Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 31


Seksioni 31

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Thomas B. Marsh-it, shtator 1830 (History of the Church, 1:115–117). Rasti ishte menjëherë pas konferencës së kishës (shih kreun e seksionit 30). Thomas B. Marsh ishte pagëzuar më herët atë muaj dhe ishte shuguruar plak në Kishë, përpara se kjo zbulesë të jepej.

1–6, Thomas B. Marsh thirret të predikojë ungjillin dhe sigurohet për mirëqenien e familjes së tij; 7–13, Ai këshillohet të jetë i duruar, të lutet gjithmonë dhe të ndjekë Ngushëlluesin.

1 Thomas, biri im, bekuar qofsh ti për shkak të besimit tënd në punën time.

2 Vër re, ti ke patur shumë hidhërime për shkak të familjes tënde; megjithatë, unë do të të bekoj ty dhe familjen tënde, po, të vegjlit e tu; dhe dita vjen kur ata do të besojnë e do të dinë të vërtetën dhe do të jenë së bashku me ty në kishën time.

3 Gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu, pasi ora e misionit tënd ka ardhur; dhe gjuha jote do të zgjidhet e ti do t’i shpallësh lajme hareshme të gëzimit të madh këtij brezi.

4 Dhe ti duhet të shpallësh gjërat që i janë zbuluar shërbëtorit tim, Joseph Smith, të Riut. Ti duhet të fillosh të predikosh tani e tutje, po, për të korrur fushën që është e bardhë gati për t’u djegur.

5 Si rrjedhim, shtyje drapërin tënd me gjithë shpirtin tënd dhe mëkatet e tua të janë falur e ti do të ngarkohesh me duaj mbi supe, pasi punëtori e meriton shpërblimin e vet. Prandaj, familja jote do të jetojë.

6 Vër re, në të vërtetë unë të them, largohu prej tyre vetëm për pak kohë e shpall fjalën time dhe unë do të përgatis një vend për ta.

7 Po, unë do t’i hap zemrat e njerëzve dhe ata do të të pranojnë. Dhe unë do të ngre një kishë prej dorës tënde;

8 Dhe ti do t’i forcosh ata e do t’i përgatisësh kundrejt kohës kur ata do të mblidhen.

9 Ji i duruarmundime, mos i shaj ata që të shajnë. Qeverise shtëpinë tënde me butësi dhe qëndro besnik.

10 Vër re, unë të them se ti do të jesh një shërues për kishën, por jo për botën, sepse ata nuk do të të pranojnë.

11 Shko në udhën tënde, kudo që unë të dëshiroj, dhe do të të jepet me anë të Ngushëlluesit çfarë të bësh e ku të shkosh.

12 Lutu gjithmonë, që të mos biesh në tundim dhe të mos humbasësh shpërblimin tënd.

13 Ji besnik deri në fund dhe ja, unë jam me ty. Këto fjalë nuk janë prej njeriut ose prej njerëzve, por prej meje, madje Jezu Krishtit, Shëlbuesit tuaj, nëpërmjet vullnetit të Atit. Amen.