Shkrimet e Shenjta
1 Nefi 20


Kapitulli 20

Zoti i zbulon qëllimet e tij Izraelit—Izraeli është zgjedhur në furrën e pikëllimit dhe do të ikë nga Babilonia—Krahaso Isaia 48. Rreth 588–570 para K.

1 Dëgjo dhe kupto këtë, o shtëpi e Jakobit, që quhesh me emrin e Izraelit dhe e dalë nga ujërat e Judës ose nga ujërat e pagëzimit, që betohesh në emër të Zotit dhe përmend Perëndinë e Izraelit, por që nuk betohesh as në të vërtetën dhe as në drejtësi.

2 Megjithatë, ata e quajnë veten se janë nga qyteti i shenjtë, por ata nuk mbështeten në Perëndinë e Izraelit që është Zoti i Ushtrive, po, Zoti i Ushtrive është emri i tij.

3 Vini re, unë kam shpallur gjërat e mëparshme që nga fillimi; dhe ato më dolën nga goja, dhe unë i tregova. Unë i tregova ato menjëherë.

4 Dhe unë e bëra, sepse e dija që je kokëfortë dhe qafa jote është një brez i hekurt dhe balli yt prej bronzi.

5 Dhe madje unë të kam shpallur që nga fillimi; para se të ndodhin unë t’i kam treguar; dhe unë t’i tregova nga frika se ti do të thoshe—Idhulli im i ka bërë ato dhe imazhi im i gdhendur dhe imazhi im i shkrirë i ka urdhëruar.

6 Ti ke parë dhe ke dëgjuar të gjitha këto; dhe nuk do t’i shpallësh ato? Dhe që unë të kam treguar gjëra të reja nga kjo kohë, madje gjëra të fshehta dhe ti nuk i dije.

7 Ato janë krijuar tani dhe jo nga fillimi, madje para ditës kur ti s’i dëgjove ato të ishin shpallur, që ti të mos thoshe: Vini re, unë i dija.

8 Po, dhe ti nuk dëgjove; po, ti nuk dije; po, që atëherë, veshi yt nuk ishte hapur; sepse unë e dija që do të silleshe shumë tradhëtisht dhe se do të quheshe një shkelës që në bark të nënës.

9 Megjithatë, për hir të emrit tim, unë do ta përmbaj zemërimin dhe për lavdinë time, unë do të shmangem nga ty që të mos të të përjashtoj.

10 Pasi, vër re, unë të kam rafinuar, unë të kam zgjedhur në furrën e pikëllimit.

11 Për hir të vetes sime, po, për hir të vetes sime unë do ta bëj këtë, pasi nuk do të lejoj që emri im të ndotet dhe nuk do t’ia jap lavdinë time ndokujt tjetër.

12 Dëgjomë, O Jakob dhe që Izrael unë të kam quajtur; pasi unë jam ai; unë jam i pari dhe unë jam gjithashtu i fundit.

13 Dora ime ka vënë gjithashtu themelin e tokës dhe dora ime e djathtë ka matur qiejt. Unë i thërres ata dhe ata ngrihen së bashku.

14 Të gjithë ju, mblidhuni dhe dëgjoni; cili mes tyre ua ka shpallur këto gjëra? Zoti e ka dashur atë; po, dhe ai do ta plotësojë fjalën e tij të cilën e ka shpallur nëpërmjet tyre; dhe ai do të bëjë dëshirën e tij mbi Babiloni dhe krahu i tij do të bjerë mbi Kaldeasit.

15 Gjithashtu thotë Zoti; unë Zoti, po, unë kam folur; po, unë e kam thirrur atë që të shpallë, unë e kam sjellë dhe ai do ta bëjë rrugën e tij të begatë.

16 Ejani ju pranë meje; unë nuk kam folur në fshehtësi; që nga fillimi, që nga koha që ishte shpallur unë kam folur; dhe Zoti Perëndi dhe Shpirti i tij, më kanë dërguar.

17 Dhe kështu thotë Zoti, Shëlbuesi yt, i Shenjti i Izraelit; unë e kam dërguar atë, Zotin Perëndinë tënd, që të mëson ty të përfitosh, që të udhëheq nëpër udhën që duhet të shkosh, e kam bërë atë.

18 O të kishe dëgjuar urdhërimet e mia—atëherë paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.

19 Fara jote gjithashtu do të kishte qenë si rëra, pasardhësi i barkut tënd si zhavorri; emri i tij nuk do të ishte flakur dhe as nuk do të shkatërrohej para meje.

20 Dilni nga Babilonia, ikni nga Kaldeasit, me një zë kënge shpallni, thoni këtë, përhapni zërin deri në fundin e tokës; thoni: Zoti e ka shëlbuar shërbëtorin e tij, Jakobin.

21 Dhe ata nuk patën etje; ai i udhëhoqi nëpër shkretëtira; ai bëri që ujërat të rrjedhin nga shkëmbi për ta; ai gjithashtu çau shkëmbin dhe ujërat vërshuan jashtë.

22 Dhe megjithëse ai bëri gjithë këtë dhe gjëra gjithashtu më të mëdha, nuk ka paqe, thotë Zoti, për të ligjtë.