Zbulesa 1
“Zbulesa e Jezu Krishtit”
Për shkak të përdorimit të simbolikës në të, libri i Zbulesës mund të duket ndonjëherë i çuditshëm ose pështjellues. Është e vërtetë që libri i Zbulesës është i mbushur me simbolikë që i bën pjesë të tij të vështira për t’u kuptuar. Megjithatë, shumë mesazhe në librin e Zbulesës janë të vërteta të thjeshta për gjëra të tilla si rolet e Jezu Krishtit, ngjarjet që rrethojnë Ardhjen e Dytë dhe fitorja përfundimtare e së mirës mbi të keqen. Libri u shkrua nga Apostulli Gjon dhe u drejtohet shtatë bashkësive të Kishës në Azinë e Vogël (Turqia e ditëve të sotme). Ashtu si shumë njerëz sot, këta ndjekës besnikë të Jezu Krishtit vuajtën për shkak të besimit të tyre në Jezu Krishtin dhe u ngushëlluan nga mesazhet dhe gjuha e figurshme e përdorur nga Gjoni. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të kuptosh një pjesë të simbolikës në librin e Zbulesës dhe atë që ajo mund të japë mësim rreth Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Vegimi i Gjonit
Si “Zbulesa e Jezu Krishtit” ( Zbulesa 1:1), libri i Zbulesës quhet nganjëherë “Apokalipsi”, që në greqisht do të thotë “e zbuluar ose e pambuluar” (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “ Zbulesë e Gjonit ”).
Ky libër zbulon Zotin Jezu Krisht dhe autoritetin, fuqinë dhe rolin kryesor të Tij në planin e Shpëtimit të Atit. Libri gjithashtu zbulon informacion të rëndësishëm rreth ngjarjeve që çojnë në Ardhjen e Dytë dhe në Mijëvjeçar.
Apostulli Gjon, dishepulli i dashur i Jezu Krishtit, është autori i këtij libri. Gjoni e shkroi librin nga ishulli i Patmosit në një kohë kur të krishterët po përballeshin me mësime të rreme, plogështi [shpirtërore] dhe përndjekje të ashpra (shih Zbulesa 1:9 ; 2:4, 10, 14–15 ; 3:16 ; 6:9).
Libri i Mormonit pohon se Gjoni ishte parashuguruar për të shkruar gjërat e shënuara në librin e Zbulesës (shih 1 Nefi 14:18–27 ; Ethëri 4:16).
Lexo te Zanafilla 1:1–3 dhe vër re atë që Gjoni dha mësim rreth zbulesës që ai mori. (Vër re që Përkthimi prej Joseph Smith-it, thotë, “Bekuar janë ata që lexojnë dhe ata që dëgjojnë e kuptojnë fjalët e kësaj profecie.”)
-
Çfarë të bëri përshtypje në këto vargje?
-
Çfarë thotë Gjoni se duhet të bëjë një person për të qenë i bekuar nga përmbajtja e librit të Zbulesës?
Shih pjesën “Komente dhe Informacion për Rrethanat” për ide mbi “mbretërit dhe priftërinjtë” dhe “Alfa dhe Omega”.
-
Çfarë gjete te Zbulesa 1:4–8 që Gjoni dëshironte që shenjtorët të dinin dhe ndienin për Jezu Krishtin?
-
Cila prej këtyre të vërtetave rreth Jezu Krishtit do të ishte e dobishme për këta shenjtorë që po vuanin përndjekje?
-
Si mund të jenë të dobishme këto të vërteta teksa përballesh me sfida në jetën tënde?
Vegimi simbolik i Gjonit
Në vegimin e tij, Gjoni dëgjoi zërin e Krishtit (shih Zbulesa 1:10–11). Kur u kthye drejt zërit të Shpëtimtarit, ai pa figura simbolike të ngjashme me figurën e treguar në fillim të mësimit.
Gjatë gjithë shkrimeve të shenjta, profetët e përdorën simbolikën për të thelluar të kuptuarit rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Simbolika mund të jetë një mjet i efektshëm i mësimdhënies, pasi ajo mund të kuptohet nga njerëz të gjuhëve, kulturave dhe brezave të ndryshëm. Simbolika mund të kumtojë edhe disa mesazhe të ndryshme. Gjithashtu, simbolika mund të pasurojë të kuptuarit me anë të ideve frymëzuese dhe emocioneve që janë të vështira për t’u kumtuar vetëm me fjalë.
-
Sa i sigurt je ti në aftësinë tënde për të kuptuar kuptimin e simboleve në shkrimet e shenjta?
-
Mendo për disa simbole të përdorura në Dhiatën e Re për të përshkruar Jezu Krishtin (siç është qengji, buka, uji, guri dhe bariu). Si të ndihmojnë këto simbole ta kuptosh më mirë Atë?
Lexo te Zbulesa 1:12–18 dhe kërko hollësi dhe simbole të tjera në vegimin e Gjonit për Jezu Krishtin.
Në tabelën vijuese ti do të shohësh disa nga simbolet e përmendura në vegimin e Gjonit. Një mënyrë me vlerë për t’i kuptuar simbolet në shkrimet e shenjta është të përdorësh shkrime të shenjta të tjera.
Simbolet në Vegimin e Gjonit
Simboli |
Kuptimi i mundshëm |
1. Shtatë shandanë ari ( Zbulesa 1:12) |
1. Shih te Zbulesa 1:20 ; 3 Nefi 18:24 |
2. Dora e djathtë e Shpëtimtarit ( Zbulesa 1:16–17) |
2. Shih tek Eksodi 15:16 ; Isaia 41:10 |
3. Shtatë yje ( Zbulesa 1:16) | |
4. Një shpatë e mprehtë me dy tehe ( Zbulesa 1:16) |
4. Shih te Hebrenjve 4:12 ; Helamani 3:29–30 |
5. Çelësat e vdekjes e të Hadesit ( Zbulesa 1:18) |
5. Shih te 2 Nefi 9:10–13 |
Duke menduar për lavdinë e Jezusit dhe kuptimet e mundshme të simboleve në vegimin e Gjonit, shikoje përsëri figurën e paraqitur në fillim të mësimit.
-
Si do ta shpjegoje atë që kjo figurë përfaqëson?
-
Cilat të vërteta mund të mësojmë rreth marrëdhënies ndërmjet Jezu Krishtit dhe ndjekësve të Tij besnikë?
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto simbole është se Jezu Krishti kujdeset dhe shqetësohet për ndjekësit e Tij besnikë.
-
Si mund të ketë qenë kjo e vërtetë dhe këto simbole një bekim për shenjtorët e shtatë kishave?
-
Në cilat rrethana kjo e vërtetë ose figurë simbolike e Krishtit mund të jetë një burim ngushëllimi për një adoleshent sot?
-
Si të ka ndihmuar simbolika e këtij kapitulli ta kuptosh më mirë se kush është Shpëtimtari dhe se si është Ai?
-
Çfarë mësove rreth simbolikës që mund të të ndihmojë teksa vazhdon ta studiosh librin e Zbulesës?