pesë bukë dhe dy peshq, disa reaguan ndaj kësaj mrekullie duke e kërkuar Atë për një vakt tjetër dhe jo për arsye shpirtërore (shih Gjoni 6:5–14). Jezusi i korrigjoi ata që e kërkonin Atë për më shumë bukë në vend që ta kërkonin Atë për jetën e përjetshme. Ata e vunë në dyshim identitetin dhe aftësinë e Tij për t’u dhënë atyre jetën e përjetshme (shih Gjoni 6:30, 41–42).
Lexo te Gjoni 6:32, 35 për të parë se si Shpëtimtari i korrigjoi njerëzit. Merr parasysh t’i shenjosh në shkrimet e tua të shenjta titujt e Shpëtimtarit “buk[a] e vërtetë nga qielli” dhe “buka e jetës”. Ti mund t’i shtosh këta tituj në shënimin e ditarit tënd të titulluar “Titujt dhe Rolet e Jezu Krishtit”. (Ti mund ta kesh nisur këtë pjesë gjatë mësimit për librin Gjoni 1:1–51.)
-
Si mendon, pse Shpëtimtari do t’i referohej Vetes si “buk[a] e vërtetë nga qielli” ose “buka e jetës”?
-
Çfarë mëson rreth Jezu Krishtit te vargu 35 ?
Gjoni 6:35 na mëson se nëse vijmë te Jezu Krishti dhe besojmë tek Ai, Ai mund ta shuajë urinë dhe etjen tonë shpirtërore.
Përgjigjju pyetjeve të mëposhtme në ditarin tënd të studimit:
-
Cilat janë disa nga arsyet përse të duhet Jezu Krishti çdo ditë? Në çfarë mënyrash je aktualisht “i uritur” shpirtërisht?
-
Çfarë po bën aktualisht për të kërkuar ndihmën e Shpëtimtarit për ta shuar atë uri? Çfarë po shkon mirë? Çfarë nuk po shkon?
Ndërsa e vazhdon studimin tënd, kërko ndikimin e Frymës së Shenjtë që të të ndihmojë të përcaktosh mënyrat se si ti mund të vish te Shpëtimtari që Ai të mund ta shuaj urinë tënde shpirtërore.Lexo te Gjoni 6:47–58 , duke kërkuar se çfarë na fton Shpëtimtari të bëjmë dhe çfarë na premton Ai në këmbim. Merr parasysh se si këto ftesa dhe premtime të ndihmojnë të kuptosh më mirë se si të marrësh dhuratën nga Shpëtimtari të shuarjes së urisë dhe etjes tënde shpirtërore. Merr parasysh të krijosh një tabelë si ajo më poshtë që të të ndihmojë.
Ftesat e Shpëtimtarit |
Premtimet e Shpëtimtarit |
-
Çfarë të mësojnë ftesat dhe premtimet e Tij rreth Tij?
Marrja e mishit dhe gjakut të Shpëtimtarit
Shumë njerëz që e dëgjuan predikimin e Shpëtimtarit kishin pyetje se çfarë do të thoshte të hash mishin e Shpëtimtarit dhe të pish gjakun e Tij (shih Gjoni 6:52, 60).
Lexo pohimin vijues nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për ta kuptuar më mirë domethënien e fjalëve të Shpëtimtarit dhe mënyrën se si ne mund ta pranojmë ftesën e Tij.
“Të hamë mishin e Tij dhe të pimë gjakun e Tij është një mënyrë e pazakontë për të shprehur se sa plotësisht duhet ta sjellim Shpëtimtarin në jetën tonë – në vetë qenien tonë – që të mund të jemi një. …
… Ne marrim nga mishi i Tij dhe pimë nga gjaku i Tij, kur marrim prej Tij fuqinë dhe bekimet e Shlyerjes së Tij.
Doktrina e Krishtit shpreh atë që duhet të bëjmë për ta marrë hirin shlyes. Do të thotë të besoni dhe të keni besim në Krishtin, të pendoheni e të pagëzoheni dhe të merrni Frymën e Shenjtë, ‘dhe pastaj vjen një heqje e mëkateve tuaja me anë të zjarrit dhe me anë të Frymës së Shenjtë’ [ 2 Nefi 31:17 ]. …
Unë kam folur për marrjen e hirit shlyes të Shpëtimtarit, për t’i hequr mëkatet tona dhe njollën e atyre mëkateve te ne. Por figurativisht, ngrënia e mishit të Tij dhe pirja e gjakut të Tij ka një domethënie të mëtejshme, dhe kjo do të thotë që t’i përvetësojmë cilësitë dhe karakterin e Krishtit, duke e zhveshur njeriun e natyrshëm dhe duke u bërë shenjtorë ‘nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot’ [ Mosia 3:19 ]. …
… Të hash mishin dhe të pish gjakun e Krishtit do të thotë të ndjekësh shenjtërinë.”
(D. Tod Kristoferson, “Buka e Gjallë që Zbriti nga Qielli”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 36–38.)
-
Si do ta shpjegoje se çfarë do të thotë të hash mishin dhe të pish gjakun e Birit të Perëndisë?
-
Kur e ke ndjekur ti dhe të tjerët këshillën e Plakut Kristoferson dhe e ke ndier Shpëtimtarin të të shuajë urinë shpirtërore? Çfarë bëre gjatë këtyre përvojave që ndjeve se e ftove Shpëtimtarin për ta shuar atë uri?
Përfytyro sikur të ishe i pranishëm gjatë predikimit të Shpëtimtarit te Gjoni 6:22–58 . Shkruaj një shënim në ditarit tënd sikur të kishe qenë atje. Përfshij sa më poshtë në shënimin tënd:
-
Çfarë mësove për Shpëtimtarin dhe çfarë mësove prej Tij
-
Çdo përvojë që ke pasur kur Jezu Krishti ka siguruar për nevojat e tua shpirtërore (ose çdo përvojë që kanë pasur të tjerët)
-
Veprimet që Fryma e Shenjtë të ka lënë mbresa për t’i ndërmarrë dhe përse
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Përse mund t’i ketë përqendruar Jezusi njerëzit te nevojat e tyre shpirtërore dhe jo te nevojat e tyre fizike?
Ndërsa shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, Plaku Karlos H. Amado dha mësim:
“Si Kishë ne duhet të ushqejmë të varfrit, të lehtësojmë të sëmurin, të veshim të zhveshurin dhe të strehojmë nevojtarin. Me ofertat e agjërimit lehtësojmë nevojat bazë e të menjëhershme të anëtarëve dhe me planin e mirëqenies ndihmojmë për plotësimin e nevojave të tyre të zgjatura. Kur ka fatkeqësi natyrore, përmes shërbimeve humanitare ne japim ndihmë për vëllezër e motra që nuk janë të besimit tonë fetar.
Pa shpërfillur këto nevoja jetësore, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, me urdhërim nga Zoti, zhvillon punën më madhështore e më fisnike të shërbesës, që është bekimi i të gjithë njerëzve duke u mësuar doktrinën e Krishtit dhe duke i ftuar të marrin ordinancat shpëtuese në mënyrë që ata të arrijnë të fitojnë ‘[pavdekësi dhe jetë të] përjetshme’ ( Moisiu 1:39).”
(Karlos H. Amado, “Shërbimi, një Cilësi Hyjnore”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 35–36.)
Gjoni 6:56 . Çfarë nënkuptoi Shpëtimtari kur dha mësim që Ai do të mbetej në ne?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:
“Kjo është një gjë që të dini se Jezu Krishti erdhi në tokë për të vdekur për ne – kjo është një pjesë e rëndësishme e doktrinës së Krishtit. Por gjithashtu ne duhet të vlerësojmë se Zoti dëshiron, me anë të Shlyerjes së Tij dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, të jetojë te ne – jo vetëm për të na drejtuar, por edhe për të na dhënë forcë.”
(Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 14.)