Zbulesa 5
“I Denjë Është Qengji”
Si mendon, çfarë do të thotë të adhurosh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Si mendon, pse i adhurojmë Ata? Gjoni pa fronin e Perëndisë dhe qeniet e ndryshme të përlëvduara që e përlëvdonin dhe adhuronin Atë. Ky mësim mund të të ndihmojë që të të shtohet dëshira për ta adhuruar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin me më tepër dashuri dhe sinqeritet.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Froni i Perëndisë
-
Çfarë di ti rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që nxit brenda zemrës tënde një dëshirë të sinqertë për t’i adhuruar Ata?
Adhurimi i Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në jetën tonë dhe mund të na ndihmojë të ndihemi pranë Tyre.
-
Cilat janë disa mundësi që ti ke për ta adhuruar Atin dhe Birin?
Gjej një çast për të menduar se sa shpesh ti e adhuron me sinqeritet Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Reflekto mbi mënyrën se si jeta jote do të ndryshonte po t’i adhuroje ata më shpesh dhe në mënyrë më domethënëse. Kërkoje ndikimin e Frymës së Shenjtë teksa studion te Zbulesa 5 për të ditur se si mund ta adhurosh me më tepër sinqeritet Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
I denjë është Qengji
Në vegimin e tij, Gjoni pa fronin e Perëndisë në mbretërinë çelestiale. Rreth fronit ishin qenie të ndryshme të përlëvduara dhe bisha që lavdëronin dhe adhuronin Perëndinë (shih Zbulesa 4:1–11). Ai pa Atin Qiellor të ulur në fronin e Tij, duke mbajtur një libër të vulosur me shtatë vula (shih Zbulesa 5:1). Libri përmbante vullnetin, misteret dhe veprat e Perëndisë gjatë 7000 viteve të ekzistencës së përkohshme të tokës (shih Doktrina e Besëlidhje 77:6–7).
Lexo te Zbulesa 5:2–4 , duke kërkuar reagimin e Gjonit.
-
Çfarë vure re?
-
Meqë libri me vulat përfaqëson historinë e përkohshme të tokës, Gjoni mund të jetë shqetësuar për faktin se nëse nuk do të kishte ndonjë njeri të denjë për ta hapur atë, atëherë qëllimi i Perëndisë në krijimin e tokës nuk do të realizohej. Çfarë do të ndodhte me fëmijët e Atit Qiellor nëse plani i Tij për shpëtimin e tyre nuk do të mund të kryhej?
Lexo te Zbulesa 5:5–7 , duke kërkuar arsyen përse nuk ishte e nevojshme që Gjoni të qante. Vër re se te Përkthimi prej Joseph Smith-it për vargun 6 , numri shtatë u ndryshua në dymbëdhjetë (në Shtojcën e Përkthimit prej Joseph Smith-it).
Lexo te Zbulesa 5:8–14 , duke kërkuar mënyrën se si qeniet e ndryshme të përlëvduara u përgjigjën kur Jezu Krishti pati mundësi ta merrte librin nga dora e Atit Qiellor. Ti mund të lexosh gjithashtu mënyrën se si Jozef Smithi i përshkroi qeniet rreth fronit të Perëndisë te Doktrina e Besëlidhje 76:20–21 .
-
Si mendon, përse qeniet e përlëvduara u përgjigjën në këtë mënyrë?
-
Përfytyro sikur të ishe atje. Si mendon se do të ndiheshe? Çfarë do të bëje?
-
Çfarë mund të mësosh nga mënyra se si qeniet e përlëvduara e adhuronin Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Një e vërtetë që mësojmë është se teksa dallojmë dhe ndiejmë mirënjohje për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, ne dëshirojmë t’i adhurojmë dhe lavdërojmë Ata.
Adhurimi
Peshkopi Din M. Dejvis (1951–2021) i Peshkopatës Kryesuese dha mësim rreth adhurimit. Ti mund të lexosh thënien e mëposhtme ose të shikosh materialin filmik “Bekimet e Adhurimit” (nga kodi kohor 03:34 deri në 04:45 dhe 08:54 deri në 11:14), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
“Kur ne e adhurojmë Perëndinë, ne i afrohemi Atij me dashuri, përulësi dhe admirim nderues. Ne e njohim dhe e pranojmë Atë si Mbretin tonë sovran, Krijuesin e universit, Atin tonë të dashur, pafundësisht të përzemërt.
Ne e respektojmë dhe e nderojmë Atë.
Ne i nënshtrohemi Atij.
Ne i lartësojmë zemrat në lutje të fuqishme, e çmojmë fjalën e Tij, gëzohemi në hirin e Tij dhe zotohemi ta ndjekim Atë me besnikëri të përkushtuar. …
Kur adhurojmë, zemra jonë i thërret në lavde Perëndisë sonë të bekuar, në mëngjes, drekë e darkë.
Ne e përlëvdojmë dhe e nderojmë Atë vazhdimisht – në shtëpitë tona të mbledhjeve, banesat, tempujt dhe në të gjitha punët tona.
Kur adhurojmë, ne ia hapim zemrën tonë fuqisë shëruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Jeta jonë bëhet shenja dhe shprehësia e adhurimit tonë.”
(Din M. Dejvis, “Bekimet e Adhurimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 94–95)
-
Çfarë mësove rreth adhurimit nga kjo thënie?
-
Si mendon se adhurimi i sinqertë i Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit do ta bekojnë jetën tënde?
-
Kur je ndier pranë Atit Qiellor ose Jezu Krishtit nëpërmjet adhurimit të sinqertë?
-
Si mund t’i reflektojë adhurimi më mirë ndjenjat që ti ke për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
-
Zgjidh një ose disa nga veprimet vijuese dhe përsiat se si adhurimi i sinqertë mund t’i ndihmojë ato të jenë më domethënëse: lutja, studimi i shkrimit të shenjtë, marrja e sakramentit, nderimi i Shabatit, agjërimi, frekuentimi i tempullit.
-
Çfarë je ndier i nxitur të përmirësosh ose ndryshosh lidhur me mënyrën se si ti adhuron?