Seminari
Romakëve 1–6


Romakëve 1–6

Vështrim i Përgjithshëm

Duke iu drejtuar shenjtorëve që jetonin në Romë, Pali shpalli se ai “nuk k[ishte] turp për ungjillin e Krishtit” (Romakëve 1:16). Si të kthyerit në besim judeas ashtu edhe ata johebrenj kishin nevojë për ndihmë për të kuptuar mbështetjen e tyre te Jezu Krishti dhe mënyrën se si t’i pranonin bekimet e Shlyerjes së Tij në jetën e tyre. Pali kërkoi t’i ndihmonte shenjtorët romakë ta kuptonin hirin e Krishtit duke i mësuar rreth lidhjes së tij me besimin dhe veprat. Ai dha mësim që ne fitojmë të drejtën për ta përdorur fuqinë e Shpëtimtarit ndërsa bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet me Të, “[duke] ec[ur] në risinë e jetës” (Romakëve 6:4).

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u ofron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

Romakëve 1

Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të mos kenë turp të njihen si dishepuj të Jezu Krishtit.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të diskutuar arsyen përse njerëzit mund të ngurrojnë të njihen si dishepuj të Krishtit ose ta shpërndajnë ungjillin tek të tjerët.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh ta jepni detyrën e kontrollit duke ua paraqitur atë nxënësve dhe duke i lejuar ata t’i theksojnë përgjigjet që mendojnë se janë të sakta ose t’i shkruajnë shkronjat e përgjigjeve të zgjedhura prej tyre në veçorinë e bashkëbisedimit. Më pas përgjigjet mund të diskutohen një e nga një ndërsa detyra e kontrollit zhvillohet ose ndërsa temat dalin gjatë mësimit.

Romakëve 2–3

Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë më mirë nevojën që ne të gjithë kemi për të marrë falje për mëkatet tona dhe për t’u shfajësuar nëpërmjet Jezu Krishtit.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë përkufizimet te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet nga mësimi për kapitujt te Romakëve 1–6 dhe të jenë të përgatitur të tregojnë me fjalët e tyre përkufizimet për fjalët si shfajësim, besim dhe hir.

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Përkufizimet për shfajësim, besim, ligj dhe hir

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Ftojeni një nxënës të përdorë funksionin e tabelës së bardhë dhe ta ilustrojë vizatimin e sugjeruar për të gjithë klasën.

Romakëve 4–5

Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit ta shtojnë kuptueshmërinë dhe vlerësimin e tyre për hirin e Jezu Krishtit.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë pjesën “Hir” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta , më pas të përcaktojnë një mënyrë se si e kanë marrë hirin e Perëndisë në jetën e tyre.

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Diagrami i figurës së njeriut në shkretëtirë dhe teksti shoqërues

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Nxënësit mund të organizohen në dhoma virtuale të veçanta për të diskutuar për diagramin. Sigurohuni që të jepni udhëzime të qarta në mënyrë që nxënësit të dinë se çfarë po kërkojnë të arrijnë. Mund të jetë e dobishme të paraqitni tri pyetje për diskutim që nxënësit t’i diskutojnë në dhomat virtuale të veçanta.

Romakëve 6

Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të kërkojnë ndryshim nëpërmjet Jezu Krishtit dhe t’i dallojnë më mirë ato ndryshime kur ndodhin.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të kujtojnë hollësi rreth pagëzimit të tyre dhe mbase të sjellin një fotografi nëse e kanë një të tillë. Disa nxënës ose prindërit e tyre mund të kenë shkruar një shënim në ditar kur nxënësit u pagëzuan. Mund të jetë interesante që nxënësit ta lexojnë atë shënim në ditar ose të flasin me prindërit e tyre rreth hollësive të pagëzimit të tyre, duke përfshirë ato që nxënësit mund t’i kenë harruar.

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Një fotografi e kohës kur u pagëzuat

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh të përdorni deri në gjashtë dhoma virtuale të veçanta për sugjerimin e mësuesit që shoqëron vargjet te Romakëve 6:9–14 . Ndajini nxënësit në grupe dhe caktojini çdo grupi të paktën një varg nga Romakëve 6:9–14 për ta diskutuar së bashku, pas të cilit ata do t’ia tregojnë klasës atë që mësuan. Vizitojeni çdo grup shkurtimisht për të ofruar ndihmë individuale dhe për t’u përgjigjur për pyetjet sipas nevojës. Sigurohuni që nxënësit të jenë të përgatitur të flasin me shokët e tyre të klasës përpara përfundimit të dhomave virtuale të veçanta.

Përsëritja 17 e Zotërimit Doktrinor

Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre mbi të vërtetat për një ose disa fragmente të zotërimit doktrinor nga Dhiata e Re dhe t’i shpjegojnë ato.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i kushtojnë vëmendje çdo vargu, fraze ose fjale pështjelluese gjatë studimit vetjak ose familjar të radhës të shkrimeve të shenjta dhe të vijnë të përgatitur në klasë për t’i treguar ato.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i përdorni dhomat virtuale të veçanta që nxënësit të diskutojnë për mënyrën se si ata i përdorën aftësitë e ndryshme të studimit të shkrimit të shenjtë për ta shtuar kuptueshmërinë e tyre për fragmentet e shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor.