Romakëve 4–5
Besimi, Veprat dhe Hiri
Në letrën e tij drejtuar romakëve, Pali u përpoq t’i ndihmonte shenjtorët romakë ta kuptonin hirin e Krishtit duke iu dhënë mësim rreth lidhjes së tij me besimin dhe veprat. Mësimet e Palit mund të na ndihmojnë ta thellojmë kuptueshmërinë tonë rreth nevojës sonë për falje dhe shpëtim nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit. Ky mësim do të të ndihmojë ta rritësh kuptueshmërinë dhe vlerësimin tënd për hirin e Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çfarë do të të shpëtojë?
Përfytyro sikur po vdes nga etja në një shkretëtirë dhe ka një shishe me ujë në majë të një kodre atje pranë. Sa e rëndësishme është secila prej pikave në vijim për mbijetesën tënde?
-
Bindja jote se uji mund të të shpëtojë
-
Përpjekja jote për të arritur tek uji
-
Vetë uji
-
Përse është vetë uji e vetmja gjë që nuk do të të lejojë që të vdesësh nga etja?
-
Përse nuk janë të mjaftueshme bindja tek uji dhe përpjekja për ta marrë ujin?
-
Si funksionojnë të gjitha së bashku bindja jote, përpjekja jote dhe uji?
Kjo situatë mund të të ndihmojë t’i kuptosh mësimet e Palit rreth mënyrës se si besimi, veprat dhe hiri lidhen me shfajësimin.
-
Si do t’i përkufizoje fjalët besim, vepra dhe hir?
Mund të jetë e dobishme t’i përsëritësh përkufizimet e këtyre fjalëve te mësimi mbi kapitujt te Romakëve 2–3 ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Në kohën e Palit, disa nga të krishterët judeas besonin se shpëtoheshin nëpërmjet veprave të tyre duke iu bindur ligjit të Moisiut. Pali u përpoq ta korrigjonte këtë keqkuptim. Lexo te Romakëve 4:16 .
-
Çfarë na mëson ky varg rreth mënyrës se si ne shfajësohemi ose marrim faljen për mëkatet tona?
Në këtë varg Pali na mëson se ne shfajësohemi nga besimi dhe veprat nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.
Shkruaji fjalët besim, vepra dhe hir pranë frazës në figurën tënde me të cilën përkon çdo fjalë.
-
Çfarë mund të mësosh nga kjo analogji rreth besimit dhe veprave?
-
Çfarë mund të mësosh nga analogjia rreth hirit të Shpëtimtarit?
Të kuptojmë më shumë rreth hirit të Jezu Krishtit
Hiri i Jezu Krishtit na mundëson të jemi të shfajësuar, ose të marrim falje për mëkatet tona dhe gjithashtu na bekon në mënyra të tjera. Jezu Krishti jo vetëm që ofron ujin jetëshpëtues, por Ai forcon gjithashtu besimin dhe përpjekjet tona që të mund ta marrim ujin. Ne mund të bekohemi me anë të hirit të Tij përpara, gjatë dhe pasi ushtrojmë besim tek Ai dhe kryejmë vepra të mira.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Gjatë gjithë jetës sonë, hiri i Perëndisë dhuron bekime materiale dhe dhurata shpirtërore që i lartësojnë aftësitë tona dhe e pasurojnë jetën tonë. Hiri i Tij na pastron. Hiri i Tij na ndihmon të bëhemi më të mirët që mundemi.”
(Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 108.)
-
Si mund të të ndihmojë hiri i Shpëtimtarit të bëhesh njeriu më i mirë që mund të jesh?
Lexo fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta dhe kërko bekime të tjera të lidhura me hirin e Shpëtimtarit. Romakëve 5:1–2, 21
-
Çfarë bekimesh të tjera mund të vijnë nga Jezu Krishti nëpërmjet hirit të Tij?
-
Kur e ke përjetuar hirin e Shpëtimtarit në jetën tënde?
-
Si ndikon kjo te ndjenjat e tua ndaj Shpëtimtarit?
Të ftosh hirin e Shpëtimtarit në jetën tënde
Presidenti Uhtdorf dha këtë pikëpamje rreth mënyrës se si ti mund ta marrësh në mënyrë më të plotë hirin e Jezu Krishtit:
“Hiri është një dhuratë nga Perëndia dhe dëshira jonë për të qenë të bindur ndaj secilit prej urdhërimeve të Perëndisë është shtrirja e dorës sonë të vdekshme për ta marrë këtë dhuratë të shenjtë nga Ati ynë Qiellor”.
(Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 110.)
-
Çfarë mendimesh dhe ndjenjash ndien kur mendon rreth efekteve të hirit të Jezu Krishtit në jetën tënde?
-
Çfarë mund të bësh për ta ftuar më plotësisht hirin e Jezu Krishtit në jetën tënde?
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Si mund ta pranojmë nevojën tonë për hir?
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, bëri pyetjet vijuese rreth nevojës sonë për hir:
“A e kuptojmë se i kemi borxh Atit Qiellor dhe a përgjërohemi me gjithë shpirtrat tanë për hirin e Perëndisë?
Kur biem në gjunjë për t’u lutur, a e bëjmë që të përmendim sërish arritjet më madhështore të vetë drejtësisë sonë, apo është që t’i rrëfejmë gabimet tona, të përgjërohemi për mëshirën e Perëndisë dhe të derdhim lot mirënjohjeje për planin mahnitës të shëlbimit?”
(Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 109.)
Cili është një shembull i hirit që vepron në jetën e dikujt?
Romakëve 4:16 . Përse Abrahami u përdor si shembull i të qenit i shfajësuar?
Për ta korrigjuar idenë që vetëm ata që ishin rrethprerë dhe po e zbatonin ligjin e Moisiut mund të shpëtoheshin, Pali dha mësim se Abrahami kishte marrë bekime përpara se të rrethpritej dhe shekuj përpara se ligji i Moisiut të jepej. Më pas Abrahami vazhdoi të ishte besnik pas bërjes së besëlidhjes me Perëndinë edhe pasi u rrethpre. Prandaj, Pali pati mundësinë të tregonte që individët nuk shfajësoheshin nëpërmjet bindjes ndaj ligjit të Moisiut, por me anë të besimit dhe veprave nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.
Si lidhet hiri i Perëndisë me Rënien e Adamit?
Te Romakëve 5:12–21 Pali dha mësim se Jezu Krishti na ndihmon t’i mposhtim efektet e Rënies. Për shkak të shkeljes së Adamit, mëkati dhe vdekja hynë në botë. Megjithatë, për shkak të “dhurat[ës] me anë të hirit [të] një njeriu, Jezu Krishtit” ( Romakëve 5:15), të gjithë mund t’i mposhtin efektet e mëkatit dhe të vdekjes dhe të marrin jetën e përjetshme. Referenca e Palit për Rënien na ndihmon ta kuptojmë fuqinë e lartë të hirit të Shpëtimtarit për t’i mposhtur të gjitha gjërat.
Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit
“Shtrëngimi prodhon këmbënguljen”
Pyetini nxënësit nëse kanë qenë ndonjëherë mirënjohës për një sprovë që kanë përjetuar. Pyetje të mundshme për diskutim mund të jenë: “Në çfarë pike u bëre mirënjohës/e?” ose “Çfarë do t’i thoshe dikujt që po kalon një sprovë që mund ta ndihmojë atë ta durojë mirë?” (Shih Doktrina e Besëlidhje 121:7–8 .) Shpjegoni që Pali kaloi shumë sprova të vështira në jetën e tij dhe shkroi për bekimet që rezultuan nga ajo që ai vuajti. Ftojini nxënësit të lexojnë te Romakëve 5:3–5 , duke kërkuar atë që Pali thotë se mund të rezultojë nga sprovat ose shtrëngimet në jetën tonë. Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të tregojnë se si ata e kanë përjetuar ndonjë nga këto bekime.
Të mësojmë rreth hirit nga Libri i Mormonit
Profetët e Librit të Mormonit ishin të frymëzuar të jepnin mësim dhe të shkruanin rreth Jezu Krishtit dhe hirit të vënë në dispozicionin tonë nëpërmjet Tij. Nxënësit mund të lexojnë të paktën tre nga vargjet vijuese, duke menduar atë që këto vargje u mësojnë atyre rreth hirit.
Një mundësi tjetër është t’i vendosni nxënësit në grupe dhe t’i caktoni çdo anëtari një ose më shumë nga fragmentet e shkrimeve të shenjta. Vërini ata t’i lexojnë vargjet e tyre nga shkrimet e shenjta dhe ta shkruajnë referencën dhe një fjalë ose frazë të parapëlqyer nga fragmenti i shkrimeve të shenjta në një fletë letre. Më pas vërini ata t’i qarkullojnë letrat dhe përsëriteni procesin për letrat e çdo anëtari tjetër të grupit. Pasi veprimtaria të ketë përfunduar, nxënësit mund ta shohin fletën e tyre fillestare dhe t’i shohin fjalët dhe frazat e zgjedhura nga anëtarët e grupit për të gjitha vargjet.
Ftesa përmbyllëse
Për t’i ndihmuar nxënësit ta zbatojnë atë që kanë mësuar në këtë mësim, merreni parasysh t’u jepni atyre një fletë shënimi ose një fletë të vogël letre. Ftojini ata ta mbajnë atë me vete për 24 orët e ardhshme ndërsa kërkojnë hirin e Perëndisë në jetën e tyre dhe të shkruajnë çdo provë që gjejnë. Ftojini ata të luten më pas dhe të shprehin mirënjohje për çdo rast dhe t’i kërkojnë Atit Qiellor t’i ndihmojë të kenë sy për ta parë më mirë hirin e Tij në jetën e tyre. Nxënësit mund të raportojnë për përvojat e tyre në mësimin e ardhshëm.